Të nxjerrim dobi duke studiuar librin T’i afrohemi Jehovait
1 Në Kongresin Krahinor «Lajmëtarë të zellshëm të Mbretërisë» u gëzuam jashtë mase kur u prezantua libri T’i afrohemi Jehovait. Sapo e morën librin shumë veta e lexuan menjëherë. Shumë të tjerë pa dyshim e lexuan të shtyrë nga shkrimi i vitit 2003: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.»—Jak. 4:8.
2 Në muajin mars do të fillojmë ta shqyrtojmë librin T’i afrohemi Jehovait në Studimin e Librit të Kongregacionit. Si të nxjerrim sa më shumë dobi nga ky studim? Përgatitja është thelbësore. Çdo kapitulli do t’i kushtohen dy javë e kjo do të thotë që çdo javë do të ketë një numër pak a shumë të vogël paragrafësh për të studiuar. Kështu do të kemi kohë të mjaftueshme për të dhënë komente nga zemra të cilat i kemi nxjerrë gjatë studimit dhe meditimit të materialit. Veç kësaj, gjatë javëve kur do të rishikohet pjesa e fundit e çdo kapitulli, do të jenë caktuar edhe më pak paragrafë, që të kemi kohë për të përdorur një aspekt të veçantë të librit.
3 Duke filluar me kapitullin e dytë, në fund të çdo kapitulli ka një kuti me titull «Pyetje për meditim». Pasi të shqyrtojë paragrafin e fundit të kapitullit, mbikëqyrësi i studimit të librit do t’i kushtojë kohë diskutimit të kutisë si grup. Ai do t’i nxitë të pranishmit të bëjnë komente, duke treguar pikat interesante që kanë nxjerrë gjatë meditimit rreth Shkrimeve. (Prov. 20:5) Përveç pyetjeve që janë në kuti, nganjëherë ai mund të bëjë pyetje si këto: «Çfarë ju tregon ky informacion për Jehovain? Si ndikon në jetën tuaj? Si mund ta përdorni për të ndihmuar të tjerët?» Synimi i tij do të jetë të nxitë komente nga zemra, jo t’i bëjë provim grupit për hollësi të vogla.
4 Libri T’i afrohemi Jehovait është i veçantë. Ndonëse të gjitha botimet e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ i japin lavdi Jehovait, ky libër i është kushtuar i gjithi trajtimit të cilësive të Jehovait. (Mat. 24:45-47) Ç’mundësi të mrekullueshme që do të kemi! Do të nxjerrim shumë dobi nga ky studim i thellë i personalitetit të Jehovait. Na ndihmoftë studimi që t’i afrohemi më shumë Atit tonë qiellor dhe u bëfshim edhe më të efektshëm për të ndihmuar të tjerët që të veprojnë po kështu!