Burgosen për shkak të besimit—Ukrainë
Për thuajse 3 dekada, Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë kanë nxjerrë dobi nga ligji që u jepte të drejtë të kryejnë shërbim alternativ civil atyre që refuzojnë të bëjnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Shërbimi alternativ u jep mundësi të kryejnë shërbime të ndryshme në dobi të komunitetit dhe njëkohësisht të veprojnë në përputhje me ndërgjegjen e tyre.
Mirëpo nisja e luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, zbuloi se nuk kishte një procedurë ligjore për shërbimin alternativ civil gjatë mobilizimit ushtarak. Kjo solli si pasojë përndjekje penale për qindra veta që refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Në këtë situatë, nuk pranohen bindjet e rrënjosura thellë që motivojnë qëndrimin e tyre të pakompromentueshëm dhe nuk respektohet e drejta e tyre për të vepruar në përputhje me ndërgjegjen. Një trajtim i tillë bie ndesh me parimet e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën e Ukrainës, që thotë: «Në rast se kryerja e shërbimit ushtarak bie në kundërshtim me bindjet fetare të një nënshtetasi, kryerja e kësaj detyre duhet zëvendësuar me shërbim alternativ (joushtarak).»
Deri më 17 qershor 2025, gjithsej 4 burra Dëshmitarë janë në burg ngaqë refuzojnë ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe po kryejnë një dënim prej 36 muajsh. Aktualisht tre Dëshmitarë të tjerë janë në paraburgim, duke pritur shpalljen e vendimit.
Organizatat ndërkombëtare ngrenë shqetësime
Duke vërejtur këto ngjarje, tre Raportues Specialë të OKB-së kanë ngritur shqetësime për mungesën e shërbimit alternativ civil në Ukrainë. Në komunikimet e tyre me qeverinë ukrainase, të datës 8 nëntor 2023, deklaruan: «Na shqetëson edhe përndjekja e atyre që refuzojnë të kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për arsye ndërgjegjeje, ndër ta edhe të personave që janë përfshirë në mbrojtjen e së drejtës për të refuzuar shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes.»
Tabelë kronologjike
17 qershor 2025
Gjithsej 7 Dëshmitarë janë në burg.
24 shkurt 2022
Shpallet gjendje lufte dhe nis mobilizimi i plotë.
23 qershor 2015
Gjykata e Lartë e Ukrainës mbron të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes në rast mobilizimi ushtarak, në çështjen e Vitalij Shalaikos.
Dhjetor 1991
Implementohet Ligji i Shërbimit Alternativ (Joushtarak).
28 shkurt 1991
Dëshmitarët e Jehovait regjistrohen si fe zyrtare në Ukrainë.