Të mblidhemi së bashku për të lavdëruar Jehovain
1. Cila është tema e Kongresit, dhe përse Jehovai është i denjë për t’u lavdëruar?
1 Jehovai është i plotfuqishëm në forcë, i pahetueshëm në mençuri, i përsosur në drejtësi dhe personifikimi i dashurisë. Si Krijuesi, Jetëdhënësi dhe Sovrani Universal vetëm ai është i denjë për t’u adhuruar. (Ps. 36:9; Zb. 4:11; 15:3, 4) Kongresi Krahinor me temë «Jepini lavdi Perëndisë», i cili do të mbahet në verë, do të forcojë vendosmërinë tonë për ta lavdëruar atë si të vetmin Perëndi të vërtetë.—Ps. 86:8-10.
2, 3. Si do të na ndihmojë planifikimi i mirë për të përfituar plotësisht nga programi?
2 Nevojitet planifikim i mirë: Që të përfitojmë plotësisht nga banketi frymor që Jehovai ka siguruar për ne, duhet të bëjmë një planifikim të mirë. (Ef. 5:15, 16) A i keni përfunduar rregullimet për strehim, mjetin e udhëtimit dhe kohën që do të mungoni në punë ose në shkollë? Mos i lini këto gjëra të rëndësishme për minutën e fundit. Nëse vononi të merrni leje, mund të humbitni një pjesë të këtij rasti të gëzuar. Nevojitet që të gjithë të jemi të pranishëm në çdo sesion.
3 Synoni që çdo ditë të arrini herët në vendin e kongresit. Kjo do t’ju japë mundësinë të uleni në vendin tuaj përpara këngës hapëse dhe do t’ju ndihmojë të keni qëndrimin e duhur për mësimin që jepet. Dyert do të hapen çdo ditë në orën 8.00 të mëngjesit. Ju lutemi që të mos ruani vende të tjera, përveçse për pjesëtarët e familjes ose për ata që udhëtojnë bashkë me ju në makinë.
4. Pse jemi të lutur që të gjithë të marrim ushqim me vete në kongres?
4 Ju lutemi të gjithëve që të merrni ushqim me vete, në vend që të largoheni nga vendi i kongresit për të ngrënë jashtë gjatë pushimit të drekës. Bashkëpunimi juaj me këtë rregullim do të ndihmojë të ketë një atmosferë paqësore dhe do t’ju japë më shumë kohë të shoqëroheni me bashkëbesimtarët. (Ps. 133:1-3) Ju lutemi të kini parasysh se në mjediset e kongresit nuk lejohen enë qelqi dhe pije alkoolike.
5. Si mund të fillojmë ta përgatitim zemrën tonë për kongresin?
5 Dëgjoni dhe mësoni: Ezdra e përgatiti zemrën, me dëshirë të zjarrtë, për të pranuar fjalën e Perëndisë. (Ezdra 7:10) E priri zemrën ndaj mësimeve të Jehovait. (Prov. 2:2) Ne mund të fillojmë të përgatitim zemrën, pikërisht përpara se të dalim nga shtëpia, duke medituar për temën e kongresit dhe duke e diskutuar atë me familjen.
6. Çfarë mund të na ndihmojë për t’u përqendruar gjatë programit? (Shiko kutinë.)
6 Në një sallë të madhe mund të shohim ose mund të dëgjojmë shumë gjëra që na shpërqendrojnë. Këto shpërqendrime mund ta largojnë me lehtësi mendjen tonë nga oratori. Kur ndodh kjo, humbasim informacion të vlefshëm. Sugjerimet që gjenden në kutinë shoqëruese mund të na ndihmojnë të përqendrohemi më mirë.
7, 8. Si mund të tregojmë respekt për të tjerët?
7 Tregoni respekt për të tjerët: Aparatet fotografike dhe kamerat mund të përdoren gjatë programit, por për të mos i shpërqendruar të tjerët, përdorini që nga vendi ku jeni ulur. Celularët dhe aparatet sinjalizuese duhen programuar që të mos shpërqendrojmë të tjerët. Asnjë pajisje personale nuk duhet të lidhet me sistemin elektrik dhe akustik të kongresit.
8 Sigurisht që presim me padurim të mblidhemi së bashku për të lavdëruar Jehovain. Le të jemi të vendosur ta lavdërojmë atë duke ndjekur çdo sesion, duke dëgjuar me vëmendje dhe duke e zbatuar atë që mësojmë.—Ligj. 31:12.
[Kutia në faqen 3]
Duke dëgjuar gjatë kongresit
▪ Mendoni rreth temave të fjalimeve
▪ Kërkoni shkrimet
▪ Merrni shënime të shkurtra
▪ Veçoni pikat që dëshironi të zbatoni
▪ Rishikoni atë që keni mësuar