BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 mars f. 26-31
  • Dora e Jehovait nuk është asnjëherë tepër e shkurtër

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Dora e Jehovait nuk është asnjëherë tepër e shkurtër
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • MËSO NGA MOISIU DHE IZRAELITËT
  • KUR KE PROBLEME EKONOMIKE
  • KUR PLANIFIKON PËR MOSHËN E THYER
  • Mësime nga fjalët e fundit të burrave besnikë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Trego modesti kur nuk e di diçka
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Mos harro se Jehovai është «Perëndia i gjallë»!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 mars f. 26-31

ARTIKULLI I STUDIMIT 13

KËNGA 4 «Jehovai është Bariu im»

Dora e Jehovait nuk është asnjëherë tepër e shkurtër

«Mos është gjë dora e Jehovait tepër e shkurtër?»—NUM. 11:23.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Ta forcojmë edhe më shumë besimin se Jehovai do të na i plotësojë nevojat materiale.

1. Si tregoi Moisiu besim të patundur te Jehovai kur nxori izraelitët nga Egjipti?

MES njerëzve të përmendur si shembuj besimi te letra e hebrenjve, Moisiu është nga më të spikaturit. (Hebr. 3:2-5; 11:23-25) Ai shfaqi besim kur u priu izraelitëve gjatë eksodit nga Egjipti. Nuk lejoi t’i futnin frikën as faraoni, as ushtria e tij. Me besim të plotë te Jehovai, e udhëhoqi popullin përmes Detit të Kuq e më pas nëpër shkretëtirë. (Hebr. 11:27-29) Shumica e izraelitëve e humbën besimin tek aftësia e Jehovait që të kujdesej për ta, por Moisiu vazhdoi të tregonte besim të patundur te Perëndia i tij. E besimi iu shpërblye! Me anë të mrekullive, Perëndia i siguroi popullit ushqim dhe ujë që t’i mbijetonin udhëtimit përmes asaj shkretëtire shterpë.a—Eks. 15:22-25; Psal. 78:23-25.

2. Pse e pyeti Perëndia Moisiun: «Mos është gjë dora e Jehovait tepër e shkurtër?» (Numrat 11:21-23)

2 Edhe pse kishte besim të fortë, rreth një vit pas çlirimit të mrekullueshëm të Izraelit, Moisiu filloi të dyshonte tek aftësia e Jehovait për t’u dhënë mish. Moisiu s’arrinte ta imagjinonte si mund të siguronte Jehovai aq mish sa të ngopte miliona njerëz që kishin fushuar në shkretëtirë. Prandaj Jehovai e pyeti: «Mos është gjë dora e Jehovait tepër e shkurtër?» (Lexo Numrat 11:21-23.) Këtu shprehja «dora e Jehovait» përdoret për frymën e shenjtë të Perëndisë, për fuqinë e tij në veprim. Me fjalë të tjera, Jehovai e pyeti Moisiun: «Vërtet mendon se nuk e bëj dot atë që them?!»

3. Pse është e rëndësishme të mendojmë për atë që ndodhi me Moisiun dhe izraelitët?

3 A ke dyshuar ndonjëherë nëse Jehovai do të t’i plotësonte nevojat materiale ty ose familjes sate? Pavarësisht nëse ke pasur dyshime të tilla, le të shohim pse Moisiu dhe izraelitët nuk patën besim tek aftësia e Jehovait për t’u siguruar gjërat e nevojshme. Ndërkohë do të shqyrtojmë edhe parime nga Shkrimet që na ndihmojnë të forcojmë besimin se dora e Jehovait nuk është kurrë e shkurtër—ai do të na vijë në ndihmë gjithnjë.

MËSO NGA MOISIU DHE IZRAELITËT

4. Pse shumë izraelitë filluan të dyshonin tek aftësia e Jehovait për t’u siguruar ushqim?

4 Të mendojmë pak për kontekstin e ngjarjes. Gjatë udhëtimit nga Egjipti për në Tokën e Premtuar, kombi i Izraelit dhe «një numër i madh joizraelitësh» kishin ca kohë që ecnin nëpër shkretëtirën e madhe. (Eks. 12:38; Ligj. 8:15) Joizraelitëve u erdhi në majë të hundës mana, e po ashtu edhe shumë izraelitëve, që filluan të ankoheshin bashkë me ta. (Num. 11:4-6) Njerëzve u kishte vajtur mendja keq për ushqimet e Egjiptit. I gjendur nën presion, Moisiu me sa duket mendoi se mishin duhej t’ua gjente ai.—Num. 11:13, 14.

5-6. Çfarë mësimi nxjerrim nga ndikimi që patën joizraelitët tek izraelitët?

5 Izraelitët siç duket u infektuan nga mosmirënjohja e joizraelitëve. Edhe ne mund të influencohemi nga fryma mosmirënjohëse e të tjerëve dhe të ndihemi të pakënaqur me gjërat që na siguron Jehovai. Kjo mund të ndodhë nëse nisim të kujtojmë me nostalgji gjërat që kishim dikur ose nëse bëhemi xhelozë për gjërat që kanë të tjerët. Por do të jemi më të lumtur nëse mësojmë të kënaqemi me atë që kemi, cilatdo qofshin rrethanat ku ndodhemi.

6 Izraelitët duhej ta mbanin të gjallë në mendje premtimin e Perëndisë se do të shijonin një bollëk gjërash materiale kur të mbërrinin në shtëpinë e tyre të re. Ai premtim do të plotësohej në Tokën e Premtuar, jo ndërsa ishin në shkretëtirë. Në mënyrë të ngjashme, në vend që të përqendrohemi te gjërat që mund të mos kemi në këtë sistem, bëjmë mirë të reflektojmë për gjërat e mira që Jehovai ka premtuar se do të na i japë në botën re. Mund të bluajmë në mendje edhe vargje nga Bibla që na ndihmojnë të forcojmë besimin te Jehovai.

7. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai është në gjendje të na ndihmojë gjithmonë?

7 Sidoqoftë, mbase vret mendjen pse e pyeti Perëndia Moisiun: «Mos është gjë dora e Jehovait tepër e shkurtër?» Jehovai mund të ketë pasur si synim ta ndihmonte Moisiun të mendonte për dy gjëra: se dora e tij është tejet e fuqishme dhe se ajo mund të arrijë kudo. Perëndia mund t’u siguronte mish me bollëk izraelitëve edhe pse ndodheshin në një shkretëtirë të humbur. Ai e tregoi fuqinë e tij me «dorë të fortë dhe me krah të shtrirë». (Psal. 136:11, 12, shën.) Prandaj, kur kalojmë ndonjë sprovë, duhet të kemi sigurinë e plotë se dora e Jehovait do të arrijë te ne, kudo që të ndodhemi.—Psal. 138:6, 7.

8. Si mund të shmangim gabimin që bënë shumë izraelitë në shkretëtirë? (Shih edhe figurën.)

8 S’kaloi shumë dhe Jehovai u siguroi mish izraelitëve, një sasi të paparë shkurtash. Por ata as që e falënderuan Perëndinë për atë mrekulli. Shumë prej tyre i pushtoi grykësia. Kështu, për një ditë e gjysmë mblodhën shkurta si të babëzitur, pa pushuar fare. Jehovait iu ndez zemërimi me «ata që u treguan grykës të mëdhenj» dhe i ndëshkoi. (Num. 11:31-34) Mund të nxjerrim mësime nga kjo ngjarje. Duhet të bëjmë kujdes të mos biem pre e lakmisë. Qofshim të pasur a të varfër, pikësëpari duhet të mbledhim «thesare në qiell», pra të ushqejmë pareshtur miqësinë e ngushtë me Jehovain dhe Jezuin. (Mat. 6:19, 20; Luka 16:9) Kur ky është shqetësimi ynë kryesor, mund të jemi të bindur se Jehovai do të na sigurojë gjërat e nevojshme.

Izraelitë që gjatë natës mbledhin një sasi tejet të madhe shkurtash në shkretëtirë.

Çfarë qëndrimi shfaqën shumë izraelitë në shkretëtirë, dhe çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga ajo ngjarje? (Shih paragrafin 8)


9. Për çfarë mund të jemi të sigurt në çfarëdo sprove?

9 Edhe sot Jehovai zgjat dorën për të ndihmuar adhuruesit e vet. Sidoqoftë, kjo s’do të thotë se nuk do të na mungojnë asnjëherë paratë ose ushqimi.b Ama Jehovai nuk ka për të na braktisur kurrë! Ai do të na mbështetë në çfarëdo sprove. Si mund të tregojmë se kemi besim të patundur që Jehovai do të na i plotësojë nevojat? Të ndalemi te dy situata: (1) kur kemi probleme ekonomike dhe (2) kur kemi merak si do t’ia dalim financiarisht në moshë të thyer.

KUR KE PROBLEME EKONOMIKE

10. Me cilat vështirësi ekonomike mund të përballemi?

10 Teksa këtij sistemi i vjen fundi, mund të presim që kushtet ekonomike të përkeqësohen. Trazirat politike, konfliktet e armatosura, katastrofat natyrore ose ndonjë pandemi tjetër mund të sjellin shpenzime të paparashikuara ose humbjen e punës, të pasurisë a të shtëpisë. Si pasojë, mund të na duhet të gjejmë një punë tjetër në zonën ku banojmë ose të mendojmë nëse duhet të transferohemi me familjen që të sigurojmë jetesën. Ç’mund të na ndihmojë të marrim vendime që tregojnë se kemi besim të plotë te Jehovai?

11. Ç’mund të të ndihmojë të përballosh problemet ekonomike? (Luka 12:29-31)

11 Një hap i rëndësishëm që do të të ndihmojë shumë është t’ia shprehësh Jehovait çdo merak. (Prov. 16:3) Lutju të të japë mençuri që të marrësh vendime të mira, si edhe një zemër të qetë që të mos jesh në ankth për situatën tënde. (Lexo Lukën 12:29-31.) Lutju pareshtur të të ndihmojë të jesh i kënaqur me gjërat e domosdoshme të jetës. (1 Tim. 6:7, 8) Bëj kërkime në botimet tona për sugjerime se si të përballosh me sukses problemet ekonomike. Shumë veta kanë nxjerrë dobi edhe nga artikujt dhe videot e botuara në jw.org që flasin për vështirësitë ekonomike.

12. Cilat pyetje mund të të ndihmojnë të marrësh vendimin e duhur për familjen?

12 Disa janë transferuar larg familjes për të punuar, mirëpo më vonë shumë prej tyre kanë kuptuar se ky nuk ishte vendim i mençur. Para se të pranosh një punë të re, mendo jo vetëm për përfitimet ekonomike, por mbi të gjitha për çmimin që mund të paguash kur vjen fjala te miqësia me Jehovain. (Luka 14:28) Pyet veten: «Ç’mund të ndodhë me martesën time nëse jetoj larg bashkëshortes ose bashkëshortit? Si mund të ndikojë transferimi te pjesëmarrja në mbledhje, te shërbimi dhe te shoqërimi me vëllezërit e motrat?» Nëse ke fëmijë, duhet t’i bësh vetes edhe këtë pyetje të rëndësishme: «Si mund t’i rris fëmijët ‘me disiplinën dhe me këshillat e Jehovait’ nëse nuk jam pranë tyre?» (Efes. 6:4) Kur merr vendimin, drejtohu nga mendimet e Jehovait, jo nga mendimet e të afërmve a të miqve që s’duan t’ia dinë për parimet e Biblës.c Toni, që jeton në Azinë Perëndimore, mori disa oferta tunduese për të punuar jashtë shtetit. Megjithatë, pasi u lut për këtë çështje dhe diskutoi me gruan, vendosi të mos i pranonte ofertat dhe të mendonin si t’i ulnin shpenzimet si familje. Kur kthen kokën pas, Toni thotë: «Kam pasur privilegjin të ndihmoj disa persona të njohin Jehovain, dhe fëmijët tanë e duan shumë Jehovain dhe shërbimin. Si familje kemi mësuar se për sa kohë të jetojmë sipas fjalëve të Mateut 6:33, Jehovai do të kujdeset për ne.»

KUR PLANIFIKON PËR MOSHËN E THYER

13. Çfarë mund të bëjmë tani që të kemi ç’na nevojitet kur të jemi të moshuar?

13 Besimi ynë te Jehovai mund të vihet në provë edhe kur mendojmë si mund të venë gjërat kur të jemi të moshuar. Bibla na inkurajon të punojmë pa u lodhur duke mbajtur parasysh nevojat e së nesërmes. (Prov. 6:6-11) Është e arsyeshme të lëmë diçka mënjanë për të ardhmen nëse i kemi mundësitë. Paraja është njëfarë mbrojtjeje. (Ekl. 7:12) Megjithatë nuk duam ta bëjmë kurrë paranë gjënë më të rëndësishme të jetës.

14. Si mund të na ndihmojë Hebrenjve 13:5 të jemi të ekuilibruar kur planifikojmë për të ardhmen?

14 Jezui e shpjegoi me një ilustrim sa gjë e marrë është të vësh mënjanë pará ndërkohë që nuk je «i pasur në sytë e Perëndisë». (Luka 12:16-21) Askush nuk e di ç’do të sjellë e nesërmja. (Prov. 23:4, 5; Jak. 4:13-15) Si dishepuj të Krishtit, kemi edhe një sfidë të veçantë. Jezui tha se duhet të jemi të gatshëm ‘të heqim dorë’ nga gjithë zotërimet tona që të jemi dishepujt e tij. (Luka 14:33, shën.) Të krishterët e shekullit të parë në Jude pranuan me gëzim të pësonin një humbje të tillë. (Hebr. 10:34) Në ditët tona, shumë vëllezërve u është dashur të sakrifikojnë gjërat e tyre materiale ngaqë nuk kanë përkrahur asnjë parti politike. (Zbul. 13:16, 17) Çfarë i ka ndihmuar? Besimi absolut te premtimi i Jehovait: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.» (Lexo Hebrenjve 13:5.) Ne bëjmë sa mundemi që të planifikojmë për të ardhmen dhe, nëse na ndodh ndonjë e papritur, kemi besim të plotë se Jehovai do të na ndihmojë.

15. Cilën pikëpamje të ekuilibruar duhet të kenë prindërit Dëshmitarë për fëmijët e tyre? (Shih edhe figurën.)

15 Në disa kultura çiftet krijojnë familje kryesisht që fëmijët t’i mbështetin financiarisht kur të moshohen. Në njëfarë kuptimi, ata i shohin fëmijët si një «plan pensioni». Mirëpo Bibla thotë se janë prindërit ata që duhet t’u sigurojnë gjërat e nevojshme fëmijëve. (2 Kor. 12:14) Sigurisht, prindërit mund të kenë nevojë për ca ndihmë praktike teksa moshohen, dhe shumë fëmijë i ndihmojnë me kënaqësi. (1 Tim. 5:4) Por prindërit që kanë besim te Jehovai e kuptojnë se gëzimi më i madh është t’i ndihmosh fëmijët të bëhen shërbëtorë të Jehovait, jo të kesh mbështetje financiare prej tyre në moshë të thyer.—3 Gjon. 4.

Një çift bisedon plot gëzim me vajzën dhe dhëndrin me anë të videokonferencës. Vajza dhe i shoqi kanë veshur jelekë fosforeshentë për punën në ndërtim.

Çiftet e martuara që kanë besim te Jehovai, mbajnë parasysh parimet e Biblës kur marrin vendime për të ardhmen (Shih paragrafin 15)d


16. Si mund t’i përgatitin prindërit fëmijët që të jenë në gjendje të mbajnë veten financiarisht? (Efesianëve 4:28)

16 Tregoni se keni besim të plotë te Jehovai ndërsa i mësoni fëmijët si të mbajnë veten në të ardhmen. Që kur janë të vegjël, mësojuni vlerën e punës së palodhur. (Prov. 29:21; lexo Efesianëve 4:28.) Teksa rriten, ndihmojini të jenë nxënës të mirë në shkollë. Prindërit mund të kërkojnë parime nga Bibla për t’i stërvitur fëmijët të marrin vendime të mençura për arsimimin. Kjo do t’i ndihmojë fëmijët të mbajnë veten dhe të përfshihen sa më shumë në shërbim.

17. Për çfarë mund të jemi të sigurt?

17 Shërbëtorët besnikë të Jehovait mund të kenë besim të patundur se ai ka aftësinë dhe dëshirën t’ua plotësojë nevojat materiale. Ndërsa i afrohemi fundit të këtij sistemi, ky besim do të vihet në provë. Por çfarëdo që të ndodhë, mos e humbshim kurrë besimin se Jehovai do ta përdorë fuqinë e tij për të na siguruar ç’na nevojitet! Mund të jemi të sigurt se dora e fuqishme e Jehovait është në gjendje të na ndihmojë kurdo dhe kudo që të jemi.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga ajo që ndodhi me Moisiun dhe izraelitët?

  • Si mund të tregojmë besim të plotë te Jehovai kur kemi probleme ekonomike?

  • Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur planifikojmë për moshën e thyer?

KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim

a Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të tetorit 2023.

b Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 2014.

c Shih artikullin «Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve» në Kullën e Rojës të 15 prillit 2014.

d PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një çift Dëshmitarësh që kanë besim te Jehovai, mbajnë lidhje me vajzën, e cila ndihmon me të shoqin në ndërtimin e një Salle Mbretërie.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo