ARTIKULLI I STUDIMIT 26
KËNGA 123 Besnikë ndaj Jehovait dhe teokracisë
Trego modesti kur nuk e di diçka
«Ne nuk arrijmë ta kuptojmë të Plotfuqishmin.»—JOBI 37:23.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do t’i përballojmë më kollaj pasiguritë e jetës nëse tregojmë modesti kur nuk e dimë diçka, përqendrohemi te gjërat që dimë dhe i besojmë pa rezerva Jehovait.
1. Me çfarë aftësish na ka krijuar Jehovai, dhe pse?
JEHOVAI na ka krijuar me aftësinë për të menduar, për të mësuar gjëra të reja dhe për të kuptuar si ta zbatojmë atë që mësojmë. Pse na krijoi në këtë mënyrë? Sepse ka dëshirë ‘të fitojmë njohuri për Perëndinë’ dhe t’i shërbejmë duke vënë në punë arsyen.—Prov. 2:1-5; Rom. 12:1.
2. (a) Çfarë kufizimi kemi? (Jobi 37:23, 24) (Shih edhe figurën.) (b) Si nxjerrim dobi kur e pranojmë me modesti se nuk dimë gjithçka?
2 Megjithëse kemi kapacitetin të mësojmë shumë gjëra, jemi të kufizuar në atë që dimë. (Lexo Jobin 37:23, 24.) Të mendojmë për shembullin e Jobit. Jehovai i bëri një sërë pyetjesh që e bënë të vetëdijshëm se kishte plot gjëra që nuk i dinte. Ajo bisedë e ndihmoi Jobin të ishte më i përulur dhe të ndreqte mënyrën si mendonte. (Jobi 42:3-6) Edhe ne nxjerrim dobi kur pranojmë me modesti se nuk dimë gjithçka. Modestia na nxit të jemi të përulur dhe të besojmë se Jehovai do të na zbulojë gjithçka që kemi vërtet nevojë të dimë për të marrë vendime të mençura.—Prov. 2:6.
Ashtu si Jobi, edhe ne nxjerrim dobi kur pranojmë me modesti se nuk dimë gjithçka (Shih paragrafin 2)
3. Për çfarë do të flasim në këtë artikull?
3 Në këtë artikull do të flasim për disa gjëra që nuk i dimë dhe sfidat që mund të vijnë si pasojë. Gjithashtu do të shohim pse është mirë që nuk i dimë disa gjëra. Ajo që do të mësojmë, do të na forcojë sigurinë se Jehovai, ‘Ai që ka njohuri të përsosur’, na tregon çfarë kemi nevojë të dimë vërtet.—Jobi 37:16.
NUK E DIMË SE KUR DO TË VIJË FUNDI
4. Sipas Mateut 24:36, çfarë nuk dimë?
4 Lexo Mateun 24:36. Ne nuk e dimë se kur do të vijë fundi i këtij sistemi. Madje as Jezui nuk e dinte «ditën ose orën» kur ishte në tokë.a Më vonë ai u tha apostujve se Jehovai, i cili përcakton dhe respekton afatet kohore, ka vendosur «me autoritetin e vet» kohën kur do të ndodhin disa ngjarje. (Vep. 1:6, 7) Jehovai e ka caktuar se kur do të marrë fund ky sistem, ama ne s’mund ta dimë me saktësi.
5. Si mund të ndihemi ngaqë nuk e dimë kur do të vijë fundi?
5 Në përputhje me fjalët e Jezuit, ne nuk e dimë edhe sa kohë duhet të presim që të vijë fundi. Si pasojë, mund të humbasim durimin ose të na lëshojë zemra, sidomos nëse kemi goxha kohë që e presim ditën e Jehovait. Mbase mund të shkurajohemi ngaqë pjesëtarë të familjes ose të tjerë na vënë në lojë për këtë. (2 Pjet. 3:3, 4) Ndoshta mendojmë se po ta dinim ditën kur do të vijë fundi, do të ishim më të duruar dhe do t’i përballonim më kollaj talljet.
6. Pse është gjë e mirë që nuk e dimë se kur do të vijë fundi?
6 Duke mos na e zbuluar saktësisht se kur do të vijë fundi, Jehovai na jep mundësinë të tregojmë se i shërbejmë të motivuar nga dashuria dhe besimi. Ne nuk i shërbejmë Jehovait me një afat në mendje, sikur besimi ynë të kishte datë skadence. Ndaj, në vend që të vrasim mendjen se kur do të vijë ‘dita e Jehovait’, më mirë të përqendrohemi te bekimet që do të sjellë ajo. Kështu do ta adhurojmë më me përkushtim Jehovain dhe do të bëjmë çmos t’ia kënaqim zemrën.—2 Pjet. 3:11, 12.
7. Çfarë dimë tashmë?
7 Është e rëndësishme të përqendrohemi tek ajo që dimë. Ne dimë se ditët e fundit filluan në vitin 1914. Në Bibël Jehovai na ka dhënë profeci që jo vetëm na çojnë te viti 1914, por edhe tregojnë në detaj si do të ishte bota pas atij viti. Përmbushja e këtyre profecive s’na lë fije dyshimi se «dita e madhe e Jehovait është afër». (Sof. 1:14) Dimë edhe se çfarë vepre dëshiron Jehovai që të kryejmë—t’u tregojmë sa më shumë njerëzve ‘lajmin e mirë për Mbretërinë’. (Mat. 24:14) Ky mesazh po predikohet në rreth 240 vende dhe në mbi 1.000 gjuhë. Nuk kemi nevojë të dimë «ditën ose orën» që të marrim pjesë me zell në këtë vepër jetëshpëtuese.
NUK E DIMË SI MUND TË VEPROJË JEHOVAI
8. Me çfarë lidhet shprehja «vepra e Perëndisë së vërtetë»? (Eklisiastiu 11:5)
8 Jo gjithmonë e kuptojmë ‘veprën e Perëndisë së vërtetë’. (Lexo Eklisiastiun 11:5.) Kjo shprehje lidhet me atë çka Jehovai shkakton ose lejon të ndodhë që të bëhet vullneti i tij. Pra, nuk mund ta dimë me siguri pse mund ta lejojë Jehovai diçka ose si do të veprojë konkretisht për të mirën tonë. (Psal. 37:5) Një informacion i tillë është po aq i padeshifrueshëm për trurin tonë, sa ç’është edhe zhvillimi i një foshnje në barkun e nënës, diçka që shkencëtarët ende nuk e kuptojnë plotësisht.
9. Si mund të ndihemi ngaqë nuk e dimë si do të veprojë Jehovai?
9 Ngaqë nuk e dimë si do të veprojë Jehovai për të mirën tonë, mund të bëhemi të pavendosur. Mbase hezitojmë të bëjmë sakrifica për t’i dhënë më shumë Jehovait, si për shembull të thjeshtojmë jetën ose të transferohemi ku ka më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ose ndoshta dyshojmë nëse kemi miratimin e Perëndisë në qoftë se nuk po arrijmë synime teokratike, nuk po shohim ndonjë rezultat kushedi në shërbim, megjithëse jemi përpjekur fort, ose po ndeshim pengesa në një projekt teokratik.
10. Çfarë cilësish të domosdoshme arrijmë të zhvillojmë ngaqë nuk e dimë si do të veprojë Jehovai?
10 Meqë nuk e dimë si do të veprojë Jehovai, kjo mund të na ndihmojë të zhvillojmë cilësi të domosdoshme, si përulësia dhe modestia. E kuptojmë se mendimet dhe udhët e Jehovait janë më lart se tonat. (Isa. 55:8, 9) Gjithashtu mësojmë t’i besojmë plotësisht Jehovait, të sigurt se do të kujdeset për gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Kur kemi sukses në veprën e predikimit ose në një projekt teokratik, me të drejtë ia japim lavdinë Jehovait. (Psal. 127:1; 1 Kor. 3:7) Nëse gjërat nuk shkojnë siç e prisnim, duhet t’i kujtojmë vetes se Jehovai ka ende gjithçka nën kontroll. Kjo do të na ndihmojë të ruajmë paqen e brendshme. (Isa. 26:12) Ne bëjmë pjesën tonë dhe vazhdojmë të kemi besim se Jehovai do të bëjë pjesën e tij. Jemi të bindur se ai do të na sigurojë drejtimin që na nevojitet, edhe nëse jo me të njëjtat mrekulli që bëri hera-herës në të shkuarën.—Vep. 16:6-10.
11. Cilat gjëra të rëndësishme dimë?
11 Le të ndalemi tek ato që dimë. Për shembull, dimë se Jehovai është gjithnjë i dashur, i drejtë dhe i mençur. Dimë edhe se e vlerëson jashtë mase çdo gjë që bëjmë për Të dhe për vëllezërit e motrat. Gjithashtu dimë se Jehovai i shpërblen përherë besnikët e tij.—Hebr. 11:6.
NUK E DIMË SE ÇFARË DO TË SJELLË E NESËRMJA
12. Sipas Jakovit 4:13, 14, çfarë nuk dimë?
12 Lexo Jakovin 4:13, 14. Është e vërtetë se nuk e dimë ç’do të bëhet nesër me jetën tonë. Në këtë sistem mund të përballemi me ‘kohë të vështira dhe ngjarje të papritura’. (Ekl. 9:11) Ja pse nuk mund ta dimë nëse planet tona do të kenë sukses ose nëse do të jemi gjallë për t’i realizuar.
13. Si mund të ndikojë pasiguria për të ardhmen te gjendja jonë emocionale?
13 Ne nuk e dimë ç’do të sjellë e nesërmja, e kjo mund të na e bëjë jetën të vështirë. Në ç’kuptim? Për shembull, mbase na mbyt ankthi për atë që mund të ndodhë, e kjo mund të na vjedhë gëzimin. Tragjeditë e papritura dhe ngjarjet e paparashikuara mund të na shkaktojnë hidhërim dhe të na rëndojnë emocionalisht. E kur gjërat nuk shkojnë siç e pritnim, mund të zhgënjehemi e të shkurajohemi.—Prov. 13:12.
14. Ç’duhet të bëjmë që të jemi vërtet të lumtur? (Shih edhe figurat.)
14 Kur qëndrojmë të patundur mes vështirësive, tregojmë se pavarësisht si merr rrjedha e jetës, ne i shërbejmë Atit tonë qiellor të motivuar nga dashuria, jo nga egoizmi. Histori të ndryshme të Biblës na mësojnë se s’duhet të presim që Jehovai të na mbrojë nga çdo vështirësi dhe se ai nuk i paracakton ngjarjet e jetës sonë. Jehovai e di se për të qenë të lumtur, s’kemi nevojë të dimë çfarë na rezervon e ardhmja. Përkundrazi, lumturia e vërtetë vjen kur kërkojmë drejtimin e Jehovait dhe i bindemi zërit të tij. (Jer. 10:23) Nëse i marrim vendimet bashkë me Jehovain, do të shfaqim të njëjtin qëndrim si të Jakovit, që tha: «Në dashtë Jehovai, do të jetojmë e do të bëjmë këtë ose atë.»—Jak. 4:15.
Kur kërkojmë drejtimin e Jehovait dhe i bindemi zërit të tij, jemi vërtet të mbrojtur (Shih paragrafët 14-15)b
15. Çfarë dimë për të ardhmen?
15 Nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e nesërmja, ama dimë se Jehovai na ka premtuar jetë pa fund—qoftë në qiell a në tokë. E dimë se ai nuk mund të gënjejë dhe se asgjë s’mund ta pengojë të përmbushë të gjitha premtimet e tij. (Titit 1:2) Vetëm Jehovai ‘e thotë përfundimin që në fillim dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk kanë ndodhur’. Kjo rezultoi e vërtetë për ngjarjet e së kaluarës. E po njësoj do të plotësohet gjithçka që ka parathënë Jehovai për të ardhmen. (Isa. 46:10) S’kemi pikë dyshimi se asgjë e askush s’mund t’ia shuajë Jehovait dashurinë që ndien për ne. (Rom. 8:35-39) Ai do të na japë mençurinë, ngushëllimin dhe forcën e nevojshme për të përballuar me sukses çdo dallgë të jetës. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë e do të na bekojë.—Jer. 17:7, 8.
NUK MUND TA KUPTOJMË PLOTËSISHT SA MIRË NA NJEH JEHOVAI
16. Çfarë di Jehovai për ne, dhe si ndihesh për këtë? (Psalmi 139:1-6)
16 Lexo Psalmin 139:1-6. Jehovai di si jemi krijuar dhe di çdo gjë që ka ndikuar te formimi ynë fizik, emocional dhe mendor. Meraku që ka për ne nuk venitet për asnjë çast. Ai e di çfarë themi dhe pse e themi, çfarë bëjmë dhe pse e bëjmë. Siç tha mbreti David, Jehovai na qëndron përkrah e na mbron gjithnjë. A nuk është e jashtëzakonshme që Zotëria Sovran i universit, Krijuesi i plotfuqishëm i qiellit dhe i tokës, merakoset thellë për secilin prej nesh?! Davidi tha: «Njohuria jote është tepër e mrekullueshme për mua! Është kaq e thellë sa s’e rrok dot me mend.»—Psal. 139:6, shën.
17. Pse mund ta kemi të vështirë të pranojmë se Jehovai na njeh shumë mirë?
17 Ndoshta për shkak të mënyrës si jemi rritur, të vendit nga vijmë ose të bindjeve të mëparshme fetare mund ta kemi të vështirë ta shohim Jehovain si një Atë të dashur që na kushton vëmendje. Ose ndoshta ndihemi sikur kemi bërë gabime kaq të tmerrshme në të kaluarën, sa Jehovai s’do të donte kurrë të na njihte dhe na qëndron larg. Hera-herës edhe Davidin e mundonin ndjenja të tilla. (Psal. 38:18, 21) Mbase dikush që po përpiqet fort të ndryshojë stilin e jetës dhe të jetojë sipas standardeve të drejta të Perëndisë, vret mendjen: «Nëse Perëndia më njeh kaq mirë, pse do që të ndryshoj dhe s’më pranon siç jam?»
18. Si nxjerrim dobi kur pranojmë se Jehovai na njeh më mirë se ç’e njohim veten? (Shih edhe figurat.)
18 Mund të mësojmë ta pranojmë se Jehovai na njeh më mirë se ç’e njohim veten dhe se dallon cilësitë e mira që nuk arrijmë t’i shohim te vetja. Sigurisht, ai nuk është i verbër ndaj të metave tona dhe e kupton pse ndihemi e veprojmë në një mënyrë të caktuar, por prapë na do. (Rom. 7:15) Jehovai i mban sytë te potenciali ynë. Kur e kuptojmë këtë, marrim forcën që na duhet për t’i shërbyer me besnikëri e plot gëzim.
Jehovai na ndihmon të përballojmë pasiguritë e jetës në këtë sistem, duke na forcuar sigurinë se na presin ditë të lumtura në botën e re (Shih paragrafët 18-19)c
19. Çfarë dimë me siguri për Jehovain?
19 Ne e dimë se Jehovai është dashuri. Kjo është një e vërtetë e pakundërshtueshme. (1 Gjon. 4:8) Dimë se standardet e tij të drejta pasqyrojnë dashurinë për ne dhe dëshirën që të kemi një jetë sa më të lumtur. E dimë se Jehovai do që të jetojmë përgjithmonë. Prandaj siguroi shpërblesën që kjo të mos ishte thjesht një ëndërr. Dhurata e shpërblesës na siguron se, megjithëse bëjmë gabime, mund ta adhurojmë Jehovain siç i pëlqen atij. (Rom. 7:24, 25) Dhe dimë se «Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe di gjithçka». (1 Gjon. 3:19, 20) Jehovai na njeh deri në detaj dhe ka besim se mund t’ia dalim mbanë të bëjmë vullnetin e tij.
20. Çfarë do të na ndihmojë të shmangim ankthin e tepërt?
20 Jehovai nuk na ka mbajtur të fshehtë asnjë informacion që kemi vërtet nevojë ta dimë. Kur e pranojmë me modesti këtë fakt, shmangim ankthin e tepërt për gjërat që s’i kemi në dorë dhe mund të përqendrohemi tek ajo që ka vërtet rëndësi. Kështu tregojmë se kemi besim të plotë te Jehovai, ‘Ai që ka njohuri të përsosur’. (Jobi 36:4) Edhe pse tani nuk i kuptojmë disa gjëra, mezi presim të ardhmen, kur do të mësojmë për tërë përjetësinë gjëra të reja për Perëndinë tonë të Madh.—Ekl. 3:11.
KËNGA 104 Fryma e shenjtë: Dhuratë e Perëndisë
a Jezui do të udhëheqë luftën kundër botës së ligë të Satanait, ndaj është me vend të arrijmë në përfundimin se tani e di datën kur do të vijë Armagedoni dhe kur ‘do të plotësojë fitoren e tij’.—Zbul. 6:2; 19:11-16.
b PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një baba me të birin po bëjnë gati çantën e emergjencës, që të jenë të përgatitur në rast urgjence.
c PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla që po has probleme, përfytyron ditët e lumtura që e presin në botën e re.