Kutia e pyetjes
◼ Cilat janë rreziqet kur komunikojmë në Internet me një të panjohur?
Shumë site në Internet janë krijuar që njerëzit të lidhen dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin. Mjaft nga këto site u japin mundësinë të krijojnë një faqe ku mund të përfshihen fotografi dhe të dhëna personale. Njerëzit shohin të dhënat e dikujt, e pastaj mund të komunikojnë me të. Këto site janë mjaft të njohura nga të rinjtë, dhe disa të rinj në kongregacion i kanë përdorur për të kontaktuar me të tjerë që thonë se janë Dëshmitarë të Jehovait.
Një person që e takojmë nëpërmjet Internetit, e ka të lehtë të gënjejë për identitetin, për gjendjen frymore ose për motivet e tij. (Psal. 26:4) Një që thotë se është Dëshmitar i Jehovait, mund të jetë një jobesimtar, një i përjashtuar, madje edhe një apostat. (Gal. 2:4) Thuhet se shumë pedofilë përdorin këto site për të piketuar viktimat e tyre.
Ndoshta jemi të bindur se ata me të cilët kemi lidhur korrespondencë kanë një qëndrim të mirë në kongregacion. Megjithatë është kollaj që komunikimi në rrethana të tilla të përfshijë pak nga pak materiale jo të shëndetshme. Kjo sepse njerëzit kanë prirjen të frenohen më pak me ata që nuk i kanë takuar personalisht. Gjithashtu, ata ndoshta i konsiderojnë komunikimet në Internet si private dhe mendojnë se çfarëdo gjëje që thonë aty nuk do të merret vesh nga të tjerët, si për shembull nga prindërit ose pleqtë e kongregacionit. Mjerisht, një numër të rinjsh nga familje të krishtere kanë rënë në kurth dhe janë përfshirë në biseda të ndyra. (Efes. 5:3, 4; Kol. 3:8) Disa të tjerë mes të dhënave kanë futur edhe fotografi të tyret provokuese, pseudonime me nënkuptime të turpshme ose videoklipe muzikore komplet imorale.
Duke pasur parasysh këto, prindërit duhet të vëzhgojnë mënyrën se si e përdorin fëmijët kompjuterin. (Prov. 29:15) Do të ishte e rrezikshme të ftonim një të panjohur në shtëpi ose ta linim vetëm për vetëm me fëmijët tanë. Po kështu, për ne ose fëmijët tanë lidhja e miqësisë me të panjohur në Internet është e rrezikshme, edhe nëse ata thonë se janë Dëshmitarë të Jehovait.—Prov. 22:3.