Të mësojmë se si është Krijuesi ynë
«Unë do të bëj që të kalojë para teje gjithë mirësia ime dhe do të shpall emrin e Zotit [Jehovait, BR] para teje.»—EKSODI 33:19.
1. Pse Krijuesi e meriton të nderohet?
APOSTULLI Gjon, shkrimtari i librit të fundit të Biblës, dokumentoi këtë deklaratë të thellë rreth Krijuesit: «Ti je i denjë, o Zot, [o Jehova, BR], të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjërat dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.» (Zbulesa 4:11) Siç u përcaktua në artikullin pararendës, zbulimet e shkencës moderne shpesh i shtojnë arsyet për të besuar në Krijuesin e të gjitha gjërave.
2, 3. (a) Çfarë duhet të mësojnë njerëzit rreth Krijuesit? (b) Pse nuk është e arsyeshme ta shohim personalisht Krijuesin?
2 Aq sa është e rëndësishme të pranojmë ekzistencën e Krijuesit, po aq e rëndësishme është të mësojmë se si është ai, pra, që është një person real, me personalitet dhe mënyra veprimi që i tërheqin njerëzit drejt tij. Në çfarëdo pike që të kemi arritur në këtë drejtim, a nuk do të ishte e dobishme ta njihnim edhe më mirë atë? Kjo gjë nuk kërkon që ta takojmë personalisht Krijuesin, si takojmë njerëzit e tjerë.
3 Jehovai është, gjithashtu, Burimi i yjeve, ku mes tyre dielli ynë është vetëm një yll me madhësi mesatare. A do të na shkonte nëpër mend të përpiqeshim të shkonim shumë afër fizikisht me diellin? Sigurisht që jo! Shumica e njerëzve kujdesen që as të mos e shikojnë për një kohë të gjatë diellin ose të mos e ekspozojnë lëkurën ndaj rrezeve të tij të fuqishme për shumë kohë. Temperatura e bërthamës së diellit është afro 15.000.000 gradë celsius. Çdo sekondë, kjo furrë termobërthamore transformon rreth katër milionë tonelata masë në energji. Vetëm një fraksion i kësaj energjie arrin në tokë në formën e nxehtësisë dhe të dritës, por kjo sasi mbështet gjithë jetën e këtushme. Këto fakte themelore duhet të na ngulitin në mendje fuqinë madhështore të Krijuesit. Me të drejtë, Isaia mund të shkruante për ‘bollëkun e energjisë dinamike [të Krijuesit], duke qenë se ai është energjik në fuqi’.—Isaia 40:26, BR.
4. Çfarë kërkoi Moisiu dhe si iu përgjigj Jehovai?
4 Megjithatë, ndoshta e di se disa muaj pasi izraelitët u larguan nga Egjipti, në vitin 1513 p.e.s., Moisiu iu lut Krijuesit: «Të lutem, më bëj të shoh lavdinë tënde.» (Dalja [Eksodi] 33:18, BR) Duke mos harruar se Perëndia është, gjithashtu, Burimi i diellit, ti mund ta kuptosh se përse ai i tha Moisiut: «Ti nuk mund ta shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë.» Krijuesi e lejoi Moisiun të zinte një vend të fshehur në malin Sinai, ndërsa Ai ‘kalonte’ andej. Pastaj, Moisiut iu la të shihte, si të thuash, «kurrizin» e Perëndisë, pra, një lloj pasqyrimi të lavdisë ose të pranisë së Krijuesit.—Eksodi 33:20-23; Gjoni 1:18.
5. Në cilën mënyrë e plotësoi Krijuesi dëshirën e Moisiut dhe duke provuar çfarë gjëje?
5 Dëshira që kishte Moisiu për ta njohur më mirë Krijuesin nuk mbeti e paplotësuar. Duke folur në mënyrë të qartë me anë të një engjëlli, Perëndia kaloi afër Moisiut dhe deklaroi: «Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin, por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.» (Eksodi 34:6, 7) Kjo tregon që për ta njohur më mirë Krijuesin tonë, nuk na duhet të shohim një formë fizike, por të kuptojmë në një masë më të plotë se si është ai, çfarë personaliteti dhe karakteristikash ka.
6. Pse sistemi ynë imunitar është një mrekulli?
6 Një mënyrë se si mund ta bëjmë këtë është të dallojmë cilësitë e Perëndisë nga gjërat që ka krijuar. Shqyrto sistemin tonë imunitar. Në një numër që fliste mbi imunitetin, revista Scientific American shkroi: «Që përpara se të lindim e derisa të vdesim, sistemi imunitar është në një gjendje gatishmërie të vazhdueshme. Një sërë molekulash dhe qelizash të ndryshme . . . na mbrojnë nga parazitët dhe nga mikrobet patogjenë (sëmundjeshkaktues). Pa këto mbrojtje, njerëzit nuk do të mund të jetonin.» Cili është burimi i këtij sistemi? Në një artikull të kësaj reviste thuhej: «Sistemi i mrekullueshëm i qelizave që ndërveprojnë me mjeshtëri dhe që e mbrojnë trupin nga pushtuesit mikrobialë dhe viralë, vjen nga një numër i vogël qelizash prekursore (pararendëse), të cilat shfaqen për herë të parë rreth nëntë javë pas ngjizjes.» Një grua shtatzënë i kalon fetusit që po zhvillohet brenda saj një masë imuniteti. Më vonë, me anë të qumështit të gjirit, ajo i jep akoma qeliza imune dhe lëndë të dobishme kimike foshnjës së saj.
7. Çfarë mund të shqyrtojmë rreth sistemit tonë imunitar dhe në çfarë përfundimi na çon kjo?
7 Kemi arsye të vlefshme për të nxjerrë përfundimin se sistemi ynë imunitar tejkalon çdo gjë që mund të sigurojë mjekësia moderne. Prandaj, le të pyesim veten: ‘Çfarë më sugjeron kjo rreth Nismëtarit dhe Siguruesit të këtij sistemi?’ Ky sistem, i cili ‘shfaqet për herë të parë rreth nëntë javë pas ngjizjes’ dhe që është gati për të mbrojtur një të sapolindur, patjetër që pasqyron mençuri dhe paramendim. Por, a mund të dallojmë diçka më tepër rreth Krijuesit nga ky sistem? Çfarë përfundimi nxjerrin shumica prej nesh lidhur me Albert Shvaicerin dhe të tjerë që ia kushtuan jetën sigurimit të shërbimeve shëndetësore për ata që ishin më pak të privilegjuar? Zakonisht ne u shoqërojmë cilësi të mira këtyre humanitarëve të dhembshur. Në krahasim me ta, çfarë përfundimi mund të nxjerrim rreth Krijuesit tonë, i cili u jep të njëjtin sistem imunitar si të pasurve, ashtu edhe të varfërve? Qartë, pra, ai është i dashur, i paanshëm, i dhembshur dhe i drejtë. A nuk është ky përshkrim i ngjashëm me atë që dëgjoi Moisiu rreth Krijuesit?
Ai zbulon se si është
8. Në cilën mënyrë të veçantë na e zbulon personalitetin e tij Jehovai?
8 Gjithsesi, ka një mënyrë tjetër për ta njohur më mirë Krijuesin tonë dhe kjo është nëpërmjet Biblës. Një gjë e tillë është veçanërisht e rëndësishme, sepse lidhur me Krijuesin ka gjëra që shkenca dhe universi nuk mund t’i zbulojnë fare, si edhe gjëra të tjera që dalin shumë më të qarta nga Bibla. Një shembull i pohimit të parë është emri personal i Krijuesit. Vetëm Bibla na zbulon emrin e Krijuesit dhe domethënien e këtij emri. Në dorëshkrimet hebraike të Biblës, emri i tij shfaqet rreth 7.000 herë, në formën e katër bashkëtingëlloreve që mund të transliterohen YHWH ose JHVH e që zakonisht shqiptohet Jehova në shqip.—Eksodi 3:15; 6:3.
9. Çfarë do të thotë emri personal i Krijuesit dhe çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga kjo?
9 Që ta njohim më mirë Krijuesin, ne duhet të kuptojmë se ai nuk është vetëm një «Shkak i Parë» abstrakt ose një «Unë Jam» i vagët. Emri i tij personal tregon se ai nuk është kështu. Ky emër është një formë e një foljeje hebraike që do të thotë «bëhem» ose «provoj se jam».a (Krahaso Zanafillën 27:29; Predikuesin 11:3.) Emri i Perëndisë do të thotë «Ai shkakton të bëhet» dhe nxjerr në pah faktin që ai edhe vë qëllime, edhe vepron. Duke e ditur dhe duke e përdorur emrin e tij, ne mund ta kuptojmë më mirë se ai i përmbush premtimet dhe e realizon në mënyrë aktive qëllimin e tij.
10. Çfarë mendjehollësie të rëndësishme mund të fitojmë nga dokumentacioni i Zanafillës?
10 Bibla është burimi i njohjes së qëllimeve dhe personalitetit të Perëndisë. Dokumentacioni i Zanafillës zbulon se njëherë e një kohë njerëzimi ishte në paqe me Perëndinë dhe kishte perspektivën e një jete të gjatë e domethënëse. (Zanafilla 1:28; 2:7-9) Në harmoni me domethënien e emrit të tij, mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u japë fund vuajtjeve dhe zhgënjimit, me të cilat njerëzimi është përballuar nga një kohë e gjatë. Lexojmë rreth përmbushjes së premtimit të tij: «Bota fizike u bë objekt zhgënjimi, jo nga dëshira e vet, por nga vullneti i Krijuesit, i cili duke e bërë të tillë, i dha asaj shpresë që një ditë të mund të . . . bëhej pjesëmarrëse në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë.»—Romakëve 8:20, 21, The New Testament Letters, nga J. W. C. Wand.
11. Pse duhet t’i shqyrtojmë tregimet e Biblës dhe çfarë hollësish përmban njëri prej këtyre tregimeve?
11 Bibla mund të na ndihmojë, gjithashtu, për ta njohur më mirë Krijuesin tonë, pasi aty zbulohen veprimet dhe reagimet e tij kur kishte të bënte me Izraelin e lashtë. Shqyrto një shembull që ka të bëjë me Eliseun dhe me Naamanin, komandantin ushtarak të sirianëve armiqësorë. Ndërsa lexon këtë tregim në 2. Mbretërve, kapitulli 5, do të vëresh se një robinjë e vogël izraelite pohoi që lebra e Naamanit mund të shërohej me ndihmën e Eliseut në Izrael. Naamani shkoi atje, duke menduar se Eliseu do të bënte ndonjë rit misterioz shërimi me duar. Por, përkundrazi, Eliseu i tha sirianit që të lahej në lumin Jordan. Edhe pse shërbëtorëve të Naamanit iu desh ta bindnin që të lahej në atë lumë, kur bëri kështu Naamani u shërua. Ai i ofroi Eliseut dhurata me vlerë, por ky nuk i pranoi. Më vonë një ndihmës vrapoi fshehurazi te Naamani dhe me anë të një gënjeshtre mori disa gjëra me vlerë. Por, pandershmëria e tij e bëri që të sëmurej me lebër. Ky është një tregim mahnitës mbi natyrën njerëzore, një tregim nga i cili mund të mësojmë.
12. Çfarë përfundimesh mund të nxjerrim rreth Krijuesit nga tregimi për Eliseun dhe Naamanin?
12 Në një mënyrë tërheqëse tregimi na thotë se Krijuesi i Madh i universit nuk është tepër i lartë, aq sa të mos vërë re me favor një vajzë të vogël, gjë që është krejt ndryshe nga tradita ekzistuese në shumë kultura të sotme. Ky tregim provon edhe se Krijuesi nuk favorizon vetëm një racë ose një komb. (Veprat 10:34, 35) Në mënyrë interesante, në vend që të priste që njerëzit të përdornin fjalë pa kuptim, të cilat janë të zakonshme për disa «shërues» në të kaluarën e në të tashmen, Krijuesi shfaqi një mençuri të mrekullueshme. Ai dinte si ta kuronte lebrën. Gjithashtu, ai shfaqi mendjehollësi dhe drejtësi duke mos lejuar që mashtrimi të kishte sukses. Edhe një herë, a nuk është kjo në harmoni me personalitetin e Jehovait, për të cilin dëgjoi Moisiu? Edhe pse ky tregim i Biblës është i shkurtër, sa shumë mund të nxjerrim prej tij për cilësitë e Krijuesit tonë!—Psalmi 33:5; 37:28.
13. Ilustro se si mund të nxjerrim mësime të vlefshme nga tregimet biblike.
13 Tregime të tjera, lidhur me veprimet mosmirënjohëse të Izraelit dhe me reagimin e Perëndisë, provojnë se Jehovai interesohet me të vërtetë për njerëzit. Bibla thotë se izraelitët e vunë atë në sprovë në mënyrë të përsëritur, duke e bërë të ndihej i lënduar dhe duke i shkaktuar dhimbje. (Psalmi 78:40, 41) Kështu, Krijuesi ka ndjenja dhe interesohet për atë që bëjnë njerëzit. Ka shumë për të mësuar edhe nga tregimet mbi individë shumë të njohur. Kur Davidi u zgjodh për t’u bërë mbret i Izraelit, Perëndia i tha Samuelit: «Njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.» (1. Samuelit 16:7) Po, Krijuesi shikon atë që jemi brenda, jo thjesht pamjen tonë të jashtme. Sa na kënaq kjo gjë!
14. Ndërsa lexojmë Shkrimet Hebraike, çfarë mund të bëjmë që do të na sjellë dobi?
14 Tridhjetë e nëntë libra të Biblës u shkruan para kohës së Jezuit dhe është në interesin tonë t’i lexojmë ata. Por, kjo nuk duhet bërë thjesht për të njohur tregimet e Biblës ose historinë. Nëse duam me të vërtetë të mësojmë se si është Krijuesi ynë, duhet të meditojmë mbi këto tregime, ndoshta duke menduar: ‘Çfarë nxjerr në dritë ky episod rreth personalitetit të tij? Cila prej cilësive të tij del në pah këtu?’b Bërja e kësaj mund t’i ndihmojë edhe skeptikët për të kuptuar se Bibla duhet të ketë origjinë hyjnore, duke hedhur kështu një bazë që ata të njohin më mirë Autorin e saj të dashur.
Një Mësues i Madh na ndihmon të njohim Krijuesin
15. Pse bëmat dhe mësimet e Jezuit duhet të jenë ndërtuese?
15 Kuptohet, njerëzit që dyshojnë në ekzistencën e Krijuesit ose pikëpamja e të cilëve mbi Perëndinë është e vagët, mund të dinë pak gjëra për Biblën. Ndoshta kemi takuar individë që nuk e dinë nëse Moisiu ka jetuar para ose pas Mateut dhe që nuk dinë pothuajse asgjë për bëmat ose mësimet e Jezuit. Kjo gjë është e trishtueshme, sepse njerëzit mund të mësojnë vërtet shumë për Krijuesin nga Mësuesi i Madh, Jezui. Meqë kishte pasur një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, ai mund të zbulonte se si është Krijuesi ynë. (Gjoni 1:18; 2. Korintasve 4:6; Hebrenjve 1:3) E kështu bëri. Në fakt, një herë ai tha: «Kush më ka parë mua, ka parë Atin.»—Gjoni 14:9.
16. Çfarë ilustron biseda e Jezuit me gruan samaritane?
16 Shqyrto këtë shembull. Në një rast, kur ishte i lodhur nga udhëtimi, Jezui foli me një grua samaritane afër Siharit. Ai i tha asaj të vërteta të thella, të cilat përqendroheshin mbi nevojën për «ta adhuruar Atin në frymë dhe në të vërtetën». Judenjtë e asaj epoke i shmangnin samaritanët. Në kontrast me ta, Jezui pasqyroi gatishmërinë e Jehovait për të pranuar burra e gra të sinqertë nga të gjitha kombet, siç e kemi vërejtur edhe nga ngjarja që përfshinte Eliseun dhe Naamanin. Kjo gjë duhet të na sigurojë se Jehovai nuk e miraton aspak fanatizmin mendjengushtë fetar që përshkon botën e sotme. Mund t’i kushtojmë vëmendje edhe faktit se Jezui qe i gatshëm të mësonte një grua, madje në këtë rast një grua që jetonte me një burrë, i cili nuk ishte bashkëshorti i saj. Në vend që ta dënonte, Jezui e trajtoi këtë grua me dinjitet, në një mënyrë që mund ta ndihmonte me të vërtetë atë. Pas kësaj, edhe samaritanë të tjerë e dëgjuan Jezuin dhe nxorën përfundimin: «E dimë se ai është me të vërtetë Krishti, shpëtimtari i botës.»—Gjoni 4:2-30, 39-42; 1. Mbretërve 8:41-43; Mateu 9:10-13.
17. Çfarë përfundimi vë në dukje tregimi mbi ringjalljen e Lazrit?
17 Le të shohim një ilustrim tjetër të mënyrës se si mund të mësojmë për Krijuesin duke u njohur me veprimet dhe mësimet e Jezuit. Medito mbi rastin kur Jezuit i vdiq një mik, Lazri. Jezui kishte dhënë që më përpara prova të fuqisë së tij për t’i kthyer të vdekurit në jetë. (Luka 7:11-17; 8:40-56) Por, si reagoi ai kur pa motrën e Lazrit, Marinë, duke qarë? Jezui «rënkoi në frymë dhe u turbullua». Ai nuk ishte indiferent ose i ftohtë, por «shpërtheu në lot». (Gjoni 11:33-35, BR) E kjo nuk ishte një shfaqje e thjeshtë ndjenjash. Jezui u nxit për të bërë veprime pozitive, duke e ringjallur Lazrin. Mund ta imagjinosh se sa i ndihmoi kjo gjë apostujt për të kuptuar ndjenjat dhe veprimet e Krijuesit. Duhet të na ndihmojë edhe ne, si edhe të tjerët, për të kuptuar personalitetin dhe udhët e Krijuesit.
18. Si duhet të ndihen njerëzit lidhur me studimin e Biblës?
18 Nuk ka asnjë arsye që të na vijë turp të studiojmë Biblën dhe të mësojmë më shumë rreth Krijuesit tonë. Bibla nuk është një libër i dalë jashtë mode. Një person që e studioi atë dhe u bë një shok i ngushtë i Jezuit, ishte Gjoni. Më vonë, ai shkroi: «Ne e dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha aftësinë intelektuale, që të fitojmë njohuri për të vërtetin. Me anë të Birit të tij, Jezu Krishtit, ne jemi në unitet me të vërtetin. Ky është Perëndia i vërtetë dhe jeta e përhershme.» (1. Gjonit 5:20, BR) Vër re se përdorimi i «aftësisë intelektuale» për të fituar njohuri për «të vërtetin», Krijuesin, mund të çojë në «jetë të përhershme».
Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të mësojnë për Të?
19. Çfarë hapi është ndërmarrë për të ndihmuar njerëzit skeptikë?
19 Disa njerëz kanë nevojë për shumë fakte që të besojnë se ekziston një Krijues i dhembshur që interesohet për ne dhe të kuptojnë se si është ai. Ka miliona e miliona njerëz që ende janë skeptikë rreth Krijuesit ose pikëpamja e të cilëve për të nuk korrespondon me atë që gjendet në Bibël. Si mund t’i ndihmojmë? Në kongreset krahinore dhe ndërkombëtare për vitet 1998-1999 të Dëshmitarëve të Jehovait, doli një mjet i ri i efektshëm në shumë gjuhë: libri A ka një Krijues që interesohet për ju?
20, 21. (a) Si mund të përdoret me sukses libri Krijuesi? (b) Trego përvoja se si ka dalë tashmë i efektshëm libri Krijuesi.
20 Ky është një botim që do të na e përforcojë besimin në Krijuesin tonë dhe çmueshmërinë për personalitetin dhe udhët e tij. Pse është e sigurt kjo? Sepse libri A ka një Krijues që interesohet për ju? është bërë duke pasur veçanërisht këto synime në mendje. Një fill mendimi që përshkon të gjithë librin është: «Çfarë mund t’i shtojë domethënie jetës suaj?» Përmbajtja është paraqitur në një mënyrë që edhe njerëzve me arsim të konsiderueshëm do t’u duket shumë tërheqëse. Megjithatë, ai përmend dëshira që të gjithë ne i kemi. Lexuesit që dyshojnë mbi ekzistencën e Krijuesit do të gjejnë një material interesant dhe bindës në të. Libri nuk e supozon që lexuesi beson në Krijuesin. Ata që janë skeptikë do t’i tërheqë trajtimi i zbulimeve dhe i koncepteve më të fundit shkencore. Këto fakte do të forcojnë madje edhe besimin e atyre që besojnë në Perëndinë.
21 Kur të studiohet ky libër i ri, do të vërehet se disa pjesë të tij paraqesin një pamje të përgjithshme të historisë së Biblës në një mënyrë që nxjerr në pah aspekte të personalitetit të Perëndisë, duke i ndihmuar lexuesit që ta njohin më mirë Perëndinë. Shumë nga ata që tashmë e kanë lexuar librin, kanë komentuar se në ç’mënyrë ka qenë e vërtetë kjo në rastin e tyre. (Shiko artikullin vijues, faqet 25, 26.) Qoftë kështu edhe për ty, ndërsa njihesh me librin dhe e përdor për të ndihmuar të tjerët që ta njohin më mirë Krijuesin!
[Shënimet]
a Dijetari Jezuit M. J. Gruntaner, ndërsa ishte kryeredaktor i The Catholic Biblical Quarterly, zbatoi për këtë folje atë që tha për foljen e ngjashme me të, pra që «nuk e ka fare konceptin e ekzistencës në formë abstrakte, por gjithnjë shpreh qenien ose bërjen në mënyrë fenomenale, për shembull, duke e shfaqur vetveten në mënyrë konkrete».
b Kur prindërit u thonë tregime biblike fëmijëve të tyre, mund t’i ndihmojnë duke u bërë këto pyetje. Në këtë mënyrë, të rinjtë mund të njihen me Perëndinë, si edhe të mësojnë të meditojnë mbi Fjalën e Tij.
A ke vënë re?
◻ Si u njoh Moisiu më mirë me Jehovain në malin Sinai?
◻ Pse studimi i Biblës është një ndihmë për të njohur se si është Perëndia?
◻ Ndërsa lexojmë Biblën, çfarë mund të bëjmë për t’u afruar me Krijuesin tonë?
◻ Në ç’mënyrë planifikoni ta përdorni librin Krijuesi?
[Figura në faqen 20]
Çfarë na sugjeron sistemi imunitar rreth Krijuesit tonë?
[Figura në faqen 21]
Një pjesë e Rrotullave të Detit të Vdekur, ku është theksuar tetragrami (emri i Perëndisë në hebraisht)
[Burimi]
Me mirësjellje nga Shenjtorja e Librit, Muzeu i Izraelit, Jerusalem
[Figura në faqen 23]
Çfarë mund të mësojmë nga reagimi i Jezuit ndaj pikëllimit të Marisë?