Të gjithë kemi çfarë t’i japim Jehovait
1 A e dinit se njerëzit mund t’i japin diçka Perëndisë? Abeli flijoi për Jehovain nga kafshët më të mira që kishte, e po kështu bënë edhe Noeja e Jobi. (Zan. 4:4; 8:20; Jobi 1:5) Sigurisht këto blatime nuk e bënë të pasur Krijuesin, pasi gjithçka është e tija. Por këto flijime tregonin dashurinë e madhe që këta besnikë kishin për Perëndinë. Sot, mund të përdorim kohën, energjitë dhe të ardhurat tona për t’i ofruar Jehovait «një flijim lëvdimi».—Hebr. 13:15.
2 Të japim kohën: Është për t’u lavdëruar kur ‘blejmë’ kohë nga gjërat më pak të rëndësishme për të marrë pjesë më shumë në shërbim. (Efes. 5:15, 16) Ndoshta mund ta rregullojmë programin në mënyrë që të shërbejmë si pionierë ndihmës një ose disa muaj në vit. Ose mund të shtojmë orët që kalojmë zakonisht në shërbim. Sikur edhe 30 minuta më shumë të bëjmë çdo javë, në fund të muajit do të jenë të paktën edhe dy orë më shumë.
3 Të japim energjitë: Që të kemi energji për shërbimin, kërkohet të lëmë mënjanë argëtimet ose aktivitetet që na lodhin aq sa nuk mund t’i japim Jehovait më të mirën tonë. Duhet të lëmë mënjanë edhe ankthet që na e rëndojnë zemrën e na bëjnë të ‘kërrusemi’ duke mos na lënë energji për t’i shërbyer Perëndisë. (Prov. 12:25) Edhe në rast se kemi arsye të forta për t’u shqetësuar, sa mirë do të ishte ‘t’ia hidhnim barrën Jehovait’.—Psal. 55:22; Filip. 4:6, 7.
4 Të japim nga të ardhurat tona: Mund të japim edhe nga të ardhurat ose zotërimet tona materiale për të mbështetur veprën e predikimit. Pavli i inkurajoi të bashkëkrishterët që rregullisht ‘të vinin diçka mënjanë’ që të kishin çfarë t’u jepnin nevojtarëve. (1 Kor. 16:1, 2) Po kështu, edhe ne mund të jemi në gjendje të vëmë diçka mënjanë për ta dhënë si kontribut për nevojat e kongregacionit ose për veprën mbarëbotërore të predikimit. Jehovai e vlerëson kur japim nga zemra, sado pak qoftë.—Luka 21:1-4.
5 Jehovai na ka dhënë me bollëk. (Jak. 1:17) Tregojmë mirënjohjen tonë duke dhënë pa u kursyer nga koha, energjitë dhe të ardhurat tona për t’i shërbyer atij. Kjo i pëlqen Jehovait, «sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar».—2 Kor. 9:7.