‘Ky lajm i mirë do të predikohet!’
1. Si e dimë që asgjë nuk mund ta ndalë veprën e predikimit?
1 S’ka asgjë që mund ta ndalë Jehovain të përmbushë vullnetin e tij. (Isa. 14:24) Edhe pse për gjykatësin Gideon dhe 300 burrat që ishin me të dukej e pamundur të fitonin kundër një ushtrie prej 135.000 midianitësh, Jehovai i tha atij: «Shpëtoje Izraelin nga duart e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?» (Gjyk. 6:14) Cila vepër sot ka mbështetjen e Jehovait? Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar.» (Mat. 24:14) Askush nuk do të jetë në gjendje ta ndalë përmbushjen e kësaj vepre!
2. Pse mund të presim që Jehovai të na ndihmojë individualisht në shërbim?
2 Jehovai na ndihmon individualisht: Edhe pse jemi të sigurt që Jehovai do t’i ndihmojë Dëshmitarët e tij të kenë sukses si grup, a mund të presim që të na ndihmojë individualisht? Gjatë një periudhe kur kishte nevojë, apostulli Pavël e ndjeu mbështetjen e Jehovait me anë të birit të tij, Jezuit. (2 Tim. 4:17) Mund të kemi besim se Jehovai do t’i bekojë në mënyrë të ngjashme përpjekjet tona individuale për të përmbushur vullnetin e tij.—1 Gjon. 5:14.
3. Në cilat rrethana na ndihmon Jehovai?
3 A të lënë ankthet e jetës së përditshme pak energji për shërbimin? «Ai i jep fuqi të lodhurit.» (Isa. 40:29-31) A po has përndjekje ose kundërshtim? «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psal. 55:22) A të mungon ndonjëherë siguria te vetja? «Shko, dhe unë do të jem me gojën tënde.» (Dal. 4:11, 12) A ke probleme shëndetësore që ta kufizojnë pjesëmarrjen në shërbim? Jehovai i vlerëson dhe mund t’i shfrytëzojë përpjekjet e tua me gjithë shpirt, pavarësisht sa të vogla janë ato.—1 Kor. 3:6, 9.
4. Si do të ndikojë te ne siguria që kemi te Jehovai?
4 Dora e Jehovait «është shtrirë. Kush mund ta kthejë mbrapsht?» (Isa. 14:27) Të sigurt për bekimin e Jehovait në shërbimin tonë, le të vazhdojmë pareshtur të predikojmë ‘me guxim me anë të autoritetit që na ka dhënë ai’!—Vep. 14:3.