Tri këshilla si të jemi mësues më të mirë
1. Pse duhet të përpiqemi të jemi mësues më të mirë?
1 Të gjithë lajmëtarët e krishterë janë mësues. Qoftë kur i vizitojmë për herë të parë njerëzit, qoftë kur kthehemi për të ndjekur interesin ose për të drejtuar një studim biblik, jemi duke dhënë njohuri. Por, njohuria që u mësojmë nuk është dosido. Ne hedhim dritë mbi «shkrimet e shenjta» që i bëjnë njerëzit ‘të mençur e u sjellin shpëtim’. (2 Tim. 3:15) Ç’privilegj i mrekullueshëm! Më poshtë renditen tri këshilla se si të jemi mësues më të mirë.
2. Si mund t’i mësojmë të tjerët me thjeshtësi?
2 Thjeshtësia: Kur e zotërojmë mirë një material, harrojmë kollaj se sa e vështirë mund të jetë për dikë që nuk ka njohuri për të. Prandaj, kur drejtoni një studim biblik, mos e mbingarkoni studentin me një mori hollësish të panevojshme, por theksoni pikat kryesore. Fjalët e shumta nuk nënkuptojnë mësimdhënie më të mirë. (Prov. 10:19) Në përgjithësi, është më mirë të lexohen vetëm shkrimet kyç. Pas leximit të tyre, përqendrohuni vetëm te ajo pjesë e shkrimit që mbështet temën që po trajtoni. Predikimi në Mal, i dokumentuar te kapitujt 5-7 të Mateut, përmban të vërteta shumë të thella e prapëseprapë Jezui i përçoi me thjeshtësi dhe me pak fjalë, por të zgjedhura mirë.
3. Ç’vlerë kanë ilustrimet dhe cilat ilustrime janë shpesh më të mirat?
3 Ilustrimet: Ilustrimet nxitin të menduarit e ndjenjat dhe ndihmojnë që t’i ngulitim mësimet. Mos mendoni se duhet të jeni patjetër të gojës që të bëni ilustrime të goditura. Jezui shpesh përdorte ilustrime të shkurtra e të thjeshta. (Mat. 7:3-5; 18:2-4) Edhe një vizatim i thjeshtë në një copë letër, mund të jetë mjaft i dobishëm. Me pak parapërgatitje, mund të gjeni ilustrime të efektshme.
4. Si mund t’i përdorim pyetjet me efektshmëri?
4 Pyetjet: Pyetjet e bëjnë studentin të mendojë. Prandaj, kini durim pasi i bëni një pyetje studentit. Nëse nuk prisni dhe e jepni përgjigjen vetë, nuk do të arrini të dalloni çfarë kupton studenti. Nëse përgjigjet gabim, në vend që thjesht ta korrigjoni, mund të jetë mirë ta ndihmoni me anë të pyetjeve shtesë që ta gjejë vetë përgjigjen e saktë. (Mat. 17:24-27) Sigurisht, asnjëri prej nesh nuk është mësues i përsosur. Prandaj, Bibla na nxit t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme mësimdhënies sonë. Kështu do të kemi dobi të përhershme ne dhe ata që na dëgjojnë.—1 Tim. 4:16.