Studimi personal dhe familjar janë të domosdoshëm!
1. Çfarë kujdesi të veçantë tregon Trupi Udhëheqës për ne në këto kohë dhe përse?
1 Ashtu si në shekullin e parë, Trupi Udhëheqës bën gjithçka mundet për t’u kujdesur për mirëqenien e popullit të Jehovait. (Vep. 15:6, 28) Ndërsa retë e zymta të shtrëngimit të madh afrohen, është e domosdoshme që çdo lajmëtar i Mbretërisë të ketë një lidhje të fortë me Jehovain. Si do ta përdorni kohën që më parë kalonit në Studimin e Librit të Kongregacionit? Të gjithë janë të inkurajuar ta përdorin atë kohë për studimin familjar. Përdorimi i mençur i kësaj kohe do të na japë mundësi të gërmojmë më thellë në fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe të shuajmë etjen në ujërat e saj jetëdhënëse.—Psal. 1:1-3; Rom. 11:33, 34.
2. Si mund ta organizojmë studimin tonë familjar?
2 Mbrëmja e studimit familjar: Kryefamiljarët janë të inkurajuar të marrin përgjegjësinë e tyre para Jehovait dhe të sigurohen që familja të ndjekë një program të rregullt e domethënës të studimit të Biblës. (Ligj. 6:6, 7) Motrat dhe vëllezërit beqarë që nuk kanë përgjegjësi familjare, mund ta përdorin këtë kohë për studim personal të Biblës dhe për të bërë kërkime. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ‘të blejmë kohën e duhur’ për të studiuar dhe për të medituar në mënyrë që të ruajmë një lidhje të fortë me Jehovain në këto ‘ditë të liga’.—Efes. 5:15, 16.
3, 4. Çfarë sugjerimesh jepen në lidhje me materialin që mund të përdorim dhe me çfarë qëllimi në mendje?
3 Çfarë të studiojmë? Treguesi i Botimeve Watch Tower ose Biblioteka Watchtower në CD-ROM, nëse kuptoni një gjuhë të huaj, mund t’ju ndihmojnë të gjeni informacione që do t’ju bëjnë ta shijoni studimin e Biblës. Familjet mund të shqyrtojnë artikuj nga Kulla e Rojës, si për shembull rubrikat «Si të kemi një familje të lumtur», «Mësojini fëmijët» dhe «Për të rinjtë tanë». Gjithashtu, në revistën Zgjohuni! kemi serinë «Të rinjtë pyesin» dhe artikujt tërheqës për mrekullitë e krijimit.
4 Leximi i Biblës pa u nxituar mund të ngulitë parime dhe mësime në mendjen dhe zemrën e gjithë pjesëtarëve të familjes. (Hebr. 4:12) Në raste të tjera, mund të shihni ndonjë video të organizatës dhe të diskutoni rreth saj. Mund të përdorni imagjinatën për të gjetur materiale dhe mënyra interesante për të studiuar. Pse të mos pyesni pjesëtarët e familjes se çfarë do t’u pëlqente të studionin?
5. Pse është kaq e rëndësishme për jetën tonë tani studimi personal dhe familjar i Biblës?
5 Pse është e rëndësishme tani? Nëse forcojmë marrëdhënien tonë me Jehovain, kjo do të na përgatitë që ‘të qëndrojmë të patundur dhe të shohim shpëtimin e Jehovait’. (Dal. 14:13) Prindërit kanë nevojë për drejtimin e Perëndisë gjatë rritjes së fëmijëve «mes një brezi dredharak e të shtrembër». (Filip. 2:15) Fëmijët kanë nevojë për ndihmë që t’i bëjnë ballë moralit të degraduar nëpër shkolla sot. (Prov. 22:3, 6) Është mirë që çiftet të kujdesen për marrëdhënien e tyre me Jehovain dhe ta forcojnë si një «litar tresh». (Ekl. 4:12) Prandaj, le ta përdorim me mençuri kohën e mbetur për të forcuar ‘besimin tonë shumë të shenjtë’!—Jud. 20.