Për mjeshtrin e korit. Psalm i Davidit. Këngë.
109 O Perëndi, të cilit unë i thur lavde,+ mos rri në heshtje!
2 I ligu dhe mashtruesi hapin gojën kundër meje
e sajojnë gënjeshtra për mua.+
3 Më rrethojnë me fjalë plot urrejtje
e më sulmojnë pa shkak.+
4 Dashurinë time e shpërblejnë me shpifje,+
por unë vazhdoj të lutem.
5 Të mirën ma kthejnë me të keqe,+
dashurinë me urrejtje.+
6 Njeriu i lig e gjykoftë armikun tim
e në të djathtë të tij qëndroftë një kundërshtar!
7 U shpalltë fajtor kur të gjykohet,
madje edhe lutja iu llogarittë si mëkat!+
8 Ditët e tij qofshin të pakta+
e tjetërkush ia marrtë detyrën e mbikëqyrjes!+
9 Fëmijët i mbetshin jetimë
dhe gruaja iu bëftë vejushë!
10 Si lypësa iu endshin fëmijët;
lypshin për bukë e jetofshin në rrënoja!
11 Gjithçka ia rrëmbeftë huadhënësi,
dhe i huaji ia grabittë zotërimet!
12 Askush mos i tregoftë zemërmirësi
dhe askush mos u tregoftë mëshirë jetimëve të tij!
13 Pasardhësit e tij u shfarosshin!+
Emri iu shoftë në brezin tjetër!
14 Jehovai i kujtoftë fajet e paraardhësve të tij;+
mëkatet e nënës së tij mos u harrofshin!
15 Para syve të Jehovait qoftë gjithçka që kanë bërë!
Kujtimin e të ligut e zhduktë nga toka+
16 se nuk u kujtua të tregohej zemërmirë,+
por i përndoqi deri në vdekje+ të munduarit,+ të varfrit e zemërthyerit.
17 Ai vdiste të mallkonte, ja pse mbi kokë i ra mallkimi;
nuk i pëlqente fare të bekonte, prandaj nuk pati kurrë bekime.
18 Me mallkimin u mbështoll si me mantel,
prandaj mallkimi i vërshoi si uji në trup
dhe si vaji në kocka.
19 Mallkimi iu bëftë si një rrobë që e mbulon,+
si një brez që lidhur e mban përherë!
20 Kështu i shpaguan Jehovai ata që më kundërshtojnë+
dhe ata që thonë të liga kundër meje.
21 Por ti, o Jehova, o Zotëri Sovran,
ndihmomë për hir të emrit tënd!+
E madhe është dashuria jote besnike,+ ndaj më shpëto!
22 Jam i pambrojtur dhe i varfër,+
zemra më është bërë plagë.+
23 Po tretem si hija që shuhet,
më shkundin tutje si të isha karkalec.
24 Gjunjët më këputen nga agjërimi;
jam bërë kockë e lëkurë dhe po tretem fare.
25 Jam bërë shënjestra e talljeve të tyre;+
kur më shohin, tundin kokën gjithë përbuzje.+
26 Ndihmomë, o Jehova, Perëndia im!
Me dashurinë tënde besnike më shpëto!
27 Ta dinë se kjo është vepër e dorës sate,
se ti, o Jehova, e ke bërë gjithë këtë.
28 Le të më mallkojnë armiqtë, por ti më beko!
U turpërofshin kur të ngrihen kundër meje,
ama shërbëtori yt gëzoftë!
29 Poshtërimi i mbuloftë ata që më kundërshtojnë!
Turpi i mbështjelltë si pelerinë!+
30 Plot zjarr do ta lëvdoj Jehovain me gojën time,
po, mes morisë së njerëzve lavde do t’i thur,+
31 sepse ai i qëndron në të djathtë të varfrit
dhe e shpëton nga ata që e dënojnë.