Studimi i librit T’i afrohemi Jehovait nis javën e parë të janarit
1. Ç’mundësi do të kemi për t’u afruar më shumë me Jehovain, duke nisur nga java që fillon më 6 janar?
1 Jehovai dëshiron që t’i afrohemi. (Jak. 4:8) Prandaj, duke nisur nga java që fillon më 6 janar, në Studimin e Biblës në Kongregacion do të trajtohet libri T’i afrohemi Jehovait. Siç tregohet në faqen e parë, qëllimi i këtij libri është «të afrohemi më shumë me Jehovain duke menduar thellë për mënyrën se si e shfaq ai secilën nga cilësitë e tij, duke parë se si i pasqyroi në mënyrë të përsosur Jezu Krishti këto cilësi dhe duke kuptuar se si mund t’i kultivojmë edhe ne». Kongregacionet e kanë studiuar më parë këtë libër gjatë viteve 2004 dhe 2005. Megjithatë, që nga ajo kohë kanë hyrë në të vërtetën rreth dy milionë lajmëtarë. Për shumë nga këta, kjo do të jetë hera e parë që do të shqyrtohen me hollësi cilësitë tërheqëse të Jehovait. Kurse për ata që e kanë studiuar edhe më parë këtë botim, rishqyrtimi do t’i ndihmojë të thellojnë çmueshmërinë për cilësitë e Jehovait.—Psal. 119:14.
2. Si do të trajtohet libri T’i afrohemi Jehovait?
2 Si do të trajtohet? Drejtuesi do të bëjë një hyrje të shkurtër me një ose dy fjali. Meqë materiali nuk përcakton cilat shkrime duhen lexuar, drejtuesi do të zgjedhë shkrimet kyçe që do të lexohen gjatë shqyrtimit. Në fund të çdo mësimi, mund të bëhen një ose dy pyetje për rishikim. Nëse materiali përmban kutinë «Pyetje për meditim», kjo do të përdoret për rishikim. Për aq sa lejon koha, drejtuesi mund të kërkojë të lexohen disa nga shkrimet e përmendura te kutia dhe pastaj të bëjë pyetje ndihmëse që ta nxitë auditorin të komentojë.
3. Çfarë duhet të bëjmë ndërsa studiohet ky libër dhe pse?
3 Nxirrni plotësisht dobi: Përgatituni që më përpara, edhe nëse e keni studiuar një herë këtë libër. Bëni komente sepse kështu do t’i sillni lavdi Jehovait, do ta keni më të lehtë të kujtoni informacionin dhe do të ndihmoni të tjerët. (Psal. 35:18; Hebr. 10:24, 25) Teksa meditoni për cilësitë e pashoqe të Jehovait, do të afroheni më shumë me të. (Psal. 77:11-13) Si pasojë, do të jeni më të vendosur për t’iu bindur urdhërimeve të tij dhe më të motivuar që të flitni me të tjerët për të.—Psal. 150:1-6.