BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w23 nëntor f. 14-19
  • Ji i sigurt për mbështetjen e Jehovait mes pasigurive të jetës

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ji i sigurt për mbështetjen e Jehovait mes pasigurive të jetës
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • SI NDIKUAN PASIGURITË E JETËS TE JUDENJTË E RIKTHYER
  • VAZHDO TË MBASH NË QENDËR TË JETËS VULLNETIN E PERËNDISË
  • SI TA FORCOSH BESIMIN TE JEHOVAI
  • JI I SIGURT DERI NË FUND PËR MBËSHTETJEN E JEHOVAIT
  • Pika kryesore nga libri i Ezdrës
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Libri biblik numër 15​—Ezdra
    «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»
  • Ezdra
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • A është e efektshme mësimdhënia jote?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2002
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2023 (Për studim)
w23 nëntor f. 14-19

ARTIKULLI I STUDIMIT 48

Ji i sigurt për mbështetjen e Jehovait mes pasigurive të jetës

«Ji i fortë, . . . se unë jam me ju,—thotë Jehovai i ushtrive.»—HAG. 2:4.

KËNGA 118 «Na jep më shumë besim»

PËRMBLEDHJEa

1-2. (a) Çfarë ngjashmërish ka mes situatës tonë dhe asaj të judenjve që u kthyen në Jerusalem? (b) Përmendni disa vështirësi që hasën judenjtë. (Shihni kutinë «Në ditët e Hageut, Zakarisë dhe Ezdrës».)

A SHQETËSOHESH ndonjëherë për të ardhmen? Ndoshta ke merak si do ta mbash familjen ngaqë ke humbur punën. Mbase shqetësohesh për sigurinë e familjes përballë një situate politike të paqëndrueshme, përndjekjeve ose kundërshtimeve ndaj veprës së predikimit. A po has ndonjë nga këto probleme? Nëse po, do të marrësh zemër ndërsa shqyrton si i ndihmoi Jehovai izraelitët e lashtë kur ndeshën probleme të ngjashme.

2 Judenjtë kishin jetuar tërë jetën në Babiloni, mes të mirave materiale dhe rehative. Ndaj u duhej besim i fortë që t’i linin pas këto dhe të shkonin në një vend që për shumicën ishte thuajse i panjohur. E pak pasi mbërritën në Jerusalem, u përballën me një situatë të paqëndrueshme ekonomike e politike dhe me kundërshtime. Si pasojë, e patën të vështirë të mbanin në qendër të jetës rindërtimin e tempullit të Jehovait. Prandaj rreth vitit 520 p.e.s., Jehovai dërgoi dy profetë, Hageun dhe Zakarinë, që t’u rindiznin zellin. (Hag. 1:1; Zak. 1:1) Siç do ta shohim, puna e atyre profetëve për t’i dhënë zemër popullit dha fryt. Mirëpo, gati 50 vjet më vonë, judenjtë e kthyer në atdhe ishin prapë përtokë. Ja pse Ezdra, një kopist i zoti i Ligjit, shkoi nga Babilonia në Jerusalem për ta inkurajuar popullin e Perëndisë që të vinin adhurimin e vërtetë në vend të parë.—Ezd. 7:1, 6.

Në ditët e Hageut, Zakarisë dhe Ezdrës

Një tabelë kronologjike që tregon ngjarje kyçe në ditët e Hageut, Zakarisë dhe Ezdrës (të gjitha vitet janë p.e.s.). 537: Mërgimtarë judenj largohen nga Babilonia. 520: Profetët Hage dhe Zakaria u flasin izraelitëve në Jerusalem. 515: Tempulli në Jerusalem. 484: Mbretëresha Ester i afrohet fronit të mbretit Asuer. 468: Ezdra udhëton me një karvan. 455: Muret e Jerusalemit.

TË GJITHA VITET P.E.S.

  1. 537: Grupi i parë i mërgimtarëve judenj kthehet në Jerusalem

  2. 520: Hageu dhe Zakaria profetizojnë në Jerusalem

  3. 515: Përfundon tempulli

  4. 484: Estera ndërhyn pasi Kserksi I (Asueri), nxjerr dekretin që të shfarosen judenjtë

  5. 468: Ezdra dhe grupi i dytë i mërgimtarëve kthehen në Jerusalem

  6. 455: Përfundojnë muret e Jerusalemit

3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë? (Proverbat 22:19)

3 Profecitë e Hageut dhe të Zakarisë e ndihmuan popullin e Perëndisë në lashtësi të vazhdonte të kishte besim te Jehovai përballë kundërshtimeve. Ato mund të na ndihmojnë edhe ne të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështetë përballë pasigurive të jetës. (Lexo Proverbat 22:19.) Ndërsa shqyrtojmë mesazhin që dha Perëndia nëpërmjet Hageut e Zakarisë dhe mendojmë për shembullin e Ezdrës, do të marrin përgjigje këto pyetje: Si ndikuan pasiguritë e jetës te judenjtë e kthyer nga mërgimi? Pse duhet ta mbajmë në vend të parë vullnetin e Perëndisë, edhe kur përplasemi me vështirësi? Si mund ta forcojmë besimin te Jehovai në kohë të pasigurta?

SI NDIKUAN PASIGURITË E JETËS TE JUDENJTË E RIKTHYER

4-5. Pse mund t’u jetë venitur zelli për ndërtimin e tempullit judenjve?

4 Në Jerusalem, judenjtë i priste një mal me punë. Ata iu futën me zell rindërtimit të altarit të Jehovait dhe hodhën themelet e tempullit. (Ezd. 3:1-3, 10) Por entuziazmi i fillimit iu venit shpejt. Pse? Sepse veç punës për tempullin, u duhej edhe të ndërtonin shtëpi për vete, të mbillnin arat dhe t’i siguronin ushqim familjes. (Ezd. 2:68, 70) Gjithashtu hasën kundërshtime nga armiqtë që komplotonin ta ndalnin rindërtimin e tempullit.—Ezd. 4:1-5.

5 Judenjtë e kthyer në atdhe u përballën edhe me një situatë të paqëndrueshme ekonomike e politike. Tani vendi i tyre ishte pjesë e Perandorisë Perse. Pas vdekjes së mbretit Kir në vitin 530 p.e.s., perandor i Persisë u bë Kambisi. Ai filloi një fushatë ushtarake për të pushtuar Egjiptin. Rrugës për në Egjipt, ka shumë gjasa që ushtarët e tij u kërkonin izraelitëve ushqim ujë dhe strehim. Kjo ia bënte akoma më të vështirë jetën popullit. Kur hipi në fron Dari I pas Kambisit, në perandori vazhdonin revoltat dhe trazirat. Pa dyshim që në ato kushte, shumë nga mërgimtarët e kthyer ishin të shqetësuar se si do ta mbanin familjen. E për shkak të situatës aq të pasigurt, disa judenj mendonin se nuk ishte koha e duhur për të rindërtuar tempullin e Jehovait.—Hag. 1:2.

6. Çfarë vështirësie tjetër ndeshën judenjtë, dhe si u dha siguri Zakaria? (Zakaria 4:6, 7)

6 Lexo Zakarinë 4:6, 7. Përveç problemeve ekonomike dhe paqëndrueshmërisë politike, judenjtë përballeshin edhe me përndjekje. Në vitin 522 p.e.s., armiqtë ia dolën ta ndalnin rindërtimin e tempullit të Jehovait me një dekret qeveritar. Por Zakaria i siguroi judenjtë se Jehovai do të hiqte çdo pengesë me frymën e Tij të fuqishme. Më 520 p.e.s., mbreti Dar e hoqi ndalimin për rindërtimin e tempullit, e madje u siguroi judenjve fonde dhe mbështetjen e qeveritarëve.—Ezd. 6:1, 6-10.

7. Çfarë bekimesh korrën judenjtë e riatdhesuar kur vunë në vend të parë vullnetin e Perëndisë?

7 Me anë të Hageut dhe të Zakarisë, Jehovai i premtoi popullit të tij se do t’i mbështeste nëse i jepnin rëndësi mbi gjithçka rindërtimit të tempullit. (Hag. 1:8, 13, 14; Zak. 1:3, 16) Pasi morën zemër nga profetët, më 520 p.e.s. judenjtë e riatdhesuar iu përveshën sërish punës në tempull. Brenda më pak se 5 vjetësh, rindërtimi përfundoi. Me gjithë vështirësitë, ata vunë në vend të parë vullnetin e Perëndisë. Prandaj Jehovai i ndihmoi jo vetëm të kishin gjërat e nevojshme, por edhe të gëzonin një miqësi të ngushtë me të. Si rezultat, e adhuronin Jehovain me zemër të gëzuar.—Ezd. 6:14-16, 22.

VAZHDO TË MBASH NË QENDËR TË JETËS VULLNETIN E PERËNDISË

8. Si mund të na ndihmojnë fjalët e Hageut 2:4 të vëmë në vend të parë vullnetin e Perëndisë? (Shihni edhe shënimin.)

8 Tani që shtrëngimi i madh është te pragu, e kuptojmë më mirë se kurrë sa urgjente është t’i bindemi urdhrit për të predikuar lajmin e mirë. (Mar. 13:10) Megjithatë mund ta kemi të vështirë të përqendrohemi te shërbimi nëse kemi probleme ekonomike ose përballemi me kundërshtime ndaj veprës së predikimit. Çfarë mund të na ndihmojë ta vëmë në vend të parë veprën e Mbretërisë? Siguria e patundur se «Jehovai i ushtrive»b është në krahun tonë. Ai do të na mbështetë për sa kohë që vazhdojmë ta vëmë veprën e tij para interesave tona. Ndaj nuk ka pse të frikësohemi nga asgjë.—Lexo Hageun 2:4.

9-10. Si e provoi një çift i martuar sa të vërteta janë fjalët e Jezuit te Mateu 6:33?

9 Të mendojmë për shembullin e Olegut dhe Irinës,c një çift i martuar që shërbejnë si pionierë. Pasi u transferuan për të ndihmuar një kongregacion në një zonë tjetër, ata mbetën pa punë për shkak të situatës ekonomike që sa vinte e keqësohej. Për nja një vit nuk gjetën dot një punë stabël, por prapë ndienin pareshtur si i mbështeste me dashuri Jehovai. Edhe vëllezërit e motrat i ndihmonin herë pas here. Si ia dolën mbanë në ato kohë të pasigurta? Olegu, që në fillim ndihej i dëshpëruar, thotë: «Përpiqeshim të kalonim sa më shumë kohë në shërbim. Kjo na ndihmonte të përqendroheshim te gjërat më të rëndësishme në jetë.» Kështu, ndërkohë që vazhdonin të kërkonin punë, ai dhe e shoqja merrnin pjesë me zell në shërbim.

10 Një ditë kur u kthyen nga shërbimi, gjetën dy qese me ushqime. Morën vesh se një mik kishte bërë afro 160 kilometra për t’ua sjellë. Olegu thotë: «Atë ditë e provuam edhe një herë sa i thellë është meraku e kujdesi i Jehovait dhe i kongregacionit. Jemi të sigurt se Jehovai nuk i harron kurrë shërbëtorët e tij, sado e pashpresë të duket situata ku ndodhen.»—Mat. 6:33.

11. Çfarë mund të presim nëse gjëja më e rëndësishme për ne është të bëjmë vullnetin e Perëndisë?

11 Jehovai dëshiron të përqendrohemi te vepra jetëshpëtuese që na ka ngarkuar e të bëjmë dishepuj. Siç u përmend në paragrafin 7, Hageu e nxiti popullin e Jehovait ta ndiznin zellin që kishin pasur për shërbimin e shenjtë, si ditën kur kishin hedhur themelin e tempullit. Nëse do t’i shërbenin prapë plot zell, Jehovai premtoi se ‘do t’i bekonte’. (Hag. 2:18, 19) Edhe ne mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tona nëse mbajmë në qendër të jetës veprën që na ka caktuar.

SI TA FORCOSH BESIMIN TE JEHOVAI

12. Pse u duhej besim i fortë Ezdrës dhe mërgimtarëve që udhëtonin me të?

12 Në vitin 468 p.e.s., Ezdra udhëtoi nga Babilonia për në Jerusalem me një grup të dytë judenjsh. Për të bërë atë udhëtim u duhej besim i fortë. Do të përshkonin rrugë të rrezikshme, ndërkohë që kishin me vete shumë ar e argjend të dhuruar për tempullin. Kjo i bënte një shënjestër e lakmuar nga kusarët. (Ezd. 7:12-16; 8:31) Pastaj kuptuan se as brenda Jerusalemit nuk ishin të sigurt. Qyteti kishte vetëm ca banorë tek-tuk dhe muret e portat e tij kishin nevojë të meremetoheshin. Si mund të na ndihmojë shembulli i Ezdrës ta forcojmë besimin te Jehovai?

13. Çfarë e ndihmoi Ezdrën ta forconte besimin te Jehovai? (Shihni edhe shënimin.)

13 Ezdra kishte parë si e kishte mbështetur Jehovai popullin e Tij në kohë të vështira. Vite më parë, më 484 p.e.s., ka shumë të ngjarë që Ezdra jetonte në Babiloni kur mbreti Asuer nxori një dekret për të shfarosur judenjtë anekënd Perandorisë Perse. (Est. 3:7, 13-15) Jeta e Ezdrës ishte në rrezik! Përballë atij kërcënimi, judenjtë «në çdo provincë» agjëronin dhe vajtonin ndërsa i luteshin Jehovait për drejtim. (Est. 4:3) Vetëm përfytyro si u ndien Ezdra dhe bashkatdhetarët e tij kur situata u përmbys e u vranë ata që kishin thurur komplotin kundër tyre! (Est. 9:1, 2) Ajo që përjetoi në ato kohë të ankthshme, patjetër e përgatiti Ezdrën për sprovat që do të vinin dhe ia forcoi besimin se Jehovai është në gjendje ta mbrojë popullin e Tij.d

14. Çfarë mësoi një motër pasi provoi kujdesin e Jehovait në kohë të vështira?

14 Kur provojmë si kujdeset Jehovai për ne në kohë të vështira, na forcohet besimi se do të na bëhet krah edhe në të ardhmen. Të shohim shembullin e Anastasisë, që jeton në Evropën Lindore. Ajo u detyrua ta linte punën që të ruante asnjanësinë. Anastasia thotë: «Kurrë nuk më kishte ndodhur të mbetesha fare pa pará.» Pastaj shton: «Iu luta Jehovait e i lashë gjërat në dorë të tij. Dhe pashë me sa merak u kujdes për mua. Po të ndodhë prapë që të mbetem pa punë, s’do të kem frikë. Përderisa po kujdeset për mua sot, Ati im do të kujdeset për mua edhe nesër.»

15. Çfarë e ndihmoi Ezdrën të mos i lëkundej besimi te Jehovai? (Ezdra 7:27, 28)

15 Ezdra e dallonte dorën e Jehovait në jetën e tij. Ezdra sillte ndër mend gjithë ato raste kur Jehovai e kishte mbështetur. Kjo pa dyshim e ndihmonte të mos i lëkundej besimi tek Ai. Mendo për këtë shprehje të Ezdrës: «Mbi mua ishte dora e Jehovait.» (Lexo Ezdrën 7:27, 28.) Në librin që mban emrin e tij, Ezdra përdori edhe pesë herë të tjera një shprehje të ngjashme.—Ezd. 7:6, 9; 8:18, 22, 31.

Në cilat situata mund ta shohim më qartë dorën e Perëndisë në jetën tonë? (Shih paragrafin 16)e

16. Në cilat situata mund ta shohim më qartë dorën e Perëndisë në jetën tonë? (Shihni edhe figurën.)

16 Jehovai mund të na ndihmojë kur gjendemi në një situatë të vështirë. Për shembull, kur i kërkojmë punëdhënësit leje nga puna për të ndjekur një kongres ose një ndryshim në orarin e punës që të arrijmë të ndjekim të gjitha mbledhjet, po krijojmë një mundësi për të parë dorën e Jehovait në jetën tonë. Mund të surprizohemi nga mënyra si do të venë gjërat. E si rezultat, besimi ynë te Jehovai do të bëhet akoma më i fortë.

Ezdra bashkë me izraelitë të tjerë në tempull, duke vajtuar. Shekaniahu e ndihmon Ezdrën të çohet në këmbë.

Ezdra vajton dhe lutet në tempull me shpirt të hidhëruar për mëkatet e popullit. Edhe turma përreth po qan. Por Shekaniahu e ngushëllon Ezdrën dhe i jep siguri me fjalët: «Ka ende shpresë për Izraelin. . . . Ne jemi me ty.»—Ezd. 10:2, 4 (Shih paragrafin 17)

17. Si tregoi përulësi Ezdra në kohë plot ankth? (Shihni figurën e kopertinës.)

17 Ezdra i drejtohej me përulësi Jehovait për ndihmë. Sa herë që e mbyste ankthi nga përgjegjësitë që kishte, Ezdra i lutej me përulësi Jehovait. (Ezd. 8:21-23; 9:3-5) Të tjerët e vërenin që mbështetej te Jehovai, dhe qëndrimi i tij i nxiste ta përkrahnin e të imitonin besimin që tregonte. (Ezd. 10:1-4) Kur na pushton ankthi për gjërat e nevojshme materiale ose për sigurinë e familjes, duhet t’ia zbrazim zemrën plot besim Jehovait.

18. Çfarë mund të na ndihmojë ta forcojmë besimin te Jehovai?

18 Nëse i kërkojmë me përulësi ndihmë Jehovait dhe pranojmë mbështetjen që na japin vëllezërit e motrat, do të na forcohet besimi tek Ai. Erikës, një nëne me tre fëmijë, nuk iu lëkund besimi se Jehovai do të kujdesej për të edhe pasi i ranë tragjedi. Brenda një kohe të shkurtër i vdiq fëmija i palindur dhe burri i saj i dashur. Duke hedhur vështrimin pas, ajo thotë: «Nuk ka si ta dish që më parë se si do të të ndihmojë Jehovai. Ndihma mund të vijë në mënyra që të surprizojnë. Kam parë se përgjigjja e shumë lutjeve të mia ka qenë diçka që kanë thënë a kanë bërë miqtë e mi. Kur hapem me ta, ua bëj më të lehtë të më ndihmojnë.»

JI I SIGURT DERI NË FUND PËR MBËSHTETJEN E JEHOVAIT

19-20. Çfarë mësojmë nga judenjtë që nuk mund të ktheheshin në Jerusalem?

19 Nxjerrim një mësim të bukur edhe nga judenjtë që nuk mund të ktheheshin në Jerusalem. Disa prej tyre i pengonte mosha e thyer, një sëmundje e rëndë ose detyrimet familjare. Prapëseprapë i mbështetën me gjithë zemër ata që u kthyen, duke dhuruar të mira materiale. (Ezd. 1:5, 6) Rreth 19 vjet pasi ishte kthyer në atdhe grupi i parë, të mërguarit e mbetur në Babiloni vazhdonin të dërgonin dhurata vullnetare në Jerusalem.—Zak. 6:10.

20 Edhe nëse nuk bëjmë dot aq sa duam për Jehovain, të jemi të sigurt se ai i çmon përpjekjet tona me gjithë shpirt. Nga e dimë këtë? Në ditët e Zakarisë, Jehovai i kërkoi profetit të tij të bënte një kurorë me arin dhe argjendin që kishin dërguar mërgimtarët nga Babilonia. (Zak. 6:11) Ajo ‘kurorë madhështore’ do të shërbente si një «përkujtues» për kontributet e tyre bujare. (Zak. 6:14, shën.) Të jemi të sigurt se Jehovai nuk ka për t’i harruar kurrë as përpjekjet tona nga zemra për t’i shërbyer në kohë të vështira.—Hebr. 6:10.

21. Ç’do të na ndihmojë ta presim të ardhmen me siguri të plotë?

21 Në këto ditë të fundit, patjetër që do të vazhdojmë të përballemi me probleme dhe pasiguri, e në të ardhmen gjërat mund të keqësohen. (2 Tim. 3:1, 13) Megjithatë, s’ka pse të na përpijë ankthi. Të kujtojmë çfarë i tha Jehovai popullit të tij në ditët e Hageut: «Unë jam me ju . . . Mos kini frikë!» (Hag. 2:4, 5) Të jemi të sigurt se Jehovai do të jetë me ne për sa kohë që përpiqemi pa u kursyer të bëjmë vullnetin e tij. Le t’i zbatojmë mësimet që nxorëm nga profecitë e Hageut e të Zakarisë dhe të imitojmë shembullin e Ezdrës. Kështu do të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështetë përballë çdo të papriture që mund të sjellë e ardhmja.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Si mund të ndikojnë pasiguritë e jetës te shërbimi ynë?

  • Pse duhet ta mbajmë në qendër të jetës vullnetin e Perëndisë, edhe kur përplasemi me vështirësi?

  • Si mund ta forcojmë besimin te Jehovai në kohë të pasigurta?

KËNGA 122 Asgjë s’më lëkund!

a Ky artikull ka synimin të na ndihmojë të forcojmë besimin te Jehovai kur përballemi me vështirësi ekonomike, me një situatë politike të paqëndrueshme ose me kundërshtime ndaj veprës së predikimit.

b Shprehja «Jehovai i ushtrive» del 14 herë në librin e Hageut. Kjo i kujtonte judenjtë, e na kujton edhe ne, se Jehovai ka fuqi të pakufishme dhe ka nën komandë një ushtri të stërmadhe me krijesa qiellore.—Psal. 103:20, 21.

c Disa emra janë ndryshuar.

d Ezdra ishte edhe një kopist i zoti i Ligjit të Perëndisë. Prandaj kishte zhvilluar një besim të fortë te fjala profetike e Jehovait që para se të udhëtonte për në Jerusalem.—2 Kron. 36:22, 23; Ezd. 7:6, 9, 10; Jer. 29:14.

e PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i kërkon shefit leje nga puna për të ndjekur një kongres, por ai nuk pranon. Vëllai lutet për ndihmë dhe drejtim ndërsa përgatitet të flasë prapë me shefin. Ai i tregon shefit ftesën e kongresit, duke i shpjeguar sa dobi sjell arsimimi nga Bibla. Shefit i bën përshtypje kjo dhe e ndryshon vendimin që mori.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo