Revistat tona botohen për një auditor të gjerë
1. Si e imiton apostullin Pavël klasa e skllavit të besueshëm e të matur?
1 Pikërisht ashtu si apostulli Pavël përshtaste mënyrën si e paraqiste lajmin e mirë që të fitonte «njerëz të çdo lloji», klasa e skllavit të besueshëm e të matur i përdor revistat tona për të arritur deri te njerëz me formime dhe bindje të ndryshme. (1 Kor. 9:22, 23) Që t’i përdorim sa më mirë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, duhet të mbajmë parasysh auditorin për të cilin shkruhen këto revista.
2. Për ç’lloj njerëzish shkruhet revista Zgjohuni!?
2 Zgjohuni!: Kjo revistë shkruhet për ata lloj njerëzish që apostulli Pavël iu drejtua me shprehjen «burra të Athinës». (Vep. 17:22) Ata nuk vinin nga paraardhës të krishterë dhe nuk kishin shumë njohuri nga Shkrimet. Po kështu, Zgjohuni! shkruhet për lexues që kanë pak ose aspak njohuri nga Bibla. Ndoshta nuk dinë asgjë nga mësimet e krishtere, ndoshta nuk kanë shumë besim te feja ose ndoshta nuk e dinë që Bibla ka vlerë praktike. Qëllimi kryesor i Zgjohuni! është t’i bindë lexuesit se Perëndia i vërtetë ekziston. Gjithashtu, ajo ka si qëllim t’i ndihmojë të kenë besim te Bibla dhe të kuptojnë se Dëshmitarët e Jehovait janë ndryshe nga grupet e tjera fetare.
3. Për ç’lloj njerëzish shkruhet secila prej botimeve të Kullës së Rojës?
3 Kulla e Rojës: Botimi për publikun i kësaj reviste, shkruhet për lexues që kanë njëfarë respekti për Perëndinë dhe për Shkrimet. Ata kanë njëfarë njohurie për Biblën, por nuk i kuptojnë saktë mësimet e saj. Këta janë të ngjashëm me auditorin që Pavli iu referua si ata që ‘i frikësohen Perëndisë’. (Vep. 13:14-16) Botimi për studim i Kullës së Rojës, shkruhet kryesisht për Dëshmitarët e Jehovait. Pavli mendonte se ata që lexonin letrat e tij, i njihnin Shkrimet dhe kishin njohuri të saktë për të vërtetën. (1 Kor. 1:1, 2) Po kështu, artikujt në botimin për studim shkruhen për ata që ndjekin mbledhjet dhe i njohin termat e konceptet e Dëshmitarëve.
4. Pse duhet ta njohim mirë secilën prej revistave që ofrojmë në shërbim?
4 Megjithëse në përgjithësi i ofrojmë revistat bashkë, zakonisht prezantojmë vetëm njërën prej tyre. Prandaj, vini synim që ta njihni mirë secilën prej tyre. Kështu do të jeni të përgatitur për të prezantuar atë revistë që do të tërhiqte ata që takojmë.