Tri ditë freskimi frymor
1. Çfarë do të na sjellë kongresi krahinor i këtij viti?
1 Në këtë botë të Satanait, që është një tokë frymësisht e zhuritur, Jehovai vazhdon t’i freskojë shërbëtorët e tij. (Isa. 58:11) Një ndër mjetet që Jehovai përdor për të na gjallëruar është, kongresi krahinor i përvitshëm. Ndërsa kongresi i këtij viti afrohet, si mund të përgatitemi që të marrim e të japim freskim frymor?—Prov. 21:5.
2. Çfarë përgatitjesh duhet të përfundojmë?
2 Nëse nuk e keni bërë tashmë, organizoni që tani programin e punës dhe punët personale që të jeni të pranishëm në të tria ditët e kongresit. A e keni llogaritur kohën e udhëtimit çdo ditë për në kongres që të arrini dhe të gjeni vend para se të fillojë programi? Sigurisht që nuk duam të humbim asgjë nga banketi frymor përtëritës që Jehovai ka përgatitur për ne. (Isa. 65:13, 14) A keni përfunduar me përgatitjet për strehimin dhe transportin?
3. Çfarë sugjerimesh do të na ndihmojnë ne dhe familjet tona të përfitojmë plotësisht nga programi?
3 Çfarë do t’ju ndihmojë që të mos shpërqendroheni gjatë sesioneve? Nëse është e mundur, pushoni mirë gjatë netëve të kongresit. Ngulini sytë tek oratori. Hapeni Biblën për çdo shkrim. Mbani shënime të shkurtra. Është mirë që familjet të ulen së bashku në mënyrë që prindërit t’i ndihmojnë fëmijët të përqendrohen. (Prov. 29:15) Ndoshta mund të diskutoni çdo mbrëmje si familje pika kryesore nga programi. Që familja të vazhdojë të gjejë freskim edhe pas kongresit, gjatë Adhurimit Familjar mund të lihet kohë për të shqyrtuar pika specifike të cilat familja mund t’i zbatojë.
4. Si mund t’i ndihmojmë të tjerët në kongregacion që të freskohen frymësisht?
4 T’i ndihmojmë të tjerët të gjejnë freskim: Duam që edhe të tjerët të freskohen nga kongresi. A ka në kongregacionin tuaj të moshuar ose të tjerë që kanë nevojë për ndihmë që të shkojnë në kongres? A keni mundësi t’i ndihmoni? (1 Gjon. 3:17, 18) Pleqtë, sidomos mbikëqyrësit e grupeve, duhet të marrin masa që këtyre lajmëtarëve t’u jepet ndihma e duhur.
5. Si do t’i shpërndajmë ftesat gjatë ditëve të kongresit? (Shihni edhe kutinë sipër.)
5 Ashtu si në të kaluarën, tri javë para kongresit do të marrim pjesë në një fushatë për të ftuar edhe të tjerë në kongres. Kongregacionet duhet të vënë synim që të shpërndajnë sasinë e tyre të ftesave dhe të mbulojnë sa më mirë territorin e tyre. Ftesat që do t’i mbeten familjes suaj në fund të fushatës, duhet t’i merrni me vete në kongres që t’i përdorni kur të predikoni në mënyrë joformale. Për përdorimin e këtyre ftesave do të informoheni më tej të premten gjatë programit. Ftesat që familja juaj mendon se nuk do t’i përdorë gjatë ditëve të kongresit, duhet t’i jepen një përcjellësi kur të hyni në vendin e kongresit. Ju lutemi mbani një kopje për veten, pasi do t’ju duhet gjatë fjalimit të fundit ditën e dielë.
6. Në cilat mënyra tregojmë një edukatë të mirë në kongres?
6 Edukata e mirë freskon: Sa freskuese është të jesh me të bashkëkrishterë që përpiqen të tregojnë edukatë të mirë, në një kohë kur shumë njerëz janë «të dashuruar me veten» dhe tregojnë mungesë respekti për ndjenjat e të tjerëve! (2 Tim. 3:2) Tregojmë edukatë të mirë kur hyjmë në vendin e kongresit me qetësi e rregull kur hapet në 8.00 të mëngjesit dhe duke zënë vende vetëm për ata të shtëpisë sonë, për ata që udhëtojnë me makinën tonë dhe për studentët biblikë që kemi tani. Ndjekim udhëzimet e drejtuesit kur na kërkon të shkojmë në vendet tona e të dëgjojmë intervalin muzikor në hyrje të çdo sesioni. Është shenjë edukate kur e vini celularin ose biperin në gjendje që të mos i shpërqendrojë të tjerët gjatë programit. Gjithashtu, tregojmë edukatë të mirë nëse nuk bisedojmë, nuk dërgojmë mesazhe, nuk hamë ose nuk endemi më kot nëpër korridore gjatë programit.
7. Si mund të marrim e të japim freskim ndërsa rrimë në shoqërinë e vëllezërve tanë?
7 Shoqëri freskuese: Kongreset janë një mundësi e mirë për të gëzuar unitetin e krishterë dhe vëllazërinë që na freskojnë. (Psal. 133:1-3) Pse nuk merrni iniciativën ‘të zgjeroheni’ dhe të takoni vëllezër e motra që janë nga kongregacione të tjera? (2 Kor. 6:13) Mund të vini synim të njihni të paktën një person ose një familje çdo ditë. Pushimi i drekës është një mundësi e mirë për këtë. Kështu që merrni me vete diçka të lehtë për të ngrënë dhe shijojeni drekën dhe shoqërinë e të tjerëve në vendin e kongresit, pa shkuar për të blerë ushqim ose për të ngrënë në restorantet aty afër. Kjo mund të çojë në miqësi të reja e të përhershme, që janë një bekim.
8. Pse duhet të dalim vullnetarë për të punuar në kongres dhe si ta bëjmë këtë?
8 Sa freskuese është të punosh sup më sup me bashkadhuruesit në shërbimin e shenjtë! A mund të dilni vullnetarë për të ndihmuar një repart të kongresit ose të bashkoheni me kongregacionin në caktimin e pastrimit? (Psal. 110:3) Nëse nuk keni një caktim pune, ju lutemi të mendoni nëse mund t’i drejtoheni Repartit të Shërbimit Vullnetar në kongres. Shumë duar e bëjnë punën të këndshme dhe të lehtë.
9. Pse duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë sjelljes dhe pamjes gjatë kongresit?
9 Sjellja jonë është freskuese për vëzhguesit: Ne jemi delegatë jo vetëm gjatë programit, por gjatë gjithë ditëve të kongresit. Ata që na shohin në qytetin ku mbahet kongresi, duhet të shohin një ndryshim freskues midis nesh dhe njerëzve që nuk janë Dëshmitarë. (1 Pjet. 2:12) Mënyra si vishemi e rregullohemi në vendin e kongresit, në vendin e strehimit dhe në restorante, duhet t’i japë lavdi Jehovait. (1 Tim. 2:9, 10) Nëse vëmë distinktivin, vëzhguesit do ta kuptojnë që jemi Dëshmitarë të Jehovait. Kjo ndoshta do të krijojë mundësi t’u tregojmë për kongresin dhe t’u dëshmojmë më shumë.
10. Si të sigurohemi që punonjësit e hoteleve, të konvikteve, të restoranteve dhe të lokaleve, të kenë një pikëpamje pozitive për kongresin tonë?
10 Si mund të bashkëpunojmë me punonjësit e hotelit, të konviktit, të restorantit dhe të vendeve të tjera ku hamë ose pimë diçka? Nuk duhet të rezervojmë më shumë dhoma sesa do të përdorim, pasi kjo do të pengonte që delegatët e tjerë të gjenin dhoma dhe do t’ia bënte të vështirë hotelit të zëvendësonte shumën e humbur. Nëse hoteli ka shumë punë në momentin që duam të bëjmë procedurat në sportelin e hotelit, duhet të tregojmë durim dhe të sillemi me hir. (Kolos. 4:6) Nëse është zakon, duhet t’u japim bakshish kamerierëve në restorante e lokale dhe punonjësve të hotelit që na bëjnë shërbime të ndryshme.
11. Cilat përvoja ilustrojnë dëshminë e mirë që lë sjellja jonë e krishterë?
11 Ç’përshtypje lë sjellja jonë e mirë te të tjerët? Sipas një artikulli në një gazetë, drejtori i vendit ku u mbajt një kongres tha: «Janë njerëz shumë të sjellshëm. Jemi të kënaqur që na vijnë çdo vit.» Vjet, dikush që nuk ishte Dëshmitar humbi portofolin në një hotel ku kishte delegatë të kongresit. Kur portofolin me gjithçka kishte brenda e kthyen tek administratori i hotelit, ai i tha atij që e kishte humbur: «Mirë që Dëshmitarët e Jehovait mbanin kongresin këtu afër dhe hoteli ishte plot Dëshmitarë. Përndryshe, nuk do të të binte më në dorë portofoli.»
12. Ndërsa kongresi afron, çfarë synimi duhet të kemi dhe pse?
12 Kongreset e këtij viti po afrojnë me të shpejtë. Është harxhuar mjaft kohë e janë bërë shumë përpjekje për ta bërë sa më freskues programin dhe vendin e kongresit. Vini si synim që të jeni të pranishëm në të tria ditët e tij dhe të jeni gati për atë që ka përgatitur për ju Jehovai dhe organizata e tij. Jini të vendosur të jeni burim freskimi për të tjerët me anë të edukatës suaj, shoqërisë së këndshme dhe sjelljes së shkëlqyer. Pastaj, si ju, si të tjerët do të ndiheni ashtu siç shkroi një nga delegatët e vitit të kaluar: «Kohë më të bukur s’mbaj mend të kem kaluar ndonjëherë!»
[Diçitura në faqen 4]
Ashtu si në të kaluarën, tri javë para kongresit do të marrim pjesë në një fushatë për të ftuar edhe të tjerë në kongres
[Diçitura në faqen 6]
Mënyra si vishemi e rregullohemi në vendin e kongresit, në vendin e strehimit dhe në restorante, duhet t’i japë lavdi Jehovait
[Diçitura në faqen 7]
Jini të vendosur të jeni burim freskimi për të tjerët me anë të edukatës, shoqërisë së këndshme dhe sjelljes së shkëlqyer
[Kutia në faqen 4-7]
Përkujtues për kongresin krahinor të vitit 2011
◼ Oraret: Në të tria ditët, programi do të fillojë në orën 9.20. Dyert do të hapen në orën 8.00. Kur të njoftohet muzika që do të vihet në sfond, të gjithë duhet të zëmë vend, me qëllim që programi të fillojë në mënyrë sa më dinjitoze. Të premten dhe të shtunën programi do të mbarojë në orën 16.55, ndërsa të dielën në orën 15.40.
◼ Parkimi: Në të gjitha vendet e kongresit ku mbikëqyrim parkimin, tërë hapësirat e disponueshme për parkim do të jenë pa pagesë, për këdo që ndjek programin. Vendet e parkimit zakonisht janë të kufizuara, kështu që mundohuni të mbushni të gjitha vendet e makinës me të cilën udhëtoni.
◼ Vendet për t’u ulur: Mund të rezervojmë vende vetëm për ata që jetojnë me ne në të njëjtën shtëpi, për ata që udhëtojnë me makinën tonë ose për ata që studiojnë Biblën me ne.—1 Kor. 13:5.
◼ Dreka: Ju lutemi ta merrni drekën me vete, në mënyrë që të mos largoheni nga vendi ku mbahet kongresi gjatë pushimit të drekës. Nëse është e nevojshme, mund të merrni një çantë-frigorifer të vogël, që mund ta mbani poshtë karriges suaj. Çantat e mëdha familjare që përdoren për piknikë dhe enët prej qelqi nuk lejohen në vendin e kongresit.
◼ Kontributet: Mund ta tregojmë vlerësimin tonë për organizimin e kongresit duke dhënë kontribute vullnetare për veprën mbarëbotërore në kongres. Çeqet duhet të bëhen të pagueshme për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
◼ Aksidentet dhe urgjencat: Nëse në vendin e kongresit ka një rast urgjence, ju lutemi të thërritni përcjellësin më të afërt, i cili do të njoftojë menjëherë repartin e ndihmës së shpejtë, në mënyrë që personeli i kualifikuar i ndihmës së shpejtë, të përcaktojë se sa e rëndë është gjendja dhe të japë ndihmën e duhur. Nëse është e nevojshme, personeli i ndihmës së shpejtë do t’i telefonojë urgjencës në numrin 127. Në këtë mënyrë, shërbimet e urgjencës nuk do të marrin shumë telefonata me celular.
◼ Ilaçet: Nëse keni nevojë për ilaçe me recetë, ju lutemi të merrni me vete mjaftueshëm, pasi këto lloj ilaçesh nuk do të jenë në dispozicion në kongres.
◼ Këpucët: Çdo vit ndodhin disa dëmtime për shkak të këpucëve, sandaleve ose shapkave. Është mirë që ato të jenë modeste dhe t’ju rrinë mirë pas këmbës, që të jenë të sigurta nëpër shkallë, në vende të pjerrëta, mbi skarat e pusetave ose në gjëra të ngjashme.
◼ Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Parapëlqehet që karrocat e fëmijëve dhe karriget portative të mos merren me vete në ambientet e kongresit. Për foshnjat është më mirë që prindërit të përdorin një ndenjëse për fëmijë ose diçka të ngjashme që nuk pengon kalimin.
◼ Aromat: Disa kongrese tani zhvillohen në ambiente të mbyllura ku ajrimi bëhet me ventilatorë. Prandaj, do të ishte e dashur nga ana juaj që të mos përdorni aroma të forta, kolonjë dhe parfume që i shqetësojnë ata që kanë probleme me frymëmarrjen dhe probleme të tjera të ngjashme.—1 Kor. 10:24.
◼ Formularët «Ju lutemi, ndiqni interesin» (S-43): Për të dhënë informacion për ndonjë që tregon interes kur japim dëshmi joformale gjatë kongresit, duhet të përdoret formulari Ju lutemi, ndiqni interesin. Lajmëtarët duhet të marrin me vete në kongres një ose dy formularë të tillë. Formularët e plotësuar mund të çohen në Repartin e Literaturës ose mund t’ia jepni sekretarit të kongregacionit tuaj kur të ktheheni nga kongresi.—Shih Shërbimi ynë i Mbretërisë nëntor 2009, faqja 4.
◼ Restorantet: Nderoni emrin e Jehovait me anë të sjelljes suaj të shkëlqyer në restorante. Lini bakshishe nëse është zakon i vendit.
◼ Hotelet:
(1) Ju lutemi të mos rezervoni më shumë dhoma sesa ju nevojiten dhe të mos mbani më shumë njerëz në dhomë nga sa lejohet.
(2) Mos e anuloni rezervimin pa pasur arsye urgjente dhe njoftoni hotelin sapo të vendosni për anulimin.—Mat. 5:37.
(3) Gatuani vetëm në dhomat ku lejohet gatimi.
(4) Sipas zakonit të vendit, lëruni bakshish punonjësve të hotelit për shërbimet e tyre.
(5) Mos abuzoni me asnjë nga ushqimet e mëngjesit, kafenë ose akullin që janë falas, pasi ato janë në dispozicion të klientëve kur janë në hotel.
(6) Shfaqni gjithnjë frytin e frymës me personelin e hotelit. Ata kujdesen për një numër të madh klientësh dhe e vlerësojnë dashamirësinë, durimin dhe arsyetueshmërinë tonë.
(7) Tarifa që tregohet në Listën e strehimeve të rekomanduara është vlera e plotë e çmimit për çdo ditë. Nëse ju kërkojnë një tarifë më të lartë a që të paguani për gjëra që nuk keni kërkuar ose nuk keni përdorur, mos pranoni t’i paguani dhe njoftoni Repartin e Strehimit të kongresit sa më shpejt që të jetë e mundur.
(8) Nëse lind ndonjë problem me dhomën e hotelit, njoftoni Repartin e Strehimit gjatë kohës që jeni në kongres, që t’ju ndihmojë.
(9) Ju lutemi kini parasysh që nëse paguani me kartë krediti ose debiti kur të regjistroheni në hotel, është praktikë standarde që të bllokohet në llogarinë tuaj shuma për çmimin total të dhomës, plus për ndonjë dëmtim ose incident që mund të keni bërë gjatë qëndrimit tuaj. Nuk do të arrini të përdorni asgjë nga ky fond derisa llogaria juaj të jetë shlyer brenda pak ditësh pas largimit tuaj nga hoteli.
◼ Shërbimi vullnetar: Lumturia që ndiejmë duke ndjekur kongresin do të na shtohet edhe më shumë nëse dalim vullnetarë për të ndihmuar në punën e nevojshme që përfshihet. (Vep. 20:35) Kushdo që dëshiron ta bëjë këtë, duhet të paraqitet te Reparti i Shërbimit Vullnetar në kongres. Edhe fëmijët nën moshën 16 vjeç mund të japin një kontribut të shkëlqyer duke punuar nën drejtimin e një prindi a të dikujt që i ka nën kujdes ose të një personi tjetër madhor të miratuar nga njëri prej tyre.
[Diçitura në faqen 5]
Si do ta ofrojmë ftesën?
Që të mbulojmë territorin, duhet ta prezantojmë shkurt ftesën. Mund të themi diçka si: «Përshëndetje. Në të gjithë botën, po bëjmë një fushatë për shpërndarjen e kësaj ftese. Kjo është ftesa juaj. Aty do të gjeni më shumë hollësi.» Faqja e parë e ftesës ngjall interes, kështu që jepjani të zotit të shtëpisë në një mënyrë që të mund ta shohë. Jini entuziastë. Bashkë me ftesën, nëse është fundjavë dhe nëse është e përshtatshme mund të ofroni edhe revistat.