Të përqendrohemi në veprën e bërjes së dishepujve
1. Ç’nevojitet që njerëzit të shpëtojnë?
1 Raporti vjetor i shërbimit për 2014-n pasqyron zellin dhe vendosmërinë e popullit të Perëndisë për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mat. 24:14) Falë predikimit shtëpi më shtëpi, fushatave speciale me fletushka e ftesa dhe dëshmisë publike, mesazhin e Biblës po e dëgjojnë më shumë njerëz se kurrë më parë. Megjithatë, që njerëzit të shpëtojnë, duhet t’i ndihmojmë të bëhen dishepuj të Jezuit duke studiuar Biblën me ta.—1 Tim. 2:4.
2. Ç’pyetje mund t’i bëjmë vetes që të shfrytëzojmë çdo rast për të ofruar një studim biblik?
2 Shfrytëzo çdo rast për të ofruar një studim biblik: Kur dikush tregon interes, a përpiqesh të marrësh ndonjë informacion për ta kontaktuar sa më shpejt, që të fillosh një studim biblik? Kur ke provuar për herë të fundit të demonstrosh një studim biblik në vizitën e parë? Kur ka qenë hera e fundit që i ke ofruar studim biblik itinerareve? A u ke treguar kolegëve të punës, shokëve të shkollës, fqinjëve, të afërmve dhe të njohurve të tjerë videot Pse ta studiosh Biblën? dhe Si zhvillohet një studim biblik? Kur jep dëshmi me stenda, a përpiqesh t’u thuash atyre që marrin një botim për studim se mund ta studiojnë Biblën falas?
3. Ç’nevojitet që t’u mësojmë të vërtetën me efektshmëri njerëzve?
3 Jehovai dhe Jezui na ndihmojnë: Duke i paraprirë urdhrit «bëni dishepuj» me fjalën «shkoni», Jezui tregoi se duhet të përpiqemi dhe të marrim iniciativën. Megjithatë, ai nuk na la vetëm, por premtoi se do të ishte me ne. (Mat. 28:19, 20) Për më tepër, Jehovai na ka dhënë frymën e tij të shenjtë, e po ashtu mjetet dhe stërvitjen e nevojshme që t’u mësojmë njerëzve të vërtetën. (Zak. 4:6; 2 Kor.4:7) Mund të lutemi ‘që të kemi vullnet dhe të veprojmë’ për të marrë pjesë në këtë vepër të rëndësishme.—Filip. 2:13.
4. Pse duhet të përqendrohemi te vepra e bërjes së dishepujve?
4 Kur predikojmë lajmin e mirë ndiejmë shumë lumturi. Ama, gëzohemi edhe më shumë kur ia mësojmë të vërtetën dikujt dhe e ndihmojmë të bashkohet me ne ‘në rrugën që të çon në jetë’. (Mat. 7:14; 1 Sel. 2:19, 20) Ç’është më e rëndësishmja, duke u përqendruar te vepra e bërjes së dishepujve, kënaqim Jehovain, i cili «nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin».—2 Pjet. 3:9.