‘Le të lëvdojmë të gjithë emrin e tij’
1. Çfarë mundësie do të kemi për të lëvduar së bashku emrin e Perëndisë? Çfarë mund të bëjmë që tani për t’u përgatitur?
1 «Lartojeni Zotin bashkë me mua dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij»,—këndoi psalmisti. (Psal. 34:3) Kongresi i ardhshëm krahinor «Të ecim me Perëndinë» do të na japë mundësinë të lëvdojmë emrin e Jehovait bashkë me motrat e vëllezërit e shumë kongregacioneve. A keni planifikuar se ku do të strehoheni, me çfarë do të shkoni dhe për të marrë leje nga puna? Është e mençur që të mos i lëmë për në çastin e fundit këto gjëra.—Prov. 21:5.
2. Pse është e dobishme që të planifikojmë të mbërrijmë herët në vendin e kongresit?
2 Mbërritja në vendin ku mbahet kongresi: Duhet të kemi kujdes për shumë gjëra kur ndjekim kongresin. Nëse nisemi herët, do të arrijmë në kohë, pavarësisht nga ndonjë vonesë e paparashikuar. Kështu do të kemi mundësi të gjejmë një vend e të jemi në kohën e duhur për të marrë pjesë me gjithë zemër në këngën dhe lutjen hapëse. (Psal. 69:30) Disa minuta para fillimit të sesionit, drejtuesi do të jetë ulur në platformë, ndërsa në sfond dëgjohet një melodi e Mbretërisë. Kjo është koha kur të gjithë duhet të zëmë vend në mënyrë që programi të mund të fillojë në mënyrë dinjitoze.—1 Kor. 14:33, 40.
3. Si mund të tregojmë respekt për të tjerët kur zëmë vendet?
3 Fjala e Perëndisë na këshillon që ‘të gjitha punët tona të bëhen me dashuri’. (1 Kor. 16:14) Kur hapen dyert në orën 8.00 në mëngjes, respekti për të tjerët nuk do të na lejojë që të vrapojmë, të ngutemi ose të shtyjmë njëri-tjetrin në përpjekje për të zënë vendet që duam, para se t’i zënë të tjerët. Mund të rezervoni vende vetëm për ata që udhëtojnë me ju ose për ata që jetojnë me ju.—1 Kor. 13:5; Filip. 2:4.
4. Çfarë përgatitjesh duhet të bëjmë për pushimin e drekës? Si mund të përfitojmë nga kjo?
4 Ju lutemi ta merrni drekën me vete në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Në këtë mënyrë do të keni mundësi të shijoni shoqërinë ndërtuese dhe të jeni aty në fillimin e sesionit të pasdites. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë ushqimesh të vogël që mund ta mbani poshtë karriges. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknik, enët prej qelqi dhe pijet alkoolike nuk lejohen në vendin e kongresit.
5. Si mund ta përgatitim zemrën për mësimet që do të marrim?
5 Një banket frymor na pret: Mbreti Jehozafat ishte një që ‘e përgatiti zemrën për të kërkuar Perëndinë e vërtetë’. (2 Kron. 19:3, BR) Si mund ta përgatitim zemrën përpara kongresit? Artikujt në faqen e fundit të revistës Zgjohuni!, në numrat e 22 majit dhe 8 qershorit, na ndihmojnë t’i bëjmë një shikim paraprak këtij banketi frymor që do të kemi. Pse të mos gjejmë kohë e të meditojmë rreth këtyre artikujve në mënyrë që të na ndezin dëshirën për ta pritur me padurim atë që Jehovai ka përgatitur për ne? Të përgatitim zemrën do të thotë edhe t’i kërkojmë Jehovait ndihmë që të kuptojmë mësimet që do të marrim dhe t’i vëmë në zbatim.—Psal. 25:4, 5.
6. Çfarë dëshirojmë dhe pse?
6 Të gjithë dëshirojmë me zjarr të mësojmë edhe më shumë nga fjala e Perëndisë, pasi e kuptojmë që nëpërmjet saj mund të shkojmë drejt shpëtimit. (1 Pjet. 2:2) Atëherë le të marrim pjesë në kongresin krahinor «Të ecim me Perëndinë» dhe ‘le të lëvdojmë të gjithë emrin e Jehovait’!—Psal. 34:3.
[Kutia në faqen 3]
Mënyra si mund të lëvdojmë emrin e Perëndisë
◼ Të planifikojmë që më parë
◼ Të tregojmë dashuri për të tjerët
◼ Të përgatitim zemrën