E premte, 25 korrik
Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.—Mat. 28:20.
Që nga Lufta II Botërore, shërbëtorët e Jehovait në shumë vende kanë gëzuar njëfarë paqeje dhe lirie për të predikuar lajmin e mirë. E vepra e predikimit ka lulëzuar vërtet. Sot anëtarët e Trupit Udhëheqës vazhdojnë t’i mbajnë sytë nga Krishti për drejtim. Ata duan që udhëzimet që u japin vëllezërve dhe motrave për çështje të ndryshme të pasqyrojnë pikëpamjen e Jehovait dhe të Jezuit. Këto udhëzime ua përcjellin kongregacioneve me anë të mbikëqyrësve qarkorë dhe pleqve. Pleqtë e mirosur, e madje edhe gjithë pleqtë e tjerë, janë «në dorën e djathtë» të Krishtit. (Zbul. 2:1) Natyrisht, pleqtë janë të papërsosur dhe bëjnë gabime. Edhe Moisiu, Josiu dhe apostujt gabuan në disa raste. (Num. 20:12; Jos. 9:14, 15; Rom. 3:23) Prapëseprapë, Krishti i drejton me kujdes skllavin besnik dhe pleqtë e do të vazhdojë ta bëjë këtë. Prandaj kemi arsye të forta për t’i besuar drejtimit që na jep nëpërmjet vëllezërve që ka emëruar. w24.02 23-24 ¶13-14
E shtunë, 26 korrik
Bëhuni . . . imitues të Perëndisë, si bij të dashur.—Efes. 5:1.
Sot mund ta kënaqim Jehovain duke folur për të me përzemërsi, me mirënjohje dhe me dashuri. Kur jemi në shërbim, nuk harrojmë se synimi ynë kryesor është t’i afrojmë njerëzit me Jehovain dhe ta duan Atin tonë siç e duam ne. (Jak. 4:8) Kënaqemi pa masë kur i ndihmojmë ta njohin Jehovain nëpërmjet faqeve të Biblës, duke u treguar për dashurinë, drejtësinë, mençurinë, fuqinë e tij dhe për të tjera cilësi tërheqëse. Për më tepër, e lëvdojmë dhe e kënaqim Jehovain kur bëjmë çmos ta imitojmë. Kështu të tjerëve do t’u bjerë në sy se jemi të ndryshëm nga njerëzit e kësaj bote të ligë dhe mund të vrasin mendjen pse. (Mat. 5:14-16) Teksa kryejmë aktivitetet e përditshme, ndoshta na jepet mundësia të shpjegojmë pse veprojmë në njëfarë mënyre. Kjo i ndihmon njerëzit e sinqertë të afrohen me Perëndinë tonë. Kur e lëvdojmë në këto mënyra Jehovain, ia kënaqim zemrën.—1 Tim. 2:3, 4. w24.02 10 ¶7
E diel, 27 korrik
Të jetë në gjendje edhe të japë zemër . . . , edhe të korrigjojë.—Titit 1:9.
Që të bëhesh një vëlla i pjekur, duhet të zhvillosh aftësi praktike. Kjo do të të ndihmojë të marrësh mbi supe përgjegjësi në kongregacion, të mbash një punë që të sigurosh gjërat e nevojshme për veten ose familjen, si edhe të kesh marrëdhënie të mira me të tjerët. Për shembull, mëso të lexosh e të shkruash mirë. Bibla tregon se një njeri që është i lumtur dhe ka sukses, lë kohë çdo ditë që të lexojë Fjalën e Perëndisë e ta bluajë në mendje. (Psal. 1:1-3) Duke lexuar përditë Biblën, do të kuptojë si mendon Jehovai, e kjo do ta ndihmojë të mendojë me kthjelltësi dhe të arsyetojë mirë. (Prov. 1:3, 4) Bashkëbesimtarët kanë nevojë që vëllezërit në kongregacion të jenë të aftë t’i mësojnë dhe t’i këshillojnë duke u bazuar te Bibla. Nëse di të lexosh dhe të shkruash mirë, do të përgatitësh fjalime e komente që u sjellin dobi të tjerëve dhe u forcojnë besimin. Gjithashtu do të mbash shënime domethënëse, që do të të ndihmojnë të kalitësh besimin tënd dhe t’u japësh zemër të tjerëve. w23.12 26-27 ¶9-11