Ndihmë për familjet
1. Si nxirrnin dobi familjet izraelite nga sabati i përjavshëm?
1 Mbajtja e sabatit ishte një masë e dashur nga Jehovai nga e cila familjet nxirrnin dobi. Izraelitët linin punët e zakonshme dhe kalonin kohë duke medituar për mirësinë e Jehovait dhe për marrëdhënien që kishin me të. Prindërit e shfrytëzonin këtë mundësi për të ngulitur Ligjin në zemrën e fëmijëve. (Ligj. 6:6, 7) Sabati i përjavshëm i jepte mundësi popullit të Jehovait të përqendrohej në adhurimin ndaj tij.
2. Çfarë na mëson sabati për Jehovain?
2 Sigurisht, Jehovai nuk kërkon më që familjet të mbajnë sabatin. Megjithatë, ky ligj na mëson diçka për Perëndinë: Ai gjithmonë është interesuar thellësisht për mirëqenien frymore të popullit të tij. (Isa. 48:17, 18) Sot, një mënyrë se si Jehovai shpreh interesin e tij të dashur është me anë të Adhurimit Familjar.
3. Cili është qëllimi i mbrëmjes së Adhurimit Familjar?
3 Cili është qëllimi i mbrëmjes së Adhurimit Familjar? Në janar të vitit 2009, Studimi i Librit i Kongregacionit filloi të mbahej në të njëjtën mbrëmje me Shkollën e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhjen e Shërbimit. Një nga arsyet e këtij rregullimi ishte që familjet të kishin mundësinë të forcoheshin frymësisht duke caktuar një mbrëmje çdo javë për adhurimin si familje. Çdo familje u inkurajua ta zhvillonte studimin familjar po atë natë që bëhej dikur studimi i librit, nëse ishte praktike. Gjithashtu, u inkurajua ta përdorte këtë kohë për të bërë biseda biblike e një studim biblik duke e marrë shtruar dhe duke e përshtatur me nevojat e familjes.
4. A duhet të zgjatë vetëm një orë Adhurimi Familjar? Shpjegoni.
4 Për t’u bërë gati për Studimin e Librit të Kongregacionit, domethënë për t’u veshur, për udhëtimin e kështu me radhë, duhej kohë. Shumicës prej nesh, kjo mbledhje njëorëshe i merrte pjesën më të madhe të mbrëmjes. Me rregullimin e ri të programit të mbledhjeve, tani në këtë mbrëmje kemi mundësinë të adhurojmë Jehovain si familje. Prandaj, nuk është e thënë që Adhurimi Familjar të zgjatë vetëm një orë. Por, duhet të mendojmë për nevojat dhe kufizimet e familjes dhe në bazë të tyre të përcaktojmë se sa kohë do të zgjatë.
5. A duhet zhvilluar i gjithë Adhurimi Familjar në formë bashkëbisedimi? Shpjegoni.
5 A duhet zhvilluar i gjithë Adhurimi Familjar në formë bashkëbisedimi? Çiftet ose familjet me fëmijë inkurajojnë njëri-tjetrin kur diskutojnë së bashku tema biblike. (Rom. 1:12) Kështu familja lidhet më shumë. Prandaj, diskutimet mbi Shkrimet duhet të përbëjnë bazën e Adhurimit Familjar. Megjithatë, çdo pjesëtar i familjes mund të studiojë edhe vetëm. Për shembull, pas diskutimit si familje, ata mund të qëndrojnë së bashku ndërkohë që secili prej tyre vazhdon të studiojë më vete, ndoshta duke mbaruar përgatitjen për në mbledhje ose duke lexuar revistat. Disa familje zgjedhin të mos e ndezin fare televizorin atë mbrëmje.
6. Si mund të zhvillohet bashkëbisedimi?
6 Si mund të zhvillohet bashkëbisedimi? Nuk ka nevojë të ndiqet modeli i diskutimeve me pyetje e përgjigje. Për ta bërë mbrëmjen e Adhurimit Familjar të gjallë dhe interesante, shumë familje kanë një program të ngjashëm me mbledhjen e mesjavës. E ndajnë programin në disa pjesë dhe i trajtojnë në mënyra të ndryshme. Për shembull, mund të lexojnë Biblën së bashku, të përgatiten për një pjesë të mbledhjeve dhe të praktikojnë prezantime për në shërbim. Në faqen 6 jepen disa sugjerime.
7. Çfarë atmosfere duhet të krijojnë prindërit?
7 Çfarë atmosfere duhet të krijojnë prindërit? Familja mëson më mirë në një ambient të dashur dhe të rehatshëm. Ndonjëherë mund të studioni në natyrë nëse është kohë e mirë. Kur është e nevojshme, bëni ndonjë pushim të shkurtër. Disa familje pijnë ose hanë diçka të vogël pas programit. Edhe pse prindërit nuk duhet ta përdorin mbrëmjen e Adhurimit Familjar për të qortuar ose për të disiplinuar, mund të jetë e nevojshme të flasin për pak çaste për një prirje ose problem specifik që u ka rënë në sy. Por, nëse një fëmijë ka një problem personal disi delikat, mund të jetë më mirë që prindi të flasë me të më vete në një moment tjetër gjatë javës, në mënyrë që të mos e vërë në siklet para vëllezërve e motrave të tij. Mbrëmja e Adhurimit Familjar nuk duhet të jetë një rast i mërzitshëm e tepër serioz, por duhet të pasqyrojë Perëndinë e lumtur që adhurojmë.—1 Tim. 1:11.
8, 9. Çfarë përgatitjeje kërkohet nga kryefamiljarët?
8 Si mund të përgatitet kryefamiljari? Familja do të nxjerrë mjaft dobi nëse kryefamiljari përgatitet paraprakisht sa herë do të mbajë Adhurimin Familjar dhe përcakton se çfarë do të trajtohet dhe cila është mënyra më e mirë për ta trajtuar. (Prov. 21:5) Është mirë që burri të flasë me gruan për këtë. (Prov. 15:22) Kryefamiljarë, pse të mos pyesni edhe fëmijët nëse kanë ndonjë sugjerim? Nëse i pyesni, do të arrini të kuptoni se çfarë u intereson dhe çfarë i shqetëson, dhe kjo do t’ju vlejë mjaft.
9 Në shumicën e rasteve, kryefamiljarit nuk do t’i duhet shumë kohë për t’u përgatitur. Ndoshta, familjes do t’i pëlqente që disa pjesë të programit t’i bënte rregullisht çdo javë, kështu që kryefamiljarit nuk do t’i duhet që çdo herë të bëjë një program të ri nga e para. Ndoshta i vjen më mbarë të përgatitet sapo mbaron Adhurimi, ndërsa i ka akoma të freskëta në mendje nevojat e familjes. Disa kryefamiljarë e shkruajnë programin shkurtimisht në një fletë dhe e vendosin në një vend ku familja mund ta shohë, për shembull te dera e frigoriferit. Kjo e bën familjen ta presë me qejf e me padurim Adhurimin dhe i lë kohë të përgatitet, nëse është e nevojshme.
10. Çfarë mund të bëjnë në vend të Adhurimit Familjar ata që jetojnë vetëm?
10 Po nëse jam vetëm? Ata që jetojnë vetëm, në vend të Adhurimit Familjar mund të bëjnë studim personal. Një program bazë për studimin personal duhet të përfshijë leximin e Biblës, përgatitjen për mbledhjet dhe leximin e revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Veç këtyre, disa lajmëtarë përfshijnë edhe një projekt studimi. Me raste, mund të kenë dëshirë të ftojnë ndonjë lajmëtar ose familje që të diskutojnë së bashku për tema biblike inkurajuese.
11, 12. Cilat janë disa nga dobitë e një Adhurimi Familjar të rregullt?
11 Cilat janë dobitë e një Adhurimi Familjar të rregullt? Ata që përfshihen me gjithë zemër në adhurimin e vërtetë, afrohen më shumë me Jehovain. Përveç kësaj, familjet që zhvillojnë së bashku këtë pjesë të adhurimit të Jehovait, forcojnë lidhjen midis tyre. Ja çfarë shkroi një çift për bekimet që kanë pasur: «Jemi një çift pionierësh pa fëmijë dhe mezi e presim mbrëmjen e Adhurimit Familjar. E ndiejmë se kështu lidhemi më shumë me njëri-tjetrin dhe me Atin tonë qiellor. Tani, kur zgjohemi ditën që kemi vendosur Adhurimin, i themi njëri-tjetrit: ‘Gjeje çfarë kemi sonte? Adhurimin Familjar.’»
12 Ky rregullim për mbrëmjen e adhurimit si familje, ndihmon edhe familjet që janë tepër të ngarkuara. Një nënë që po rrit e vetme dy djem dhe që shërben si pioniere e rregullt, shkroi: «Në të kaluarën, studimi ynë familjar linte për të dëshiruar. E bënim rrallë dhe si e bënim një herë nuk e bënim njëherë tjetër, sepse unë isha e lodhur. Nuk arrija dot t’i bëja të gjitha. Prandaj, po ju shkruaj për t’ju falënderuar nga zemra për mbrëmjen e Adhurimit Familjar. Tani kemi arritur ta bëjmë rregullisht studimin familjar dhe i kemi parë dobitë.»
13. Çfarë e përcakton se sa dobi do të nxjerrë familja juaj nga ky rregullim?
13 Ashtu si sabati, mbrëmja e Adhurimit Familjar është një dhuratë nga Ati ynë qiellor që mund t’i ndihmojë familjet. (Jak. 1:17) Mënyra si e mbanin sabatin familjet izraelite, përcaktonte sa do të përfitonin frymësisht prej tij. Po kështu, mënyra si e shfrytëzojmë mbrëmjen që është lënë për Adhurimin Familjar, përcakton se sa dobi do të nxjerrë familja jonë. (2 Kor. 9:6; Gal. 6:7, 8; Kolos. 3:23, 24) Duke përfituar sa më shumë nga ky rregullim, familja juaj mund t’i bëjë jehonë fjalëve të psalmistit: «Por për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë. Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.»—Psal. 73:28.
[Diçitura në faqen 5]
Mbrëmja e Adhurimit Familjar nuk duhet të jetë një rast i mërzitshëm e tepër serioz, por duhet të pasqyrojë Perëndinë e lumtur që adhurojmë
[Kutia në faqen 6]
TË RUHET
Disa sugjerime për Adhurimin Familjar
Bibla:
• Lexoni së bashku një pjesë nga leximi javor i Biblës. Nëse pjesa biblike mund të bëhet me role, atëherë njëri mund të lexojë pjesën e tregimtarit dhe të tjerët fjalët e personazheve.
• Bëjeni në formë drame një pjesë të leximit javor të Biblës.
• Caktoji secilit prej pjesëtarëve të familjes disa nga kapitujt biblikë në program që t’i lexojnë që më përpara dhe të shënojnë një ose dy pyetje që kanë për pjesën. Pastaj bëni kërkime së bashku për pyetjet e secilit.
• Çdo javë shkruani një varg biblik në një fletë dhe përpiquni ta shpjegoni e ta mësoni përmendsh. Mblidhini këto fleta dhe përsëritini çdo javë për të parë se sa prej tyre mbani mend.
• Dëgjoni incizimin e leximit të Biblës ndërsa e ndiqni në Biblën tuaj.
Mbledhjet:
• Përgatituni së bashku për një pjesë të mbledhjeve.
• Praktikoni këngët e Mbretërisë të programuara për javën e ardhshme.
• Nëse dikush ka fjalim në Shkollën e Shërbimit Teokratik ose një demonstrim në Mbledhjen e Shërbimit, diskutoni disa ide si mund ta bëni ose demonstrojeni para familjes.
Nevojat e familjes:
• Shqyrtoni pjesë nga librat Të rinjtë pyesin ose Të mësojmë nga Mësuesi i Madh.
• Praktikoni se si mund të veproni në një situatë që mund të dalë në shkollë.
• Bëni një diskutim ku prindërit dhe fëmijët ndërrojnë rolet. Fëmija bën kërkime për një temë dhe pastaj arsyeton me prindërit.
Shërbimi:
• Përgatituni së bashku për prezantimet që do të përdorni në fundjavë.
• Flitni për synime të arritshme që mund të vini si familje për të shtuar shërbimin gjatë periudhës së Përkujtimit ose gjatë pushimeve.
• Lëruni disa minuta pjesëtarëve të familjes që të bëjnë kërkime se si t’u përgjigjen pyetjeve të ndryshme që mund të lindin në shërbim dhe pastaj praktikojini bashkë.
Sugjerime të tjera:
• Lexoni së bashku një artikull nga revistat e muajit.
• Çdo pjesëtar i familjes të lexojë që më përpara një artikull nga revistat e muajit që i duket interesant dhe pastaj të bëjë një përmbledhje.
• Me raste fto ndonjë lajmëtar ose një çift që të jenë me ju për Adhurimin Familjar dhe bëjuni ndoshta një intervistë.
• Shihni dhe diskutoni një nga videot tona.
• Shqyrtoni së bashku rubrikat «Të rinjtë pyesin» ose «Bashkëbisedim si familje» në revistën Zgjohuni!
• Shqyrtoni së bashku rubrikat «Mësojini fëmijët» ose «Për të rinjtë» në revistën Kulla e Rojës.
• Lexoni dhe diskutoni një pjesë nga Libri vjetor i fundit ose një nga botimet që ka dalë në kongresin e fundit.
• Pas një kongresi ose asambleje, bëni përsëritjen e pikave kryesore.
• Vëzhgoni krijimin e Jehovait drejtpërdrejt dhe flitni rreth asaj që mësojmë për Jehovain.
• Punoni së bashku për një projekt, si një maket, hartë, tabelë ose skemë.