BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w25 prill f. 14-19
  • Është gjë e mirë t’i afrohemi njëri-tjetrit!

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Është gjë e mirë t’i afrohemi njëri-tjetrit!
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • PSE DUHET TË AFROHEMI MË SHUMË ME NJËRI-TJETRIN
  • TË NDEROJMË NJËRI-TJETRIN
  • «TË MOS KENI PËRÇARJE»
  • TË DUAM «ME VEPRA E ME TË VËRTETË»
  • Jehovai të ka shumë për zemër
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
  • ‘Është gjë e mirë t’i afrohemi Perëndisë’!
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
  • Vendime që tregojnë se mbështetemi te Jehovai
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2023
  • Provo lumturinë e madhe që vjen kur jep
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2024 (Për studim)
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait 2025 (Për studim)
w25 prill f. 14-19

ARTIKULLI I STUDIMIT 16

KËNGA 87 Eja, gjej për shpirtin freski!

Është gjë e mirë t’i afrohemi njëri-tjetrit!

«Oh, sa mirë dhe sa bukur është kur vëllezërit banojnë së bashku në unitet!»—PSAL. 133:1.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të shohim disa sugjerime si të afrohemi me njëri-tjetrin dhe bekimet e shumta që sjell miqësia me vëllezërit e motrat.

1-2. Cila është një ndër gjërat më të rëndësishme për Jehovain, dhe çfarë dëshiron ai të bëjmë?

NJË ndër gjërat më të rëndësishme për Jehovain është mënyra si i trajtojmë të tjerët. Jezui mësoi se duhet ta duam të afërmin si veten. (Mat. 22:37-39) Kjo përfshin të jemi zemërmirë edhe me ata që nuk kanë të njëjtat bindje si ne. Kështu imitojmë Perëndinë Jehova, falë të cilit «dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët».—Mat. 5:45.

2 Ndonëse i do të gjithë njerëzit, Jehovai ka një vend të veçantë në zemër për ata që i binden. (Gjoni 14:21) E ai dëshiron ta imitojmë. Ndaj na nxit të kemi «dashuri të zjarrtë» për vëllezërit e motrat dhe t’u tregojmë «përzemërsi të ngrohtë». (1 Pjet. 4:8; Rom. 12:10) Kjo lloj dashurie e përzemërsie i ngjan ndjenjës së ngrohtë që provojmë për një të afërm që e duam shumë a për një mik të zemrës.

3. Çfarë duhet të mbajmë ndër mend për dashurinë?

3 Dashuria është si një bimë që i nevojitet ushqim për t’u rritur. Apostulli Pavël i këshilloi bashkëbesimtarët: «Vazhdoni të tregoni dashuri vëllazërore.» (Hebr. 13:1) Jehovai do që ta ushqejmë vazhdimisht dashurinë për njëri-tjetrin. Në këtë artikull do të shohim pse duhet të afrohemi më shumë me vëllezërit e motrat dhe si të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

PSE DUHET TË AFROHEMI MË SHUMË ME NJËRI-TJETRIN

4. Ç’mund të bëjmë që të mos na venitet vlerësimi për unitetin mes nesh? (Psalmi 133:1) (Shih edhe figurat.)

4 Lexo Psalmin 133:1. Ne ndihemi si psalmisti që shkroi se është «mirë» dhe «bukur» të jemi miq me ata që e duan Jehovain. Megjithatë, ashtu si mund të mos na bëjë më përshtypje një pemë madhështore që e shohim përditë, po njësoj mund të na venitet vlerësimi për unitetin e bukur mes nesh. Vëllezërit e motra i shohim shpesh, ndoshta disa herë në javë. Ç’mund të bëjmë që të mos na zbehet çmueshmëria për ta? Nëse lëmë kohë të mendojmë sa i vyer është secili prej tyre për kongregacionin dhe për ne, do t’i duam më shumë.

Kolazh: 1. Një motër sheh me admirim një pemë të bukur. 2. Më vonë po përqafon një motër tjetër në një kongres rajonal. Vëllezër e motra të tjerë po bisedojnë të kënaqur.

Mos lejo kurrë të të venitet vlerësimi për unitetin e bukur mes nesh (Shih paragrafin 4)


5. Si mund të ndikojë te të tjerët dashuria që kemi për njëri-tjetrin?

5 Disave që vijnë për herë të parë në mbledhje u lë mbresa të thella dashuria që kemi për njëri-tjetrin. Kjo mund t’u mjaftojë për t’u bindur se kanë gjetur të vërtetën. Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Të marrim rastin e Çaitrës, e cila studionte me Dëshmitarët e Jehovait kur ishte në universitet. Ajo pranoi ftesën që të ndiqte një kongres rajonal. Pas ditës së parë, i tha mësueses së Biblës: «Prindërit nuk më kanë përqafuar kurrë. Ndërsa në kongres mora 52 përqafime në një ditë të vetme! Përmes kësaj familjeje ndjeva dashurinë e Jehovait. Dua të jem edhe unë pjesë e saj.» Çaitra vazhdoi të përparonte dhe në vitin 2024 u pagëzua. Vërtet, kur të interesuarit shohin veprat tona të shkëlqyera dhe dashurinë që tregojmë për njëri-tjetrin, shpesh u lind dëshira t’i shërbejnë Jehovait.—Mat. 5:16.

6. Si mund të na mbrojë një lidhje më e fortë me vëllezërit e motrat?

6 Një lidhje më e fortë me vëllezërit e motrat mund të jetë një mbrojtje. Pavli i nxiti bashkadhuruesit: «Vazhdoni të inkurajoni çdo ditë njëri-tjetrin, . . . që asnjërit nga ju të mos i ngurtësohet zemra nga fuqia mashtruese e mëkatit.» (Hebr. 3:13) Po të shkurajohemi aq sa të fillojmë të largohemi nga udha e drejtë, Jehovai mund të nxitë një bashkëbesimtar të vëmendshëm që të na japë ndihmën e nevojshme. (Psal. 73:2, 17, 23) Çfarë ndihme e madhe është një inkurajim i tillë!

7. Ç’lidhje ekziston mes dashurisë dhe unitetit? (Kolosianëve 3:13, 14)

7 Jemi pjesë e një grupi njerëzish që përpiqen me gjithë shpirt të tregojnë dashuri për njëri-tjetrin, çka sjell shumë bekime. (1 Gjon. 4:11) Për shembull, dashuria na shtyn ‘të vazhdojmë të durojmë njëri-tjetrin’, e kjo ruan unitetin mes nesh. (Lexo Kolosianëve 3:13, 14; Efes. 4:2-6) Si rezultat, në mbledhjet tona gëzojmë një atmosferë të ngrohtë që s’e gjen askund tjetër.

TË NDEROJMË NJËRI-TJETRIN

8. Si na ndihmon Jehovai të jemi në unitet?

8 Uniteti në familjen tonë mbarëbotërore është një mrekulli. Ndonëse të papërsosur, jemi të bashkuar falë Jehovait. (1 Kor. 12:24, 25) Bibla thotë se ‘na ka mësuar vetë Perëndia që ta duam njëri-tjetrin’. (1 Sel. 4:9) Me fjalë të tjera, Jehovai na tregon qartë nëpërmjet Shkrimeve ç’duhet të bëjmë për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin. Kur i studiojmë me kujdes dhe i zbatojmë mësimet e Tij, lejojmë ‘të na mësojë Perëndia’. (Hebr. 4:12; Jak. 1:25) Dëshmitarët e Jehovait përpiqen me të gjitha forcat ta bëjnë këtë.

9. Ç’na mëson Romakëve 12:9-13 për nderimin që duhet t’i tregojmë njëri-tjetrit?

9 Si na mëson Fjala e Perëndisë të afrohemi më shumë me njëri-tjetrin? Mendo çfarë tha Pavli për këtë te Romakëve 12:9-13. (Lexoje.) Vër re fjalët «jini të parët për të nderuar njëri-tjetrin». Ç’do të thotë kjo? Duhet të marrim iniciativën për t’u treguar «përzemërsi të ngrohtë» të tjerëve në mënyra të ndryshme, si duke i falur, duke i mirëpritur dhe duke qenë bujarë. (Efes. 4:32) S’ka pse të presësh që të bëjë përpjekje vëllai a motra për t’u miqësuar me ty. Mund ‘të jesh i pari’ për ta bërë këtë. Kujto fjalët aq të goditura të Jezuit: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Vep. 20:35.

10. Si mund të jemi të papërtuar «për të nderuar njëri-tjetrin»? (Shih edhe figurën.)

10 Është interesante se fill pas nxitjes që të jemi të parët për të nderuar njëri-tjetrin, Pavli na thotë: «Jini të papërtuar e jo përtacë.» Një njeri i papërtuar punon pa u kursyer. Kur i jepet një punë, e bën me gjithë shpirt. Proverbat 3:27, 28 na inkurajon: «Mos ua mbaj të mirën atyre që u takon kur e ke në dorë ta bësh.» Ndaj, kur shohim se dikush ka nevojë për ndihmë, bëjmë sa mundemi për ta ndihmuar. Nuk i zvarrisim gjërat e as e flemë mendjen se do të kujdeset dikush tjetër.—1 Gjon. 3:17, 18.

Një vëlla i ri lart në shkallë po pastron nga gjethet ullukun në çatinë e shtëpisë së një vëllai të moshuar.

Duhet të marrim iniciativën për të ndihmuar vëllezërit e motrat që kanë nevojë (Shih paragrafin 10)


11. Çfarë mund të na ndihmojë të afrohemi më shumë me njëri-tjetrin?

11 I nderojmë të tjerët edhe duke i falur pa vonesë kur na fyejnë. Efesianëve 4:26 thotë: «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë ende të inatosur.» Pse? Sepse siç thotë vargu 27, kështu ‘nuk i japim Djallit asnjë mundësi’. Jehovai na bën thirrje shpesh në Fjalën e tij që ta falim njëri-tjetrin. Kolosianëve 3:13 na nxit: «Vazhdoni . . . të falni bujarisht njëri-tjetrin.» Një nga mënyrat më të mira për t’u afruar më shumë me të tjerët, është t’i anashkalojmë gabimet dhe lëndimet. Kur e bëjmë këtë, ndihmojmë ‘të ruhet uniteti i frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:3, shën.) Me pak fjalë, kur falim, ndihmojmë të ketë më shumë unitet e paqe mes nesh.

12. Si na ndihmon Jehovai të falim?

12 Natyrisht, mund të jetë e vështirë t’i falim ata që na kanë lënduar. Por mund t’ia dalim me ndihmën e frymës së Perëndisë. Pasi na inkurajojnë të kemi «përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin» dhe të jemi «të papërtuar», Shkrimet na nxitin: «Lëreni frymën e shenjtë të vlojë si zjarr në zemrat tuaja.» Dikush që e lë frymën e shenjtë ‘t’i vlojë si zjarr në zemër’ është «plot zell e entuziazëm dhe i rrezaton këto cilësi për shkak të ndikimit» të frymës së shenjtë. Pra, fryma e shenjtë mund të na motivojë të tregojmë përzemërsi të ngrohtë dhe të falim bujarisht. Ja pse i kërkojmë me gjithë shpirt Jehovait të na ndihmojë.—Luka 11:13.

«TË MOS KENI PËRÇARJE»

13. Çfarë mund të shkaktojë përçarje mes nesh?

13 Kongregacioni përbëhet nga «njerëz të çdo lloji» me prejardhje e formime të larmishme. (1 Tim. 2:3, 4) Si rezultat, secili prej nesh mund të bëjë zgjedhje të ndryshme lidhur me veshjen e paraqitjen, kujdesin shëndetësor ose zbavitjen. Po të mos tregojmë kujdes, këto ndryshime mund të bëhen shkak përçarjesh. (Rom. 14:4; 1 Kor. 1:10) Meqë ‘Perëndia na ka mësuar ta duam njëri-tjetrin’, duhet të bëjmë kujdes të mos ua imponojmë zgjedhjet tona të tjerëve si të ishin më të mirat.—Filip. 2:3.

14. Çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë gjithmonë, dhe pse?

14 Që të mos ketë përçarje në kongregacion, duhet edhe të përpiqemi t’i freskojmë e t’u japim forcë të tjerëve në çdo rast. (1 Sel. 5:11) Kohët e fundit janë kthyer mes nesh mjaft veta që ishin joaktivë ose që ishin hequr nga kongregacioni. Ne i mirëpresim me krahë e zemër hapur. (2 Kor. 2:8) Ja si u shpreh një motër që u kthye në Sallën e Mbretërisë pasi kishte qenë joaktive për dhjetë vjet: «Të gjithë më buzëqeshnin e më jepnin dorën.» (Vep. 3:19) Si ndikuan ato gjeste të thjeshta dashamirësie? Ajo thotë: «U ndjeva sikur Jehovai më kishte kapur për dore e po më ndihmonte të isha prapë e lumtur.» Ndërsa përpiqemi t’i inkurajojmë të gjithë, Krishti mund të na përdorë të freskojmë ata ‘që po robtohen dhe që janë të ngarkuar’.—Mat. 11:28, 29.

15. Cila është një mënyrë tjetër si mund të nxitim unitetin? (Shih edhe figurën.)

15 Mund ta nxitim unitetin edhe me anë të fjalëve tona. Jobi 12:11 thotë: «A nuk i peshon veshi fjalët, siç shijon gjuha ushqimin?» Ashtu si një kuzhinier i mirë e provon gjithnjë ushqimin para se ta servirë për t’u siguruar se është i shijshëm, edhe ne duhet ta peshojmë mirë atë që do të themi para se ta themi. (Psal. 141:3) Duhet të kemi gjithnjë si synim që ajo që kemi ndër mend të themi, të jetë inkurajuese, freskuese dhe ‘e dobishme për ata që e dëgjojnë’.—Efes. 4:29.

Një vëlla po provon diçka që ka gatuar para se t’ua servirë mysafirëve.

Peshoje atë që do të thuash para se ta thuash (Shih paragrafin 15)


16. Cilët në veçanti duhet të flasin në mënyrë inkurajuese?

16 Burrat dhe prindërit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm që të flasin në mënyrë inkurajuese. (Kolos. 3:19, 21; Titit 2:4) Edhe pleqtë, si barinj të deleve të Jehovait, duhet të jenë burim freskimi dhe ngushëllimi. (Isa. 32:1, 2; Gal. 6:1) Të kujtojmë këtë proverb të Biblës: «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»—Prov. 15:23.

TË DUAM «ME VEPRA E ME TË VËRTETË»

17. Si mund të sigurohemi se dashuria jonë për vëllezërit dhe motrat është e sinqertë?

17 Apostulli Gjon na inkurajon «të mos duam veç me fjalë e me gojë të ëmbël, por me vepra e me të vërtetë». (1 Gjon. 3:18) Pra, duam që dashuria për vëllezërit e motrat të jetë e sinqertë. Si mund të sigurohemi për këtë? Sa më shumë kohë të kalojmë me vëllezërit e motrat, aq më shumë do të afrohemi me njëri-tjetrin dhe aq më e fortë do të bëhet dashuria mes nesh. Ndaj krijo mundësi që të kalosh kohë me të tjerët, si për shembull në mbledhje dhe në shërbim. Gjej kohë që të shkosh t’i takosh. Në këtë mënyrë tregojmë se po e lejojmë Perëndinë ‘të na mësojë që ta duam njëri-tjetrin’. (1 Sel. 4:9) E kështu do të vazhdojmë të provojmë «sa mirë dhe sa bukur është kur vëllezërit banojnë së bashku në unitet».—Psal. 133:1.

SI DO TË PËRGJIGJESHE?

  • Pse është gjë e mirë t’i afrohemi njëri-tjetrit?

  • Si mund të jemi të parët për të nderuar njëri-tjetrin?

  • Si mund ta nxitim unitetin?

KËNGA 90 T’i japim zemër njëri-tjetrit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo