A mund të marrë një vendim të pjekur fëmija juaj?
1. Çfarë qëndrimi kanë mbajtur fëmijët dhe të rinjtë Dëshmitarë në lidhje me përdorimin e gjakut? Jepni një shembull.
1 Vendim të pjekur në lidhje me çfarë? Në lidhje me transfuzionet e gjakut. Ashtu siç tregohet edhe te artikulli me titull «Të ecim si të mësuar nga Jehovai» në Kullën e Rojës të 15 qershorit 1991, disa fëmijëve të Dëshmitarëve të Jehovait u është dashur të mbajnë një qëndrim të pjekur duke treguar se dëshira e tyre për t’iu bindur ligjit të Perëndisë është po aq e rëndësishme për ta, sa është edhe për prindërit e tyre. A mund të kërkohet e njëjta gjë nga fëmija juaj i mitur?
2. Çfarë standardi ligjor zbatoi një gjykatë në lidhje me një të mitur që refuzoi të bënte transfuzion gjaku dhe çfarë mësojnë prindërit e krishterë dhe fëmijët e tyre nga kjo?
2 Çfarë thotë ligji? Në Shtetet e Bashkuara, gjykata më e lartë që ka marrë një vendim rreth së drejtës së një të miture të pjekur për të refuzuar transfuzionin e gjakut, është Gjykata e Lartë e Ilinoisit. Pasi shqyrtoi çështjen e një Dëshmitareje 17-vjeçare, gjykata vendosi: «Nëse provat janë të qarta dhe bindëse se kjo e mitur është aq e pjekur sa të marrë parasysh pasojat e veprimeve të saj [dhe] të shfaqë gjykimin e një të rrituri, atëherë parimi ligjor në lidhje me të miturit e pjekur i jep asaj të drejtën e asaj që quhet common law [e drejta zakonore] që të pranojë ose të refuzojë një trajtim mjekësor.» Pra, për të përcaktuar nëse një fëmijë është aq i pjekur sa ta marrë vetë vendimin, doktorët ose nëpunësit përkatës mund ta intervistojnë pacientin që ai ta shprehë vetë vendimin që ka marrë për të mos pranuar gjak. Të miturit do t’i duhet të kuptojë mirë se sa serioze është gjendja e tij shëndetësore, se cilat janë pasojat e alternativave mjekësore dhe ta shprehë qartë e me vendosmëri bindjen e tij fetare në lidhje me ligjin e Perëndisë për gjakun.
3. Çfarë pyetjesh duhet të shqyrtojnë me seriozitet prindërit dhe pse?
3 Çfarë do të thoshte fëmija juaj? A janë të aftë fëmijët tuaj të thonë mendimin e tyre për këtë çështje? A e besojnë me gjithë zemër që është një urdhër i Perëndisë ‘të rrish larg nga gjaku’? (Vep. 15:29; 21:25) A mund ta shpjegojnë bindjen e tyre nga Shkrimet? A do ta mbronin me guxim vendimin e tyre për të mos marrë gjak, edhe në rastet kur prindërit nuk janë aty dhe doktorët u thonë që jeta e tyre është në rrezik? Meqenëse ‘të gjithëve na rastis të kalojmë kohë të vështira dhe të përjetojmë ngjarje të paparashikuara’, si mund t’i parapërgatitni fëmijët tuaj për çdo të papritur që sprovon integritetin e tyre?—Ekl. 9:11; Efes. 6:4.
4, 5. (a) Çfarë përgjegjësie kanë prindërit dhe si mund ta përmbushin atë? (b) Çfarë ndihme kanë prindërit?
4 Prindër, çfarë mund të bëni? Keni përgjegjësinë t’u mësoni fëmijëve tuaj pikëpamjen e Perëndisë për gjakun. (2 Tim. 3:14, 15) Një shpjegim të qartë mund ta gjeni në librin Të arsyetojmë, faqet 156-160. Studiojeni me kujdes bashkë me familjen. Sugjerimet që jepen poshtë nëntitullit «Nëse dikush thotë», në faqet 160-162, praktikojini me fëmijët në mënyrë që ata të aftësohen për të shpjeguar çfarë bindjeje kanë dhe pse. (1 Pjet. 3:15) Mjete të tjera që flasin për çështjen e gjakut janë edhe broshura Si mund t’jua shpëtojë gjaku jetën? dhe Kulla e Rojës e 15 qershorit 2004, faqet 14-24. Për më tepër, videokasetat që disponohen në gjuhë të huaj, si Transfuzioni: Kujdesi mjekësor alternativ plotëson nevojat dhe të drejtat e pacientit, dhe Jo gjak: Mjekësia përballon sfidën, të cilat tani janë përmbledhur edhe në DVD-në me titull Alternativat e transfuzionit—Seri dokumentarësh, japin informacion bindës se sa të arsyeshme dhe të efektshme janë mjekësia dhe kirurgjia pa gjak. A i keni parë apo i keni diskutuar kohët e fundit këto materiale si familje?
5 Ndihmojini fëmijët që ‘të vërtetojnë se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë’ në lidhje me gjakun. Kështu ata do të mund të marrin një vendim të pjekur që do të ketë bekimin e Jehovait.—Rom. 12:2.