BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w24 korrik f. 2-7
  • Ji i guximshëm si Sadoku

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Ji i guximshëm si Sadoku
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PËRKRAH MBRETËRINË E PERËNDISË
  • NDIHMO VËLLEZËRIT E TU
  • QËNDROJI BESNIK JEHOVAIT
  • Sadoku
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Abiatari
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Mësime nga fjalët e fundit të burrave besnikë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
w24 korrik f. 2-7

ARTIKULLI I STUDIMIT 27

KËNGA 73 Jehova, na jep guxim!

Ji i guximshëm si Sadoku

«Sadoku [ishte] një i ri i fuqishëm e i guximshëm.» —1 KRON. 12:28.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Si mund të na ndihmojë shembulli i Sadokut të jemi të guximshëm.

1-2. Kush ishte Sadoku? (1 Kronikave 12:22, 26-28)

PËRFYTYRO një turmë me më shumë se 340.000 burra. Ata ishin mbledhur për të kurorëzuar Davidin si mbret të Izraelit. Për tri ditë kodrat përqark Hebronit jehonin nga zërat e gëzuar, të qeshurat, bisedat e gjalla dhe këngët e lëvdimit për Jehovain. (1 Kron. 12:39) Mes asaj turme ishte edhe një i ri që quhej Sadok, e që ndoshta shumicës as që i binte në sy. Ama, Jehovai e vuri re atë të ri dhe donte ta njihnim edhe ne. (Lexo 1 Kronikave 12:22, 26-28.) Kush ishte Sadoku?

2 Sadoku ishte një prift që bashkëpunonte ngushtësisht me kryepriftin Abiatar. Ishte edhe një parashikues, të cilit Jehovai i kishte dhënë mençuri të jashtëzakonshme dhe aftësi për të dalluar vullnetin e Tij. (2 Sam. 15:27) Njerëzit pyesnin Sadokun kur kishin nevojë për këshilla të mençura. Ai ishte edhe njeri i guximshëm. Tamam te ky aspekt i personalitetit të tij do të ndalemi në këtë artikull.

3. (a) Pse u duhet guxim adhuruesve të Jehovait? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Në këto ditë të fundit, Satanai po i intensifikon sulmet kundër popullit të Perëndisë. (1 Pjet. 5:8) Ndërsa presim që Jehovai t’i fshijë tej Satanain dhe sistemin e tij të lig, kemi nevojë për guxim. (Psal. 31:24) Le të shohim tri mënyra si mund ta imitojmë guximin e Sadokut.

PËRKRAH MBRETËRINË E PERËNDISË

4. Pse u duhet guxim adhuruesve të Jehovait që të përkrahin Mbretërinë e tij? (Shihni edhe figurën.)

4 Si populli i Jehovait, e përkrahim me gjithë shpirt Mbretërinë e tij, por shpesh na duhet guxim për ta bërë këtë. (Mat. 6:33) Për shembull, mes kësaj bote të ligë kemi nevojë për guxim që të jetojmë sipas standardeve të Jehovait e të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë. (1 Sel. 2:2) Shpesh na duhet guxim edhe për të mos mbajtur anë në çështje politike në këtë sistem gjithnjë e më të përçarë. (Gjoni 18:36) Shumë adhurues të Jehovait kanë pësuar humbje ekonomike, i kanë keqtrajtuar fizikisht ose i kanë burgosur, ngaqë nuk përfshihen në aktivitete politike a nuk hyjnë në ushtri.

Një vëlla gjatë pushimit me dy kolegë të cilët shprehin opinionet e forta që kanë. Njëri prej tyre tregon me dorë nga televizori ku paraqiten rezultatet e sondazhit për dy kandidatë politikë.

Si do të veprosh kur të tjerët të mbajnë anë në çështje politike? (Shih paragrafin 4)


5. Pse i duhej guxim Sadokut që të mbështeste Davidin?

5 Sadoku nuk shkoi në Hebron vetëm për të festuar kurorëzimin e Davidit si mbret. Ai vajti atje i armatosur dhe gati për betejë. (1 Kron. 12:38) Ishte i gatshëm të luftonte përkrah Davidit dhe ta mbronte Izraelin nga armiqtë. Ndoshta Sadokut i mungonte përvoja si luftëtar. Ama nuk i mungonte aspak guximi.

6. Pse Davidi ishte një shembull guximi që e frymëzonte Sadokun? (Psalmi 138:3)

6 Si ka mundësi që Sadoku, një prift, të ishte aq i guximshëm? Ai kishte pranë shumë burra të fortë e guximtarë dhe pa dyshim mësoi nga shembulli i tyre. Për shembull, guximi i Davidit ndërsa ‘i printe Izraelit në fushata ushtarake’ frymëzonte mbarë popullin që ta përkrahte me gjithë zemër. (1 Kron. 11:1, 2) Përballë armiqve, Davidi mbështetej gjithmonë te Jehovai. (Psal. 28:7; lexo Psalmin 138:3.) Sadoku mësoi edhe nga bashkëkohës të tjerë të guximshëm—nga trima si Jehojada me të birin, luftëtarin Benajah, dhe 22 krerët e tjerë të fiseve që i dolën krah Davidit. (1 Kron. 11:22-25; 12:26-28) Të gjithë ata burra e përkrahën me vendosmëri kurorëzimin e Davidit dhe e mbrojtën mbretin.

7. (a) Nga cilët shembuj të sotëm guximi mund të mësosh? (b) Çfarë të mëson shembulli i vëllait Nsilu që tregohet në video?

7 Marrim forcë e kurajë kur mendojmë për shembullin e atyre që e kanë përkrahur me guxim sovranitetin e Jehovait. Mbreti ynë, Krishti Jezu, u rezistoi pa u lëkundur presioneve për t’u përfshirë në sistemin politik të Satanait. (Mat. 4:8-11; Gjoni 6:14, 15) Ai merrte forcë duke u mbështetur gjithmonë te Jehovai. Kemi edhe shembullin e sa e sa të rinjve sot që nuk kryejnë shërbimin ushtarak ose nuk përfshihen në aktivitete politike për shkak të ndërgjegjes. Pse të mos lexosh disa nga historitë e tyre në jw.org?a

NDIHMO VËLLEZËRIT E TU

8. Në cilat raste mund t’u duhet guxim pleqve për të dhënë ndihmë praktike?

8 Shërbëtorët e Jehovait duan me gjithë zemër ta ndihmojnë njëri-tjetrin. (2 Kor. 8:4) Megjithatë, hera-herës duhet guxim për ta bërë këtë. Për shembull, kur shpërthen një luftë, pleqtë vendas e dinë se vëllezërit e motrat kanë nevojë për inkurajim, mbështetje e ndoshta edhe për gjëra të nevojshme materiale ose për botime besimforcuese. Nga dashuria për delet, pleqtë vënë edhe jetën në rrezik që t’u sigurojnë ç’u nevojitet. (Gjoni 15:12, 13) Ndërsa veprojnë kështu, imitojnë guximin e Sadokut.

9. Sipas 2 Samuelit 15:27-29, çfarë udhëzimi i dha Davidi Sadokut? (Shihni edhe figurën.)

9 Davidi e kishte jetën në rrezik. I biri, Absalomi, ishte i vendosur ta vriste e t’i rrëmbente fronin. (2 Sam. 15:12, 13) Davidi duhej të largohej në çast nga Jerusalemi. Ai u thirri shërbëtorëve të tij: «Ngrihuni dhe t’ia mbathim, sepse asnjëri prej nesh s’do të shpëtojë nga duart e Absalomit!» (2 Sam. 15:14) Ndërsa shërbëtorët po largoheshin, Davidi e kuptoi se duhej të linte në qytet dikë, që ta informonte për planet e Absalomit. Prandaj ktheu në Jerusalem Sadokun dhe priftërinj të tjerë, që të shërbenin si informatorë. (Lexo 2 Samuelit 15:27-29.) Ata priftërinj duhej të tregoheshin të matur. Ajo që u kërkoi Davidi ishte me rrezik, e madje mund ta paguanin me kokë. Absalomi ishte njeri egoist, hakmarrës dhe i pabesë. Imagjino ç’do t’i bënte Sadokut e priftërinjve të tjerë sikur të merrte vesh se ishin aty si zbulues, që të informonin e të mbronin Davidin!

Mbreti David flet me Sadokun, ndërkohë që shërbëtorët e Davidit largohen nga Jerusalemi.

Davidi e dërgoi Sadokun me një mision të rrezikshëm (Shih paragrafin 9)


10. Si e mbrojtën Davidin Sadoku dhe burrat që ishin me të?

10 Davidi bëri një plan dhe u kërkoi ndihmë për ta realizuar Sadokut dhe Hushait, një miku tjetër besnik. (2 Sam. 15:32-37) Hushai duhej të fitonte besimin e Absalomit dhe të propozonte një strategji ushtarake që do t’i jepte kohë Davidit të përgatitej për ndonjë sulm. Pasi e bëri këtë, Hushai i tregoi Sadokut dhe Abiatarit si kishte vajtur puna. (2 Sam. 17:8-16) E ata dy burra u siguruan që Davidi të informohej për planet e Absalomit. (2 Sam. 17:17) Falë ndihmës së Jehovait, Sadoku dhe priftërinjtë e tjerë luajtën një rol jetësor për të mbrojtur Davidin.—2 Sam. 17:21, 22.

11. Si mund ta imitojmë guximin e Sadokut kur ndihmojmë vëllezërit?

11 Si mund ta imitosh guximin e Sadokut nëse lind nevoja të ndihmojmë vëllezërit në kohë të rrezikshme? (1) Ndiq drejtimin. Në situata të tilla është e rëndësishme të ruajmë unitetin. Bashkëpuno me drejtimin që jep zyra e degës. (Hebr. 13:17) Pleqtë duhet të shqyrtojnë rregullisht masat lokale në lidhje me përgatitjen për katastrofat dhe udhëzimet e organizatës se si të veprohet kur pritet një katastrofë. (1 Kor. 14:33, 40) (2) Tregohu i guximshëm, por edhe i matur. (Prov. 22:3) Mendo para se të veprosh dhe mos rreziko pa qenë nevoja. (3) Mbështetu te Jehovai. Mos harro se Jehovai merakoset thellë edhe për mirëqenien tënde, edhe për atë të vëllezërve. Ai mund të të ndihmojë t’u bëhesh krah bashkëbesimtarëve, e njëkohësisht të kujdesesh për sigurinë tënde.

12-13. Çfarë mëson nga shembulli i Viktorit dhe Vitalit? (Shihni edhe figurën.)

12 Të shohim shembullin e Viktorit dhe Vitalit, dy vëllezër që u çuan ushqime dhe ujë bashkëbesimtarëve në Ukrainë. Viktori tregon: «Shkonim gjithandej për të kërkuar ushqime. Shpesh përreth nesh kishte të shtëna. Një vëlla dhuroi ushqime nga depoja e tij, e falë kësaj shumë lajmëtarë patën gjërat e nevojshme për njëfarë kohe. Ndërsa po ngarkonim kamionin, nja 20 metra më tutje ra një bombë, por shyqyr nuk shpërtheu. Gjatë gjithë ditës iu përgjërova Jehovait të më jepte guxim, që të vazhdoja t’i ndihmoja lajmëtarët.»

13 Vitali thotë: «Na duhej shumë guxim. Udhëtimi i parë që bëra zgjati 12 orë. Gjatë gjithë rrugës nuk i ndala lutjet.» Vitali ishte i guximshëm, por edhe i matur. Ai shton: «I kërkoja pareshtur Jehovait të më jepte mençuri dhe modesti. Futesha vetëm në rrugë të aprovuara nga autoritetet. Gjithashtu m’u forcua besimi ndërsa shihja me sytë e mi si punonin sup më sup vëllezërit e motrat. Ata pastronin rrugën nga rrënojat e mbeturinat, mblidhnin ndihma humanitare dhe i ngarkonin në kamion, si edhe na siguronin neve ushqim e një vend për të pushuar gjatë udhëtimit.»

Dy vëllezër kalojnë me furgon përmes një zone lufte. Pas tyre ka rrënoja, tym dhe zjarr.

Në kohë të rrezikshme, tregohu i guximshëm por edhe i matur ndërsa ndihmon vëllezërit (Shih paragrafët 12-13)


QËNDROJI BESNIK JEHOVAIT

14. Si mund të ndihemi nëse një njeriu ynë i dashur i kthen shpinën Jehovait?

14 Një nga sprovat më shkurajuese në jetë është kur një pjesëtar i familjes a një mik braktis Jehovain. (Psal. 78:40; Prov. 24:10) Sa më e ngushtë të jetë lidhja me atë person, aq më e rëndë mund të jetë sprova. Nëse ke një plagë të tillë në zemër, mund të marrësh forcë nga besnikëria e Sadokut.

15. Pse i duhej guxim Sadokut që t’i qëndronte besnik Jehovait? (1 Mbret. 1:5-8)

15 Sadoku i qëndroi besnik Jehovait edhe kur shoku i tij i ngushtë, Abiatari, zgjodhi rrugën e jobesnikërisë. Kjo ndodhi në fund të mbretërimit të Davidit. Ndërsa Davidi dergjej në shtratin e vdekjes, i biri, Adonijahu, u përpoq të uzurponte fronin që Jehovai ia kishte premtuar Solomonit. (1 Kron. 22:9, 10) Abiatari zgjodhi të merrte anën e Adonijahut. (Lexo 1 Mbretërve 1:5-8.) Kështu Abiatari po tradhtonte jo vetëm Davidin, por edhe Jehovain. E merr dot me mend sa i trishtuar dhe i zhgënjyer duhet të jetë ndier Sadoku? Për më se katër dekada, ai dhe Abiatari kishin shërbyer krah për krah si priftërinj. (2 Sam. 8:17) Ishin kujdesur së bashku për «Arkën e Perëndisë së vërtetë». (2 Sam. 15:29) Që të dy kishin përkrahur mbretërimin e Davidit. Kishin bërë edhe sa e sa gjëra të tjera së bashku në shërbim të Jehovait.—2 Sam. 19:11-14.

16. Çfarë mund ta ketë ndihmuar Sadokun të qëndronte besnik?

16 Edhe pse Abiatari u tregua i pabesë, Sadoku i qëndroi besnik Jehovait. Davidi nuk dyshoi kurrë për besnikërinë e Sadokut. Kur doli në shesh komploti i Adonijahut, Davidi ia besoi Sadokut, Natanit dhe Benajahut detyrën që të mirosnin si mbret Solomonin. (1 Mbret. 1:32-34) Shembulli i besnikëve që kishte pranë, si Natani dhe përkrahës të tjerë të mbretit David, duhet t’i ketë dhënë forcë e zemër Sadokut. (1 Mbret. 1:38, 39) Kur u bë mbret, Solomoni ‘caktoi priftin Sadok në vend të Abiatarit’ si kryeprift.—1 Mbret. 2:35.

17. Si mund ta imitosh Sadokun nëse një njeri i afërt për ty nuk i qëndron besnik Jehovait?

17 Si mund ta imitosh Sadokun? Nëse një njeri i afërt për ty zgjedh të largohet nga Jehovai, trego qartë se zgjedhja jote është t’i qëndrosh besnik Jehovait. (Jos. 24:15) Jehovai do të të japë forcën dhe kurajën që të nevojitet. Mbështetu tek ai me anë të lutjeve dhe duke mbajtur lidhje të forta me motrat e vëllezërit besnikë. Besnikëria jote është shumë e çmuar për Jehovain, dhe ai do të të shpërblejë për të.—2 Sam. 22:26.

18. Çfarë mëson nga Marko dhe Sidse?

18 Të mendojmë për shembullin e një çifti, Marko dhe Sidse. Dy vajzat e tyre të rritura e lanë të vërtetën. Marko thotë: «Që nga dita kur lindin fëmijët, ndien një dashuri të papërshkrueshme për ta. Je gati të sakrifikosh çdo gjë për t’i mbrojtur. Ja pse të copëtohet zemra kur largohen nga Jehovai.» Ai vazhdon: «Gjithsesi Jehovai na ka qëndruar pranë. Ai është siguruar që kur jam unë i dobët, të jetë e fortë gruaja ime dhe kur është ajo e dobët, të jem i fortë unë.» Sidse shton: «Nuk do t’ia kishim dalë dot nëse Jehovai s’do të na kishte dhënë forcën që na nevojitej. Unë luftoja me ndjenjat e fajit, ndaj ia zbraza zemrën Jehovait për këtë. Pas pak kohe erdhi të më takonte një motër që kisha vite pa e parë. Ajo më vuri duart në supe, më pa drejt e në sy dhe më tha: ‘Mos harro Sidse, nuk është faji yt!’ Falë ndihmës së Jehovait, kam arritur të ruaj gëzimin ndërsa i shërbej.»

19. Çfarë je i vendosur të bësh?

19 Jehovai do që të gjithë adhuruesit e tij të jenë të guximshëm si Sadoku. (2 Tim. 1:7) Ama nuk do që të mbështetemi te forcat tona. Dëshiron të mbështetemi tek ai. Prandaj, kur ndodhesh në ndonjë situatë ku të duhet guxim, rend te Jehovai. Mund të jesh i sigurt se ai do të të bëjë po aq të guximshëm sa Sadoku!—1 Pjet. 5:10.

SI MUND TA IMITOSH GUXIMIN E SADOKUT . . .

  • ndërsa përkrah Mbretërinë e Perëndisë?

  • ndërsa ndihmon vëllezërit e tu?

  • ndërsa i qëndron besnik Jehovait?

KËNGA 126 Rri syçelë, i fuqishëm, i patundur

a Shih në jw.org videon Pse të krishterëve të vërtetë u duhet guxim—Për të qëndruar asnjanës.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo