Bekime nga shfaqja e mirënjohjes për dashurinë e Jehovait—Pjesa 1
1 Apostulli Gjon shkroi: «Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse [Jehovai] na deshi i pari.» (1 Gjon. 4:19) Kur mendojmë për gjithçka që Jehovai na ka siguruar, jemi të nxitur të shfaqim mirënjohjen tonë të thellë në këmbim. Jezui la shembullin në bërjen e kësaj, duke dëshmuar në mënyrë të bindur për emrin e Perëndisë dhe për Mbretërinë. (Gjoni 14:31) Bëjmë mirë të shqyrtojmë disa mënyra me anë të të cilave mund të shfaqim mirënjohjen tonë për dashurinë e Jehovait dhe bekimet që vijnë si pasojë.
2 Duke shkuar nga shtëpia në shtëpi: Jezui i mësoi dishepujt e tij si ta kryenin veprën e predikimit të Mbretërisë. Udhëzimet e tij treguan qartë që ata të shkonin nga shtëpia në shtëpi, duke përhapur lajmin e mirë. (Luka 9:1-6; 10:1-7) Duhet dashuri për Perëndinë dhe të afërmin që të vazhdojmë të shkojmë nga shtëpia në shtëpi kur ndeshemi me apatinë dhe kundërshtimin. Sidoqoftë, në këtë vepër, përfitojmë personalisht sepse besimi ynë bëhet më i patundur, bindja jonë më e fortë dhe shpresa më e fuqishme.
3 Duke punuar nën drejtimin engjëllor, kemi gjetur shumë veta që janë të uritur dhe të etur për të vërtetën. (Zbul. 14:6) Pronarët e shtëpive kanë thënë se ishin duke u lutur për ndihmë kur një Dëshmitar ka ardhur në derën e tyre. Në një ishull në Karaibe, dy Dëshmitare dhe një fëmijë i vogël po shkonin nga shtëpia në shtëpi. Kur dy gratë vendosën të mbaronin për atë ditë, fëmija vazhdoi vetë drejt derës tjetër dhe trokiti. Një zonjë e re hapi derën. Kur motrat e panë shkuan dhe folën me të. Ajo i ftoi brenda dhe shpjegoi se ishte tamam duke iu lutur Perëndisë të dërgonte Dëshmitarët që t’i mësonin Biblën.
4 Duke dëshmuar në rrugë: Meqë në disa zona është shumë e vështirë t’i gjesh njerëzit në shtëpi, dëshmia rrugore është një mënyrë e efektshme për tu dhënë njerëzve dëshmi. Për më tepër, shumë njerëz jetojnë në bashkësi të siguruara me porta në hyrje ose ndërtesa të sigurisë së lartë ku nuk mund të shkojmë nga shtëpia në shtëpi. Megjithatë, mirënjohja jonë për dashurinë e Jehovait na shtyn të përfitojmë nga çdo mjet i mundshëm për të arritur njerëzit me mesazhin e Mbretërisë, duke përfshirë dëshminë rrugore.—Prov. 1:20, 21.
5 Duke bërë rivizita: Meqë jemi duke kërkuar ata që janë «të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore», duam të bëjmë aq sa mundemi për ta plotësuar këtë nevojë. (Mat. 5:3) Kjo kërkon që të kthehemi të ujitim farërat e së vërtetës që mbollëm. (1 Kor. 3:6-8) Një motër në Australi i la një fletushkë një gruaje që nuk dukej se tregoi shumë interes. Pavarësisht nga kjo, motra këmbënguli në përpjekjet për ta gjetur në shtëpi përsëri. Kur më në fund e takoi, motra jonë zbuloi se pas vizitës së parë, gruaja kishte blerë një Bibël të shtrenjtë. Motra filloi studim me të.
6 Duke drejtuar studime biblike: Ky mund të jetë aspekti më i kënaqshëm dhe më shpërblyes i shërbimit tonë. Çfarë bekimi është t’i ndihmosh njerëzit të mësojnë për Jehovain dhe t’i shohësh të bëjnë ndryshime në jetë për ta kënaqur atë. Çfarë bekimi është t’i shohësh të dëshmojnë pagëzimin e tyre si simbol të dedikimit ndaj Perëndisë.—1 Sel. 2:20; 3 Gjon. 4.
7 Në numrin vijues, do të shqyrtojmë më shumë mënyra në të cilat jemi bekuar për mirënjohjen që tregojmë për dashurinë e Jehovait.