Përvoja
◼ Australi: Xhoni, një burrë i arsimuar, shkonte në kishë kur ishte i vogël, por u bë «ateist i flaktë». Një pionier i la broshurën A u krijua jeta? dhe në vizitën e mëtejshme, broshurën Origjina e jetës. Pionieri vazhdoi t’ia kultivonte interesin duke i çuar revistat e fundit e duke i tërhequr vëmendjen tek artikujt që flitnin për krijimin ose për profecitë biblike. Kur mendoi se Xhoni ishte gati, i ofroi librin Bibla—Fjala e Perëndisë apo e njerëzve? Pasi e lexoi, Xhoni nisi ta quante veten «agnosticist i pavendosur». Pastaj, pionieri i prezantoi librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe i tregoi paragrafin 8, në faqen 20 e paragrafët 13-16, në faqet 23-24. Shkrimet e përmendura aty i bënë aq përshtypje Xhonit, sa tha: «Ndoshta duhet t’i jap edhe një mundësi Biblës.»
◼ Meksikë: Një burrë i tha një lajmëtari se nuk besonte që Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Lajmëtari ofroi t’i tregonte disa prova pse Bibla është e frymëzuar. Pas disa bisedash, gjërat që po mësonte nga Bibla filluan t’i ndikonin në zemër. U prek sidomos kur mësoi për normat e Perëndisë. I tha lajmëtarit: «Kur e lexonim Biblën në fillim, këshillat e saj më dukeshin si të çdo libri tjetër dhe nuk më bënin përshtypje. Por, kur e lexojmë tani, sidomos këshillat e saj për moralin, më bren ndërgjegjja.»
◼ Shtetet e Bashkuara: Ndërsa merrnin pjesë në dëshminë speciale në metropol, një çift takuan një grua nga Tajvani që besonte te Perëndia, por mendonte se Bibla ishte për perëndimorët. Ajo u afrua te stenda e literaturës ngaqë ndihej bosh, ndonëse bënte jetë të rehatshme. Shpresonte që Bibla ta ndihmonte të gjente qëllim në jetë. Çifti nisi të studionte me të librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe broshurën Paqja dhe lumturia e qëndrueshme: Si mund t’i gjesh? (anglisht). Në vend se të diskutonin kapitullin e dytë të librit, diskutuan nga broshura pjesën e titulluar «Një manual për bekimin e gjithë njerëzimit». Pasi shqyrtuan gjashtë paragrafët e parë të asaj pjese, gruaja u shpreh e mrekulluar se Bibla është unike në krahasim me shkrimet e tjera fetare. Pasi trajtuan profecitë biblike që janë plotësuar, ajo tha: «S’kam njohur asnjë libër tjetër kaq të saktë!»
◼ Japoni: Edhe pse i zoti i shtëpisë i tha një lajmëtari se nuk besonte te Perëndia, lajmëtari vazhdoi t’i bënte vizita të shkurtra gjatë të cilave flitnin për artikujt «A është projektuar?» në revistën Zgjohuni! Dalëngadalë burri ndryshoi mendim dhe nisi të thoshte se ndoshta ka një Krijues. Tani beson se Perëndia ekziston dhe po studion me lajmëtarin broshurën Një lajm i mirë nga Perëndia.
◼ Kanada: Një motër i dha revistat e fundit një gruaje që po dilte nga shtëpia për te makina. Kur motra u kthye më vonë, gruaja i tha prerazi se nuk ishte e interesuar dhe se nuk besonte te Perëndia. Motra vendosi të mos dorëzohej, por t’i çonte broshurën Një jetë e kënaqshme: Si ta arrijmë? Kur e gjeti gruan në shtëpi, motra i tha se, edhe pse e dinte që nuk besonte te Perëndia, kishte menduar për të pasi kishte vënë re që ishte nënë e vetme. I tregoi gruas paragrafin 6, në faqen 4 të broshurës që ngre pyetjen se ku mund të gjejmë këshilla të mira. Pastaj e inkurajoi të lexonte sugjerimet për rritjen e fëmijëve në mësimin 2. Gruaja e mori me kënaqësi broshurën.