Dalja në pension: A është një derë që çon në rritjen e aktivitetit?
1 Shumë njerëz punëtorë e presin me padurim kohën kur dalja në pension do t’i lirojë nga mundimi dhe tensionet e punës në botë. Megjithatë, shumë herë dalja në pension sjell plogështi, mërzitje dhe plakje të parakohshme. Kur një njeri nuk merret me një veprimtari domethënëse, mund të merakoset për veten. Një gazetë braziliane thoshte se njerëzit që kishin qenë më parë në punë shteti dhe kishin dalë në pension ankoheshin për probleme që arrinin nga ‘pakënaqësi, acarim, pasiguri dhe humbje e identitetit deri në depresion dhe në ndjenjën sikur bota e tyre po shembet’.
2 Ndryshe nga këta, shumë të krishterë e shikojnë këtë kapitull të ri të jetës së tyre si një derë që çon në rritjen e aktivitetit frymor. Një vëlla, që filloi si pionier dy javë pasi kishte mbushur 65 vjeç, tha: «Nuk kam përjetuar kurrë në jetën time një periudhë kaq të mbushur me bekime, sesa dhjetë vjetët që kam kaluar si pionier.» Një çift shkroi: «Vitet tona vërtet të arta filluan kur nisëm shërbimin si pionierë.» Po, shumë vetave dalja në pension u jep një mundësi të shkëlqyer për të zgjeruar shërbimin e tyre dhe për të korrur bekimet e pasura të Jehovait.
3 Të zellshëm e të frytshëm: Shumë veta, të cilët tani kanë dalë në pension u rritën pa rehatinë, që sot është e zakonshme, dhe që në moshë të njomë mësuan të punojnë shumë. Megjithëse mund të mos e kenë më forcën e rinisë janë ende punëtorë shumë të frytshëm. Në territorin e një dege, 22 për qind e pionierëve—gati 20.000 vëllezër dhe motra—janë të paktën 60 vjeç. Këta të moshuar luajnë një rol të madh në veprën e predikimit. Përvoja e tyre dhe cilësitë hyjnore i pasurojnë kongregacionet ku shërbejnë.—Jak. 3:17, 18.
4 Nëse dalim në shërbim vazhdimisht, kemi një shëndet më të mirë dhe e pasurojmë jetën. Një motër 84-vjeçare, e cila e filloi shërbimin e pionierit kur doli në pension, tha: «Ngaqë kam pasur shumë studime me njerëzit e interesuar, kam arritur ta mbaj mendjen në punë. Nuk kam makinë, ndaj eci shumë. Kjo më bën të kem një shëndet të mirë.» Një çift i moshuar pionierësh komentoi: «Shërbimi na bën të jemi të shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht. Jemi gjithmonë bashkë. Qeshim shumë dhe gëzojmë jetën.»
5 Shërbejnë atje ku ka nevojë: Disa të krishterë që kanë dalë në pension dhe janë në gjendje të mirë ekonomike janë transferuar për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë për predikues të Mbretërisë. Të tjerë kanë zgjeruar shërbimin e tyre, duke shërbyer në një territor ku flitet një gjuhë e huaj. Ashtu si apostulli Pavël, këta lajmëtarë të zellshëm ‘çdo gjë e bëjnë për hir të lajmit të mirë, që të bëhen pjesëmarrës në të me të tjerët.’—1 Kor. 9:23.
6 Një çift e filloi shërbimin si pionierë pasi rriti dy djemtë e tyre. Pas disa vjetësh si pionierë, i vunë vetes qëllim që të mësonin gjuhën kineze. Tani janë në të 70-at dhe kohët e fundit patën kënaqësinë të shikonin grupin kinez, në të cilin kishin punuar, të bëhej një kongregacion. Sa bekim i madh janë çifte të tilla!
7 Në shërbim nuk ka dalje në pension: Ndonëse shumë njerëz dalin në pension nga puna në botë, asnjë i krishterë nuk del në pension nga shërbimi ndaj Perëndisë. Të gjithë duhet të qëndrojnë besnikë «deri në fund». (Mat. 24:13, 14) Sigurisht që me kalimin e viteve, disa nuk janë në gjendje të bëjnë aq shumë sa bënin më parë në shërbim të Jehovait. Por, sa inkurajuese është t’i shikojmë që bëjnë me gjithë zemër aq sa kanë mundësi! Fjala e Perëndisë i siguron ata se Jehovai nuk do ta harrojë veprën e tyre dhe dashurinë që tregojnë për emrin e tij.—Luka 21:1-4; Hebr. 6:10.
8 Nëse po i afroheni moshës së daljes në pension, përse të mos shqyrtoni në lutje si mund t’i shfrytëzoni rrethanat e reja? Me ndihmën hyjnore, mund të zbuloni se dalja në pension hap një derë që çon në rritjen e aktivitetit, i cili lavdëron Jehovain dhe sjell shumë bekime.—Psal. 148:12, 13.