BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w00 15/11 f. 24-27
  • Mund të mësojmë nga çifti i parë njerëzor

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mund të mësojmë nga çifti i parë njerëzor
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Ai krijoi mashkullin e femrën»
  • «Sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»
  • Eva shkel ligjin
  • Adami dëgjon zërin e së shoqes
  • Pasojat e mëkatit
  • Një mësim për ne
  • Cili ishte mëkati i parë?
    Zgjohuni!—2006
  • Pse plakemi dhe vdesim?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për publikun)—2019
  • Si ishte jeta në fillim?
    Dëgjoje Perëndinë që të jetosh përgjithmonë
  • Krijimi i burrit dhe gruas së parë
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
w00 15/11 f. 24-27

Mund të mësojmë nga çifti i parë njerëzor

PERËNDIA vështroi planetin Tokë. Po e përgatiste si banesë për njerëzit. Pa se çdo gjë që po bënte ishte e mirë. Në fakt, kur e mbaroi këtë punë, ai deklaroi se ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:12, 18, 21, 25, 31) Gjithsesi, para se të arrinte këtë përfundim të përsosur, Perëndia foli për diçka që ‘nuk ishte mirë’. Sigurisht, Perëndia nuk bëri asgjë të papërsosur. Ishte thjesht që krijimi i tij nuk ishte ende i plotë. «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm,​—tha Jehovai,​—unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis [si një plotësim, BR].»​—Zanafilla 2:18.

Qëllimi i Jehovait ishte që shoqëria njerëzore të gëzonte jetën e përjetshme në shëndet, lumturi dhe bollëk, në një parajsë tokësore. Babai i gjithë njerëzimit ishte Adami. Gruaja e tij, Eva, u bë «nëna e tërë të gjallëve». (Zanafilla 3:20) Ndonëse tani toka gëlon nga miliarda pasardhësit e tyre, njerëzit janë shumë larg përsosmërisë.

Historia e Adamit dhe Evës është shumë e njohur. Por, çfarë dobie praktike ka për ne? Çfarë mund të mësojmë nga përvojat e çiftit të parë njerëzor?

«Ai krijoi mashkullin e femrën»

Kur Adami po u vinte emra kafshëve, pa se ata ishin çift, kurse ai jo. Prandaj, kur pa krijesën e bukur që kishte modeluar Jehovai nga brinja e tij, u gëzua. Duke e kuptuar se ajo ishte në mënyrë të veçantë pjesë e tij, Adami thirri: «Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri.»​—Zanafilla 2:18-23.

Njeriut i nevojitej «një ndihmë». Tani kishte pikërisht atë që i duhej. Eva ishte bërë në mënyrë të përsosur për të qenë plotësuese e Adamit, për t’u kujdesur për shtëpinë e tyre, që ishte një kopsht, dhe për kafshët, për të bërë fëmijë e për të siguruar nxitjen dhe mbështetjen intelektuale të një shoku të vërtetë.​—Zanafilla 1:26-30.

Jehovai siguroi gjithçka që ai çift mund të dëshironte në mënyrë të arsyeshme. Duke e çuar Evën te burri i saj dhe, duke dekretuar në këtë mënyrë bashkimin e tyre, Perëndia themeloi institucionin e martesës dhe të familjes, nëpërmjet të cilit do të organizohej shoqëria. Tregimi i Zanafillës thotë: «Njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij dhe do të jenë një mish i vetëm.» Dhe, kur Jehovai e bekoi çiftin e parë të martuar dhe u tha të ishin të frytshëm, qartësisht kishte ndër mend që çdo fëmijë të lindte në një familje të dashur, me një baba e një nënë që të kujdeseshin për të.​—Zanafilla 1:28; 2:24.

«Sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»

Adami ishte një bir i përsosur i Perëndisë, i bërë sipas ‘shëmbëlltyrës dhe në ngjasim’ me Të. Por, meqë «Perëndia është Frymë», ngjashmëria nuk mund të ishte fizike. (Zanafilla 1:26; Gjoni 4:24) Ngjashmëria gjendej te cilësitë që e bënin njeriun të ishte shumë më lart se kafshët. Po, që nga fillimi, te njeriu ishin të rrënjosura cilësitë e dashurisë, mençurisë, fuqisë dhe drejtësisë. Njeriu ishte pajisur me vullnetin e lirë dhe me një aftësi për të pasur gjendje frymore. Një ndjenjë e lindur morale ose, ndryshe, ndërgjegjja, i jepte mundësi të dallonte të drejtën nga e gabuara. Njeriu kishte aftësi intelektuale, që i jepnin mundësi të meditonte për arsyen e ekzistencës së njerëzve, të mblidhte njohuri për Krijuesin e tij dhe të zhvillonte një marrëdhënie të ngushtë me Të. I pajisur në këtë mënyrë, Adami kishte gjithçka që i nevojitej për të përmbushur rolin e tij si administrator i kryeveprës tokësore të Perëndisë.

Eva shkel ligjin

Pa dyshim, Adami e informoi menjëherë Evën për ndalimin e vetëm që u kishte vënë Jehovai: mund të hanin fruta nga çdo pemë në shtëpinë e tyre, që ishte një kopsht, përveç një peme, pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Prej saj nuk duhej të hanin. Nëse do ta bënin këtë, atë ditë do të vdisnin.​—Zanafilla 2:16, 17.

Shumë shpejt, u ngrit një çështje në lidhje me frutin e ndaluar. Evës iu afrua një gjarpër, i përdorur si zëdhënës nga një frymë e padukshme. Në dukje me pafajësi, gjarpri pyeti: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» Eva iu përgjigj se ishte e lejuar të hante nga fruti i çdo peme, përveç njërës. Por, atëherë gjarpri kundërshtoi Perëndinë, duke i thënë gruas: «Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do t’i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen.» Gruaja filloi ta shihte pemën e ndaluar me një sy tjetër. «Pema ishte e mirë për t’u ngrënë . . . ishte e këndshme për sytë.» E mashtruar tërësisht, Eva shkeli ligjin e Perëndisë.​—Zanafilla 3:1-6; 1 Timoteut 2:14.

A ishte i pashmangshëm mëkati i Evës? Aspak! Vijeni veten në vendin e saj. Pohimi i gjarprit e shtrembëroi plotësisht atë që kishte thënë Perëndia dhe Adami. Si do të ndiheshit, sikur një i huaj të akuzonte për pandershmëri dikë që ju e doni dhe të cilit i besoni? Eva duhej të kishte reaguar ndryshe, duke treguar neveri dhe indinjatë, madje duke refuzuar të dëgjonte. Në fund të fundit, kush ishte gjarpri që të vinte në dyshim drejtësinë e Perëndisë dhe fjalën e burrit të saj? Nga respekti për parimin e kryesisë, Eva duhej të kishte kërkuar këshillë para se të merrte një vendim. Kështu duhet të veprojmë ne, nëse na paraqitet ndonjë informacion që është në kundërshtim me udhëzimet e dhëna nga Perëndia. Gjithsesi, Eva u besoi fjalëve të Tunduesit, duke dëshiruar të ishte vetë gjykatëse për atë që ishte e mirë dhe e keqe. Sa më shumë që luante me atë ide, aq më tërheqëse i dukej. Çfarë gabimi bëri duke ushqyer një dëshirë të gabuar, në vend që ta hiqte nga mendja ose të fliste për çështjen me kryefamiljarin e saj!​—1 Korintasve 11:3; Jakovit 1:14, 15.

Adami dëgjon zërin e së shoqes

Shpejt, Eva bëri që edhe Adami të bashkohej me të në mëkat. Si ta shpjegojmë pranimin e tij të heshtur? (Zanafilla 3:6, 17) Adami gjendej përballë një konflikti që përfshinte besnikërinë. A do t’i bindej Krijuesit, i cili i kishte dhënë gjithçka, duke përfshirë edhe gruan e tij të dashur, Evën? A do të kërkonte Adami drejtimin e Perëndisë për atë që duhej të bënte tani? Apo do të bashkohej me gruan e tij në këtë mëkat? Adami e dinte shumë mirë se ajo që shpresonte të arrinte Eva duke ngrënë frutin e ndaluar ishte një iluzion. Apostulli Pavël u frymëzua të thoshte: «Nuk u mashtrua Adami, por gruaja u mashtrua plotësisht dhe ra në shkelje.» (1 Timoteut 2:14) Prandaj, Adami zgjodhi vullnetarisht të kundërshtonte Jehovain. Frika e ndarjes nga e shoqja, me sa duket, ishte më e madhe se besimi i tij në aftësinë e Perëndisë për të gjetur një zgjidhje për situatën.

Veprimi i Adamit ishte vetëvrasës. Gjithashtu, përbënte edhe një vrasje për të gjithë pasardhësit që, me mëshirë, Jehovai i lejoi të kishte, sepse që të gjithë lindën nën dënimin e mëkatit me vdekje. (Romakëve 5:12) Sa çmim të lartë paguan për mosbindjen egoiste!

Pasojat e mëkatit

Pasoja e menjëhershme e mëkatit ishte turpi. Në vend që të shkonin me vrap e me gëzim për të folur me Jehovain, çifti u fsheh. (Zanafilla 3:8) Miqësia e tyre me Perëndinë ishte prishur. Kur u pyetën për atë që kishin bërë, ata nuk shfaqën brejtje ndërgjegjeje, ndonëse që të dy ishin të vetëdijshëm se kishin shkelur ligjin e Perëndisë. Duke ngrënë frutin e ndaluar, ata i kthyen shpinën mirësisë hyjnore.

Për pasojë, Perëndia tregoi se lindja e fëmijëve do të shoqërohej nga dhembje më të mëdha. Eva do të dëshironte burrin e saj dhe ai do të sundonte mbi të. Kështu, përpjekja e saj për të arritur pavarësinë solli si pasojë krejt të kundërtën. Tani, Adami do ta hante prodhimin e tokës duke vuajtur. Në vend që të kënaqte urinë pa u rraskapitur në Eden, do t’i duhej të luftonte për të siguruar gjërat e nevojshme të jetës, derisa të kthehej në pluhurin nga i cili ishte bërë.​—Zanafilla 3:16-19.

Përfundimisht, Adami dhe Eva u dëbuan nga kopshti i Edenit. Jehovai tha: «Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t’i lejohet të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë për gjithnjë . . . » «Fjalia nuk është e plotë»,​—vëren dijetari Gordon Uenham,​—dhe na lihet ta nënkuptojmë pjesën tjetër të mendimit të Perëndisë, që ndoshta ishte, «më lër ta dëboj nga kopshti». Në përgjithësi, një shkrimtar i Biblës raporton mendimin e plotë të Perëndisë. Por këtu, vazhdon Uenhami, «heqja e përmbylljes tregon shpejtësinë e veprimit të Perëndisë. Ai sapo kishte mbaruar së foluri kur u nxorën jashtë nga kopshti». (Zanafilla 3:22, 23) Me këtë, me sa duket, çdo komunikim ndërmjet Jehovait dhe çiftit të parë u ndërpre.

Adami dhe Eva nuk vdiqën fizikisht gjatë asaj dite 24-orëshe. Megjithatë, vdiqën në kuptimin frymor. Të ndarë në mënyrë të pariparueshme nga Burimi i jetës, ata filluan një rënie drejt vdekjes. Imagjinoni, sa i hidhur duhet të ketë qenë për ta ballafaqimi i parë me vdekjen, kur Kaini, i parëlinduri i tyre, vrau Abelin, djalin e dytë!​—Zanafilla 4:1-16.

Pas kësaj, dihen relativisht pak gjëra për çiftin e parë njerëzor. Djali i tretë, Seti, lindi kur Adami ishte 130 vjeç. Adami vdiq 800 vjet më vonë, në moshën 930-vjeçare, pasi kishte pasur «bij e bija».​—Zanafilla 4:25; 5:3-5.

Një mësim për ne

Përveçse na zbulon shkakun e gjendjes së degjeneruar të shoqërisë njerëzore sot, tregimi për çiftin e parë të martuar na jep një mësim themelor. Çdo pretendim për pavarësi nga Perëndia Jehova është krejtësisht marrëzi. Ata që janë vërtet të mençur ushtrojnë besim te Jehovai dhe në Fjalën e tij dhe nuk mendojnë se u mjafton njohuria e tyre. Jehovai vendos të mirën e të keqen dhe, në thelb, të bësh atë që është e drejtë nënkupton t’i bindesh atij. Keqbërja nënkupton shkeljen e ligjeve të tij dhe shpërfilljen e parimeve të tij.

Perëndia ofroi dhe vazhdon të ofrojë çdo gjë që mund të dëshirojë ndonjëherë njerëzimi: jetë të përhershme, liri, kënaqësi, lumturi, shëndet, paqe, begati dhe zbulimin e gjërave të reja. Megjithatë, që të gëzojmë gjithë këtë, nga ne kërkohet të pranojmë varësinë e plotë nga Ati ynë qiellor, Jehovai.​—Predikuesi 3:10-13; Isaia 55:6-13.

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Adami dhe Eva: Thjesht një mit?

Besimi në një parajsë fillestare që humbi për shkak të mëkatit ishte shumë i përhapur ndër babilonasit, asirianët, egjiptianët dhe popujt e tjerë të lashtësisë. Në shumë tregime është e përbashkët një pemë e jetës, fruti i së cilës do t’i jepte jetë të përjetshme atyre që e hanin. Pra, njerëzimi e kujton se në Eden ndodhi diçka tragjike.

Sot, shumë veta e hedhin poshtë tregimin e Biblës për Adamin dhe Evën, duke thënë që është thjesht një mit. Megjithatë, shumë shkencëtarë e pranojnë se raca njerëzore është një familje e vetme me origjinë të përbashkët. Shumë teologë e kanë të pamundur të mohojnë se pasojat e mëkatit fillestar të kryer nga një paraardhës i përbashkët iu transmetuan njerëzimit. Besimi se njeriu u zhvillua nga më shumë se një burim do t’i detyronte që të thoshin se mëkati fillestar u krye nga disa paraardhës. Nga ana e saj, kjo do t’i detyronte të mohonin se Krishti, «Adami i fundit», e shpengoi njerëzimin. Por, Jezui dhe dishepujt e tij nuk hasën një dilemë të tillë. Ata e pranuan se tregimi i Zanafillës është i bazuar në fakte.​—1 Korintasve 15:22, 45; Zanafilla 1:27; 2:24; Mateu 19:4, 5; Romakëve 5:12-19.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo