BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ijwyp artikulli 115
  • Si ta përballoj pikëllimin?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Si ta përballoj pikëllimin?
  • Të rinjtë pyesin
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • A po pikëllohem së tepërmi?
  • Si t’i përballosh ndjenjat e pikëllimit
  • Si mund ta duroj hidhërimin?
    Kur të vdes një njeri i dashur
  • Ndihmë për të pikëlluarit
    Zgjohuni!—2011
  • Plaga e pikëllimit​—Si ta lehtësosh që sot
    Zgjohuni!—2018
  • A është normale të ndihesh kështu?
    Kur të vdes një njeri i dashur
Shih më tepër
Të rinjtë pyesin
ijwyp artikulli 115
Një adoleshente shtrirë në krevat duke qarë. Ajo po sheh një fotografi ku ka dalë me gjyshin.

TË RINJTË PYESIN

Si ta përballoj pikëllimin?

A të ka vdekur një mik a familjar kohët e fundit? Nëse po, ky artikull do të të ndihmojë të përballosh pikëllimin.

Në këtë artikull

  • A po pikëllohem së tepërmi?

  • Si t’i përballosh ndjenjat e pikëllimit

  • Ja ç’thonë moshatarët e tu

A po pikëllohem së tepërmi?

Për shumë veta, procesi i pikëllimit është intensiv dhe do kohë.

«S’kalon as edhe një ditë pa menduar për gjyshin. Edhe pse u bënë dy vjet që ka vdekur, prapë nuk arrij dot të flas për të pa shpërthyer në lot.»—Olivia.

«Gjyshja më inkurajonte jashtë mase që të arrija synimet, mirëpo nuk jetoi aq sa të shihte teksa i arrija. Pikëllohem sa herë arrij një synim dhe gjyshja nuk është aty.»—Elisona.

Procesi i pikëllimit mund të të shkaktojë lloj-lloj ndjenjash. Shih disa shembuj:

«Kur më vdiq burri i hallës, përjetova gjendje shoku dhe mbeta ashtu për një kohë të gjatë. Ishte hera e parë që më vdiste një i afërm dhe ndihesha si të më kishte shtypur një tren.»—Nadina.

«U zemërova disi me gjyshin që vdiq, sepse nuk u kujdes për shëndetin, edhe pse i kishim folur për këtë.»—Karlosi.

«Unë dhe motra ishim të vetmet nga rrethi i ngushtë familjar që nuk ishim aty kur vdiq gjyshi. Prandaj ndihesha fajtore, sepse mendoja se nuk i kisha dhënë lamtumirën ashtu si duhej.»—Adriana.

«Një çift që i kishim miq të familjes, vdiq në një aksident me makinë. Pas kësaj, sa herë që një familjar dilte nga shtëpia, kisha frikë se nuk do të kthehej më.»—Xharedi.

«Kur më vdiq gjyshja para 3 vjetësh, u bëra pishman që nuk kisha kaluar më shumë kohë me të sa ishte gjallë.»—Xhuliana.

Tronditja, zemërimi, faji, frika dhe keqardhja janë ndjenja normale kur je i pikëlluar. Nëse përjeton ndonjë nga këto ndjenja, ji i sigurt se dalëngadalë do të lehtësohen. Ndërkohë, si ta përballosh pikëllimin?

Si t’i përballosh ndjenjat e pikëllimit

Zbrazja zemrën një miku. Bibla thotë se miku i vërtetë është për «ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Kur i tregon dikujt si ndihesh, mund të marrësh mbështetjen që të duhet.

«Është normale të hidhërohesh. Ndonjëherë mund të hidhërohesh kur je vetëm, por mund të ngecësh në vorbullën e mendimeve negative. Ndaj është mirë të flasësh me dikë.»—Iveta.

Kujtoje personin tënd të dashur. Bibla thotë se «njeriu i mirë ruan gjëra të mira në zemrën e tij». (Luka 6:45, Easy-to-Read Version, 1992) Mund t’i hedhësh me shkrim kujtimet e bukura ose të krijosh një album.

«Vendosa të shkruaja gjithçka që më kishte thënë shoku im para se të vdiste, kështu që do ta mbaja gjallë kujtimin e tij. Kjo më ndihmoi të përballoja humbjen.»—Xhefri.

Një vajzë po hedh kujtimet në një ditar.

Kujdesu për shëndetin. Bibla thotë se aktiviteti fizik është i dobishëm. (1 Timoteut 4:8) Përpiqu të hash ushqime të shëndetshme, të bësh ushtrime dhe të pushosh mjaftueshëm.

«Pikëllimi mund të të mjegullojë gjykimin, prandaj duhet të bësh çmos të kujdesesh për shëndetin; të mos i kapërcesh vaktet dhe të flesh sa duhet.»—Maria.

Një adoleshent duke vrapuar.

Ndihmo të tjerët. Bibla thotë: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»—Veprat 20:35.

«Përpiqu të bësh diçka për të tjerët, sidomos për ata që kanë humbur një njeri të dashur, njësoj si ti. Kjo do të të ndihmojë të mos harrosh se edhe të tjerët po vuajnë.»—Karlosi.

Një adoleshente po ndihmon një grua të moshuar që të përdorë një pajisje elektronike.

Shprehi ndjenjat në lutje. Bibla thotë se Perëndia Jehova është «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Ajo thotë edhe se Jehovai «i shëron zemërthyerit dhe ua lidh plagët».—Psalmi 147:3.

«Kërkoji Jehovait të të mbështetë dhe të të japë inkurajimin e nevojshëm. Disa ditë do të jenë disi më të vështira se të tjerat, por Jehovai është gjithmonë aty për ne.»—Zhaneta.

Ji realist. Mos harro se çdo njeri e përjeton ndryshe vdekjen e një personi të dashur. Bibla thotë se Jakobi «nuk pranonte të ngushëllohej» kur mendonte se i biri kishte vdekur. (Zanafilla 37:35) Ndaj mos ki merak që pikëllimi po të zgjat.

«Ka shumë gjëra që më sjellin ndër mend tezen e mamit, edhe pse ka vdekur prej 15 vjetësh.»—Tejlëri.

Mendo sikur të është thyer një kockë. Do të ishte e dhimbshme dhe mund të të duhej ca kohë për t’u shëruar. Ndërkohë, mjeku mund të të jepte ca sugjerime si ta ndihmoje trupin që të shërohej.

Një adoleshent që ka këmbën në allçi, sheh nga dritarja çiklistët aty pranë.

Diçka e ngjashme ndodh edhe me «plagën» që hapet kur të vdes një njeri i shtrenjtë. Duhet kohë që të lehtësohen ndjenjat e thella të pikëllimit. Prandaj ji i duruar. Shqyrto sugjerimet në këtë artikull dhe shiko cilat të bëjnë më shumë punë.

Ja ç’thonë moshatarët e tu

Izabela.

«Përballimi i pikëllimit nuk do të thotë se po e harron personin tënd të dashur ose se po përpiqesh ta fshish nga kujtesa. Është mirë ta kujtosh herë pas here dhe të mendosh sa i çmuar ishte dhe është për ty.»—Izabela.

Xhordani.

«Mos u ndiej në faj nëse fillon ta hedhësh prapa krahëve pikëllimin. Të jesh prapë i lumtur, nuk do të thotë se nuk po e respekton personin tënd të shtrenjtë. Përkundrazi; kjo do të thotë se po shërohesh dhe ka shumë të ngjarë se këtë do të donte edhe personi yt i dashur për ty.»—Xhordani.

Përmbledhje: Si ta përballoj pikëllimin?

  • Zbrazja zemrën një miku. Kur i tregon dikujt si ndihesh, mund të marrësh mbështetjen që të duhet.

  • Kujtoje personin tënd të dashur. Përqendrohu te kujtimet e bukura, madje shkruaji.

  • Kujdesu për shëndetin. Përpiqu të hash ushqime të shëndetshme, të bësh ushtrime dhe të pushosh mjaftueshëm.

  • Ndihmo të tjerët. Përpiqu të bësh diçka për të tjerët, sidomos për ata që kanë humbur një njeri të afërt, njësoj si ti.

  • Shprehi ndjenjat në lutje. Kërkoji Jehovait të të mbështetë dhe të të japë inkurajimin e nevojshëm.

  • Ji realist. Mos harro se çdo njeri e përjeton ndryshe vdekjen e një personi të shtrenjtë.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo