A të kujtohet?
A të janë dukur me vlerë praktike numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, pse të mos e provosh kujtesën tënde me pyetjet vijuese?
◻ Cilat janë dy pyetjet që kanë ndihmuar shumë të krishterë, të cilët duhej të merrnin vendime për punësimin, për të arritur në një përfundim personal?
Pyetja e parë kyçe është: A dënohet në Bibël kjo punë në vetvete? Pyetja e dytë është: Kjo punë, a do ta bënte një person bashkëpunëtor në një praktikë të dënuar?—15/4, faqe 28.
◻ Si iu ‘nënshtrua krijimi njerëzor kotësisë’? (Romakëve 8:20, BR)
Ne iu ‘nënshtruam kotësisë’, për shkak të veprimeve të prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës. Kjo nuk ndodhi «me anë të vullnetit [tonë]» ose si pasojë e zgjedhjes sonë individuale. Gjendjen tonë e kemi të trashëguar. Në mënyrë të mëshirshme, edhe pse tani prindërit tanë të parë mund të transmetonin vetëm papërsosmërinë, mëkatin dhe vdekjen, Jehovai i lejoi të kishin fëmijë. Vdekja u shtri te të gjithë njerëzit, prandaj, në këtë kuptim, Perëndia ‘ia nënshtroi [krijimin] kotësisë’.—1/5, faqe 5.
◻ Përse është logjike të themi se do të ketë një ‘qëndrim në një vend të shenjtë’ të ‘gjësë së neveritshme’ në të ardhmen? (Mateu 24:15, BR)
Në modelin e lashtë, ‘gjëja e neveritshme që qëndron në një vend të shenjtë’ kishte lidhje me sulmin romak në vitin 66 të e.s., drejtuar nga gjeneral Gali. Paraleli i këtij sulmi në ditët moderne, pra, shpërthimi i ‘mjerimit të madh’, pritet ende të ndodhë. (Mateu 24:21, BR) Prandaj, ‘gjëja e neveritshme që shkakton shkretim’ duhet të qëndrojë akoma edhe një herë në një vend të shenjtë.—1/5, faqet 16, 17.
◻ Si mund të gjejnë kohë për fëmijët e tyre, një nënë e një baba që punojnë?
Nëna, që ndihet e sfilitur pas një dite pune, mund t’u kërkojë fëmijëve që ta ndihmojnë për të përgatitur ushqimet. Babai, i cili ka një listë plot me gjëra për të bërë gjatë fundjavëve, mund t’i bëjë së bashku me fëmijët disa nga këto punë.—15/5, faqe 6.
◻ Çfarë duhet të bëjnë ata që ‘ecin në udhën e Jehovait’? (Jeremia 7:23, BR)
Ecja në udhën e Jehovait kërkon besnikëri, pra, një vendosmëri për t’i shërbyer vetëm atij. Kërkon, gjithashtu, siguri, domethënë një besim të plotë se premtimet e Jehovait janë të besueshme e se do të plotësohen. Ecja në udhën e Jehovait kërkon bindje, me një fjalë, ndjekjen e ligjeve të tij pa devijuar dhe mbajtjen e standardeve të tij të larta. (Psalmi 11:7)—15/5, faqe 14.
◻ Cilat janë katër përgjegjësi të rëndësishme që mund të përmbushin ‘dhuratat në njerëz’? (Efesianëve 4:8, BR)
Ata mund të na ndreqin me butësi, të na ndërtojnë me dashuri, t’i kontribuojnë unitetit tonë me kongregacionin dhe të na mbrojnë me guxim. (Efesianëve 4:12-14)—1/6, faqe 14.
◻ Çfarë mund të mësojmë nga shoqërimi i Pavlit me rreth njëqind individë, të përmendur në Veprat dhe në letrat e tij?
Duhet të punojmë gjithnjë bashkë me organizatën e Perëndisë, me kongregacionin ku bëjmë pjesë dhe me bashkëbesimtarët tanë. Kemi nevojë për ndihmën, mbështetjen dhe ngushëllimin e tyre, në kohë të favorshme dhe në kohë me telashe.—1/6, faqe 31.
◻ Cilat janë tri linjat e arsyetimit që mund të përdoren për të ndihmuar të tjerët që të mendojnë rreth Krijuesit?
Saktësia që shihet në universin e paanë, origjina e jetës në tokë dhe fakti i pamohueshëm që truri njerëzor është unik, me aftësitë e tij të ndryshme.—15/6, faqe 18.
◻ Përse është kaq e rëndësishme të kuptojmë domethënien e emrit personal të Krijuesit?
Emri i Perëndisë do të thotë «Ai shkakton të bëhet» dhe nxjerr në pah faktin se ai edhe i vë qëllime vetes, edhe vepron. Duke e ditur dhe duke e përdorur emrin e tij, ne mund ta kuptojmë më mirë se ai i përmbush premtimet dhe e plotëson në mënyrë aktive qëllimin e tij.—15/6, faqe 21.
◻ Si mund t’i përfshijmë fëmijët në studimin biblik familjar?
Në rast se është e mundur, rregulloni që çdo fëmijë të ketë Biblën e vet dhe botimin që po studiohet. Një fëmije të vogël mund t’i kërkohet të shpjegojë figurat që gjenden në materialin e studimit dhe një fëmijë tjetër mund të caktohet që më përpara për të lexuar një shkrim. Një më i rritur mund të caktohet që të nxjerrë në pah rastet se ku gjen zbatim praktik materiali i studimit.—1/7, faqe 15.
◻ Cilat janë disa synime që një familje mund të përfshijë në përgatitjen për mbledhjet e kongregacionit?
(1) Secili në familje të jetë gati për të komentuar në mbledhje; (2) secili të bëjë përpjekje për të dhënë komente me fjalët e veta; (3) në komente të përfshihen shkrimet dhe (4) të analizohet materiali, duke i bërë një zbatim personal.—1/7, faqe 20.
◻ Cili është një çelës për një martesë të lumtur?
Për të hapur në mënyrë simbolike derën dhe për të përjetuar gëzimet e çmuara të një martese të lumtur, një çelës thelbësor është komunikimi i mirë. Ky përfshin ndarjen e ndjenjave dhe të ideve. Veç kësaj, komunikimi i mirë përfshin gjërat që janë ndërtuese, freskuese, të virtytshme, të denja për lëvdim dhe ngushëlluese. (Efesianëve 4:29-32; Filipianëve 4:8)—15/7, faqe 21.
◻ Cila është ‘udha e Jehovait’? (Psalmi 25:8, 9, 12, BR)
Kjo udhë është udha e dashurisë. Ajo bazohet në bërjen e asaj që është e drejtë, në përputhje me standardet e Perëndisë. Bibla e quan këtë zbatim të dashurisë së bazuar në parime, «një udhë që i tejkalon të tjerat». (1. Korintasve 12:31, BR)—1/8, faqe 12.