Si mund të tregojmë përulësi të vërtetë?
PËRULËSIA e vërtetë ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë. Jakovi shkroi: «Perëndia kundërshton fodullët, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (Jakovit 4:6, BR) Këtu Jakovi mund të ketë qenë duke nënkuptuar disa mendime të shprehura në Shkrimet Hebraike. «Jehovai është i lartë, e megjithatë e sheh të përulurin; por kryelartin ai e njeh vetëm nga larg.» «Sytë fodullë të njeriut tokësor duhet të bëhen të ulët dhe kryelartësia e njeriut duhet të përkulet; dhe vetëm Jehovai duhet të ngrihet lart.» «Nëse ka të bëjë me përqeshësit, ai [Perëndia] vetë do t’i përçmojë, por zemërbutëve ai do t’u tregojë favor.»—Psalmi 138:6, BR; Isaia 2:11, BR; Fjalët e urta 3:34, BR.
Edhe apostulli Pjetër inkurajoi përulësinë. Ai shkroi: «Që të gjithë ngjeshuni me modesti mendjeje kundrejt njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.»—1. Pjetrit 5:5, BR.
Shembulli i përulësisë së Krishtit
Ti mund të pyesësh: «Çfarë vlere ose çfarë përfitimi ka të jesh i përulur?» Për atë që përpiqet të jetë një i krishterë i vërtetë përgjigjja është themelore: të jesh i përulur do të thotë të jesh si Krishti. Jezui e tregoi përulësinë e tij, duke pranuar caktimin unik për të ardhur nga sfera qiellore këtu në tokë dhe për t’u bërë një njeri i përulur, më i ulët se engjëjt. (Hebrenjve 2:7) Edhe pse ishte Biri i Perëndisë, ai duroi poshtërimet që iu bënë nga armiqtë e tij fetarë. Ai e mbajti veten gjatë sprovave që pati, edhe pse ishte në gjendje të thërriste në ndihmë legjionet e engjëjve.—Mateu 26:53.
Në fund, Jezuin e varën me turp në shtyllën e mundimeve, por ai mbeti besimplotë ndaj Atit të tij. Kështu, Pavli mundi të shkruante për të: «Mbani në ju këtë qëndrim mendor që ishte edhe në Krishtin Jezu, i cili, edhe pse ekzistonte në formë Perëndie, nuk e konsideroi një gjë për t’u kapur, domethënë se duhej të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten e tij dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit. Për më tepër, kur u gjend me figurë njeriu, e përuli vetveten dhe u bë i bindur deri në vdekje, po, vdekje mbi një shtyllë mundimesh.»—Filipianëve 2:5-8, BR.
Pra, si mund të shfaqim ne përulësi të vërtetë? Në rrethana praktike, si mund të reagojmë në një mënyrë të përulur në vend se me krenari?
Si reagon një person i përulur?
Le të konsiderojmë përulësinë në rrethanat e punës, qoftë kjo në vendin e punës, qoftë në shërbimin e krishterë. Që një punë të bëhet me sukses, mund të ketë nevojë për mbikëqyrës, administratorë dhe përgjegjës. Dikush duhet të marrë vendime. Si reagon ti? A arsyeton: «Kush mendon se është ai që të më thotë mua çfarë duhet të bëj? Unë kam më shumë vite që punoj këtu.» Po, nëse je krenar do të acarohesh kur vjen fjala për nënshtrimin. Nga ana tjetër, një person i përulur përpiqet të «mos bëjë asgjë nga fryma luftarake ose nga egoizmi, por me modesti mendjeje, duke konsideruar se të tjerët janë më të lartë se ai».—Filipianëve 2:3, BR.
Si reagon kur të jepet një sugjerim nga një person më i ri në moshë ose nga një grua? Po të jesh i përulur, të paktën do ta marrësh në konsideratë. Po të jesh krenar, do ta marrësh inat personin ose do ta hedhësh poshtë menjëherë sugjerimin. Do të të pëlqente më shumë të merrje lavdërime dhe lajka, të cilat do të të çonin në rrënim, apo të merrje këshilla konstruktive që të ndërtojnë?—Fjalët e urta 27:9; 29:5.
A mund ta përballosh sfidën e vështirësive? Përulësia do të të aftësojë t’u bësh ballë rrethanave të vështira dhe të qëndrosh, ashtu siç bëri Jobi. Nëse je krenar, do të priresh për t’u zhgënjyer e mund të rebelohesh ndaj rrethanave pikëlluese dhe ndaj fyerjeve të imagjinuara.—Jobi 1:22; 2:10; 27:2-5.
Përulësia është e dashur dhe fal
Disa njerëz e kanë të vështirë të thonë: «Më vjen keq. Kam bërë gabim. Ti kishe të drejtë.» Pse? Nga krenaria e tepërt! Megjithatë, shumë shpesh mjafton thjesht të kërkohet ndjesë sinqerisht për t’i dhënë fund një grindjeje martesore.
A je gati të falësh kur dikush të ofendon? Apo, me krenarinë tënde, mban inat, ndoshta për ditë e muaj të tërë, duke refuzuar t’i flasësh ofenduesit të supozuar? Ndoshta përfshihesh edhe në hakmarrje, duke u përpjekur të marrësh plotësisht hakun për atë që të është bërë? Njerëzit janë vrarë në disa hakmarrje. Në të tjera, është përdorur metoda e njollosjes publike të reputacionit të personit tjetër. Në kontrast, një person i përulur është i dashur dhe fal. Pse? Sepse dashuria nuk e mban në llogari të keqen. Jehovai ishte gati t’i falte izraelitët nëse ata do ta frenonin krenarinë e tyre. Një ithtar i përulur i Jezuit është gati të falë, madje edhe në mënyrë të përsëritur!—Joeli 2:12-14; Mateu 18:21, 22; 1. Korintasve 13:5, BR.
Një person i përulur ‘merr drejtimin në shfaqjen e nderimit ndaj tjetrit’. (Romakëve 12:10, BR) Në përkthimin New International Version lexojmë: «Nderoni njëri-tjetrin mbi vetveten.» A i lavdëron të tjerët dhe a i çmon aftësitë dhe talentet e tyre? Apo duhet të gjesh gjithnjë ndonjë defekt për të errësuar reputacionin e tyre? Po, a je i aftë për t’i lavdëruar sinqerisht të tjerët? Nëse ke vështirësi në këtë aspekt, ndoshta problemet që ke janë pasiguria personale dhe krenaria.
Një person krenar është i paduruar. Nga ana tjetër, një person i përulur është i duruar dhe shpirtmadh. Po ti? A prekesh në sedër për çdo trajtim të pafavorshëm që të bëhet? Ky reagim është e kundërta e të qenët shpirtmadh. Nëse je i përulur, nuk do të kesh tepër konsideratë për veten. Kujto atë që ndodhi kur dishepujt e Jezuit patën tepër konsideratë për veten dhe u përfshinë në grindje të flakta se cili duhej të ishte më i rëndësishmi ndër ta. Ata harruan se ishin që të gjithë «shërbëtorë të padobishëm»!—Luka 17:10; 22:24; Marku 10:35-37, 41.
Shkrimtari francez Volteri e përshkroi përulësinë si «modestia e shpirtit . . . ilaçi për krenarinë». Po, përulësia është modesti mendjeje. Një person i përulur ka një frymë modeste, jo krenare. Ai është shumë i sjellshëm e i respektueshëm.
Prandaj, pse të përpiqemi të jemi të përulur? Sepse përulësia ka miratimin e Perëndisë dhe na ndihmon për të marrë udhëheqjen hyjnore. Pjesërisht për shkak të përulësisë së Danielit, Jehovai e konsideroi profetin si dikë ‘shumë të dëshirueshëm’ dhe i dërgoi atij një engjëll me një vizion! (Danieli 9:23; 10:11, 19, BR) Përulësia sjell shumë shpërblime. Sjell miq të vërtetë që të duan. Akoma më e rëndësishme, ajo sjell bekimin e Jehovait. «Rezultati i përulësisë dhe i druajtjes së Jehovait është pasuri, lavdi e jetë.»—Fjalët e urta 22:4, BR.
[Figura në faqen 7]
Një kërkesë e përulur për ndjesë mund ta bëjë më të ëmbël jetën