E drejtë apo e gabuar: Bibla siguron drejtim të besueshëm
Nëse i bazojmë vendimet vetëm te ndjenjat tona ose tek opinioni i të tjerëve, nuk mund të kemi sigurinë se do të dalin për mirë. Bibla tregon arsyen pse, por nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ajo na ndihmon të kuptojmë edhe çfarë është e drejtë ose e gabuar, pra sekretin për një jetë të lumtur e të kënaqshme.
DREJTIMI PËR TË CILIN KEMI NEVOJË
Në Bibël, Perëndia Jehovaa shpjegon se na krijoi me nevojën që të kërkonim drejtimin e tij e jo të ishim të pavarur nga ai. (Jeremia 10:23) Ja pse në Bibël ka siguruar udhëzime për atë që është e drejtë ose e gabuar. Ai e do familjen njerëzore dhe dëshiron të na kursejë dhimbjen e zhgënjimin që vjen kur mësojmë duke e pësuar. (Ligji i përtërirë 5:29; 1 Gjonit 4:8) Përveç kësaj, si Krijuesi ynë, ai ka mençurinë dhe njohurinë e nevojshme për të na dhënë këshillat më të mira. (Psalmi 100:3; 104:24) Gjithsesi, Perëndia nuk i detyron kurrë njerëzit të jetojnë sipas standardeve të tij.
Jehovai i dha çiftit të parë, Adamit dhe Evës, gjithçka u duhej për të qenë vërtet të lumtur. (Zanafilla 1:28, 29; 2:8, 15) Gjithashtu u dha disa udhëzime të thjeshta dhe priste që t’u bindeshin. Megjithatë, ua la atyre në dorë të zgjidhnin nëse do t’i zbatonin apo jo ato udhëzime. (Zanafilla 2:9, 16, 17) Mjerisht, Adami dhe Eva zgjodhën të jetonin sipas standardeve të tyre dhe jo të Perëndisë. (Zanafilla 3:6) Cili ka qenë rezultati? A është më e lumtur familja njerëzore ngaqë vendos vetë se çfarë është e drejtë apo e gabuar? Jo. Historia ka vërtetuar se, kur shpërfillim standardet e Perëndisë, nuk kemi paqe dhe lumturi jetëgjatë.—Eklisiastiu 8:9.
Bibla na siguron drejtimin që na nevojitet për të marrë vendime të mençura, pavarësisht vendit ku jetojmë dhe prejardhjes. (2 Timoteut 3:16, 17; shih kutinë «Një libër për të gjithë njerëzit».) Shqyrto si e bën Bibla këtë.
Mëso më shumë pse me të drejtë Bibla quhet ‘fjala e Perëndisë’.—1 Selanikasve 2:13. Shih në jw.org videon Kush është autori i Biblës?
BIBLA NA ZBULON DREJTIMIN E PERËNDISË
Bibla dokumenton me saktësi si ka vepruar Jehovai me njerëzimin që nga fillimi i historisë. Përmbajtja e saj na ndihmon të kuptojmë çfarë është e drejtë a e gabuar dhe çfarë është e dobishme a e dëmshme nga pikëpamja e Perëndisë. (Psalmi 19:7, 11) Prej saj mësojmë parime që vlejnë për çdo kohë e që na ndihmojnë të marrim vendime të mençura ditë pas dite.
Për shembull, shiko këtë këshillë që e gjejmë te Proverbat 13:20: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me të pamendët, do t’i shkojë keq.» Ky parim është po aq me vlerë sot, sa ç’ishte në kohët e lashta. Bibla është plot me parime të tilla praktike e të vlefshme.—Shih kutinë «Mençuria e Biblës nuk njeh kohë».
Por mbase pyet veten: «Si mund të jem i sigurt se drejtimi i Biblës funksionon edhe sot?» Në artikullin tjetër do të shohim disa histori reale.
a Jehova është emri i Perëndisë.—Psalmi 83:18.