Muzikë që të përtërin
1 Kënga dhe muzika janë pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. Në Izraelin e lashtë Asafi dhe vëllezërit e tij kënduan: «Kremtoni Zotin. . . . Këndojini atij, lëvdojeni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.» (1 Kron. 16:8, 9) Edhe sot e lëvdojmë Jehovain me këngë në mbledhjet e kongregacionit që mbajmë çdo javë. (Efes. 5:19) Sa mundësi e mrekullueshme për të lëvduar emrin e tij!—Psal. 69:30.
2 Kur dëgjojmë Meloditë e Mbretërisë, që janë melodi të orkestruara të këngëve të Mbretërisë, mund ta mbushim mendjen me mendime frymore. Një motër shpjegoi: «Kur dëgjoj meloditë, më vijnë vetvetiu në mendje fjalët e këngëve. Është një mënyrë e mrekullueshme për ta mbajtur në mendje Jehovain ndërsa dëgjoj muzikë!»—Filip. 4:8.
3 Raste për t’i shijuar meloditë: Të dëgjosh Meloditë e Mbretërisë në shtëpi krijon një atmosferë të ngrohtë dhe frymore që e shton paqen në familje. «E dëgjojmë vazhdimisht këtë [muzikë] në shtëpi dhe në makinë e nuk na mërzitet kurrë, sepse ka variacione që të prekin,—shpjegoi një familje.—Shpesh Meloditë e Mbretërisë na krijojnë gjendjen e duhur mendore kur bëhemi gati për mbledhjet e krishtere ose kur udhëtojmë për të shkuar në ndonjë asamble.» Një motër tha: «Çelem kur i dëgjoj ndërsa bëj punët e shtëpisë. E kujt ia merrte mendja se do t’i palosja rrobat me buzë në gaz! Kur jam e mërzitur vendos të dëgjoj këtë muzikë. Sa shumë entuziazëm që të ngjall! . . . Çdo këngë të bën të lumtur.» A keni raste kur mund të nxirrni dobi nga një muzikë e tillë përtëritëse?
4 Një pjesë e mirë e muzikës së sotme pasqyron frymën e botës. Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që të kultivojnë dëshirën për muzikë të shëndetshme duke i përdorur si duhet incizimet me Meloditë e Mbretërisë. Shumë studentëve të Biblës dhe njerëzve të interesuar ndoshta do t’u pëlqente t’i njihnin këto këngë të bukura që i japin lavdi Jehovait dhe që të bëjnë të ndihesh mirë emocionalisht.—Psal. 47:1, 2, 6, 7.