BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • lfs artikulli 19
  • «Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të fortë drejtësie»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të fortë drejtësie»
  • Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Në kërkim të drejtësisë
  • Gjej përgjigjen
  • Shërbejmë atje ku ka më shumë nevojë
  • E gëzuar pavarësisht nga problemet me shëndetin
  • Bekimi i Jehovait të bën të pasur
  • India—Një «unitet në mes të shumëllojshmërisë»
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • Shërbimi në Bethel—Nevojiten më shumë vullnetarë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1995
  • A mund të jetë kjo karriera më e mirë për ty?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • A mund të jemi të gatshëm?
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
Shih më tepër
Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait
lfs artikulli 19
Kamal Vërdi.

KAMAL VËRDI | JETËSHKRIM

«Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të fortë drejtësie»

Në gusht të 1973-shit, unë dhe dy motrat e mia ndoqëm Kongresin Ndërkombëtar «Fitorja hyjnore» në Tuikenham, Angli. Atje takuam vëllanë Eduin Skiner, i cili shërbente si misionar në Indi që nga viti 1926. Kur mori vesh se flisnim gjuhën penxhabe, tha: «Po atëherë çfarë bëni këtu? Hajdeni në Indi!» Ashtu bëmë, dhe ky ishte fillimi im në fushën e gjuhës penxhabe. Por, në fillim, më lejoni t’ju shpjegoj çfarë kishte ndodhur në jetën time para kësaj bisede.

Kam lindur në prill të vitit 1951, në Najrobi, Kenia. Prindërit e mi ishin nga India dhe i përkitnin fesë sikiste. Babai im mori për grua edhe kunatën e vet, e cila kishte mbetur e ve, prandaj kishte dy gra. Gruaja e tij e parë, mamaja ime, s’kishte zgjidhje tjetër veçse ta pranonte atë situatë. Mamaja dhe njerka lindnin fëmijë thuajse në të njëjtën kohë. Kështu u rrita me shumë motra e vëllezër dhe gjysmëmotra e gjysmëvëllezër dhe me një kushëri—7 fëmijë gjithsej. Më 1964, kur sapo kisha mbushur 13 vjeçe, babai im vdiq.

Në kërkim të drejtësisë

Teksa rritesha, shihja shumë grindje e mbajtje me hatër. Më vonë, kur studiova Biblën, kuptova se familja ime i ngjante asaj të Leas dhe të Rakelës. Shihja se si familjarët e mi i keqtrajtonin shërbëtorët kenianë, për të cilët na mësonin se ishin inferiorë. Im atë donte që të shoqëroheshim me fqinjët evropianë, me idenë se mund të mësonim prej tyre. Por na kërkonte t’i shmangnim afrikanët, sepse mendonte se s’kishin çfarë të na mësonin. Gjithashtu na thoshte të mos rrinim me njerëz me origjinë pakistaneze, sepse konsideroheshin armiqtë tanë. Gjithmonë kam pasur një ndjenjë të fortë drejtësie, ndaj pikëpamja e babait nuk më dukej e drejtë.

Sikizmi u themelua aty nga fundi i shekullit të 15-të nga guru Nanak. I pranova mësimet e tij, përfshirë idenë se ka vetëm një Perëndi të vërtetë. Por padrejtësitë që shihja mes komunitetit sikist, më shtynë të mendoja se diçka nuk shkonte.

Kjo nuk ishte e vetmja gjë që më shqetësonte. Meqë sikizmi kishte nisur vetëm nga pak shekuj, shpesh më mundonte pyetja: «Po para kësaj, cila ishte mënyra e parë e adhurimit që miratonte Perëndia?» Familja ime kishte të varura në mur kalendarë me pikturat e 10 guruve të njohur sikistë. Por pyesja veten: «Nga e dimë ne pamjen e tyre? Pse duhet dikush të përkulet para pikturave të këtyre guruve, siç bënte familja ime dhe të tjerë, kur vetë gurutë përhapin idenë se duhet adhuruar vetëm një Perëndi i vërtetë?»

Më 1965, kur isha 14 vjeçe, u transferuam si familje në Indi. Jetesa atje ishte mjaft e vështirë, pasi nuk kishim më aq shumë të ardhura. Rreth një vit më vonë, filluam të transferoheshim dy e nga dy në Angli dhe u vendosëm me banim në Lester.

Në moshën 16-vjeçare, nisa të bëja punë të ndryshme krahu dhe ndërkohë ndiqja një shkollë nate për të përfunduar arsimimin që e kisha lënë përgjysmë. Mirëpo në vendin e punës shihja diskriminim. Për shembull, punëtorët anglezë paguheshin më shumë se imigrantët. Ndjenja e drejtësisë më shtyu të bëhesha aktiviste e sindikatës. Organizoja gratë imigrante të bënin grevë për paga të barabarta. Më digjej zemra për drejtësi.

Gjej përgjigjen

I takova Dëshmitarët e Jehovait për herë të parë në vitin 1968, kur dy Dëshmitarë trokitën në derën time. Premtimi se Mbretëria do të sillte barazi për të gjithë, më bëri menjëherë për vete. Një nga Dëshmitarët u kthye me gruan e tij. Fillova të studioja Biblën dhe me mua u bashkuan edhe motra ime Xhasuinder dhe gjysmëmotra Çani. Na mjaftuan 6 mësime për t’u bindur se Jehovai është Perëndia i vërtetë, se Bibla është Fjala e tij dhe se vetëm Mbretëria do të sjellë drejtësi të vërtetë për të gjithë.

Megjithatë hasëm kundërshtim të egër nga familja. Pas vdekjes së babait, rolin e kreut të familjes e mori gjysmëvëllai im. I nxitur nga njerka filloi të na kundërshtonte. Rrihte motrat e mia më të vogla, Xhasuinderin dhe Çanin, duke i shkelmuar me këpucë pune me majë hekuri. Mua nuk më prekte sepse e dinte që, si 18-vjeçare, kisha të drejta ligjore, kurse me motrat mund t’ia hidhte pa u lagur. Njëherë mori një Bibël, e hapi, u vuri flakën faqeve të saj dhe ua afroi në fytyrë duke u thënë: «Kërkojini Jehovait tuaj ta fikë zjarrin!» Edhe pse në atë kohë kishim ndjekur fshehurazi pak mbledhje, kishim shumë dëshirë t’i shërbenim të vetmit Perëndi të vërtetë, Jehovait. Mirëpo, kjo dukej e pamundur në ato rrethana. Prandaj filluam të planifikonim që të iknim nga shtëpia drejt një vendi më të sigurt.

Nisëm të kursenim fshehurazi paratë e drekës, të biletës së autobusit dhe një pjesë të rrogës sime. Pjesën tjetër duhej t’ia dorëzoja njerkës. Blemë 3 valixhe që i mbanim larg shtëpisë dhe dalëngadalë i mbushëm me rrobat tona. Në maj të 1972-shit, kur Xhasuinderi ishte gati 18 vjeçe dhe kishim 100 paunde (260 dollarë amerikanë), morëm trenin për në Penzas, në jugperëndim të Anglisë. Kur mbërritëm atje, telefonuam vëllezërit nga një kabinë telefonike. Ata na mirëpritën krahëhapur. Bënim punë nga më të ndryshmet, për shembull pastronim peshq, për të siguruar paratë që të merrnim me qira një shtëpi.

Studimin e Biblës e vazhduam me një çift të moshuar, Herri dhe Beti Brigs. Në shtator 1972, ndërsa ishim ende larg familjes, u pagëzuam në një pishinë të vogël që ndodhej poshtë podiumit të Sallës së Mbretërisë në Truro. Çani filloi shërbimin si pioniere, kurse unë dhe Xhasuinderi e mbështetnim financiarisht.

Shërbejmë atje ku ka më shumë nevojë

Herri dhe Beti, edhe pse në fund të të 80-ave, shkonin rregullisht për të predikuar në Ishujt e Silit, afër bregut jugperëndimor të Anglisë. Shembulli i tyre na nguliti në zemër dëshirën për të bërë edhe ne njësoj. Prandaj në vitin 1973, pas bisedës me vëlla Skinerin që përshkrova në hyrje, e dinim ç’duhej të bënim.

Në janar të 1974-s, blemë bileta vetëm vajtje për në Nju-Delhi, Indi, ku vëllai Dik Koterill na lejoi të qëndronim në shtëpinë misionare si mysafire. Çani shërbente si pioniere e rregullt, ndërsa unë dhe Xhasuinderi shtuam goxha kohën që kalonim në shërbim.

Si përfundim u nisëm për në Penxhab, një shtet në veriperëndim të Indisë, ku qëndruam për njëfarë kohe në shtëpinë misionare, në qytetin e Çandigarit, dhe më vonë morëm me qira një apartament. Në shtator 1974 nisa shërbimin si pioniere e rregullt dhe më 1975 më ftuan të shërbeja si pioniere speciale. Predikimi më ndihmoi të kuptoja se kishte shumë nevojë për literaturë në gjuhën penxhabe, që sa më shumë njerëz të mësonin për dashurinë dhe drejtësinë e Jehovait. Më 1976, zyra e degës në Indi na ftoi të triave të ndihmonim me përkthimin e literaturës në gjuhën penxhabe. Pa makina shkrimi dhe kompjuterë, kjo ishte një punë mjaft sfiduese. Na duhej ta bënim gjithçka me dorë, përkthimin, kontrollin dhe redaktimin. Edhe faqosjen e tekstit e bënim me dorë, shkronjë më shkronjë, dhe për këtë bashkëpunonim me një shtypshkronjë vendëse që kishte makineri mjaft të vjetra.

Kamal bashkë me shtatë vëllezër e motra nga kongregacioni i saj në Çandigar, të ulur në oborr.

Kongregacioni ynë në Çandigar, Penxhab, Indi

E gëzuar pavarësisht nga problemet me shëndetin

Rrethanat tona ndryshuan goxha shpejt. Xhasuinderi u njoh me një vëlla me të cilin u martua, dhe u transferuan në Kanada. Çani u martua me një vëlla gjerman që vinte për vizitë nga Shtetet e Bashkuara, dhe u transferuan atje. Kurse unë u ktheva në Angli në tetor të 1976-s ngaqë u sëmura rëndë. Mamaja dhe vëllai im, që nuk ishin kundër së vërtetës, jetonin në Lester dhe më mirëpritën krahëhapur që të banoja me ta. U diagnostikova me sindromën Evans, një sëmundje autoimune shumë e rrallë që dëmton qelizat e gjakut dhe që kërkon trajtime nga më të ndryshmet, përfshirë heqjen e shpretkës. M’u desh ta lija shërbimin si pioniere.

Iu luta Jehovait se, po ta merrja veten mjaftueshëm, do ta rifilloja shërbimin në kohë të plotë. Dhe ashtu bëra. Edhe pse kishte raste kur përkeqësohesha, më 1978 u transferova në Vulvehempton dhe shërbeva si pioniere në një zonë ku flitej kryesisht gjuha penxhabe. Bënim me dorë ftesa për mbledhje dhe i fotokopjonim. Ua shpërndanim njerëzve që flisnin penxhabe dhe i ftonim të dëgjonin fjalime publike. Tani në Britani ka 5 kongregacione dhe 3 grupe të gjuhës penxhabe.

Në degën e Britanisë e dinin se kisha punuar si përkthyese për gjuhën penxhabe në Indi. Prandaj më kontaktuan në fund të viteve 80. Fillova të punoja disa ditë në Bethelin e Londrës për të ndihmuar me përgatitjen e karaktereve dhe të programeve kompjuterike, si edhe për të vendosur standardet e botimit për alfabetin gurmukhi. Kisha një program shumë të ngjeshur, sepse përveç punës që bëja për të mbajtur veten, kujdesesha edhe për mamanë disa kilometra larg dhe bëja vajtje-ardhje nga Betheli. Ama isha shumë e lumtur që punoja në Bethel.

Kamal pranë një kompjuteri duke marrë stërvitje nga një vëlla.

Marr stërvitje në Bethelin e Londrës në fund të viteve 80

Në shtator të 1991-shit, më ftuan të isha pjesë e familjes Bethel dhe të punoja me përkthimin e literaturës së bazuar në Bibël në gjuhën penxhabe. Ishte një ftesë krejt e papritur. Ndihesha e pakualifikuar, sepse isha e sëmurë dhe e kisha kaluar moshën që kërkohet për të hyrë në Bethel. E megjithatë Jehovai ma dha këtë privilegj të jashtëzakonshëm. Ndonëse shërbeja e lumtur në Bethel, problemet me shëndetin vazhdonin. Më është dashur të përballem sa e sa herë me çështjen e gjakut ndërsa bëja kimioterapi dhe trajtime të tjera. Hematologët ishin kaq të mahnitur nga rikuperimi im, sa më ftuan në një seminar me rreth 40 profesionistë të mjekësisë në një spital të madh të Londrës. Shpjegova për 10 minuta qëndrimin tim jo gjak, dhe pastaj një vëlla nga Zyra e Informacioneve Spitalore drejtoi një pjesë me pyetje-përgjigje.

Gjatë këtyre momenteve të vështira, motrat e mia Xhasuinderi dhe Çani më mbështetën me dashuri. Veç kësaj i jam tejet mirënjohëse familjes Bethel dhe bashkëbesimtarëve të tjerë për ndihmën dhe mirësinë e tyre. Gjatë gjithë sprovave, Jehovai më ka dhënë fuqi të vazhdoj në caktimin tim.—Psalmi 73:26.

Bekimi i Jehovait të bën të pasur

Këto 33 vite që kam shërbyer në Bethel, më kanë dhënë mundësinë ‘të provoj dhe të shijoj sa i mirë është Jehovai’. (Psalmi 34:8; Proverbat 10:22) Shembulli i të moshuarve besnikë më motivon. Kur kthej kokën pas, dijenia se shumë nga ata me të cilët kam studiuar Biblën në gjuhën penxhabe janë bërë shërbëtorë besnikë të Jehovait, më gëzon pa masë. Kam një marrëdhënie të mirë me familjarët. Mamaja dhe vëllai im nuk janë Dëshmitarë, por ajo shpesh më thotë: «Je vërtet e përkushtuar ndaj Perëndisë.» Kur u ofrova të lija Bethelin që të kujdesesha gjithë kohës për mamanë e moshuar, vëllai më tha: «Ti po bën një punë të shkëlqyer. Qëndro atje.» Edhe pse mamaja jeton në një shtëpi të moshuarish larg nga Betheli, e vizitoj sa më shpesh të mundem.

Sa herë kaloj një sprovë në jetën time, i them vetes: «Mos ki frikë Kamal. Jehovai është mburoja jote. Shpërblimi yt do të jetë shumë i madh.» (Zanafilla 15:1) Falënderoj Jehovain, ‘Perëndinë e drejtësisë’ që më vuri re që kur isha një vajzë e vogël dhe ma mbushi jetën me punë domethënëse. (Isaia 30:18) Gjithashtu mezi pres kohën kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.

Kamal duke buzëqeshur në recepsionin e Bethelit në Çelmsford.

Në Bethelin e Çelmsfordit

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo