SADOKU
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «të jesh i drejtë»].
1. Prift i lidhur ngushtë me mbretin David. Sadoku ishte pasardhës i Aaronit nëpërmjet linjës së kryepriftit Eleazar. (1Kr 6:3-8, 50-53) Ai është quajtur edhe parashikues. (2Sa 15:27) Sadoku, një i ri i fuqishëm e sypatrembur, ishte një nga krerët e fiseve që përkrahën kurorëzimin e Davidit si mbret. (1Kr 12:27, 28) Që nga ajo kohë ai i qëndroi besnik Davidit.—2Sa 8:15, 17; 20:25; 1Kr 18:16.
Sadoku dhe Abiatari (kur përmenden të dy, Sadoku renditet i pari, ndoshta sepse ishte edhe profet) shoqëruan arkën e besëlidhjes kur Davidi e çoi në Jerusalem. Pas kësaj, Sadoku shërbeu për njëfarë kohe në Gibeon ku ishte tabernakulli. (1Kr 15:11, 14; 16:39) Në kohën e rebelimit të Absalomit, Sadoku dhe levitët fillimisht e morën Arkën me vete kur po shoqëronin Davidin që po ia mbathte nga Jerusalemi, por Davidi i ktheu prapë në qytet dhe i kërkoi Sadokut e të tjerëve të ishin informatorët e tij. (2Sa 15:23-29, 35, 36; 17:15, 16; 18:19-27) Pas shtypjes së rebelimit, Sadoku dhe Abiatari ndihmuan që Davidit t’i sigurohej një pritje e ngrohtë në Jerusalem. (2Sa 19:11-14) Nga fundi i mbretërimit të tij, Davidi organizoi shërbimin e levitëve në tempull dhe Sadoku me Ahimelekun, birin e Abiatarit, e ndihmuan.—1Kr 24:3, 6, 30, 31.
Ndryshe nga Abiatari, Sadoku nuk e mbështeti Adonijahun në orvatjen e tij për të uzurpuar fronin, prandaj Davidi e ngarkoi të miroste si mbret Solomonin. (1Mb 1:7, 8, 26, 32-46) Gjatë mbretërimit të Saulit dhe të Davidit, Sadoku shërbeu thjesht si prift, por për besnikërinë e tij, që ndryshonte shumë nga pavendosmëria e kryepriftit Abiatar, Solomoni e dëboi Abiatarin nga Jerusalemi dhe bëri kryeprift Sadokun. Kështu u përmbush profecia e Jehovait kundër shtëpisë së Eliut. (1Mb 2:26, 27, 35) «Sadoku dhe Abiatari» përmenden për herë të fundit te 1 Mbretërve 4:4 ndoshta vetëm si figura historike. Jozef Flavi thotë se Sadoku ishte kryeprifti i parë në tempullin e Solomonit. (Antikitete judaike, X, 152 [viii, 6]) Te 1 Kronikave 27:16, 17, Sadoku paraqitet si prijës i shtëpisë së Aaronit. Bibla tregon se pasardhësit e Sadokut kryen detyrën e kryepriftit deri në kohën e Darit, mbretit pers, (që ka të ngjarë të ketë qenë Dari II). (1Mb 4:2; 1Kr 6:8-15; 2Kr 31:10; Ne 12:22) Priftërinjtë që pa Ezekieli në vegimin e tij për tempullin ishin ‘bij të Sadokut’.—Ezk 40:46; 43:19; 44:15; 48:11.
2. Gjyshi nga nëna i mbretit Jotam të Judës.—2Mb 15:32, 33; 2Kr 27:1.
3. Kryeprift, pasardhës i Aaronit nëpërmjet Sadokut nr. 1 dhe paraardhës i Ezdrës, ‘kopistit të zotë’.—1Kr 6:3, 8, 12, 13; 9:11; Ezd 7:1-6; Ne 11:11.
4. Një nga rindërtuesit e murit të Jerusalemit pas kthimit nga mërgimi; bir i Baanait. (Ne 3:4) Ai ose një përfaqësues i një familjeje me të njëjtin emër nënshkruan besëlidhjen që bënë izraelitët si komb pak kohë më pas.—Ne 9:38; 10:1, 14, 21.
5. Një tjetër që ndihmoi për rindërtimin e murit të Jerusalemit; bir ose pasardhës i Imerit që ndoshta i përkiste familjes priftërore.—Ne 3:29.
6. Kopist i cili, bashkë me Shelemiahun dhe Pedajahun, u caktua nga Nehemia të mbikëqyrte rezervat e levitëve. (Ne 13:13) Mbase Sadoku nr. 5.
7. Paraardhës i Jozefit, babait birësues të Jezuit; jetoi në periudhën pas mërgimit.—Mt 1:14.