ARTIKULLI I STUDIMIT 46
Garancia e Jehovait se toka do të bëhet Parajsë
«Kushdo në tokë që kërkon një bekim, do të bekohet nga Perëndia i së vërtetës.»—ISA. 65:16.
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
PËRMBLEDHJEa
1. Çfarë mesazhi u dha profeti Isaia bashkatdhetarëve?
PROFETI Isaia e quan Jehovain ‘Perëndia i së vërtetës’. Fjala që është përkthyer «e vërteta», në kuptimin e mirëfilltë do të thotë «amin». (Isa. 65:16, shën.) «Amin» ka kuptimin «ashtu qoftë» ose «me siguri». Kur përdoret në Bibël për Jehovain ose Jezuin, fjala «amin» është një garanci se ajo që thonë është e vërtetë. Pra, mesazhi që u dha Isaia bashkatdhetarëve ishte i qartë: çdo gjë që parathotë Jehovai është e besueshme. Jehovai ka dhënë prova për këtë duke i plotësuar një më një premtimet e tij.
2. Pse mund të kemi besim te premtimet e Jehovait për të ardhmen tonë, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 A mund të kemi një besim po kaq të fortë te premtimet e Jehovait për të ardhmen? Thuajse 800 vjet pas kohës së Isaisë, apostulli Pavël shpjegoi pse premtimet e Perëndisë janë gjithmonë të besueshme. Pavli tha: «Është e pamundur që Perëndia të gënjejë.» (Hebr. 6:18) Një burim nuk mund të nxjerrë edhe ujë të ëmbël, edhe ujë të kripur. Po njësoj, Jehovai, Burimi i së vërtetës, nuk mund të thotë gënjeshtra. Ndaj mund të kemi besim absolut te çdo gjë që thotë Jehovai, pra edhe te gjithë premtimet e tij për të ardhmen. Në këtë artikull do të ndalemi te këto pyetje: Çfarë na ka premtuar Jehovai për të ardhmen? Dhe çfarë garancie na ka dhënë se premtimet e tij do të realizohen?
ÇFARË NA KA PREMTUAR JEHOVAI?
3. (a) Cili është një premtim që shërbëtorët e Perëndisë e kanë për zemër? (Zbulesa 21:3, 4) (b) Çfarë thonë disa kur u tregojmë këtë premtim?
3 Premtimi që do të shqyrtojmë tani është një premtim që e kanë për zemër shërbëtorët e Perëndisë anekënd botës. (Lexo Zbulesën 21:3, 4.) Jehovai premton një kohë kur «nuk do të ketë më vdekje» e «nuk do të ketë më as vajtim, as klithmë, as dhembje». Shumë nga ne i përdorim këto vargje zemërdhënëse kur u flasim të tjerëve për jetën në Parajsë. Si reagojnë disa kur u tregojmë këtë premtim? Ndoshta na thonë: «Si shumë e bukur për të qenë e vërtetë.»
4. (a) Çfarë dinte dhe çfarë parashikoi Jehovai kur bëri premtimin për Parajsën? (b) Çfarë bëri Jehovai pasi dha këtë premtim?
4 Pa dyshim, kur e frymëzoi apostullin Gjon të hidhte me shkrim këtë premtim për jetën në Parajsë, Jehovai e dinte se do t’u flisnim të tjerëve për këtë shpresë kur të predikonim për Mbretërinë. Veç kësaj, Jehovai parashikoi se shumë njerëz do ta kishin të vështirë ta besonin premtimin për ‘gjërat e reja’ që do të sjellë. (Isa. 42:9; 60:2; 2 Kor. 4:3, 4) Atëherë si mund t’i sigurojmë të tjerët—dhe veten—se bekimet që përmenden te Zbulesa 21:3, 4 do të bëhen realitet? Jehovai jo vetëm e bëri këtë premtim zemërdhënës, por edhe na dha arsye bindëse për t’i besuar premtimit të tij. Cilat janë këto arsye?
JEHOVAI JEP GARANCI PËR PREMTIMIN E TIJ
5. Çfarë arsyesh kemi për t’i besuar premtimit të Perëndisë për Parajsën, dhe ku i gjejmë këto arsye?
5 Në vargjet vijuese, Jehovai na jep disa arsye për t’i besuar premtimit të tij për Parajsën. Aty lexojmë: «Ai që rri ulur në fron tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’ E shtoi: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’ Pastaj më tha: ‘U plotësuan! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi.’»—Zbul. 21:5, 6a.
6. Pse na e forcon besimin te premtimi i Perëndisë ajo që thuhet te Zbulesa 21:5, 6?
6 Pse na e forcojnë besimin te premtimi i Perëndisë këto vargje? Libri Plotësimi i Zbulesës thotë: «Kjo është njësoj sikur Jehovai vetë të firmoste për njerëzimin besnik një garanci, ose një tapí, për këto bekime të ardhshme.»b Pra, te Zbulesa 21:3, 4 lexojmë çfarë ka premtuar të bëjë Perëndia. Kurse më tej në vargjet 5 dhe 6 gjejmë, si të thuash, firmën e Jehovait që na garanton se premtimi do të realizohet pa fije dyshimi. Le t’i shohim më me vëmendje fjalët që përdor Jehovai në garancinë e tij.
7. Çfarë të veçante kanë fjalët e para të garancisë së Perëndisë, dhe pse është domethënëse kjo?
7 Garancia e Perëndisë nis me këto fjalë: «Ai që rri ulur në fron tha.» (Zbul. 21:5a) Në librin e Zbulesës ka vetëm tri raste ku flet Jehovai, dhe ky është një prej tyre. Pra, këtë garanci nuk e jep një engjëll i fuqishëm, madje as Jezui i ringjallur, por vetë Jehovai! Ky fakt thekson se mund të kemi besim të plotë te fjalët që vijojnë. Pse e themi këtë? Sepse Jehovai «nuk mund të gënjejë». (Titit 1:2) Ky pohim na siguron se ajo që lexojmë te Zbulesa 21:5, 6 është plotësisht e besueshme.
«JA, PO BËJ ÇDO GJË TË RE»
8. Si e thekson Jehovai se premtimi i tij do të realizohet patjetër? (Isaia 46:10)
8 Të ndalemi tani te fjala «ja». (Zbul. 21:5) Fjala greke e përkthyer «ja» përdoret shpesh në librin e Zbulesës. Një vepër referimi thotë se ajo përdoret «për t’i tërhequr vëmendjen lexuesit te çka do të thuhet më pas». Çfarë tha Perëndia më pas? «Po bëj çdo gjë të re.» Vërtet, këtu Jehovai po flet për ndryshime që do të bëjë në të ardhmen. Por ai është kaq i sigurt se premtimi i tij do të realizohet, saqë flet për këto ndryshime sikur të kenë ndodhur tashmë.—Lexo Isainë 46:10.
9. (a) Cilat veprime të Jehovait përfshihen te shprehja «po bëj çdo gjë të re»? (b) Çfarë do të ndodhë me ‘qiellin’ dhe ‘tokën’ e sotshme?
9 Le të shohim pak shprehjen tjetër të Zbulesës 21:5: «Po bëj çdo gjë të re.» Këtu kjo shprehje përfshin dy veprime të Jehovait—zëvendësim dhe përtëritje. Së pari, çfarë do të zëvendësojë Jehovai? Te Zbulesa 21:1 lexojmë: «Qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar.» «Qielli i mëparshëm» nënkupton qeveritë e botës që janë nën ndikimin e Satanait dhe demonëve të tij. (Mat. 4:8, 9; 1 Gjon. 5:19) Në Bibël, fjala «tokë» mund të nënkuptojë banorët e tokës. (Zan. 11:1; Psal. 96:1) Pra, «toka e mëparshme» është shoqëria e sotshme me njerëz të ligj. Jehovai nuk do të bëjë thjesht ca ndreqje e përmirësime në ‘qiellin’ dhe ‘tokën’ e sotshme; përkundrazi do t’i eliminojë krejt. Ai do t’i zëvendësojë me «një qiell të ri dhe një tokë të re»—me një qeveri të re dhe një shoqëri njerëzore të re.
10. Çfarë ‘do të bëjë të re’ Jehovai?
10 Veç kësaj, te Zbulesa 21:5 Jehovai flet edhe për një përtëritje. Vër re se ai nuk thotë: «Po bëj të gjitha gjërat e reja.» Përkundrazi thotë: «Po bëj çdo gjë të re». Jehovai do t’i bëjë si të reja tokën dhe njerëzimin, që të jenë prapë të përsosura. Siç paratha Isaia, mbarë toka do të bëhet si një park ose kopsht i bukur—një Eden mbarëbotëror. Gjithashtu, Jehovai ‘do ta bëjë të ri’, ose do ta përtërijë, secilin nga ne. Të çalët, të verbrit dhe ata që nuk dëgjojnë do të shërohen, e madje do të kthehen në jetë të vdekurit.—Isa. 25:8; 35:1-7.
«KËTO FJALË JANË TË BESUESHME DHE TË VËRTETA. . . . U PLOTËSUAN!»
11. Çfarë urdhri i dha Jehovai Gjonit dhe cila ishte arsyeja?
11 Çfarë përfshin tjetër garancia e Perëndisë? Jehovai i tha Gjonit: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» (Zbul. 21:5) Jehovai nuk dha vetëm urdhrin «shkruaj». Dha edhe këtë arsye: «Sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.» Jemi mirënjohës që Gjoni iu bind urdhrit «shkruaj». Si rezultat, kemi mundësi ta lexojmë premtimin e Perëndisë për Parajsën dhe të meditojmë për bekimet e mrekullueshëm që na presin.
12. Pse Jehovai mund të thotë me plot gojën «u plotësuan»?
12 Çfarë thotë më tej Perëndia? «U plotësuan!» (Zbul. 21:6) Këtu Jehovai flet sikur të gjitha gjërat e përmendura te premtimi për Parajsën të jenë plotësuar. E mund ta thotë këtë me plot gojën, sepse asgjë s’mund ta ndalë të përmbushë qëllimin e tij. Pastaj Jehovai shton diçka tjetër që na siguron se premtimi i tij do të bëhet pa diskutim realitet. Çfarë?
«UNË JAM ALFA DHE OMEGA»
13. Pse Jehovai tha «unë jam Alfa dhe Omega»?
13 Siç u përmend më sipër, Jehovai vetë foli tri herë në vegimet e Gjonit. (Zbul. 1:8; 21:5, 6; 22:13) Në secilin nga ato raste, Jehovai përsëriti shprehjen: «Unë jam Alfa dhe Omega.» Alfa është shkronja e parë e alfabetit grek, kurse omega është shkronja e fundit. Duke thënë se është «Alfa dhe Omega», Jehovai thekson se kur e nis diçka, e përfundon me sukses.
Kur nis diçka, Jehovai e çon deri në fund (Shih paragrafët 14, 17)
14. (a) Jepni një shembull kur, në kuptimin figurativ, Jehovai tha «Alfa» dhe një shembull kur do të thotë «Omega». (b) Çfarë garancie gjejmë te Zanafilla 2:1-3?
14 Pasi krijoi Adamin dhe Evën, Jehovai deklaroi cili ishte qëllimi i tij për njerëzit dhe tokën. Shkrimet thonë: «Perëndia i bekoi dhe u tha: ‘Jini të frytshëm dhe shumohuni, mbusheni tokën e zotërojeni.’» (Zan. 1:28) Në atë moment ishte sikur Jehovai tha «Alfa». Ai shprehu qartë qëllimin e tij: do të vinte dita kur pasardhësit e përsosur e të bindur të Adamit dhe Evës do ta mbushnin tokën dhe do ta bënin parajsë. Kur të vijë ajo ditë do të jetë sikur Jehovai të thotë «Omega». Pasi përfundoi krijimin e ‘qiejve, tokës dhe gjithçkaje në to’, Jehovai dha një garanci që e gjejmë te Zanafilla 2:1-3. (Lexoje.) Ai e shpalli të shenjtë ditën e shtatë. Ç’do të thotë kjo? Me këtë Jehovai garantoi se në fund të ditës së shtatë do ta kishte përmbushur plotësisht qëllimin e tij për njerëzit dhe tokën.
15. Pse mund të jetë dukur sikur Satanai e kishte minuar qëllimin e Perëndisë për njerëzimin?
15 Pasi u rebeluan, Adami dhe Eva u bënë mëkatarë dhe ia trashëguan mëkatin e vdekjen pasardhësve të tyre. (Rom. 5:12) Si pasojë, ndoshta u duk sikur Satanai e kishte sabotuar qëllimin e Perëndisë për ta mbushur tokën me njerëz të përsosur dhe të bindur. Pra, në pamje të parë u duk sikur Satanai ia kishte bërë të pamundur Jehovait të thoshte «Omega». Mbase Satanai mendoi se tani Jehovai nuk kishte nga t’ia mbante. Një mundësi ishte që Perëndia t’i ekzekutonte Adamin dhe Evën e të krijonte një çift tjetër të përsosur për të plotësuar qëllimin e Tij për njerëzimin. Por po ta bënte këtë, Djalli do ta akuzonte Jehovain se ishte gënjeshtar. Pse? Sepse, siç tregon Zanafilla 1:28, Jehovai u kishte thënë Adamit dhe Evës se toka do të mbushej me pasardhësit e tyre.
16. Pse Satanai mund të ketë menduar se do të kishte mundësinë ta akuzonte Jehovain që kishte dështuar?
16 Çfarë mundësie tjetër mund të ketë menduar Satanai se do të zgjidhte Perëndia? Ndoshta Satanai mendoi se Jehovai do t’i lejonte Adamin dhe Evën të lindnin pasardhës të papërsosur, që nuk do të bëheshin dot kurrë të përsosur. (Ekl. 7:20; Rom. 3:23) Në atë rast, Djalli pa dyshim do ta akuzonte Jehovain se kishte dështuar. Pse? Sepse po të zgjidhte atë mundësi, Perëndia nuk do ta realizonte qëllimin e Tij, pra që toka të mbushej me pasardhës të përsosur e të bindur të Adamit dhe Evës.
17. Si e zgjidhi Jehovai rebelimin e Satanait dhe të njerëzve të parë, dhe cili do të jetë rezultati përfundimtar? (Shihni edhe figurën.)
17 Satanai duhet të ketë mbetur i shtangur nga mënyra si e zgjidhi Jehovai rebelimin e tij dhe të njerëzve të parë. (Psal. 92:5) Jehovai lejoi që Adami dhe Eva të bëheshin me fëmijë. Kështu nuk doli gënjeshtar, përkundrazi provoi se fjalët e tij bëhen gjithmonë realitet. Gjithashtu, Jehovai nuk dështoi, përkundrazi provoi se del gjithmonë fitimtar. Ai ka bërë çmos që qëllimi i tij të përmbushet, duke siguruar një ‘pasardhës’ që do t’i shpëtonte fëmijët e bindur të Adamit dhe Evës. (Zan. 3:15; 22:18) Ky pasardhës do të jepte jetën si shpërblesë për njerëzimin. Satanai duhet të ketë mbetur pa mend nga zgjidhja që gjeti Jehovai. Pse? Sepse është një zgjidhje që bazohet te dashuria altruiste. (Mat. 20:28; Gjoni 3:16) E kjo cilësi nuk është aspak pjesë e karakterit egoist të Satanait. Çfarë do të ndodhë falë shpërblesës? Në fund të Mijëvjeçarit, toka parajsore do të mbushet me pasardhësit e përsosur e të bindur të Adamit dhe Evës—tamam qëllimi që kishte në fillim Jehovai. Në atë kohë do të jetë sikur Jehovai të thotë «Omega».
FORCO BESIMIN TE PREMTIMI I JEHOVAIT PËR PARAJSËN
18. Cilat janë tri shprehje që përdor Perëndia për të na siguruar se do ta plotësojë premtimin e tij? (Shihni edhe kutinë «Tri arsye për t’i besuar premtimit të Jehovait».)
18 Në këtë artikull kemi shqyrtuar garancinë e Perëndisë se toka do të bëhet Parajsë. Po si mund t’i sigurojmë ata që dyshojnë se ky premtim do të plotësohet? Së pari, këtë premtim e bën vetë Jehovai. Në librin e Zbulesës lexojmë: «Ai që rri ulur në fron tha: ‘Ja, po bëj çdo gjë të re.’» Jehovai ka mençurinë, fuqinë dhe dëshirën që ta bëjë realitet premtimin e tij. Së dyti, ajo që ka premtuar Jehovai është kaq e sigurt se do të ndodhë, sa për Të është sikur të jetë realizuar tashmë. Ja pse thotë: «Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta. . . . U plotësuan!» Së treti, kur nis diçka, asgjë nuk mund ta ndalë Jehovain që ta çojë deri në fund, siç e thekson shprehja: «Unë jam Alfa dhe Omega.» Jehovai do të provojë se Satanai është një gënjeshtar që ka dështuar.
19. Ç’mund të bësh kur dikush e ka të vështirë ta besojë premtimin e Perëndisë për Parajsën?
19 Mos harro se sa herë u flet njerëzve në shërbim për garancinë që ka dhënë Jehovai, forcon besimin tënd te premtimet e tij. Ndoshta kur t’i lexosh dikujt nga Zbulesa 21:4 premtimin zemërdhënës për Parajsën, mund të të thotë: «Si shumë e bukur për të qenë e vërtetë.» Ç’mund të bësh? Pse të mos i lexosh e t’i shpjegosh vargjet 5 dhe 6? Tregoji si na ka dhënë garanci Jehovai se do ta realizojë atë që ka premtuar duke vënë, si të thuash, në fund të premtimit firmën e vet.—Isa. 65:16.
KËNGA 145 Parajsa—Premtim nga Ati ynë
a Në këtë artikull do të shohim garancinë e Jehovait për të na siguruar se premtimi për Parajsën do të realizohet. Sa herë që flasim me të tjerët për këtë garanci, forcojmë besimin tonë te premtimet e Jehovait.