Vepra me rëndësi parësore
1. Çfarë sakrificash do të na nxitë të bëjmë çmueshmëria e thellë për shërbimin?
1 Pse nxitemi rregullisht t’i kushtojmë kohën, energjinë dhe burimet materiale shërbimit? Sepse asnjë vepër nuk është më e rëndësishme. Nëse mendojmë për ndikimin e madh të saj, do të na shtohet dëshira për të marrë pjesë në këtë vepër që nuk do të përsëritet më kurrë.—Vep. 20:24.
2. Si na ndihmon predikimi të shenjtërojmë emrin e madh të Jehovait?
2 Shenjtëron emrin e Jehovait: Vepra e predikimit thekson faktin se Mbretëria e Jehovait nëpërmjet Krishtit Jezu do të zëvendësojë tërë qeveritë njerëzore dhe do të sigurojë zgjidhjen për të gjitha problemet e njerëzimit. (Mat. 6:9, 10) Nëpërmjet saj Jehovai madhërohet si i vetmi që është në gjendje të na shpëtojë nga sëmundjet dhe vdekja. (Isa. 25:8; 33:24) Meqë mbajmë emrin e tij, të tjerët që vëzhgojnë sjelljen tonë të shkëlqyer dhe zellin që shfaqim, mund t’i japin lavdi Jehovait. (1 Pjet. 2:12) Ç’kënaqësi është për ne të bëjmë të njohur anembanë tokës emrin e Zotërisë Sovran Jehova!—Psal. 83:18.
3. Ç’bekime kanë ata që pranojnë mesazhin për Mbretërinë?
3 Shpëton jetë njerëzish: Jehovai «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin». (2 Pjet. 3:9) Mirëpo, pa dikë që t’i mësojë, si do të merrnin vesh njerëzit se çfarë konsideron Jehovai sjellje të përshtatshme ose të papërshtatshme? (Jon. 4:11; Rom. 10:13-15) Kur individët e pranojnë lajmin e mirë, cilësia e jetës së tyre përmirësohet ndërsa heqin dorë nga praktikat e dëmshme. (Mik. 4:1-4) Për më tepër, kanë perspektivën e lumtur të jetës së përhershme. Kur jemi aktivë në predikim dhe mësimdhënie, shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë. (1 Tim. 4:16) Ç’rol tejet të nderuar kemi në këtë vepër që është më rëndësishmja!
4. Pse duhet të përfshihemi aktivisht në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve?
4 Së shpejti, shtrëngimi i madh do t’i japë fund befasisht kësaj bote të padrejtë. Ata që marrin anën e Jehovait, do të mbijetojnë. Prandaj, predikimi dhe bërja e dishepujve është vepra më urgjente, më e rëndësishme dhe më dobiprurëse që po kryhet sot. Le t’i japim vendin parësor në jetën tonë!—Mat. 6:33.