ARTIKULLI I STUDIMIT 15
KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im
‘Është gjë e mirë t’i afrohemi Perëndisë’!
«Për mua, është gjë e mirë t’i afrohem Perëndisë.»—PSAL. 73:28.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Do të shohim si të afrohemi më shumë me Jehovain dhe çfarë të mirash vijnë nga kjo.
1-2. (a) Çfarë duhet për të lidhur miqësi të ngushtë me dikë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
A KE një mik të ngushtë? Si lidhe miqësi me të? Patjetër që kaluat kohë bashkë, mësove çfarë ka kaluar në jetë dhe zbulove çfarë i pëlqen e çfarë jo. Njohe cilësitë e tij të bukura që doje t’i imitoje. Kështu t’u shtua dalëngadalë dashuria për mikun tënd.
2 Për të lidhur miqësi të ngushtë me dikë duhet kohë e përpjekje. E njëjta gjë mund të thuhet për miqësinë e ngushtë me Perëndinë Jehova. Në këtë artikull do të shqyrtojmë si të afrohemi më shumë me Perëndinë tonë dhe dobitë që vijnë nga kjo. Së pari, le të shohim pse është gjë e mirë të afrohemi me Mikun tonë më të shtrenjtë, Jehovain.
3. Pse duhet të bluajmë në mendje dobitë që vijnë kur afrohemi me Jehovain? Ilustrojeni.
3 Pa diskutim që je dakord se është gjë e mirë të afrohesh me Jehovain. Gjithsesi, që të ndihemi të motivuar të vazhdojmë t’i afrohemi, duhet të mendojmë sa shumë të mira sjell kjo. (Psal. 63:6-8) Ta ilustrojmë: e dimë se na bën mirë të kemi një dietë të ekuilibruar, të bëjmë aktivitet fizik, të pushojmë mjaftueshëm dhe të pimë ujë sa duhet. Prapëseprapë, shumë veta nuk e vrasin fort mendjen për këto gjëra dhe e lënë pas dore shëndetin. Por sa më shpesh të mendojmë për dobitë që sjellin këto zakone të mira, aq më shumë gjasa ka t’i ruajmë. Po njësoj, e dimë se është gjë e mirë t’i afrohemi Jehovait, por meditimi për dobitë mund të na motivojë të vazhdojmë të afrohemi me Mikun tonë.—Psal. 119:27-30.
4. Sipas Psalmit 73:28, si ndihej shkrimtari për miqësinë me Perëndinë?
4 Lexo Psalmin 73:28. Shkrimtari i Psalmit 73 ishte një nga levitët e caktuar për të shërbyer si muzikantë në tempullin e Jehovait. Ka shumë mundësi që ai ta kishte adhuruar besnikërisht Jehovain për vite të tëra. Megjithatë, iu desh t’i kujtonte vetes se ishte gjë e mirë ‘t’i afrohej Perëndisë’ dhe donte që edhe të tjerët të mos e harronin këtë të vërtetë. Cilat janë disa dobi që vijnë kur forcojmë miqësinë me Perëndinë?
KUR ‘I AFROHEMI PERËNDISË’ JEMI TË LUMTUR
5. (a) Pse jemi të lumtur kur afrohemi më shumë me Jehovain? (b) Si të ndihmon e të mbron konkretisht mençuria që të jep Jehovai? (Proverbat 2:6-16)
5 Sa më shumë t’i afrohemi Jehovait, aq më të lumtur do të jemi. (Psal. 65:4) Ka shumë arsye pse ndodh kështu. Për shembull, kur jetojmë sipas mençurisë praktike që përmban Fjala e tij, nxjerrim dobi. Kjo mençuri na mbron nga ndikimet e këqija dhe nga gabimet e rënda. (Lexo Proverbat 2:6-16.) Ja pse Bibla thotë: «Lum njeriu që gjen mençuri! Lum njeriu që fiton aftësi dalluese!»—Prov. 3:13.
6. Pse e humbi gëzimin psalmisti?
6 Natyrisht që edhe miqtë e Jehovait i kaplon hera-herës trishtimi. Shkrimtari i Psalmit 73 e humbi gëzimin kur filloi të mendonte në mënyrë negative. E pushtoi inati dhe zilia ngaqë nisi të mendonte se të ligjve, që nuk u bëhej vonë për Perëndinë dhe për standardet e Tij, u shkonin gjërat vaj. Ai arriti në përfundimin e gabuar se njerëzit e dhunshëm dhe fodullë ishin gjithmonë më të pasur dhe më të shëndetshëm, e madje nuk kishin halle. (Psal. 73:3-7, 12) Psalmisti ishte aq shpirttrazuar, sa mendonte se përpjekjet e tij për t’i shërbyer Jehovait ishin të kota. Gjithë dëshpërim, ai tha: «Më kot e paskam ruajtur zemrën të pastër! Më kot i paskam larë duart në pafajësi!»—Psal. 73:13.
7. Ç’mund të bëjmë që të mos na paralizojë trishtimi? (Shih edhe figurën.)
7 Psalmisti nuk lejoi ta paralizonte trishtimi. Ai bëri diçka për të dalë nga ajo gjendje. ‘Hyri në shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë’, ku Jehovai i ndreqi mënyrën si mendonte. (Psal. 73:17-19) Kur jemi të trishtuar, Miku ynë më i mirë, Jehovai, e di si ndihemi. Nëse i lutemi për drejtim dhe pranojmë ndihmën që na jep përmes Fjalës së tij e kongregacionit, do të marrim forcë që ta përballojmë trishtimin. Edhe atëherë kur na mbyt ankthi, Jehovai do të na ngushëllojë e do të na qetësojë.—Psal. 94:19.a
Leviti që shkroi Psalmin 73 ka shkuar në «shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë» (Shih paragrafin 7)
KUR ‘I AFROHEMI PERËNDISË’, KEMI JETË DOMETHËNËSE DHE SHPRESË
8. Cilat janë dy bekime të tjera që sjell miqësia e ngushtë me Perëndinë?
8 Miqësia e ngushtë me Perëndinë na sjell edhe dy bekime të mëdha. Së pari, kemi jetë domethënëse e me një qëllim. Së dyti, kemi një shpresë të patundur për të ardhmen. (Jer. 29:11) Le të ndalemi pak te këto bekime.
9. Si ndikon në jetën tonë miqësia e ngushtë me Jehovain?
9 Miqësia e ngushtë me Jehovain i jep kuptim jetës sonë. Shumë veta sot nuk e pranojnë se Perëndia ekziston. Si pasojë, mendojnë se jeta nuk ka asnjë kuptim dhe se njerëzimi do të zhduket në të ardhmen. Por ne që kemi studiuar Fjalën e Perëndisë, jemi të bindur se ai «ekziston dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebr. 11:6) Jeta jonë është më e lumtur qysh sot, sepse po jetojmë në harmoni me qëllimin për të cilin jemi krijuar—t’i shërbejmë Atit tonë qiellor, Jehovait.—Ligj. 10:12, 13.
10. Çfarë tregon Psalmi 37:29 për të ardhmen e atyre që shpresojnë te Jehovai?
10 Gjithë sa shpresojnë nga jeta shumë njerëz është të kenë një punë, të krijojnë familje dhe të vënë pará mënjanë për moshën e shkuar. Për Perëndinë s’ka vend në këtë mes. Kurse ne i varim shpresat te Jehovai. (Psal. 25:3-5; 1 Tim. 6:17) Kemi besim te Perëndia e Miku ynë dhe jemi të sigurt se do t’i mbajë premtimet që na ka bërë. E ardhmja jonë përfshin perspektivën që ta adhurojmë përgjithmonë në Parajsë.—Lexo Psalmin 37:29.
11. Si ndihemi ndërsa afrohemi me Perëndinë, dhe si ndihet ai?
11 Kur i afrohemi Perëndisë, vijnë edhe shumë të mira të tjera. Për shembull, Jehovai premton se do t’ua falë mëkatet miqve të tij që pendohen. (Isa. 1:18) Ndaj nuk ka pse të na rëndojnë në shpirt ndjenjat e fajit për shkak të mëkateve të së kaluarës. (Psal. 32:1-5) Gjithashtu provojmë kënaqësi të thellë ndërsa ia gëzojmë zemrën Jehovait. (Prov. 23:15) Me siguri të vijnë ndër mend edhe bekime të tjera që gëzon falë miqësisë së ngushtë me Perëndinë. Por si mund të vazhdosh të afrohesh me Perëndinë?
SI TË VAZHDOJMË ‘T’I AFROHEMI PERËNDISË’
12. Çfarë ke bërë për t’u afruar me Perëndinë?
12 Para se të pagëzoheshim, bëmë goxha përpjekje për t’u afruar me Jehovain. Mësuam shumë të vërteta për Perëndinë Jehova dhe për Krishtin Jezu, u penduam për gabimet e së kaluarës, treguam se kishim besim të patundur te Perëndia dhe u përpoqëm me mish e me shpirt të jetonim sipas vullnetit të tij. Por që të afrohemi gjithnjë e më shumë me Perëndinë, duhet të vazhdojmë t’i bëjmë këto gjëra.—Kolos. 2:6.
13. Cilat janë tri gjëra që do të na ndihmojnë të vazhdojmë të afrohemi me Jehovain?
13 Ç’do të na ndihmojë të vazhdojmë të afrohemi akoma më shumë me Jehovain? (1) Duhet të vazhdojmë të lexojmë e të studiojmë Biblën. Synimi ynë nuk duhet të jetë thjesht të mësojmë të vërtetat bazë për Perëndinë. Përkundrazi, duhet të përpiqemi të dallojmë cili është vullneti i Perëndisë për ne dhe të drejtohemi nga parimet që na jep në Fjalën e tij. (Efes. 5:15-17) (2) Duhet ta forcojmë besimin duke bluar në mendje mënyrat e panumërta si tregon dashuri Jehovai për ne personalisht. (3) Duhet të vazhdojmë t’i urrejmë gjërat që e fyejnë Jehovain dhe të mos jemi miq me ata që i praktikojnë.—Psal. 1:1; 101:3.
14. Në harmoni me 1 Korintasve 10:31, çfarë mund të bëjmë çdo ditë për ta kënaqur Jehovain? (Shih edhe figurat.)
14 Lexo 1 Korintasve 10:31. Është jetësore të bëjmë gjëra që e kënaqin Jehovain. Kjo nuk përfshin vetëm të marrim pjesë në shërbim e në mbledhje. Duhet ta kënaqim Jehovain me atë që bëjmë në jetën e përditshme. Për shembull, kur jemi të ndershëm në çdo gjë dhe ndajmë me të tjerët atë që kemi, e bëjmë të lumtur Jehovain. (2 Kor. 8:21; 9:7) Ai dëshiron edhe të tregojmë vlerësim të thellë për jetën që na ka dhuruar. Prandaj jemi të ekuilibruar duke mos ngrënë e pirë me tepri dhe duke u kujdesur për shëndetin në mënyra të tjera të arsyeshme. Çdo përpjekje për të kënaqur Jehovain, madje edhe në gjëra që duken të vogla, na bën akoma më të çmuar për të.—Luka 16:10.
Të ngasim me kujdes makinën, të kujdesemi për veten duke bërë ushtrime e duke ngrënë shëndetshëm dhe të jemi bujarë janë disa mënyra si mund ta kënaqim Jehovain (Shih paragrafin 14)
15. Si pret Jehovai t’i trajtojmë të tjerët?
15 Jehovai është zemërmirë edhe me të drejtët, edhe me të padrejtët. (Mat. 5:45) Ai pret që edhe ne të jemi zemërmirë me të tjerët. Për shembull, duhet ‘të mos flasim keq për askënd, të mos jemi grindavecë e të tregojmë gjithmonë butësi ndaj të gjithëve’. (Titit 3:2) Ndaj nuk mendojmë se qëndrojmë më lart se të tjerët vetëm ngaqë s’kanë të njëjtin besim si ne. (2 Tim. 2:23-25) Afrohemi më shumë me Jehovain duke u treguar përherë zemërmirësi e konsideratë të gjithëve.
‘T’I AFROHEMI PERËNDISË’ EDHE KUR GABOJMË
16. Si u ndie shkrimtari i Psalmit 73 pasi i kishte shërbyer Jehovait për vite të tëra?
16 Po nëse hera-herës ndihesh i padenjë për dashurinë e Jehovait? Të kujtojmë se diçka e ngjashme i ndodhi shkrimtarit të Psalmit 73. Ai tha: «Gati-gati u largova nga udha e drejtë, për pak më shkanë këmbët.» (Psal. 73:2) Siç e pranoi vetë, psalmisti e kishte zemrën ‘të vrerosur’, ishte «i paarsyeshëm» dhe, në sytë e Jehovait, ishte «si një kafshë që s’mendon». (Psal. 73:21, 22) A nxori përfundimin se për shkak të dobësisë së tij, ishte rast i pashpresë dhe nuk e meritonte që Jehovai ta donte?
17. (a) Çfarë bëri psalmisti edhe kur ndihej përtokë? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga eksperienca e tij? (Shih edhe figurat.)
17 Nëse psalmisti u ndie sikur Jehovai e kishte hedhur poshtë, ajo ndjenjë duhet të ketë qenë thjesht kalimtare. Në momentet kur ishte përtokë, e kuptoi se kishte nevojë të afrohej më shumë me Perëndinë, siç e tregojnë fjalët e tij: «Por tani jam me ty [Jehova] përherë; nga dora e djathtë më ke kapur. Me këshillën tënde më prin e drejt lavdisë do të më çosh.» (Psal. 73:23, 24) Edhe ne duhet ta shohim Jehovain si një shkëmb që na jep stabilitet kur jemi të dobët në besim ose të shkurajuar. (Psal. 73:26; 94:18) Edhe nëse largohemi për pak kohë nga udha e drejtë, mund të kthehemi te Jehovai, të sigurt se ai ‘mezi pret të falë’. (Psal. 86:5) Sidomos kur jemi përtokë, është jetësore të afrohemi më shumë me Perëndinë tonë.—Psal. 103:13, 14.
Kur ndiejmë se na është dobësuar besimi, duhet t’u kushtojmë më shumë kohë gjërave që na afrojnë me Jehovain (Shih paragrafin 17)
‘T’I AFROHEMI PERËNDISË’ NË PËRJETËSI
18. Pse mund t’i afrohemi Jehovait për gjithë përjetësinë?
18 Sa mund të afrohemi me Jehovain dhe sa thellë mund ta njohim? Nuk ka asnjë limit. Bibla thotë se udhët e Jehovait, mençuria dhe njohuria e tij janë «të pagjurmueshme».—Rom. 11:33.
19. Çfarë sigurie na japin Psalmet?
19 Te Psalmi 79:13 thuhet: «Ne, populli yt dhe delet e kullotës sate, do të të falënderojmë përjetë; brez pas brezi do të të lëvdojmë!» Ndërsa vazhdon të afrohesh me Perëndinë, edhe ti mos ki fije dyshimi se mund t’i shijosh bekimet e tij në përjetësi dhe të thuash plot besim: «Perëndia është shkëmbi i zemrës sime, trashëgimia ime përgjithmonë.»—Psal. 73:26.
KËNGA 32 Merr anën e Jehovait!
a Disa që luftojnë për një kohë të gjatë me ankthin a trishtimin mund të kenë nevojë për ndihmë profesionale. Për më shumë informacion, shih Kullën e Rojës, nr. 1 2023.