Ji gjithnjë gati për të ofruar studime biblike
1. Çfarë përfshin të përmbushim caktimin e Jezuit te Mateu 28:19, 20?
1 Jezui na dha caktimin që ‘të bëjmë dishepuj dhe t’i mësojmë ata’. (Mat. 28:19, 20) Prandaj, duam të jemi gjithnjë gati për të ofruar çdo herë studime biblike e jo vetëm në ditën e fundjavës që është caktuar për të ofruar studime biblike. Sugjerimet vijuese mund të jenë të dobishme.
2. Cilëve mund t’u ofrojmë një studim biblik?
2 Ofro studime biblike: Sa më shumë të ofrojmë studime biblike, aq më shumë mundësi do të kemi për të filluar një të tillë. (Ekl. 11:6) A ke provuar metodën e drejtpërdrejtë? Një kongregacion në Shtetet e Bashkuara bëri përpjekje të zellshme duke e provuar këtë metodë për një muaj rresht. Sa të lumtur ishin që filluan 42 studime biblike! Mos mendo se të interesuarit që viziton e dinë se dëshiron të studiosh Biblën me ta. Kur të rikthehesh herën tjetër, pse të mos u ofrosh një studim? Mos ki merak, nëse nuk pranojnë. Mund të vazhdosh të kultivosh interesin. A i ke pyetur fqinjët, të afërmit, shokët e punës ose të shkollës nëse duan të studiojnë Biblën me ty? Po ashtu, mund të pyesësh studentët e tu të Biblës nëse kanë miq ose të afërm që do t’u pëlqente të studionin Biblën.
3. Cilin mjet të dobishëm kemi për të filluar studime biblike dhe kur mund ta përdorim?
3 Një mjet i dobishëm: Një mjet i dobishëm për të filluar studime biblike është fletushka A do ta dish të vërtetën? Mund t’ia japësh të zotit të shtëpisë pavarësisht nëse pranon ose jo literaturë tjetër. Mund të përdoret kur predikon në territorin tregtar, në rrugë, kur dërgon letra dhe kur bën rivizita. Gjithashtu, mund ta lësh atje ku nuk ka njeri në shtëpi. Pse të mos mbash me vete disa fletushka të tilla kur përdor mjetet e transportit publik, kur bën pazarin dhe kur je në punë? Faqja e fundit shpjegon shkurtimisht si bëhet një studim biblik dhe prezanton librin Çfarë mëson vërtet Bibla?
4. Si mund ta përdorësh fletushkën A do ta dish të vërtetën? për të nisur një studim?
4 Pasi t’i japësh dikujt fletushkën, mund të theksosh pyetjet në faqen e parë dhe ta pyesësh: «Cila nga këto pyetje ju intereson më shumë?» Më pas shqyrtoni bashkë përgjigjen nga fletushka dhe lexo ose thuaj me fjalët e tua përmbajtjen e faqes së fundit, e cila shpjegon si bëhet një studim biblik. Pastaj mund t’i tregosh në librin Çfarë mëson vërtet Bibla? se ku ka më shumë informacione për këtë temë. Ofroji librin dhe lër një takim për t’u kthyer që të vazhdosh bisedën.
5. Pse duhet të jemi gjithnjë gati për të ofruar studime biblike?
5 Në territorin tonë ka ende njerëz që kanë dëshirë të madhe të dinë se çfarë mëson vërtet Bibla. Duke qenë gjithnjë gati për të ofruar studime biblike, do të kemi më tepër mundësi të provojmë gëzimin që vjen kur i ndihmojmë të tjerët të ndjekin rrugën që të çon në jetë.—Mat. 7:13, 14.