BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es25 f. 67-77
  • Korrik

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Korrik
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
  • Nëntema
  • E martë, 1 korrik
  • E mërkurë, 2 korrik
  • E enjte, 3 korrik
  • E premte, 4 korrik
  • E shtunë, 5 korrik
  • E diel, 6 korrik
  • E hënë, 7 korrik
  • E martë, 8 korrik
  • E mërkurë, 9 korrik
  • E enjte, 10 korrik
  • E premte, 11 korrik
  • E shtunë, 12 korrik
  • E diel, 13 korrik
  • E hënë, 14 korrik
  • E martë, 15 korrik
  • E mërkurë, 16 korrik
  • E enjte, 17 korrik
  • E premte, 18 korrik
  • E shtunë, 19 korrik
  • E diel, 20 korrik
  • E hënë, 21 korrik
  • E martë, 22 korrik
  • E mërkurë, 23 korrik
  • E enjte, 24 korrik
  • E premte, 25 korrik
  • E shtunë, 26 korrik
  • E diel, 27 korrik
  • E hënë, 28 korrik
  • E martë, 29 korrik
  • E mërkurë, 30 korrik
  • E enjte, 31 korrik
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
es25 f. 67-77

Korrik

E martë, 1 korrik

Ai përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar.—Vep. 10:38.

Në çdo gjë që tha e bëri, pra edhe në mrekullitë që kreu, Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur mendimet dhe ndjenjat e Atit të tij. (Gjoni 14:9) Çfarë mësimesh nxjerrim nga mrekullitë e Jezuit? Jezui dhe Ati i tij na duan me gjithë shpirt. Kur ishte në tokë, Jezui e tregoi se i do njerëzit nga thellësia e shpirtit duke e përdorur fuqinë për të kryer mrekulli që t’u lehtësonte vuajtjet. Në një rast, dy të verbër iu përgjëruan për ndihmë. (Mat. 20:30-34) «I shtyrë nga keqardhja», Jezui i shëroi. Folja greke që këtu është përkthyer «i shtyrë nga keqardhja» nënkupton një dhembshuri të madhe që e ndien thellë në trup. Kjo dhembshuri e thellë—që është një shprehje e dashurisë—e shtyu Jezuin edhe të ushqente të uriturit e të shëronte një të lebrosur. (Mat. 15:32; Mar. 1:41) Mund të jemi të sigurt se Jehovai, Perëndia i «zemërdhembshurisë», dhe Biri i tij na duan me gjithë shpirt dhe ndiejnë dhimbje kur vuajmë. (Luka 1:78; 1 Pjet. 5:7) Pa dyshim, atyre u digjet zemra t’u japin fund të gjitha problemeve që mundojnë njerëzimin! w23.04 3 ¶4-5

E mërkurë, 2 korrik

Ju që doni Jehovain, urreni të keqen. Ai e ruan jetën e besnikëve të tij dhe i shpëton nga dora e të ligjve.—Psal. 97:10.

Mund të marrim masa praktike për t’i shmangur në maksimum mentalitetin dhe idetë e gabuara, që janë kaq të përhapura në botën e Satanait. Gjithashtu ta mbushim mendjen me mendime të dobishme duke lexuar dhe studiuar Biblën. Edhe pjesëmarrja në mbledhje e në shërbim do të na e mbrojë mendjen. Ndërkohë Jehovai ka premtuar se nuk do të lejojë të sprovohemi përtej asaj që mund të mbajmë. (1 Kor. 10:12, 13) Secili nga ne ka nevojë të lutet më shumë se kurrë që t’i qëndrojë besnik Jehovait në këto ditë të fundit të vështira. Ai dëshiron ‘t’ia zbrazim zemrën’ në lutje. (Psal. 62:8) Lëvdoje Jehovain dhe falënderoje për çdo gjë që bën. Kërkoji të të ndihmojë të jesh i guximshëm në shërbim. Përgjëroju për ndihmë që të përballosh çdo problem dhe t’i rezistosh çdo tundimi që has. Mos lejo asgjë ose askënd të të pengojë t’i lutesh rregullisht Jehovait. w23.05 7 ¶17-18

E enjte, 3 korrik

Le të interesohemi për njëri-tjetrin . . . , t’i japim zemër njëri-tjetrit.—Hebr. 10:24, 25.

Pse i ndjekim mbledhjet e kongregacionit? Mbi të gjitha, për t’i dhënë lavdi Jehovait. (Psal. 26:12; 111:1) I ndjekim mbledhjet edhe që t’i japim zemër njëri-tjetrit në këto kohë të vështira. (1 Sel. 5:11) Kur ngremë dorën dhe komentojmë, i plotësojmë të dyja këto qëllime. Por kur duam të komentojmë, mund të hasim vështirësi. Disa mund të kenë ankth të komentojnë. Të tjerë mund të kenë shumë qejf të bëjnë komente, por nuk u jepet fjala aq shpesh sa do të donin. Si mund t’i kapërcejmë këto vështirësi? Apostulli Pavël tha se meraku ynë kryesor duhet të jetë «t’i japim zemër njëri-tjetrit». Kur mbajmë parasysh që mund t’u japim zemër të tjerëve qoftë edhe me një koment të thjeshtë ku shprehim besimin tonë, do ta kemi më të lehtë të ngremë dorën për të komentuar. E nëse nuk na jepet shpesh fjala, mund të jemi të lumtur që do të kenë mundësi motra e vëllezër të tjerë të komentojnë.—1 Pjet. 3:8. w23.04 20 ¶1-3

E premte, 4 korrik

Shkoni, . . . në Jerusalem . . . dhe rindërtoni shtëpinë e Jehovait.—Ezd. 1:3.

Lajmi mori dhenë! Judenjtë që kishin qenë robër në Babiloni për 70 vjet, ishin të lirë të ktheheshin në atdheun e tyre, në Izrael. (Ezd. 1:2-4) Këtë mund ta bënte vetëm Jehovai! Sepse zakonisht Babilonia nuk i lironte robërit e saj. (Isa. 14:4, 17) Por Babilonia ishte mposhtur, dhe mbreti i ri nxori shpalljen që judenjtë mund të largoheshin. Të gjithë judenjtë, sidomos kryefamiljarët, duhej të merrnin një vendim: ose të largoheshin nga Babilonia, ose të rrinin aty. Ai nuk duhet të ketë qenë një vendim i lehtë. Shumë judenj nuk i përballonin dot vështirësitë e udhëtimit për shkak të moshës së thyer. Gjithashtu, shumica e judenjve kishin lindur në Babiloni, pra ajo ishte shtëpia e tyre, kurse Izraeli ishte vetëm vendi i të parëve. E disa judenjve duket se u kishte ecur goxha mbarë në Babiloni, prandaj ndoshta e kishin të vështirë të linin shtëpinë e rehatshme dhe biznesin e të shpërnguleshin në një vend të panjohur. w23.05 14 ¶1-2

E shtunë, 5 korrik

Rrini gati.—Mat. 24:44.

Fjala e Perëndisë na nxit të vazhdojmë të zhvillojmë cilësitë e qëndrueshmërisë, dhembshurisë dhe dashurisë. Luka 21:19 thotë: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.» Te Kolosianëve 3:12 lexojmë: «Vishuni me . . . dhembshuri.» Dhe te 1 Selanikasve 4:9, 10 thuhet: «Vetë Perëndia ju ka mësuar që ta doni njëri-tjetrin. . . . Por ju nxitim, vëllezër, të vazhdoni kështu në masë edhe më të plotë.» Të gjitha këto vargje u drejtoheshin dishepujve që kishin treguar tashmë qëndrueshmëri, dhembshuri dhe dashuri. Gjithsesi, ata duhej të vazhdonin t’i zhvillonin këto cilësi. Njësoj duhet të bëjmë edhe ne. Prandaj, shqyrto si i shfaqën këto cilësi të krishterët e hershëm. Pastaj shiko si mund t’i imitosh ata dishepuj, e kështu të tregosh se je gati për shtrëngimin e madh. Dhe, kur të nisë shtrëngimi i madh, do të kesh mësuar si të tregosh qëndrueshmëri e do të jesh i vendosur të qëndrosh i palëkundur. w23.07 2 ¶4; 3 ¶8

E diel, 6 korrik

Do të ketë një rrugë të gjerë, . . . Udha e Shenjtërisë.—Isa. 35:8.

Pavarësisht nëse jemi të mirosur apo nga ‘delet e tjera’, duhet të qëndrojmë në ‘Udhën e Shenjtërisë’, sepse duke ecur në të do të vazhdojmë të gëzojmë sot parajsën e figurshme dhe në fund bekimet që do të sjellë Mbretëria. (Gjoni 10:16) Që nga viti 1919, miliona burra, gra dhe fëmijë kanë dalë nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, e kanë nisur të udhëtojnë në këtë rrugë të figurshme. Kur judenjtë u larguan nga Babilonia, Jehovai u sigurua të hiqej çdo pengesë nga rruga e tyre. (Isa. 57:14) Po ç’të themi për ‘Udhën e Shenjtërisë’ sot? Për shumë shekuj para vitit 1919, Jehovai përdori burra me nderim të thellë për Të që të përgatitnin rrugën për të dalë nga Babilonia e Madhe. (Krahaso Isainë 40:3.) Ata bënë punën e nevojshme për ta shtruar atë rrugë, që njerëzit me zemër të sinqertë të dilnin nga Babilonia e Madhe dhe të hynin në parajsën e figurshme, ku është rivendosur adhurimi i pastër i Jehovait. w23.05 15-16 ¶8-9

E hënë, 7 korrik

Shërbejini Jehovait me gëzim! Ejani përpara tij me britma hareje!—Psal. 100:2.

Jehovai do që t’i shërbejmë me gëzim e me dëshirë. (2 Kor. 9:7) Atëherë, nëse nuk na vjen të punojmë për një synim, a duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë? Mendo për shembullin e apostullit Pavël. Ai tha: «E disiplinoj rreptësisht trupin tim dhe e nënshtroj si skllav.» (1 Kor. 9:25-27, shën.) Pavli e detyronte veten të bënte atë që ishte e drejtë edhe kur nuk i vinte natyrshëm. A ishte i kënaqur Jehovai me shërbimin e Pavlit? Absolutisht po! E Jehovai e shpërbleu për përpjekjet e tij. (2 Tim. 4:7, 8) Pra, Jehovait i gëzon zemra kur sheh që përpiqemi ta arrijmë një synim edhe kur nuk ndihemi të motivuar. Pse? Sepse e di që, ndonëse mund të mos na pëlqejë gjithmonë ajo që bëjmë, prapë e bëjmë ngaqë e duam atë. Ashtu siç bekoi Pavlin, Jehovai do të na bekojë edhe ne për përpjekjet tona. (Psal. 126:5) E ndërsa shijojmë bekimet e Jehovait, kjo mund të na motivojë që të vazhdojmë të përpiqemi. w23.05 29 ¶9-10

E martë, 8 korrik

Dita e Jehovait [po] vjen.—1 Sel. 5:2.

Apostulli Pavël tha se ata që nuk do t’i mbijetojnë ditës së Jehovait, janë si njerëzit që flenë. Ata s’e kanë idenë ç’ndodh përreth dhe nuk e dinë se koha po kalon. Prandaj nuk e kuptojnë se po ndodhin ngjarje të rëndësishme dhe s’mund të reagojnë. Shumica e njerëzve sot janë në gjumë. (Rom. 11:8) Ata mbyllin sytë para dëshmive që tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit» dhe se shtrëngimi i madh është te pragu. (2 Pjet. 3:3, 4) Kurse ne e kuptojmë se nga dita në ditë po bëhet më urgjente të zbatojmë këshillën e frymëzuar për të qëndruar zgjuar. (1 Sel. 5:6) Prandaj, duhet të ruajmë qetësinë dhe ekuilibrin. Pse? Sepse kjo na ndihmon të mos përzihemi në çështjet e sotme politike ose sociale. Presioni që të mbajmë anë në këto çështje, do të shtohet sa më shumë të afrohet dita e Jehovait. Por s’ka pse të na zërë ankthi se si do të reagojmë. Fryma e Perëndisë mund të na ndihmojë të mendojmë me qetësi e në mënyrë të ekuilibruar dhe të marrim vendime të mençura.—Luka 12:11, 12. w23.06 9-10 ¶6-7

E mërkurë, 9 korrik

O Zotëri Sovran Jehova, të lutem, kujtohu për mua . . . më jep forcë.—Gjyk. 16:28.

Çfarë të vjen ndër mend kur dëgjon emrin Samson? Ka shumë të ngjarë që mendon për një burrë me fuqi të paparë. Dhe ashtu ishte. Mirëpo Samsoni mori një vendim të pamend që i solli shumë vuajtje. Gjithsesi, Jehovai u përqendrua te gjithë ato raste kur Samsoni ishte treguar besnik. Dhe shembullin e besnikërisë së tij e ruajti në Bibël për dobinë tonë. Jehovai e përdori Samsonin që të bënte gjëra të mahnitshme për të ndihmuar popullin e Tij të zgjedhur, Izraelin. Shekuj pas vdekjes së Samsonit, Jehovai frymëzoi apostullin Pavël që ta përfshinte emrin e Samsonit në një listë me shërbëtorë të tij që kishin shfaqur besim të jashtëzakonshëm. (Hebr. 11:32-34) Shembulli i Samsonit mund të na inkurajojë. Ai u mbështet te Jehovai edhe në rrethana të vështira. Mund të marrim zemër dhe të nxjerrim mësime praktike nga shembulli i tij. w23.09 2 ¶1-2

E enjte, 10 korrik

Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja.—Filip. 4:6.

Mund ta kalitim qëndrueshmërinë duke iu lutur shpesh Jehovait e duke ia hapur zemrën për të gjitha shqetësimet tona. (1 Sel. 5:17) Mbase tani nuk po kalon ndonjë sprovë të rëndë. Gjithsesi, a e kërkon drejtimin e Jehovait kur ndihesh i mërzitur, i pështjelluar ose sikur nuk mban dot më? Nëse e ke zakon sot t’i kërkosh ndihmë Perëndisë për problemet e përditshme, nuk do të ngurrosh ta bësh këtë edhe kur të hasësh probleme më të rënda në të ardhmen. Kështu nuk do të kesh pikë dyshimi se Jehovai e di me saktësi kur dhe si të të mbështetë. (Psal. 27:1, 3) Ka më shumë gjasa të qëndrojmë besnikë në shtrëngimin e madh, nëse tregojmë qëndrueshmëri në sprova sot. (Rom. 5:3) Pse e themi këtë? Shumë vëllezër kanë parë se çdo sprovë besimi që përballuan, i ndihmoi të qëndronin të fortë në sprovën e radhës. Qëndrueshmëria i rafinoi, duke u forcuar besimin se Jehovai është i gatshëm t’u bëhet krah. E ky besim i ndihmoi të tregonin qëndrueshmëri në sprovën tjetër.—Jak. 1:2-4. w23.07 3 ¶7-8

E premte, 11 korrik

Do ta marr parasysh këtë.—Zan. 19:21.

Përulësia dhe dhembshuria e shtyjnë Jehovain të jetë i arsyeshëm. Për shembull, përulësia e Jehovait doli në pah kur do të shfaroste banorët e ligj të Sodomës. Me anë të engjëjve të tij, Jehovai e udhëzoi Lotin e drejtë të ikte në rajonin malor. Mirëpo Loti kishte frikë të shkonte atje, ndaj iu lut Jehovait ta lejonte të ikte bashkë me familjen në Zoar, një qytezë që do të shkatërrohej. Jehovai mund të kishte ngulur këmbë që Loti t’u bindej udhëzimeve të Tij fije e për pe. Por në vend të kësaj, ia plotësoi kërkesën Lotit, ndonëse kjo nënkuptonte të mos e shkatërronte Zoarin. (Zan. 19:18-22) Shekuj më vonë, Jehovai tregoi dhembshuri për banorët e Ninevisë. Ai dërgoi profetin Jona që të njoftonte se qytetin dhe banorët e tij të ligj i priste shkatërrimi. Por kur ninevitët u penduan, Jehovait i erdhi keq për ta dhe nuk e shkatërroi qytetin.—Jon. 3:1, 10; 4:10, 11. w23.07 21 ¶5

E shtunë, 12 korrik

[Ata] e vranë [Jehoasin] . . . dhe e varrosën . . . , por jo në varret e mbretërve.—2 Kron. 24:25.

Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jehoasit? Ai ishte si një pemë me rrënjë të cekëta, që mund të rrinte në këmbë vetëm me një dru mbështetës. Kur ajo mbështetje—Jehojada—nuk ishte më dhe nisën të frynin erërat e apostazisë, Jehoasi u rrëzua. Ky është një shembull i gjallë që nderimi i thellë për Perëndinë nuk duhet të varet vetëm nga ndikimi i mirë i bashkëbesimtarëve ose i pjesëtarëve të familjes. Për të qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain, duhet ta forcojmë përkushtimin dhe nderimin e thellë për të nëpërmjet studimit, meditimit e lutjeve. (Jer. 17:7, 8; Kolos. 2:6, 7) Jehovai nuk pret tepër prej nesh. Ajo që kërkon, përmblidhet bukur tek Eklisiastiu 12:13, që thotë: «Ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë dhe zbatoji urdhërimet e tij, se ky është tërë detyrimi i njeriut.» Nderimi i thellë për Jehovain do të na motivojë t’i qëndrojmë besnikë çfarëdo sprovash të sjellë e ardhmja. E asgjë nuk do të na e dëmtojë dot miqësinë me Perëndinë tonë! w23.06 18-19 ¶17-19

E diel, 13 korrik

Ja, po bëj çdo gjë të re.—Zbul. 21:5.

Garancia e Perëndisë nis me këto fjalë: «Ai që rri ulur në fron tha.» (Zbul. 21:5a) Në librin e Zbulesës ka vetëm tri raste ku flet Jehovai, dhe ky është një prej tyre. Pra, këtë garanci nuk e jep një engjëll i fuqishëm, madje as Jezui i ringjallur, por vetë Jehovai! Ky fakt thekson se mund të kemi besim të plotë te fjalët që vijojnë. Pse e themi këtë? Sepse Jehovai «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Ky pohim na siguron se ajo që lexojmë te Zbulesa 21:5, 6 është plotësisht e besueshme. Të ndalemi te fjala «ja». Fjala greke e përkthyer «ja» përdoret shpesh në librin e Zbulesës. Çfarë tha Perëndia më pas? «Po bëj çdo gjë të re.» Vërtet, këtu Jehovai po flet për ndryshime që do të bëjë në të ardhmen. Por ai është kaq i sigurt se premtimi i tij do të realizohet, saqë flet për këto ndryshime sikur të kenë ndodhur tashmë.—Isa. 46:10. w23.11 3-4 ¶7-8

E hënë, 14 korrik

Doli përjashta dhe qau me dënesë.—Mat. 26:75.

Apostulli Pjetër luftonte me dobësitë e tij. Mendo për këto raste. Kur Jezui i shpjegoi se do të vuante e do të vdiste ashtu siç thoshin profecitë e Biblës, Pjetri e qortoi. (Mar. 8:31-33) Pjetri dhe apostujt e tjerë debatuan sa e sa herë se kush ishte më i madhi. (Mar. 9:33, 34) Natën para se te vdiste Jezui, Pjetri impulsiv i preu veshin një burri. (Gjoni 18:10) Po atë natë, Pjetrin e vuri poshtë frika dhe mohoi tri herë se e njihte mikun e tij, Jezuin. (Mar. 14:66-72) Pas kësaj, Pjetri qau me dënesë. Jezui nuk hoqi dorë nga apostulli i tij zemërlëshuar. Pasi u ringjall, Jezui i dha mundësi Pjetrit t’i përsëriste sa shumë e donte. Ai e ftoi të shërbente me përulësi si bari për delet e tij. (Gjoni 21:15-17) Pjetri e pranoi ftesën me gatishmëri. Kështu, ai ishte në Jerusalem në Festën e Ditës së Pesëdhjetë dhe qe ndër të parët që u mirosën me frymë të shenjtë. w23.09 22 ¶6-7

E martë, 15 korrik

Kulloti delet e mia të vogla.—Gjoni 21:16.

Apostulli Pjetër i nxiti pleqtë ‘të kullotnin kopenë e Perëndisë’. (1 Pjet. 5:1-4) Nëse je plak, jemi të sigurt që i do vëllezërit e motrat dhe dëshiron të kujdesesh për ta si një bari i dashur. Mirëpo ndonjëherë mund të jesh aq i zënë ose aq i lodhur, sa të duket se nuk e përmbush dot këtë caktim. Ç’mund të bësh? Fol hapur me Jehovain për çdo merak që ke. Pjetri shkroi: «Nëse dikush shërben, të shërbejë duke u mbështetur te fuqia që jep Perëndia.» (1 Pjet. 4:11) Vëllezërit e motrat ndoshta përballen me probleme që nuk mund të zgjidhen plotësisht në këtë sistem. Por mbaj parasysh se «kryebariu», Jezu Krishti, mund t’i ndihmojë shumë më mirë se ti, qoftë tani, qoftë në botën e re. Perëndia thjesht u kërkon pleqve t’i duan vëllezërit e motrat, të kujdesen për ta si barinj e të bëhen «shembuj për kopenë». w23.09 29-30 ¶13-14

E mërkurë, 16 korrik

Jehovai e di që arsyetimet e njerëzve të mençur janë të kota.—1 Kor. 3:20.

Duhet të mos drejtohemi nga arsyetimet njerëzore. Po t’i shohim gjërat nga këndvështrimi njerëzor, Jehovai dhe standardet e tij mund të dalin komplet jashtë tablosë. (1 Kor. 3:19) «Mençuria e kësaj bote» shpesh u bën thirrje dëshirave egoiste. Disa të krishterë në Pergam dhe Tiatirë përvetësuan pikëpamjet idhujtare dhe imorale që ishin goxha të përhapura në ato qytete. Jezui u dha këshilla të forta të dyja kongregacioneve ngaqë toleronin imoralitetin seksual. (Zbul. 2:14, 20) Sot përballemi me presione për të përvetësuar ide të gabuara. Familjarët dhe të njohurit mund t’u bëjnë thirrje ndjenjave tona për të na nxitur të bëjmë kompromis. Për shembull, ata mund të thonë se s’ka ndonjë të keqe të dorëzohemi para dëshirave tona dhe se normave morale të Biblës u ka ikur koha. Mbase ndonjëherë mund të arsyetojmë se drejtimi që na jep Jehovai nuk është mjaft i qartë. Madje mund të tundohemi ‘të shkojmë përtej gjërave të shkruara’.—1 Kor. 4:6. w23.07 16 ¶10-11

E enjte, 17 korrik

Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.—Prov. 17:17.

Marisë, nënës së Jezuit, i duhej forcë. Edhe pse nuk ishte e martuar, do të mbetej shtatzënë. Edhe pse nuk kishte rritur ndonjëherë fëmijë, duhej të kujdesej për fëmijën që do të bëhej Mesia. E ndonëse nuk kishte kryer kurrë marrëdhënie seksuale, duhej t’i thoshte të fejuarit të saj, Jozefit, se ishte shtatzënë. Sa të vështirë do ta ketë pasur! (Luka 1:26-33) Si mori forcë Maria? Ajo u kërkoi ndihmë të tjerëve. Për shembull, i kërkoi Gabrielit më shumë informacion për atë caktim. (Luka 1:34) Pak më vonë, bëri një udhëtim të gjatë deri në ‘rajonin malor’ të Judës për të takuar të afërmen e saj, Elizabetën. Elizabeta e lavdëroi Marinë dhe, e frymëzuar nga Jehovai, tha një profeci inkurajuese për djalin që kishte në bark Maria. (Luka 1:39-45) Maria u shpreh se Jehovai kishte bërë ‘vepra të fuqishme me krahun e tij’. (Luka 1:46-51) Nëpërmjet Gabrielit dhe Elizabetës, Jehovai i dha forcë Marisë. w23.10 14-15 ¶10-12

E premte, 18 korrik

Na bëri një mbretëri, priftërinj për Perëndinë dhe Atin e tij.—Zbul. 1:6.

Një numër i kufizuar dishepujsh të Krishtit, 144.000 veta, janë mirosur me frymë të shenjtë. Ata gëzojnë një marrëdhënie të veçantë me Jehovain dhe do të shërbejnë si priftërinj në qiell me Jezuin. (Zbul. 14:1) E Shenjta e tabernakullit paraqet gjendjen e tyre si të birësuar nga fryma si fëmijë të Perëndisë ndërsa janë ende në tokë. (Rom. 8:15-17) Më e Shenjta e tabernakullit paraqet qiellin, vendin ku banon Jehovai. «Perdja» që ndante të Shenjtën nga Më e Shenjta paraqet trupin njerëzor të Jezuit, i cili e pengonte të hynte në qiell si Kryeprift i madh i tempullit të Jehovait. Duke e dhënë trupin e tij si flijim për njerëzimin, Jezui u hapi udhën për të jetuar në qiell të gjithë të krishterëve të mirosur. Edhe ata duhet të lënë trupin njerëzor për të marrë shpërblimin që i pret në qiell.—Hebr. 10:19, 20; 1 Kor. 15:50. w23.10 28 ¶13

E shtunë, 19 korrik

Nuk do të më dilte koha po të vazhdoja të tregoja për Gideonin.—Hebr. 11:32.

Gideoni u foli me butësi efraimitëve kur e kritikuan. (Gjyk. 8:1-3) Ai nuk ua ktheu tërë inat. Tregoi përulësi duke i dëgjuar ndërsa shprehën çfarë i shqetësonte dhe duke u folur me takt. Kështu e qetësoi situatën e tensionuar. Një plak i mençur imiton shembullin e Gideonit duke dëgjuar me vëmendje dhe duke reaguar me butësi kur e kritikojnë. (Jak. 3:13) Kështu ndihmon të ruhet paqja në kongregacion. Kur e nderuan për fitoren mbi Midianin, Gideoni e përqendroi vëmendjen te Jehovai. (Gjyk. 8:22, 23) Si mund ta imitojnë pleqtë shembullin e tij? Duke ia dhënë meritën Jehovait për çdo gjë që arrijnë. (1 Kor. 4:6, 7) Për shembull, nëse e lavdërojnë për mësimdhënien, plaku mund t’ua drejtojë vëmendjen të tjerëve te burimi i mësimit, Fjala e Perëndisë, ose te stërvitja që marrim nga organizata e Jehovait. Herë pas here pleqtë bëjnë mirë të mendojnë nëse po e tërheqin tepër vëmendjen te vetja. w23.06 4 ¶7-8

E diel, 20 korrik

Mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia.—Isa. 55:8.

Nëse nuk e kemi marrë diçka që kemi kërkuar në lutje, mund t’i bëjmë vetes pyetjen: «A po lutem për gjënë e duhur?» Shpesh mendojmë se e dimë ç’është më e mira për ne. Por ajo që kërkojmë mund të mos jetë vërtet më e mira për ne. Nëse po lutemi për një problem, mund të ketë një zgjidhje më të mirë se zgjidhja për të cilën po lutemi. Veç kësaj, disa gjëra që kërkojmë, mund të mos jenë në harmoni me vullnetin e Jehovait. (1 Gjon. 5:14) Të mendojmë për prindërit, të cilët i luten Jehovait që fëmija i tyre të qëndrojë i patundur në të vërtetën. Duket kërkesë me vend. Gjithsesi, Jehovai nuk detyron askënd t’i shërbejë. Ai do që të gjithë ne, pra edhe fëmijët tanë, të zgjedhim ta adhurojmë. (Ligj. 10:12, 13; 30:19, 20) Kështu, prindërit mund t’i kërkojnë Jehovait t’i ndihmojë t’i prekin zemrën fëmijës, që të thellojë dashurinë për Të dhe të dojë të bëhet miku i Tij.—Prov. 22:6; Efes. 6:4. w23.11 21 ¶5; 23 ¶12

E hënë, 21 korrik

Vazhdoni ta ngushëlloni njëri-tjetrin.—1 Sel. 4:18.

Pse ngushëllimi ose inkurajimi është një mënyrë e rëndësishme si e tregojmë dashurinë? Sipas një vepre referimi për Biblën, fjala që përdori Pavli dhe që është përkthyer «ngushëllo» do të thotë «t’i qëndrosh pranë dikujt për ta inkurajuar kur po kalon një sprovë të rëndë». Kështu, duke e ngushëlluar një vëlla a motër që po vuan, e ndihmojmë të ngrihet dhe të vazhdojë të ecë në rrugën e jetës. Sa herë që e dëgjojmë me dhembshuri një bashkëbesimtar kur na zbraz shqetësimet, tregojmë dashuri për të. (2 Kor. 7:6, 7, 13) Të ndiesh dhembshuri e të ngushëllosh dikë janë dy gjëra të lidhura ngushtë. Në ç’mënyrë? Një njeri të dhembshur e nxit zemra që t’i ngushëllojë të tjerët dhe të përpiqet t’ua lehtësojë vuajtjet. Pra, në fillim ndiejmë dhembshuri, pastaj japim inkurajim ose ngushëllim. Vër re si e lidh Pavli dhembshurinë e Jehovait me ngushëllimin që na jep Ai. Pavli e quan Jehovain «Ati i mëshirshëm e zemërdhembshur dhe Perëndia i çdo ngushëllimi».—2 Kor. 1:3. w23.11 9-10 ¶8-10

E martë, 22 korrik

Le të ngazëllojmë edhe në shtrëngime.—Rom. 5:3.

Të gjithë dishepujt e Krishtit mund të presin shtrëngime. Të marrim shembullin e apostullit Pavël. Ai u tha vëllezërve në Selanik: «Kur ishim me ju, jua kishim thënë se do të hasnim vështirësi, dhe kështu ka ndodhur.» (1 Sel. 3:4) Gjithashtu korintasve u shkroi: «Nuk duam të jeni në padije të sprovave që hasëm . . . nuk ishim të sigurt as për vetë jetën.» (2 Kor. 1:8; 11:23-27) Edhe shërbëtorët e Perëndisë sot mund të presin shtrëngime të llojeve të ndryshme. (2 Tim. 3:12) Ndërkohë që tregon besim te Jezui dhe ecën në gjurmët e tij, miqtë dhe të afërmit mund të bëhen armiqësorë ndaj teje. Mos ndoshta vendosmëria për të qenë i ndershëm në çdo gjë të ka hapur probleme në punë? (Hebr. 13:18) A je përballur me kundërshtime nga qeveria ngaqë u flet të tjerëve për shpresën tënde? Çfarëdolloj shtrëngimi të hasim, Pavli thotë se prapëseprapë duhet të gëzojmë. w23.12 10-11 ¶9-10

E mërkurë, 23 korrik

Ju më keni sjellë shumë telashe.—Zan. 34:30.

Jakobit i ranë shumë halle. Dy nga djemtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, e turpëruan familjen dhe njollosën emrin e Jehovait. Veç kësaj, gruaja e dashur e Jakobit, Rakela, vdiq ndërsa po lindte fëmijën e dytë. E për shkak të një zie buke të rëndë, Jakobit iu desh të shpërngulej për në Egjipt në moshë të thyer. (Zan. 35:16-19; 37:28; 45:9-11, 28) Mes gjithë atyre peripecive, Jakobi nuk e humbi kurrë besimin te Jehovai dhe te premtimet e Tij. E Jehovai i tregoi Jakobit se gëzonte miratimin e Tij. Për shembull, Jehovai e bekoi Jakobin nga ana materiale. Veç kësaj, kushedi si do t’i ketë gufuar zemra nga mirënjohja për Jehovain kur u ribashkua me Jozefin—me djalin që Jakobi e dinte të vdekur prej kohësh! Falë miqësisë së ngushtë me Jehovain, Jakobi i përballoi me sukses sprovat. (Zan. 30:43; 32:9, 10; 46:28-30) Kur mbajmë një miqësi të ngushtë me Jehovain, edhe ne mund t’i përballojmë me sukses sprovat e papritura. w23.04 15 ¶6-7

E enjte, 24 korrik

Jehovai është Bariu im, ndaj s’do të më mungojë asgjë.—Psal. 23:1.

Psalmi 23 është një këngë ku Davidi shprehu sigurinë se Jehovai e donte dhe kujdesej me dhembshuri për të. Ai përshkroi lidhjen e fortë mes tij dhe Jehovait, Bariut të tij. Davidi ndihej i sigurt ndërsa e lejonte Jehovain t’i printe dhe mbështetej plotësisht tek Ai. E dinte se dashuria e Jehovait do ta shoqëronte çdo ditë të jetës. Pse ishte kaq i sigurt? Davidi ndiente që s’i mungonte asgjë, sepse Jehovai i siguronte përherë çdo gjë që i nevojitej. Gjithashtu gëzonte miqësinë dhe miratimin e Jehovait. Ja pse ishte i sigurt se çfarëdo që të sillte e ardhmja, Jehovai do të kujdesej të kishte gjithçka të nevojshme. Besimi i Davidit te dashuria e ngrohtë e Jehovait ishte më i fuqishëm se çdo shqetësim që kishte dhe e mbushte me lumturi e kënaqësi të thellë.—Psal. 16:11. w24.01 28-29 ¶12-13

E premte, 25 korrik

Unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.—Mat. 28:20.

Që nga Lufta II Botërore, shërbëtorët e Jehovait në shumë vende kanë gëzuar njëfarë paqeje dhe lirie për të predikuar lajmin e mirë. E vepra e predikimit ka lulëzuar vërtet. Sot anëtarët e Trupit Udhëheqës vazhdojnë t’i mbajnë sytë nga Krishti për drejtim. Ata duan që udhëzimet që u japin vëllezërve dhe motrave për çështje të ndryshme të pasqyrojnë pikëpamjen e Jehovait dhe të Jezuit. Këto udhëzime ua përcjellin kongregacioneve me anë të mbikëqyrësve qarkorë dhe pleqve. Pleqtë e mirosur, e madje edhe gjithë pleqtë e tjerë, janë «në dorën e djathtë» të Krishtit. (Zbul. 2:1) Natyrisht, pleqtë janë të papërsosur dhe bëjnë gabime. Edhe Moisiu, Josiu dhe apostujt gabuan në disa raste. (Num. 20:12; Jos. 9:14, 15; Rom. 3:23) Prapëseprapë, Krishti i drejton me kujdes skllavin besnik dhe pleqtë e do të vazhdojë ta bëjë këtë. Prandaj kemi arsye të forta për t’i besuar drejtimit që na jep nëpërmjet vëllezërve që ka emëruar. w24.02 23-24 ¶13-14

E shtunë, 26 korrik

Bëhuni . . . imitues të Perëndisë, si bij të dashur.—Efes. 5:1.

Sot mund ta kënaqim Jehovain duke folur për të me përzemërsi, me mirënjohje dhe me dashuri. Kur jemi në shërbim, nuk harrojmë se synimi ynë kryesor është t’i afrojmë njerëzit me Jehovain dhe ta duan Atin tonë siç e duam ne. (Jak. 4:8) Kënaqemi pa masë kur i ndihmojmë ta njohin Jehovain nëpërmjet faqeve të Biblës, duke u treguar për dashurinë, drejtësinë, mençurinë, fuqinë e tij dhe për të tjera cilësi tërheqëse. Për më tepër, e lëvdojmë dhe e kënaqim Jehovain kur bëjmë çmos ta imitojmë. Kështu të tjerëve do t’u bjerë në sy se jemi të ndryshëm nga njerëzit e kësaj bote të ligë dhe mund të vrasin mendjen pse. (Mat. 5:14-16) Teksa kryejmë aktivitetet e përditshme, ndoshta na jepet mundësia të shpjegojmë pse veprojmë në njëfarë mënyre. Kjo i ndihmon njerëzit e sinqertë të afrohen me Perëndinë tonë. Kur e lëvdojmë në këto mënyra Jehovain, ia kënaqim zemrën.—1 Tim. 2:3, 4. w24.02 10 ¶7

E diel, 27 korrik

Të jetë në gjendje edhe të japë zemër . . . , edhe të korrigjojë.—Titit 1:9.

Që të bëhesh një vëlla i pjekur, duhet të zhvillosh aftësi praktike. Kjo do të të ndihmojë të marrësh mbi supe përgjegjësi në kongregacion, të mbash një punë që të sigurosh gjërat e nevojshme për veten ose familjen, si edhe të kesh marrëdhënie të mira me të tjerët. Për shembull, mëso të lexosh e të shkruash mirë. Bibla tregon se një njeri që është i lumtur dhe ka sukses, lë kohë çdo ditë që të lexojë Fjalën e Perëndisë e ta bluajë në mendje. (Psal. 1:1-3) Duke lexuar përditë Biblën, do të kuptojë si mendon Jehovai, e kjo do ta ndihmojë të mendojë me kthjelltësi dhe të arsyetojë mirë. (Prov. 1:3, 4) Bashkëbesimtarët kanë nevojë që vëllezërit në kongregacion të jenë të aftë t’i mësojnë dhe t’i këshillojnë duke u bazuar te Bibla. Nëse di të lexosh dhe të shkruash mirë, do të përgatitësh fjalime e komente që u sjellin dobi të tjerëve dhe u forcojnë besimin. Gjithashtu do të mbash shënime domethënëse, që do të të ndihmojnë të kalitësh besimin tënd dhe t’u japësh zemër të tjerëve. w23.12 26-27 ¶9-11

E hënë, 28 korrik

Ai që është në unitet me ju, është më i madh se ai që është në unitet me botën.—1 Gjon. 4:4.

Kur ndihesh i frikësuar, bluaj në mendje çfarë do të bëjë Jehovai në të ardhmen kur Satanai të jetë asgjësuar. Në kongresin rajonal të vitit 2014 ndoqëm një demonstrim ku tregohej një baba që diskutonte me familjen si do të formulohej 2 Timoteut 3:1-5, sikur ato vargje të parathoshin si do të ishte jeta jonë në Parajsë: «Në botën e re do të jetojmë ditët më të lumtura të jetës. Njerëzit do t’i duan të tjerët, do të jenë të dashuruar pas thesareve nga Jehovai, modestë, të përulur, që lëvdojnë Perëndinë, të bindur ndaj prindërve, mirënjohës, besnikë, që kanë përzemërsi për familjen, të gatshëm për marrëveshje, që flasin gjithmonë mirë për të tjerët, me vetëkontroll, të butë, që e duan mirësinë, të besueshëm, që hapin rrugë, të përulur në mendje, që duan Perëndinë e jo kënaqësitë, të motivuar nga përkushtimi i sinqertë ndaj Perëndisë. Me këta lidhu ngushtë.» Po ti, a bisedon me familjen tënde ose me vëllezërit e motrat se si do të jetë jeta në botën e re? w24.01 6 ¶13-14

E martë, 29 korrik

Unë të kam miratuar.—Luka 3:22.

Sa na e ngroh zemrën siguria se kemi miratimin e Jehovait si popull! Bibla thotë: «Jehovait i gëzon zemra për popullin e tij.» (Psal. 149:4) Megjithatë, ndonjëherë disa shkurajohen aq shumë, sa nisin të dyshojnë: «Po mua, a më miraton Jehovai?» Mjaft adhurues besnikë të Jehovait në lashtësi patën momente kur i mundonin dyshime të tilla. (1 Sam. 1:6-10; Jobi 29:2, 4; Psal. 51:11) Bibla e tregon qartë se, ndonëse jemi njerëz të papërsosur, mund ta fitojmë miratimin e Jehovait. Në ç’mënyrë? Duke treguar besim te Jezu Krishti dhe duke u pagëzuar. (Gjoni 3:16) Kështu tregojmë para të tjerëve se jemi penduar për mëkatet tona dhe se i kemi premtuar Perëndisë që do të bëjmë vullnetin e tij. (Vep. 2:38; 3:19) Jehovait i gëzon zemra kur hedhim këta hapa për të pasur miqësi të ngushtë me të. Për sa kohë bëjmë çmos të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë, Jehovai na miraton dhe na konsideron miqtë e tij të ngushtë.—Psal. 25:14. w24.03 26 ¶1-2

E mërkurë, 30 korrik

S’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.—Vep. 4:20.

Mund t’i imitojmë dishepujt duke vazhduar të predikojmë edhe kur autoritetet na kërkojnë të mos predikojmë më. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë ta kryejmë shërbimin tonë. Prandaj, mund t’i kërkojmë guxim e mençuri, si edhe ndihmë për të përballuar problemet. Shumë prej nesh vuajnë nga sëmundje, probleme emocionale, vdekja e një njeriu të dashur, ndonjë situatë e vështirë familjare, përndjekja ose nga ndonjë problem tjetër. E gjëra të tilla si pandemia dhe luftërat i kanë rënduar shumë nga këto probleme. Tregoji Jehovait gjithçka që ndien. Foli për situatën tënde siç do të flisje me një mik të ngushtë. Të jesh i sigurt se Jehovai «do të veprojë për të mirën tënde». (Psal. 37:3, 5) Lutjet ngulmuese na ndihmojnë ‘të qëndrojmë në shtrëngime’. (Rom. 12:12) Jehovai e di çfarë heqin adhuruesit e tij dhe «i dëgjon thirrjet e tyre për ndihmë».—Psal. 145:18, 19. w23.05 5-6 ¶12-15

E enjte, 31 korrik

Vazhdoni të siguroheni çfarë është e pranueshme për Zotërinë.—Efes. 5:10.

Kur gjendemi para vendimeve të rëndësishme, duhet të dallojmë «cili është vullneti i Jehovait» e pastaj të veprojmë në harmoni me të. (Efes. 5:17) Kur përpiqemi të kuptojmë cilat parime të Biblës vlejnë për situatën tonë, po kërkojmë të zbulojmë si mendon Perëndia për atë çështje. E ndërsa i zbatojmë parimet e tij, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime të mençura. «Të Ligut», armikut tonë Satanait, do t’i pëlqente të jepeshim aq shumë pas aktiviteteve të kësaj bote, sa të mos na mbetej kohë për të adhuruar Perëndinë. (1 Gjon. 5:19) Kështu fare lehtë mund të fillonim t’i vinim të mirat materiale, arsimimin ose karrierën para mundësive për t’i shërbyer Jehovait. Kjo do të ishte një shenjë se po infektohemi nga mënyra si mendon bota. Natyrisht, këto gjëra nuk janë të gabuara në vetvete, ama nuk duhet të bëhen kurrë qendra e jetës sonë. w24.03 24 ¶16-17

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo