Para predikimit, mund t’ju duhet të kërkoni
1. Pse caktimet e territoreve në zonat ku fliten shumë gjuhë bëhen sipas gjuhës përkatëse?
1 Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., pasi morën frymën e shenjtë, dishepujt e Jezuit «nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme» me të pranishmit nga vende të largëta. (Vep. 2:4) Si rezultat, u pagëzuan rreth 3.000 veta. Është interesante që, me sa duket, shumica e vizitorëve flitnin edhe një gjuhë të përbashkët, ndoshta hebraisht ose greqisht. E megjithatë Jehovai zgjodhi që mesazhi i Mbretërisë t’u predikohej në gjuhën e tyre amtare. Pa dyshim, një arsye është se njerëzit shpesh reagojnë më mirë ndaj lajmit të mirë kur e dëgjojnë në gjuhën e tyre. Prandaj sot, caktimet e territoreve në zonat ku fliten shumë gjuhë bëhen sipas gjuhës përkatëse. (Libri Të organizuar, f. 107, par. 1-2) Grupet e gjuhëve të huaja nuk kanë një territor të caktuar, por u predikojnë njerëzve që e flasin atë gjuhë në territorin e kongregacionit që mbështet grupin ose të kongregacioneve fqinje.
2. (a) Për çfarë mund të kërkoni dhe ku mund të jetë e nevojshme të kërkoni? (b) Si mund të ndihmojnë njëri-tjetrin kongregacionet në lidhje me territoret shumëgjuhëshe? (c) Çfarë duhet të bëni nëse gjeni një të interesuar që flet gjuhë të huaj?
2 Nëse jetoni në një vend ku të gjithë flasin të njëjtën gjuhë, thjesht mund të predikoni nga njëra shtëpi në tjetrën. Megjithatë, situata mund të jetë ndryshe nëse jetoni në një zonë metropolitane shumëgjuhëshe. Në të njëjtën lagje mund të ketë edhe kongregacione të gjuhëve të tjera që predikojnë. Megjithëse kongregacionet mund t’ju japin informacione kur gjejnë individë që flasin gjuhën tuaj, përgjegjësia kryesore për të gjetur njerëzit që mund t’u predikoni, është e kongregacionit ose grupit tuaj. (Shihni kutinë «Ndihmoni njëri-tjetrin».) Prandaj, mund të jetë e nevojshme të kërkoni duke pyetur për vendndodhjen e atyre që flasin një gjuhë të caktuar. Si mund të kërkoni?
3. Çfarë përcakton se ku mund të kërkojë një kongregacion ose grup dhe se për sa kohë duhet të kërkojë?
3 Si t’i organizoni kërkimet? Sasia e kohës që mund t’u kushtohet kërkimeve në zonat shumëgjuhëshe, varet nga rrethanat e vendit. Për shembull, sa veta në komunitet e flasin atë gjuhë? Sa lajmëtarë ka? Sa adresa ka tashmë kongregacioni ose grupi? Nuk është e thënë që kongregacioni të kërkojë njësoj në çdo lagje, por mund të vendosë që të përqendrohet në zonat më të populluara brenda kufijve të territorit dhe në zonat që janë në distancë të arsyeshme. Megjithatë, është e rëndësishme që kërkimet të organizohen mirë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të kenë mundësi të thërrasin emrin e Jehovait.—Rom. 10:13, 14.
4. (a) Si duhen organizuar kërkimet? (b) Cilat janë disa mënyra si të gjeni njerëzit që flasin gjuhën tuaj?
4 Që të shmangen përpjekjet e dyfishta në vende ku është e nevojshme të bëhen kërkime, trupi i pleqve, në mënyrë të veçantë mbikëqyrësi i shërbimit, duhet të organizojë dhe të mbikëqyrë kërkimet. (1 Kor. 9:26) Në grupet e gjuhëve të huaja, drejtimin mund ta marrë një vëlla i kualifikuar, mundësisht një plak ose shërbëtor ndihmës, i zgjedhur nga trupi i pleqve i kongregacionit përkatës. Mjaft kongregacione e grupe kanë vendosur që sistematikisht të bëjnë kërkime paraprake, ndoshta me ndihmën e një numëratori telefonik ose Internetit, për të bërë një listë të emrave tipikë të asaj gjuhe. Pastaj, kërkimet bëhen me anë të telefonatave ose vizitave për të përcaktuar cilat adresa duhen përfshirë në territor. Nëse kjo metodë është praktike, trupi i pleqve i kongregacionit që mbështet grupin, mund të marrë masa që i gjithë kongregacioni të bashkëpunojë herë pas here në kërkime.—Shihni kutinë «Si të gjeni ata që flasin gjuhën tuaj.»
5. (a) Çfarë sugjerimesh jepen për lajmëtarët që bëjnë kërkime? (b) Çfarë mund t’u thoni njerëzve kur kërkoni?
5 Duhet të keni një synim të qartë sa herë merrni pjesë në kërkime. Meqë kërkimet janë pjesë e shërbimit, në përgjithësi duhet të visheni si në shërbim. Shumë kanë kuptuar se, nëse praktikojnë prezantimet dhe flasin atë gjuhë ndërsa bëjnë kërkime, ruajnë entuziazmin dhe aftësohen më shumë me gjuhën. Mund të llogaritni si shërbim kohën që kaloni me kërkimet, por jo kohën që kaloni duke përgatitur hartat dhe listat e territorit. Kur gjeni dikë që flet atë gjuhë, duhet të përpiqeni t’i jepni lajmin e mirë dhe pastaj të njoftoni menjëherë mbikëqyrësin e shërbimit ose dikë të caktuar prej tij që të përditësohen të dhënat e territorit. Kjo vlen edhe në rastet kur personi nuk tregon interes. Megjithëse kërkimet janë të rëndësishme, duhet të jeni të ekuilibruar dhe të merrni pjesë në të gjitha aspektet e shërbimit.—Shihni kutinë «Çfarë të thoni kur bëni kërkime?»
6. Çfarë vështirësish unike dalin kur kërkoni ata që nuk dëgjojnë?
6 Si të kërkoni ata që nuk dëgjojnë? Kërkimi për ata që nuk dëgjojnë ka vështirësi unike dhe kërkon goxha përpjekje e këmbëngulje. Ata nuk mund të dallohen nga emri, nga karakteristikat fizike ose nga veshja. Për më tepër, familjarët dhe miqtë e tyre, me qëllimin për t’i mbrojtur, mund të ngurrojnë t’u japin informacione lajmëtarëve që pyesin. Sugjerimet e mëposhtme për të gjetur ata që nuk dëgjojnë, vlejnë edhe për të gjetur ata që flasin një gjuhë të huaj.
7. (a) Çfarë pyetjesh mund të bëhen në zonat e banuara për të gjetur ata që nuk dëgjojnë? (b) Si mund t’ia largoni dyshimet të zotit të shtëpisë?
7 Kongregacionet dhe grupet e gjuhës së shenjave kanë pasur sukses duke pyetur në zonat e banuara. Ndoshta i zoti i shtëpisë ka parë një fqinj, një shok pune ose shkolle duke komunikuar në gjuhën e shenjave. Mund të ketë vënë re ndonjë tabelë rrugore që tregon se aty ka fëmijë që nuk dëgjojnë. Ndoshta ka ndonjë të afërm që nuk dëgjon. Mos harroni se të tjerët mund ta shohin me dyshim vizitën tuaj. Por, mund ta qetësoni të zotin e shtëpisë duke u treguar vërtet miqësor dhe duke dhënë shpjegime të shkurtra, të sinqerta dhe dinjitoze. Disa kanë pasur rezultate të mira duke shfaqur DVD-në për Biblën ose DVD të tjera kur pyesin të zotin e shtëpisë nëse njeh dikë që nuk dëgjon. Pastaj thjesht thonë se duan t’ua japin shpresën biblike edhe këtyre njerëzve. Edhe nëse i zoti i shtëpisë ngurron të japë informacione, mund të pranojë që t’i japë kartvizitën tuaj ose ftesën për në mbledhjen e kongregacionit të afërmit ose mikut që nuk dëgjon.
8. Si mund ta ndihmojë një kongregacion fqinj një kongregacion të gjuhës së shenjave?
8 Një ose dy ditë në vit, një kongregacion i gjuhës së shenjave mund të ftojë një kongregacion fqinj të një gjuhe tjetër për t’i ndihmuar të bëjnë kërkime në një zonë metropolitane brenda territorit të tyre të madh. Në mbledhjen për shërbim të drejtuar nga kongregacioni i gjuhës së shenjave, mund të jepen udhëzime për kërkimet dhe të bëhet një demonstrim. Në çdo grup të organizuar në një makinë, mund të caktohet të paktën një lajmëtar nga kongregacioni i gjuhës së shenjave dhe mund t’i jepet një hartë e zonës specifike ku do të kërkojnë.
9. Si mund të kërkoni në vendet ku ata që nuk dëgjojnë mblidhen për t’u shoqëruar, për t’u zbavitur ose për të marrë shërbime nga komuniteti?
9 Kërkimet mund të bëhen edhe atje ku ata që nuk dëgjojnë dihet se mblidhen për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin, për t’u zbavitur ose për të marrë shërbime të ofruara nga komuniteti. Lajmëtarët duhet të vishen në mënyrë të përshtatshme për rastin. Do të ishte më mirë të bisedoni me një ose dy të pranishëm dhe të tregoheni të matur, pa bërë një prezantim para gjithë grupit. Nëse biseda është frytdhënëse, ndoshta mund të shkëmbeni informacionet e nevojshme për të kontaktuar me ta.
10. Si mund të bëni kërkime në bizneset e territorit?
10 Një mundësi tjetër është duke përgatitur harta ku tregohen bizneset e territorit dhe pastaj duke i vizituar në një moment të përshtatshëm. Në një hartë mund të përfshihen disa pika karburanti. Në një tjetër mund të përfshihen pastrimet kimike, lavanderitë, restorantet, hotelet ose biznese të tjera. Nëse çdo hartë ka vetëm një lloj biznesi, lajmëtarët mund të përdorin të njëjtin prezantim dhe të fitojnë më shumë përvojë e aftësi. Për shembull, meqë hotelet zakonisht strehojnë klientë që nuk dëgjojnë, mund t’i shpjegoni recepsionistit shkurtimisht për veprën dhe t’i lini një DVD bashkë me një ftesë për në mbledhjet e kongregacionit, që t’ua shpërndajë klientëve të hotelit që nuk dëgjojnë. Në disa biznese, thjesht mund të pyesni nëse ndonjë punonjës ose klient i rregullt komunikon me anë të shenjave. Nëse në territor ka një shkollë për ata që nuk dëgjojnë, mund të ofroni disa nga botimet tona në DVD për bibliotekën e shkollës.
11. Pse kërkimet janë aspekt i rëndësishëm i shërbimit?
11 Një aspekt i rëndësishëm: Të gjesh shtëpinë e atyre që flasin gjuhën tuaj, mund të jetë e lodhshme. Përveç kësaj, përbërja e disa lagjeve mund të ndryshojë me shpejtësi ndërsa disa ikin e disa vijnë, dhe kjo e bën më të vështirë përditësimin e territorit. Megjithatë, në gjithnjë e më shumë zona, kërkimet janë një aspekt i rëndësishëm i shërbimit. Jehovai, që na ka dhënë caktimin për të predikuar, nuk është i anshëm. (Vep. 10:34) ‘Vullneti i tij është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës.’ (1 Tim. 2:3, 4) Prandaj, le të bashkëpunojmë me Jehovain dhe me njëri-tjetrin që të gjejmë njerëz nga të gjitha gjuhët që kanë «një zemër të shkëlqyer e të mirë».—Luka 8:15.
[Kutia në faqen 5]
Ndihmoni njëri-tjetrin
Nëse kongregacioni ose grupi ka nevojë për ndihmë për të gjetur ata të gjuhës së tyre, mbikëqyrësi i shërbimit mund të kontaktojë pleqtë e kongregacioneve fqinje të gjuhëve të tjera. Është mirë të kontaktohen vetëm kongregacionet që janë në një distancë të arsyeshme ose që kanë shumë banorë që flasin atë gjuhë. Pastaj këto kongregacione mund të informojnë lajmëtarët e tyre që, nëse gjejnë dikë që flet atë gjuhë, të mbajnë shënim adresën dhe t’ia japin mbikëqyrësit të shërbimit që t’ia kalojë kongregacionit ose grupit që kërkoi ndihmë. Mbikëqyrësit e shërbimit të kongregacioneve të përfshira, mund të përpilojnë një sistem të pranueshëm nga të gjithë për predikimin e territorit shumëgjuhësh dhe për t’i drejtuar të interesuarit te kongregacioni ose grupi përkatës.
Nëse lajmëtarët gjejnë dikë të një gjuhe tjetër që tregon vërtet interes (ose dikë që nuk dëgjon), duhet të plotësojnë menjëherë formularin Ju lutemi, ndiqni interesin (S-43) dhe t’ia japin sekretarit të kongregacionit. Kjo do të ndihmojë që personi të marrë ndihmë frymore pa vonuar.—Shih km 5/11 f. 3.
[Kutia në faqen 6]
Si të gjeni ata që flasin gjuhën tuaj?
• Pyetni të tjerët, si studentët biblikë, familjarët, shokët e punës e kështu me radhë.
• Përdorni numëratorin telefonik për të gjetur emra tipikë të asaj gjuhe. Në Internet ose nëpërmjet një kompanie telefonike mund të gjeni një numërator që i rendit emrat sipas adresës.
• Me maturi, pyetni në vende që ofrojnë shërbime publike, si për shembull në biblioteka, zyra shtetërore dhe universitete.
• Kontrolloni në gazetën lokale nëse ka njoftime për veprimtari publike të organizuara nga komuniteti i gjuhës së huaj.
• Vizitoni dyqanet dhe bizneset e territorit që plotësojnë nevojat e atij komuniteti.
• Nëse personat përgjegjës ju japin leje, vendosni një tavolinë me literaturë në një qendër biznesi, qendër universitare ose qendër transporti që frekuentohen nga njerëz të asaj gjuhe.
• Nëse ligji në vendin tuaj e lejon, blini një libër ku reklamohen bizneset ose një program kompjuterik që kërkon zonat publike të Internetit.
[Kutia në faqen 7]
Çfarë të thoni kur bëni kërkime?
Një prezantim miqësor, i sinqertë dhe i hapur do të largojë çdo dyshim. Shpesh është mirë që në fillim të tregoni literaturë në atë gjuhë.
Pas përshëndetjes, mund të thoni: «Po kërkojmë ata që flasin ․․․․․ që t’u japim shpresën biblike. A njihni ndonjë prej tyre?»
Nëse po kërkoni ata që nuk dëgjojnë, mund të thoni: «Përshëndetje. Mund t’ju tregoj diçka? [Duke përdorur një aparat portativ për DVD, shfaqni një pjesë të vogël nga çdo material që keni në DVD në gjuhën e shenjave të vendit.] Përveç kësaj, kemi edhe DVD të tjera falas të cilat janë bërë enkas që ata që nuk dëgjojnë të mësojnë rreth Perëndisë. A njihni ndonjë që nuk dëgjon ose ka vështirësi me dëgjimin dhe di gjuhën e shenjave?» Nëse nuk i kujtohet ndonjë, shpesh është mirë t’i sjellësh ndër mend shembuj të vendeve ku mund të ketë parë ndonjë person që nuk dëgjon, si në punë, në shkollë ose në lagje.