Kongreset krahinore—Raste për të adhuruar me gëzim
1. Në ç’mënyrë festat e Izraelit ishin të ngjashme me kongreset e sotme krahinore?
1 Jozefi, Maria, fëmijët e tyre dhe të tjerë, shkonin rregullisht në Jerusalem për të marrë pjesë në festat e përvitshme. Në këto raste, ata dhe adhuruesit e tjerë i linin punët e përditshme dhe përqendroheshin tek aspektet frymore të jetës të cilat ishin më të rëndësishmet. Gjatë festave kishin kohë që të meditonin e të flitnin për mirësinë e Jehovait, si dhe të shqyrtonin Ligjin e tij. Kongreset e ardhshme krahinore, do të na japin mundësi të ngjashme për ta adhuruar Jehovain me gëzim.
2. Çfarë duhej të bëjmë për t’u përgatitur për kongresin e ardhshëm krahinor?
2 Kërkohet përgatitje: Nga Nazareti, familja e Jezuit duhej të bënte në këmbë një udhëtim vajtje-ardhje prej rreth 200 kilometrash. Edhe pse nuk e dimë sa vëllezër e motra kishte Jezui, mund të imagjinojmë sa planifikim dhe përpjekje duhej të bënin Jozefi dhe Maria. A keni bërë përgatitjet e nevojshme për të ndjekur të tria ditët e kongresit të ardhshëm krahinor? Kjo mund të kërkojë që të merrni ditë pushimi nga puna ose të flitni me punëdhënësin për të kërkuar leje. Po ashtu, mund t’ju duhet t’i thoni edhe mësuesit të fëmijës se nuk do të jetë në shkollë në ato ditë. A keni bërë rezervim në hotel nëse nevojitet? A mund të merrni iniciativën për të ndihmuar dikë nga kongregacioni me nevoja të veçanta që të ndjekë kongresin?—1 Gjon. 3:17, 18.
3. Në ç’mënyrë festat e Izraelit krijonin mundësi për shoqëri ndërtuese?
3 Shoqëri ndërtuese: Ç’mundësi për shoqëri ndërtuese me bashkëbesimtarët krijonin festat judaike! Pa dyshim, familja e Jezuit mezi priste të takohej me miqtë e vjetër. Po ashtu, përfitonin nga mundësitë për të bërë miq të rinj mes turmave me judenj e prozelitë në Jerusalem dhe gjatë udhëtimit.
4. Si mund të tregojmë se e çmojmë vëllazërinë tonë të bashkuar të krishterë?
4 Një arsye pse skllavi i besueshëm dhe i matur merr masa që të mblidhemi për të dëgjuar fjalime në kongreset krahinore, në vend që t’i paraqitë këto informacione në formë të shtypur, është që të inkurajojmë njëri-tjetrin. (Hebr. 10:24, 25) Prandaj, bëni plane për të mbërritur herët çdo ditë të kongresit që të gëzoni shoqëritë me të tjerët, para se drejtuesi i sesionit të njoftojë intervalin muzikor që tregon se është koha për t’u ulur. Në vend që të largohemi nga vendi i kongresit gjatë drekës për të marrë ushqim, nxitemi të sjellim me vete një drekë të lehtë dhe të qëndrojmë në kongres në mënyrë që të takohemi e të flasim me ata që kemi përreth. Vëllazëria jonë e bashkuar e krishterë është një dhuratë nga Jehovai që duhet ta çmojmë të gjithë.—Mik. 2:12.
5. Çfarë do të na ndihmojë të nxjerrim plotësisht dobi nga programi?
5 Një kohë për të mësuar: Që në moshë të re, Jezui përfitonte nga festat që të mësonte rreth Atit të tij qiellor. (Luka 2:41-49) Çfarë do të na ndihmojë ne, si dhe familjet tona që të nxjerrim dobi nga pjesët që do të paraqiten? Gjatë sesioneve qëndroni të ulur dhe mos flitni pa qenë e nevojshme. Mos lejoni që celularët ose pajisje të ngjashme t’ju shqetësojnë juve a të tjerët. Përqendrojini sytë tek oratori dhe merrni shënime të shkurtra. Uluni bashkë si familje që të siguroheni se edhe fëmijët tuaj po dëgjojnë. Në mbrëmje lini ca kohë për të diskutuar bashkë pikat që ju kanë pëlqyer.
6. Çfarë duhet të mbajmë ndër mend në lidhje me veshjen dhe paraqitjen e jashtme?
6 Veshja dhe paraqitja e jashtme: Tregtarët e huaj që udhëtonin rrugës mund të dallonin lehtë familjen e Jezuit dhe adhuruesit e tjerë judenj që udhëtonin gjatë festave, për shkak të buzëve me thekë te rrobat dhe të kordonit blu mbi thekë. (Num. 15:37-41) Edhe pse të krishterët nuk veshin rroba të veçanta, njihemi ngaqë vishemi me modesti dhe jemi të pastër e të rregullt. Duhet t’i kushtojmë vëmendje paraqitjes sonë sidomos kur udhëtojmë dhe kur jemi në qytetin e kongresit. Edhe nëse ndërrojmë rrobat pas programit, duhet të kemi një paraqitje dinjitoze dhe të mbajmë distinktivin e kongresit. Kështu do të dallohemi nga të tjerët që nuk janë Dëshmitarë dhe do të lëmë një përshtypje të mirë tek ata që na vëzhgojnë.
7. Pse duhet të mendojmë për të punuar si vullnetarë në kongres?
7 Kërkohen vullnetarë: Nevojiten të punojnë shumë veta për mbarëvajtjen e kongresit. A mund të dilni vullnetarë për të ndihmuar? (Psal. 110:3) Puna që bëjmë në kongres është pjesë e shërbimit tonë të shenjtë dhe jep dëshmi të shkëlqyer. Drejtorit të vendit të një kongresi i bënë kaq shumë përshtypje vullnetarët që pastronin, saqë shkroi: «Dua t’ju falënderoj për ngjarjen më mahnitëse që kam përjetuar ndonjëherë. Gjithmonë kisha dëgjuar se Dëshmitarët e Jehovait ishin njerëz të veçantë që kanë prej kohësh një reputacion të mirë në biznesin tonë, ngaqë gjithnjë i lënë ambientet më të pastra sesa ishin. Ju dhe organizata juaj e bëtë këtë ambient një vend më të mirë për komunitetin dhe e bëtë me njerëzit më të hijshëm me të cilët kemi pasur ndonjëherë kënaqësinë të njihemi.»
8. Çfarë mundësish për të dëshmuar do të kemi në qytetin e kongresit?
8 Mundësi për të dëshmuar: Shumë njerëz në qytetin e kongresit do të shohin vizitorë me distinktivë, të veshur mirë e të rregullt, dhe kjo mund t’u ngjallë kureshtjen, duke na dhënë mundësi t’u flasim për kongresin. Një djalë katërvjeçar solli në një restorant një botim që sapo kishte dalë në kongres dhe ia tregoi kamerieres. Kjo u dha mundësi prindërve të djalit që ta ftonin atë grua në kongres.
9. Si mund të imitojmë çmueshmërinë e familjes së Jezuit për masat frymore të Jehovait?
9 Festat e lashta ishin raste të gëzuara që judenjtë me mendje frymore mezi i pritnin. (Ligj. 16:15) Familja e Jezuit ishte e lumtur të bënte çfarëdo sakrifice për të marrë pjesë dhe për të përfituar plotësisht. Ne kemi të njëjtën çmueshmëri për kongreset krahinore duke i parë ato si një dhuratë nga Ati ynë i dashur qiellor. (Jak. 1:17) Tani është koha që të përgatitemi për këtë mundësi që kemi si çdo vit për të adhuruar me gëzim Jehovain!
[Kutia në faqet 6, 7]
Përkujtues për kongresin krahinor
◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.20. Dyert do të hapen në orën 8.00. Kur të njoftohet muzika që do të vihet në sfond, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën programi do të mbarojë në orën 16.55, ndërsa të dielën në orën 15.40.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku mbikëqyrim parkimin, tërë hapësirat e disponueshme për parkim do të jenë pa pagesë, për këdo që ndjek programin. Meqë vendet e parkimit zakonisht janë të kufizuara, mundohuni që të mbushni të gjitha vendet e makinës me të cilën udhëtoni.
◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervoni vende vetëm për ata me të cilët udhëtoni ose që jetojnë me ju në të njëjtën shtëpi, si edhe për ata që bëjnë studim biblik me ju.—1 Kor. 13:5.
◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë dhe enët prej qelqi nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Kontributet: Mund ta tregojmë vlerësimin tonë për organizimin e kongresit duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në Sallën e Mbretërisë ose në kongres. Çeqet që jepen si kontribut në kongres, duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
◼ Aksidentet dhe urgjencat: Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërritni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i kualifikuar i ndihmës së shpejtë që shërben në kongres, të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur. Nëse është e nevojshme, personeli i ndihmës së shpejtë do t’i telefonojë urgjencës. Në këtë mënyrë, shërbimet e urgjencës nuk do të marrin shumë telefonata me celular për vogëlsira.
◼ Këpucët: Çdo vit ndodhin disa dëmtime për shkak të këpucëve, sandaleve ose shapkave. Është mirë që ato të jenë modeste dhe t’ju rrinë mirë pas këmbës, që të jenë të sigurta nëpër shkallë, mbi skarat e pusetave ose në gjëra të ngjashme.
◼ Regjistrimi: Aparatet regjistruese nuk duhet të lidhen me sistemin elektrik ose akustik të kongresit dhe mund të përdoren vetëm në një mënyrë që nuk i shqetëson të tjerët.
◼ Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Parapëlqehet që karrocat e fëmijëve dhe karriget portative të mos merren me vete në ambientet e kongresit. Për foshnjat është më mirë që prindërit të përdorin një ndenjëse për fëmijë ose diçka të ngjashme që nuk pengon kalimin.
◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin»: Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43). Lajmëtarët duhet të marrin me vete në kongres një ose dy formularë të tillë. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë nëntor 2009, f. 4.
◼ Restorantet: Nderoni emrin e Jehovait me anë të sjelljes suaj të shkëlqyer në restorante. Lini bakshishe të arsyeshme sipas zakonit të vendit.
◼ Hotelet: (1) Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet. (2) Nëse duhet ta anuloni rezervimin, njoftoni hotelin pa humbur kohë. (3) Mos gatuani në dhomat ku nuk lejohet gatimi. (4) Lini bakshish për pastruesen e dhomës çdo ditë, nëse është e zakonshme. (5) Mos abuzoni me asnjë nga ushqimet e mëngjesit, kafenë ose akullin që janë falas, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel. (6) Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. Ata kujdesen për një numër të madh klientësh dhe e vlerësojnë dashamirësinë, durimin dhe arsyetueshmërinë tonë. (7) Tarifa që tregohet në Listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë. Nëse ju kërkojnë një tarifë më të lartë a që të paguani për gjëra që nuk keni kërkuar ose nuk keni përdorur, mos pranoni t’i paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur. (8) Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres, që t’ju ndihmojë.
◼ Shërbimi vullnetar: Lumturia që ndiejmë duke ndjekur kongresin do të na shtohet edhe më shumë nëse dalim vullnetarë për të ndihmuar në punën e nevojshme që përfshihet. (Vep. 20:35) Kushdo që dëshiron ta bëjë këtë, duhet të paraqitet te Reparti i Shërbimit Vullnetar në kongres. Edhe fëmijët nën moshën 16 vjeç mund të japin një kontribut të shkëlqyer duke punuar nën drejtimin e një prindi a të dikujt që i ka nën kujdes ose të një personi tjetër madhor të miratuar nga njëri prej tyre.