Mund të jesh një mësues i aftë!
1. Ç’privilegj mund të ketë çdo lajmëtar i Mbretërisë?
1 Një nga gjërat më shpërblyese të shërbimit është t’i mësosh dikujt të vërtetën. Është përvojë e bukur kur e sheh që pranon mesazhin për Mbretërinë dhe kur e ndihmon t’i afrohet Sovranit të universit. (Jak. 4:8) Të mësosh dikë që ka uri për të vërtetën dhe të shohësh që ai po fillon të ndryshojë dukshëm personalitetin, pikëpamjet dhe sjelljen e tij, është një synim që duhet ta ketë çdo lajmëtar i Mbretërisë.—Mat. 28:19, 20.
2. Pse disa ngurrojnë të drejtojnë një studim biblik dhe ç’mund t’i ndihmojë ta kapërcejnë këtë problem?
2 Të mbështetemi te Jehovai: Në të kaluarën, ka pasur shërbëtorë besnikë që ndiheshin të paaftë për të përmbushur caktimin e tyre. Mbështetja te Perëndia Jehova i ndihmoi Moisiun, Jereminë, Amosin dhe njerëz të tjerë të zakonshëm, të kapërcenin dyshimet ose pasiguritë e tyre dhe të bënin një punë të mirë. (Dal. 4:10-12; Jer. 1:6, 7; Amo. 7:14, 15) Edhe apostulli Pavël ‘mori guxim’. Nga? Ai vetë tha «nga Perëndia». (1 Sel. 2:2) Po, të gjithë mund të kemi besim se Jehovai na jep ndihmën, mençurinë dhe forcën që na duhet për të drejtuar studime biblike të efektshme.—Isa. 41:10; 1 Kor. 1:26, 27; 1 Pjet. 4:11.
3, 4. Çfarë stërvitjeje mund të na ndihmojë që t’u mësojmë të tjerëve Fjalën e Perëndisë?
3 Të pranojmë stërvitjen: Mësuesi ynë i Madh, Perëndia Jehova, na stërvit me anë të një programi të rregullt frymor që të jemi krejtësisht të zotë si mësues. (Isa. 54:13; 2 Tim. 3:16, 17) Pranoje këtë stërvitje duke përfituar plotësisht nga mundësitë për të rritur kuptueshmërinë nga Shkrimet dhe bëhu mësues më i aftë për të dhënë të vërtetën biblike. Megjithëse për këtë qëllim janë kryesisht Shkolla e Shërbimit Teokratik dhe Mbledhja e Shërbimit, të gjitha mbledhjet e kongregacionit na stërvitin për t’u mësuar të tjerëve Fjalën e Perëndisë.
4 Përpiquni të mësoni mënyra të thjeshta për të transmetuar të vërteta frymore, madje edhe nga ato të thellat. Libri i Shkollës Teokratike, në faqen 227, shpjegon: «Në qoftë se dëshiron ta bësh argumentin të qartë për të tjerët, duhet ta kuptosh ti vetë njëherë.» Komentet në mbledhje na ndihmojnë të ngulitim në mendje pika kryesore që mund të na hyjnë në punë në të ardhmen. Kështu që përgatitu mirë dhe do të fitosh më shumë besim te vetja si mësues.
5. Çfarë ndihme tjetër për t’u bërë mësues më të mirë kemi brenda kongregacionit?
5 Që nga fillimi, shërbëtorët e krishterë pa dyshim mësonin shumë nga njëri-tjetri ndërsa punonin bashkë në veprën e bërjes së dishepujve. (Luka 10:1) Nëse është e mundur, shoqëro në studime biblike lajmëtarë me përvojë, si për shembull, pionierë, pleq kongregacioni dhe mbikëqyrës udhëtues. Vër re se si i përdorin ilustrimet e thjeshta dhe metodat e tjera të mësimdhënies që gjenden në botimet tona për studim, për të shpjeguar të vërtetat biblike. Kërkoju sugjerime se si të bëhesh mësues më i mirë. (Prov. 1:5; 27:17) Vlerësoje gjithë këtë stërvitje për atë që është: stërvitje që vjen nga Perëndia.—2 Kor. 3:5.
6. Çfarë është e domosdoshme për t’u bërë mësues i Fjalës së Perëndisë?
6 Mbështetu te Jehovai dhe përfito nga stërvitja që jep ai. Lutju Jehovait për këtë. (Psal. 25:4, 5) Edhe ti mund të provosh gëzim duke ndihmuar dikë të bëhet ashtu si ti, mësues i fjalës së Perëndisë!