Lart majtas: Marek M. Berezowski/Anadolu Agency via Getty Images; poshtë majtas: Halfpoint Images/Moment via Getty Images; në qendër: Zhai Yujia/China News Service/VCG via Getty Images; lart djathtas: Ismail Sen/Anadolu Agency via Getty Images; poshtë djathtas: E+/taseffski/via Getty Images
QËNDRONI VIGJILENTË!
2023-shi, një vit i ankthshëm—Çfarë thotë Bibla?
Gjatë vitit 2023, ngjarjet botërore siguruan prova të pakundërshtueshme se po jetojmë në ato kohë që Bibla i quan «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1) Më poshtë, vër re si ngjarjet aktuale përkojnë me atë që kishte parathënë Bibla për kohët tona.
Bibla dhe ngjarjet botërore
«Luftëra dhe lajme luftërash.»—Mateu 24:6.
«Konfliktet e dhunshme po shtohen në shumë vende të botës.»a
Shih artikujt «Kush do t’i shpëtojë civilët?» dhe «Shpenzimet ushtarake botërore kalojnë shifrën 2 trilionë dollarë».
«Tërmete nga njëri vend në tjetrin.»—Marku 13:8.
«Që në fillim të vitit 2023, kanë ndodhur 13 tërmete me magnitudë mbi 7 ballë në skaje të ndryshme të botës; një ndër numrat më të lartë të tërmeteve brenda një viti që kur ka filluar historia e regjistrimeve.»b
Shih artikullin «Tërmete shkatërrimtare godasin Turqinë dhe Sirinë».
«Fenomene të frikshme.»—Luka 21:11.
«Epoka e ngrohjes globale ka mbaruar; ka filluar epoka e zierjes globale.»—Antonio Guterresi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.c
Shih artikullin «Valët e të nxehtit mbërthejnë globin gjatë verës së 2023-shit».
«Mungesa ushqimi.»—Mateu 24:7.
«2023-shi, një vit tjetër tejet i ankthshëm për ata që mezi ia dalin të sigurojnë ushqim për familjen.»d
Shih artikullin «Krizë globale ushqimi si pasojë e luftës dhe e ndryshimeve klimatike».
«Kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.»—2 Timoteut 3:1.
«Në mbarë botën, 1 në 8 veta vuan nga problemet e shëndetit mendor.»e
Shih artikullin «Shëndeti mendor tek adoleshentët përkeqësohet në nivele alarmante».
Çfarë mund të sjellë viti 2024?
Askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë do të ndodhë në 2024-n. Por ngjarjet botërore tregojnë se, së shpejti, Mbretëria e Perëndisë ose një qeveri qiellore, do të zëvendësojë qeveritë njerëzore dhe do t’u japë fund të gjitha shkaqeve të vuajtjeve dhe të ankthit.—Danieli 2:44; Zbulesa 21:4.
Ndërsa presim që kjo të ndodhë, mund t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë sa herë ndiejmë ankth. Ja çfarë thotë Bibla:
«Kur frika më pushton, te ti kam besim.»—Psalmi 56:3.
Si të kesh besim te Perëndia? Të ftojmë të mësosh më shumë për premtimet e Perëndisë për një të ardhme pa vuajtje. Për të kuptuar si ti dhe familja jote mund të nxirrni dobi nga premtimet e Biblës, provo kursin interaktiv për studimin e Biblës që disponohet falas.
a Foreign Affairs, «Bota në luftë: Çfarë fshihet pas shpërthimit global të konflikteve të dhunshme?» nga Ema Bills dhe Piter Salisbëri, 30 tetor 2023.
b Earthquake News, «Viti 2023 ka potencialin të arrijë numrin më të lartë të tërmeteve të mëdha», maj 2023.
c Kombet e Bashkuara, «Komentet hyrëse të Sekretarit të Përgjithshëm në konferencën për shtyp në lidhje me klimën», 27 korrik 2023.
d Programi Botëror për Ushqimin, «Kriza botërore e ushqimit».
e Organizata Botërore e Shëndetësisë, «Dita Botërore e Shëndetit Mendor 2023», 10 tetor 2023.