SI PËRDOREN DHURIMET E TUA
Sigurojnë ndihma në mes të një bote me «luftëra dhe lajme luftërash»
27 MAJ 2022
Në këto ditë të fundit presim ‘të dëgjojmë të flitet për luftëra dhe lajme luftërash’. (Mateu 24:6) Gjithsesi, vëllezërit që hasin vështirësi për shkak të këtyre luftërave, marrin ndihmën e nevojshme. Raporti nga Trupi Udhëheqës nr. 3, 2022 jep informacione zemërdhënëse për ndihmën që po sigurohet në Evropën Lindore për ata që po vuajnë për shkak të luftës në Ukrainë. Si po e sigurojnë ndihmën vëllezërit ndërsa lufta pranë tyre bën kërdinë? Si po ndikon furnizimi me ndihma te vëllezërit në Ukrainë?
Çfarë ndihme kërkohet? Si jepet?
Më 24 shkurt 2022, ditën kur nisi lufta në Ukrainë, Komiteti i Koordinatorëve miratoi një buxhet për të mbështetur vëllezërit atje. Dega e Ukrainës nisi menjëherë të blinte në vend gjëra të nevojshme dhe t’i shpërndante nëpërmjet 27 Komiteteve të Ndihmës në Rast Katastrofash që kishte formuar.
Përveç punës në degën e Ukrainës, në Selinë Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait nisi menjëherë puna për të gjetur mënyra praktike për të ndihmuar. Komiteti i Koordinatorëve dhe Komiteti i Botimit të Trupit Udhëheqës i kërkuan Repartit Global të Blerjeve të punonte me përfaqësuesit e zyrave të degës në Ukrainë dhe në Poloni për të ditur si t’i plotësonin nevojat e vëllezërve dhe për të zhvilluar një plan veprimi. Vëllezër nga reparti i Blerjeve, i Transportit dhe ai Ligjor i secilës degë, një anëtar i Komitetit të Degës së Ukrainës dhe anëtarë të Repartit Global të Blerjeve mblidheshin çdo ditë për të bashkërenduar përpjekjet.
Pakoja me ndihma përfshin ushqime, produkte higjienike dhe kartolina inkurajimi të bëra me dorë
Xhei Suini nga Reparti Global i Blerjeve, tregon: «Së pari duhej të përcaktonim çfarë nevojitej. Donim të siguronim ushqime dhe artikuj higjieno-sanitarë me të cilët vëllezërit vendës ishin mësuar. Gjithsesi, identifikimi i gjërave që duheshin, ishte vetëm njëra anë e problemit. Duhej të përcaktonim edhe si t’i shpërndanim në Ukrainë në mënyrën më të sigurt e të shpejtë të mundshme në mes të luftës.»
Deri më 9 mars 2022, vëllezërit arritën të përcaktonin cilat ndihma duheshin. Duheshin përgatitur kuti me ushqime bazë, si mish e peshk i konservuar, drithëra, oriz, fasule dhe mjete të domosdoshme për higjienën, si sapun e letër higjienike. Në atë kohë u përllogarit se furnizimet 4-javore për 1 person shkonin aty te 65 dollarë. Komiteti i Koordinatorëve miratoi një buxhet të konsiderueshëm, duke marrë parasysh se mund të kishte mijëra vëllezër që do të kishin nevojë për këto ndihma. Por, si do të shpërndaheshin ndihmat, pa rrezikuar jetën e vëllezërve?
Më 13 mars, 2 vëllezër nga Polonia bënë një provë shpërndarjeje nga dega e Polonisë në një magazinë pranë Lvivit, Ukrainë. Ca ditë para se të niseshin, anëtarë nga dega e Polonisë dhe e Ukrainës i ndihmuan dy vullnetarët të përgatiteshin për udhëtimin. Dega bëri gati dokumentet e nevojshme ligjore për të çuar ndihma përtej kufirit, dhe u sigurua që makinat e vëllezërve të dalloheshin qartë se ishin për të shpërndarë ndihma. Gjithashtu bashkëpunuan me vëllezërit vendës në Ukrainë që të gjenin rrugën më të shpejtë pasi të kalonin kufirin. Falë përgatitjes së mirë dhe bekimit të Jehovait, ndihmat iu dorëzuan Komiteteve të Ndihmës në Rast Katastrofash brenda 24 orëve pas mbërritjes në Lviv, ndërsa vëllezërit u kthyen shëndoshë e mirë në Poloni.
Edhe pse rruga e parë me ndihma përfundoi me sukses, vëllezërit shpërndanë më pak se 1 ton ndihma. Duheshin edhe rreth 200 tonë. Si mund të shpërndahej sa më shpejt të ishte e mundur një sasi kaq e madhe me ndihma?
«Populli yt do të ofrohet vullnetarisht»
Pasi lexuan lajmet në sitin jw.org për vëllezërit që u prekën nga ngjarjet në Ukrainë, njerëz nga tërë bota u ofruan të ndihmonin. Shumë veta që jetojnë mijëra kilometra larg, bënë dhurime monetare për veprën botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, të bindur se këto fonde do të përdoreshin në mënyrën më të mirë të mundshme. Të tjerë që jetojnë në vendet në kufi me Ukrainën, ofruan kohën, energjinë dhe të ardhurat e tyre personale për të dhënë një dorë. Shihni vetëm pak shembuj.
Në Poloni, vullnetarë të gatshëm paketuan dhjetëra mijë kuti me ndihma dhe fëmijët bënë kartolina me dorë. Bartosh Koshjelniaku nga Reparti Global i Blerjeve në degën e Polonisë, tha: «E kam lexuar sa e sa herë Psalmin 110:3, ku thuhet se ‘populli i Jehovait do të ofrohej vullnetarisht’. Mirëpo, për mua këto fjalë kanë dalë më të vërteta se kurrë, teksa shihja me sytë e mi mbështetjen pa kursim të qindra vullnetarëve të gatshëm tek vinin sa hap e mbyll sytë dhe i përvisheshin punës.»
Një Dëshmitar i Jehovait që është pronar i një kompanie transporti ndërkombëtare dhe që vuri në dispozicion kamionët dhe karburantin e nevojshëm për ta, tha: «E shoh këtë si një mundësi për të treguar dashurinë time për vëllezërit dhe për Jehovain. Jam i lumtur që edhe unë dhashë një dorë.» Është përllogaritur se janë dhuruar mbi 7.700 litra karburant. Gjithashtu, vëllezërit kanë përdorur kohën dhe energjinë për të udhëtuar gati 48.000 kilometra për të shpërndarë ndihmat.
Falë gatishmërisë dhe punës së dashur të vëllezërve e të motrave, deri më 28 mars—fiks 15 ditë pas shpërndarjes së ndihmave të para—në Ukrainë u dërguan 100 tonë ushqim, materiale për higjienën dhe furnizime mjekësore. Përveç kësaj, ngaqë vëllezërit dhe furnitorë të ndryshëm kanë ofruar bujarisht të mira materiale, janë përdorur shumë më pak nga fondet e miratuara për pakot e ndihmave. Deri sot, Dëshmitarët e Jehovait kanë dërguar mbi 190 tonë ndihma në Ukrainë. Si i kanë ndihmuar vëllezërit këto furnizime?
«Aty ishte paketuar edhe dashuria juaj!»
Sapo pakot mbërritën në Lviv, Komitetet e Ndihmës në Rast Katastrofash në gjithë Ukrainën ua shpërndanë atyre që kishin nevojë. Pakot janë shpërndarë në qytete të ndryshme, disa prej të cilave mbi 1.300 kilometra larg Lvivit. Edhe pse gjithë puna u krye sa më mirë të ishte e mundur, prapë u desh goxha kohë.a
Markus Reinharti, anëtar i Komitetit të Degës në Ukrainë, u shpreh: «Gjatë kësaj krize, shumë vëllezër e kanë parë me sytë e tyre dashurinë e Jehovait dhe bekimet që vijnë kur e ndjek me kujdes drejtimin e organizatës së tij—edhe para se të ndodhin katastrofat. Sa për të bërë një shembull, të gjithë ishim inkurajuar të mbanim në shtëpi ushqime dhe ujë rezervë për disa javë. Duke komentuar për këtë drejtim, Antoni, një plak që shërben në Kiev, tha: ‘Organizata e Jehovait na ka përgatitur për situata kritike dhe jemi mirënjohës për këtë. Rezervat me ushqime e ujë dhe radioja na e kanë shpëtuar vërtet jetën.’ Jemi shumë mirënjohës që vëllezërit iu bindën këtij drejtimi, sepse kjo i dha kohën e mjaftueshme zyrës së degës të organizonte shpërndarjen e ndihmave të nevojshme.»
Si u ndien vëllezërit pasi morën ndihmat? Mikola dhe Zinaida, të cilët jetojnë në Harkov, shprehen kështu: «Jemi prekur thellë nga meraku që keni për ne. Shumë faleminderit për ushqimet dhe ilaçet! Nuk kemi pikë dyshimi se Jehovai po kujdeset për ne.» Valentina që jeton në të njëjtën zonë, thotë: «Që kur nisi lufta, njerëzit prisnin në radhë të gjata nëpër dyqane ushqimore dhe jo gjithmonë arrije t’i blije gjërat e nevojshme. Mirëpo, Jehovai ishte në dijeni të këtij problemi. Ai caktoi vëllezërit të shpërndanin ndihma nëpër shtëpi. Pakot përmbanin fiks çfarë na duhej! Në rrethana të tilla të vështira, kur situata duket e pashpresë, e ndien merakun e Jehovait dhe të organizatës së tij në një mënyrë speciale. . . . Është kënaqësi e jashtëzakonshme të marrësh ndihmën aq të domosdoshme, pikërisht në momentin që të duhet.»
Jevheni dhe Irina, që u larguan nga Mariupoli, thonë: «Jemi jashtë mase mirënjohës që jeni kujdesur për familjen tonë dhe që na keni mbështetur. Pa diskutim që ishte fiks në kohën e duhur. Sinqerisht, në fillim menduam se do të gjenim vetëm produkte në ato kuti. Mirëpo, kur i hapëm, pamë se aty ishte paketuar edhe dashuria juaj!»
Duket qartë se Jehovai përdori frymën e tij të shenjtë për të drejtuar shërbëtorët e tij, që të siguronin këto ndihma të dashura mes ‘luftërave dhe lajmeve për luftërat’. Një rol të rëndësishëm në dhënien e ndihmave luajtën edhe dhurimet tuaja bujare për veprën mbarëbotërore, shumica prej të cilave bëhen në donate.jw.org. Ju jemi tejet mirënjohës për bujarinë që tregoni!
Sigurojnë ndihmë në mënyrën më të shpejtë e më të sigurt që është e mundur
24 shkurt 2022: Komiteti i Koordinatorëve miratoi një buxhet për ndihmat në Ukrainë, dhe kjo i dha mundësi degës të niste punën për këtë qëllim
24 shkurt–8 mars 2022: Dega e Ukrainës bleu ca furnizime në vend dhe nisi t’i shpërndante nëpërmjet Komiteteve të Ndihmës në Rast Katastrofash. Zyra e degës u përgatit të merrte e të shpërndante të mira materiale edhe nga Polonia
9 mars 2022: Komiteti i Koordinatorëve miratoi shpërndarjen e ndihmave humanitare në Ukrainë
10–12 mars 2022: U bënë plane për një provë shpërndarjeje për ushqimet dhe furnizime të tjera nga Polonia në Lviv, Ukrainë
13 mars 2022: U realizua prova e parë kur vëllezërit dërguan ushqime dhe furnizime të tjera nga Polonia në Lviv, Ukrainë
14–16 mars 2022: Vullnetarë të Repartit Vendës të Projektim-Ndërtimit u organizuan të paketonin kuti me ushqime dhe mjete higjienike në një Sallë Asamblesh pranë Poznanit, Poloni
17 mars 2022: 4 ditë pas kësaj prove të suksesshme, drejt kufirit me Ukrainën u dërguan 13 tonë ndihma
21–27 mars 2022: Duke ndjekur të njëjtin model, ndihmat që mbetën, u paketuan në Poloni dhe u dërguan në Ukrainë. Pastaj, brenda 24 orëve u shpërndanë në zona të ndryshme ku kishte nevojë
28 mars 2022: Brenda 20 ditëve pasi u dha miratimi, në Ukrainë u dërguan edhe 100 tonë ushqime, materiale higjienike dhe furnizime mjekësore
Deri sot, Dëshmitarët e Jehovait kanë dërguar në Ukrainë mbi 190 tonë ndihma.
a Që të dish më shumë për mënyrën si janë shpërndarë këto ndihma, të lutemi lexo artikullin «Me guxim, vëllezërit në Ukrainë shpërndajnë ndihma dhe shpëtojnë të tjerë nga zona e luftës».