Të tregojmë interes personal: Duke dhënë lavdërime
1 Lavdërimet e sinqerta i çelin njerëzit, i motivojnë që të veprojnë dhe u sjellin gëzim. Në shërbim, shumë lajmëtarë kanë parë se, edhe një lëvdatë e vogël e sinqertë, shpesh ndihmon që njerëzit të jenë më të prirur për të dëgjuar. Si t’u japim lavdërime njerëzve ndërsa përpiqemi t’u flasim për lajmin e mirë?
2 Të jemi vëzhgues të mirë: Pasi u kthye në qiell, Jezu Krishti u kushtoi vëmendje veprave të mira të shtatë kongregacioneve në Azinë e Vogël. (Zbul. 2:2, 3, 13, 19; 3:8) Po kështu, interesi i sinqertë për njerëzit që takojmë në shërbim do të na shtyjë të kërkojmë mundësi për t’i lavdëruar. Për shembull, një bahçe e mirëmbajtur, një prind që tregohet i përzemërt me fëmijët ose buzëqeshja miqësore e të zotit të shtëpisë dhe mirëseardhja që na ofron, na japin mundësi ta lavdërojmë. A jemi të shpejtë për t’i vënë re këto mundësi e për t’i shfrytëzuar?
3 Të jemi dëgjues të mirë: Kur u predikojmë të tjerëve, duhet t’i ftojmë të shprehen duke u bërë pyetje të përshtatshme. T’u tregojmë nderim, duke u kushtuar vëmendje fjalëve që thonë. (Rom. 12:10) S’ka dyshim se do të gjejmë diçka për të cilën t’i lavdërojmë sinqerisht dhe pastaj të ndërtojmë mbi bazën e përbashkët që kemi krijuar.
4 Të përdorim aftësi dalluese: Çfarë duhet të bëjmë në qoftë se i zoti i shtëpisë thotë diçka që nuk është në përputhje me të vërtetën e Biblës? Jo të debatojmë për atë pohim të pasaktë, por ta falënderojmë të zotin e shtëpisë që na ka dhënë mendimin e vet dhe të vazhdojmë me fjalë të tilla, si: «Duket që keni menduar shumë për këtë temë.» (Kolos. 4:6) Edhe sikur një njeri të jetë debatues, shpesh mund ta lavdërojmë për interesin e sinqertë që ka për temën. Kjo sjellje e butë ndoshta e zbut dikë që duket kundërshtar i flaktë i lajmit të mirë.—Prov. 25:15.
5 Që të ketë vlerë, lavdërimi ynë duhet të jetë i sinqertë. Një të folur i tillë ndërtues i jep nder Jehovait dhe mund t’i tërheqë të tjerët drejt mesazhit të Mbretërisë.