Bekime nga shfaqja e mirënjohjes për dashurinë e Jehovait—Pjesa 2
1 Në pjesën që trajtonte këtë temë, muajin e kaluar, theksuam katër mënyra se si mund të tregojmë në shërbim mirënjohjen për dashurinë e Jehovait. (1 Gjon. 4:9-11) Në këtë pjesë do të shtojmë pesë mënyra të tjera se si ta shfaqim atë. Kur marrim pjesë plotësisht për të ndihmuar të tjerët nga ana frymore, Perëndia na bekon.
2 Dëshmia joformale: Kjo është një mënyrë e efektshme për të gjetur njerëzit që janë të uritur e të etur për drejtësi, si dhe për t’u lënë atyre literaturë ndihmëse. Ia vlen ‘të blejmë kohën e duhur’ e të dëshmojmë në çdo rast e kujtdo që takojmë. (Efes. 5:16) Mund të na duhet guxim për të dëshmuar në këtë mënyrë, por nëse jemi mirënjohës për dashurinë e Perëndisë dhe nëse jemi të vetëdijshëm për nevojat e njerëzve, do të dëshmojmë në çdo rast që na jepet.—2 Tim. 1:7, 8.
3 Një misionar u bekua në mënyrë të pasur për faktin që filloi bisedë me një pasagjer në një taksi. Burri tregoi interes. U rivizitua dhe me të u fillua një studim biblik. Ky burrë e pranoi të vërtetën dhe përparoi deri në atë pikë, sa u bë plak kongregacioni.
4 Shkrimi i letrave: Ndoshta nuk kemi mundësi të shkojmë nga shtëpia në shtëpi për shkak të disa sëmundjeve fizike ose të motit shumë të keq. Mund të shkruajmë letra, duke u dhënë një dëshmi të shkurtër me postë individëve që njohim, atyre që u kanë vdekur personat e dashur ose atyre që nuk ishin në shtëpi kur u punua territori. Në zarf mund të futim edhe ndonjë nga fletushkat tona të kohëve të fundit që ka një mesazh tërheqës me bazë biblike dhe ta nxitim marrësin që të përgjigjet nëse ka ndonjë pyetje. Të përdorim adresën tonë personale ose atë të Sallës së Mbretërisë; jemi të lutur të mos përdorim adresën e zyrës së degës.
5 Dëshmia me telefon: Kjo është një mënyrë e shkëlqyer për të arritur njerëzit që nuk mund t’i takojmë në veprën shtëpi më shtëpi. Nëse këtë e bëjmë me maturi, me dashamirësi, me takt dhe me mjeshtri mund të marrim një përgjigje shumë të mirë. Shërbimi ynë i Mbretërisë, shkurt 2001, faqet 5-6, siguron sugjerime praktike për mënyrën si të arrijmë përfundimet më të mira.
6 Një motër, kur po jepte dëshmi me telefon, pyeti një grua nëse kishte menduar ndonjëherë seriozisht për të ardhmen e saj dhe të familjes së saj. Gruaja u përgjigj se po. Motra zbuloi se për shkak të dëshpërimit, ajo qëndronte e veçuar në shtëpi. E nxitur nga interesi i sinqertë i motrës, gruaja pranoi ta takonte atë në një treg aty afër. Si përfundim, gruaja pranoi me gatishmëri një studim biblik.
7 Mirëpritja e të huajve: Nëse i duam të afërmit tanë, do të jemi syçelë për të vërejtur çdo person të ri që viziton vendin tonë të mbledhjeve dhe do ta bëjmë të ndihet i mirëpritur. (Rom. 15:7) Ta bëjmë të kuptojë që ndodhet mes atyre që janë sinqerisht të interesuar për mirëqenien e tij frymore. Interesi ynë i sinqertë dhe ofrimi i një studimi personal të Biblës, mund ta motivojë atë që ta pranojë ndihmën tonë.
8 Sjellja jonë e mirë: Ne e stolisim të vërtetën me anë të sjelljes sonë të shkëlqyer. (Titit 2:10) Kur ata në botë, flasin në mënyrë lavdëruese për ne si Dëshmitarë të Jehovait, i sjellin nderim Perëndisë tonë. (1 Pjet. 2:12) Edhe kjo gjë mund t’i ndihmojë të tjerët që të fillojnë të ecin në udhën e së vërtetës.
9 Përse të mos i rishqyrtojmë këto pesë mënyra për të treguar mirënjohjen tonë për dashurinë e madhe të Jehovait për ne e t’i zbatojmë ato? (1 Gjon. 4:16) Nëse e bëjmë, do të korrim shumë bekime.