Të drejtojmë studime biblike që bëjnë përparim—Pjesa 9
T’i përgatitim studentët për të dhënë dëshmi joformale
1 Kur Andrea dhe Filipi e kuptuan se Jezui ishte Mesia i premtuar, nuk u përmbajtën dot pa ua dhënë të tjerëve këtë lajm entuziazmues. (Gjoni 1:40-45) Edhe sot, studentët biblikë nxiten të flasin me të tjerët, kur fillojnë të krijojnë besim te ajo që po mësojnë. (2 Kor. 4:13) Si t’i inkurajojmë që të dëshmojnë në mënyrë joformale dhe si t’i përgatitim që ta bëjnë sa më mirë këtë?
2 Mund ta pyesim studentin nëse ka folur me të tjerët për ato gjëra që ka mësuar nga Bibla. Ndoshta ka miq ose pjesëtarë të familjes së tij që mund t’i ftojë të ulen aty me ne ndërsa zhvillojmë studimin. Ta pyesim nëse ndonjë shok pune, shok shkolle ose ndonjë i njohur tjetër ka treguar interes. Kështu studenti mund të fillojë të japë dëshmi. Ta ndihmojmë që të kuptojë se duhet të tregojë aftësi dalluese, respekt dhe të jetë i sjellshëm kur flet me të tjerët për Perëndinë Jehova dhe për qëllimet e tij.—Kolos. 4:6; 2 Tim. 2:24, 25.
3 Kur flet me të tjerët për atë që beson: Është shumë e rëndësishme ta stërvitim studentin të përdorë Fjalën e Perëndisë kur flet me të tjerët për atë që beson. Në momente të caktuara gjatë studimit, ta pyesim studentin: «Si do ta përdorje Biblën për t’ia shpjeguar familjes sate këtë të vërtetë që mësove?» ose «Çfarë shkrimi do të përdorje për t’ia vërtetuar këtë gjë një shokut tënd?» Të dëgjojmë se si u përgjigjet këtyre pyetjeve, dhe t’i tregojmë si ta mbështetë në Shkrime atë që u mëson të tjerëve. (2 Tim. 2:15) Në këtë mënyrë po e përgatitim studentin për të dëshmuar edhe në mënyrë joformale, edhe për veprën e organizuar të predikimit, kur të kualifikohet.
4 Është e mençur ta përgatitim studentin biblik për të përballuar kundërshtimet. (Mat. 10:36; Luka 8:13; 2 Tim. 3:12) Kur të tjerët ngrenë pyetje ose bëjnë ndonjë koment për Dëshmitarët e Jehovait, kjo mund t’i krijojë mundësinë studentit që të japë dëshmi. Broshura Dëshmitarët e Jehovait—Kush janë? Çfarë besojnë? mund ta pajisë që të jetë «gati për t’i paraqitur një mbrojtje kujtdo». (1 Pjet. 3:15) Të rinjtë në të vërtetën mund të përdorin këtë broshurë, kur miqtë dhe familjarët i kundërshtojnë, edhe pse të nisur nga motive të mira. Ajo ka informacione të sakta që mund të përdoren për t’i ndihmuar të kuptojnë bindjet dhe veprimtaritë tona të bazuara në Bibël.