NJERIU
Forma më e lartë e jetës në tokë e krijuar nga Perëndia Jehova. Jehovai e formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës, «dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë». (Zn 2:7; 1Ko 15:45) Pasi Adami u krijua dhe pasi u vuri emra kafshëve, Jehovai e vuri në gjumë të thellë; ndërsa ai po flinte, Perëndia mori një nga brinjët e Adamit dhe me të bëri gruan. Ja përse, kur Perëndia ia çoi njeriut, Adami tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» Ai e quajti Grua, ʼishsháh, sepse u mor nga burri. (Zn 2:21-23) Më pas, Adami e quajti Eva («e gjallë»).—Zn 3:20.
Për njeriun janë përdorur disa terma hebraikë dhe grekë. ʼAdhám (term i përgjithshëm) do të thotë «njeri; qenie njerëzore; njeri i tokës; njerëzim»; ʼish «burrë; individ; bashkëshort»; ʼenóhsh «njeri i vdekshëm»; géver «burrë»; zakhár «mashkull»; në disa raste, edhe pak fjalë të tjera hebraike janë përkthyer «njeri». Fjala greke ánthropos (term i përgjithshëm) do të thotë «njeri; njerëzim»; anér «burrë; mashkull; bashkëshort».
Teksa dëshmonte se njeriu u krijua nga Perëndia Jehova, apostulli Pavël u tha athinasve: «Nga një njeri i vetëm ai bëri të gjitha kombet, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.» (Ve 17:26) Pra, të gjitha kombet dhe racat kanë një origjinë të përbashkët.
Adami dhe Eva u krijuan aty nga fundi i ‘ditës’ së gjashtë të krijimit. (Zn 1:24-31) Nuk ekzistojnë dëshmi konkrete të njeriut të lashtë, të shkrimit të tij, të aktivitetit bujqësor apo të ndonjë lloji tjetër, që të datojnë para 4026-ës p.e.s., vitit të krijimit të Adamit. Përderisa Shkrimet e Shenjta e përshkruajnë historinë e njeriut qysh nga krijimi i çiftit të parë, s’mund të ekzistojë diçka e tillë si «njeriu parahistorik». Gjetjet fosile në tokë nuk tregojnë asnjë hallkë lidhëse mes njeriut dhe kafshëve. Po ashtu, në dokumentet më të hershme të njeriut, qofshin këto dokumente të shkruara, vizatime në shpella, skulptura apo të tjera, nuk përmenden fare format më të ulëta njerëzore. Shkrimet tregojnë qartësisht të kundërtën, se fillimisht njeriu ishte bir i Perëndisë dhe më pas degradoi. (1Mb 8:46; Ek 7:20; 1Gjo 1:8-10) Arkeologu Orlando D. Miler vërejti: «Prandaj, tradita e ‘epokës së artë’ nuk ishte një mit. Doktrina e lashtë, sipas së cilës njeriu pati një rënie, një degradim të trishtueshëm nga gjendja fillestare e lumturisë dhe dëlirësisë, pa dyshim që mbart në vetvete një të vërtetë të madhe, ndonëse të vajtueshme. Duket qartë se filozofitë tona moderne të historisë që fillon me njeriun primitiv e të pazhvilluar, kanë nevojë për një prolog të ri. . . . Jo, njeriu primitiv nuk ishte aspak i pazhvilluar.»—Har-Moad, 1892, f. 417.
Bibla tregon se vendbanimi fillestar i njeriut ishte «një kopsht në Eden». (Zn 2:8; shih EDENI nr. 1.) Ai ndodhej pak a shumë pranë vendit ku u zhvillua qytetërimi i hershëm pas Përmbytjes. Pikëpamja e pranuar gjerësisht nga dijetarët shprehet nga P. Xh. Uajsmeni: «Gjithë dëshmitë e vërteta që kemi në dispozicion, të Zanafillës, arkeologjisë dhe traditat e njerëzve, tregojnë se vendbanimi më i vjetër i njeriut është rrafshina e Mesopotamisë. Qytetërimi i Lindjes së Largme, qoftë ai kinez apo indian, nuk mund të hahet me këtë vend për sa i përket lashtësisë së popullsisë, pasi ky mund ta vërtetojë lehtësisht pretendimin se është djepi i qytetërimit.»—New Discoveries in Babylonia About Genesis, 1949, f. 28.
Në ç’kuptim njeriu u bë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»?
Kur i bëri të ditur ‘kryemjeshtrit’ të vet qëllimin e krijimit të njerëzimit, Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun [ʼadhám] sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmëri me ne.» (Zn 1:26, 27; Pr 8:30, 31; krahaso Gjo 1:1-3; Kl 1:15-17.) Në Shkrime nuk thuhet askund se Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së ndonjë kafshe të egër, të ndonjë kafshe shtëpiake a të ndonjë peshku. Njeriu u bë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë»; ai ishte një «bir i Perëndisë». (Lu 3:38) Për sa i përket formës apo trupit të Perëndisë, «askush nuk e ka parë Perëndinë kurrë». (1Gjo 4:12) Asnjë këtu në tokë nuk e di se si është trupi frymor, i lavdishëm, qiellor i Perëndisë, pra, s’mund ta përngjasojmë trupin e njeriut me trupin e Perëndisë. «Perëndia është Frymë.»—Gjo 4:24.
Gjithsesi, njeriu është bërë «sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë» në kuptimin që është krijuar me cilësi morale të ngjashme me ato të Perëndisë, pra, me dashurinë e drejtësinë. (Krahaso Kl 3:10.) Ai ka aftësi e mençuri më të madhe se kafshët, prandaj mund të vlerësojë gjërat që Perëndia vlerëson, si bukuria, artet, aftësia për të folur e për të arsyetuar, si dhe aftësi të ngjashme të mendjes e të zemrës që kafshët nuk i kanë. Për më tepër, njeriu ka aftësinë të ketë karakter frymor, të njohë e të komunikojë me Perëndinë. (1Ko 2:11-16; He 12:9) Për këto arsye, njeriu qe në gjendje të ishte përfaqësuesi i Perëndisë e t’i mbante të nënshtruara krijesat e qiejve, të tokës e të detit.
Si krijesë e Perëndisë, fillimisht njeriu ishte i përsosur. (Lp 32:4) Për këtë arsye, Adami mund t’u kishte lënë si trashëgimi brezave të ardhshëm përsosmërinë njerëzore dhe mundësinë e jetës së përhershme në tokë. (Is 45:18) Ai dhe Eva morën këtë urdhër: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» Teksa familja e tyre do të rritej, ata do ta punonin tokën e do ta hijeshonin sipas projektit të Krijuesit.—Zn 1:28.
Duke folur për pozitën e burrit e të gruas sipas rregullit të Perëndisë, apostulli Pavël tha: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.» Më tej, theksoi se një grua që lutet ose profetizon në kongregacion me kokë të zbuluar, turpëron atë që është kreu i saj. Për ta përforcuar argumentin, ai tha: «Burri nuk duhet ta ketë kokën të mbuluar, meqë është shëmbëlltyra dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit.» Burri u krijua i pari e, për njëfarë kohe, qëndroi i vetëm dhe ishte e vetmja qenie e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Gruaja u bë nga burri dhe duhej të ishte e nënshtruar ndaj tij, në ndryshim nga Perëndia, i cili nuk është i nënshtruar ndaj askujt. Sidoqoftë, autoriteti i burrit vjen pas autoritetit të Perëndisë e të Krishtit.—1Ko 11:3-7.
Qenie me vullnet të lirë. Duke qenë se u bë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, në ngjashmëri me Të, njeriu ishte një qenie me vullnet të lirë. Ishte i lirë të zgjidhte që të vepronte mirë ose keq. Po t’i bindej me vullnet e me dashuri Krijuesit, njeriu do të kishte mundësi t’i sillte nder e lavdi Perëndisë shumë më tepër sesa kafshët. Me aftësitë e tij mendore, mund të lavdëronte Perëndinë për cilësitë e Tij të mrekullueshme dhe mund të përkrahte sovranitetin e Perëndisë. Megjithatë, liria që gëzonte Adami ishte relative dhe jo absolute. Ai mund të vazhdonte të jetonte i lumtur, vetëm nëse pranonte sovranitetin e Jehovait. Këtë e tregonte pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, prej së cilës Adamit iu ndalua të hante. Të haje nga ajo pemë, ishte një akt mosbindjeje, një rebelim kundër sovranitetit të Perëndisë.—Zn 2:9, 16, 17.
Meqë Adami ishte «bir i Perëndisë» (Lu 3:38), marrëdhënia e tij me Perëndinë ishte si ajo e një biri me të atin, dhe prandaj duhej t’i bindej. Veç kësaj, Perëndia krijoi te njeriu një dëshirë të lindur për të adhuruar. Por kjo dëshirë, nëse shtrembërohej, do ta çonte njeriun në drejtim të gabuar dhe do t’i hiqte lirinë, pasi do ta bënte skllav të krijesës dhe jo të Krijuesit. Kjo do të sillte degradimin e njeriut.
Një bir frymor, por rebel, i Perëndisë e shtyu gruan e Adamit, Evën, të mëkatonte; pastaj, ajo tundoi edhe Adamin, i cili me dashje u rebelua bashkë me të kundër Jehovait. (Zn 3:1-6; 1Ti 2:13, 14) Ata u bënë si njerëzit për të cilët Pavli foli më vonë te Romakëve 1:20-23. Për shkak të shkeljes, Adami humbi përsosmërinë dhe pozitën e tij si bir; solli mëkatin, papërsosmërinë dhe vdekjen për gjithë pasardhësit e tij, për gjithë njerëzimin. Që kur të lindnin, ata do të ishin sipas shëmbëlltyrës së atit të tyre, Adamit, të papërsosur e me vdekjen që do të vepronte në trupat e tyre.—Zn 3:17-19; Ro 5:12; shih ADAMI nr. 1.
«Njeriu i brendshëm.» Kur flet për luftën që duhet të bëjnë të krishterët, përfshirë edhe atë kundër trupit të papërsosur e mëkatar, Bibla përdor shprehje të tilla, si «njeriu që jam përbrenda», «njeriu i brendshëm» dhe të tjera si këto. (Ro 7:22; 2Ko 4:16; Ef 3:16) Këto janë shprehje me vend, sepse të krishterët janë ‘rinuar në forcën që vë në veprim mendjen e tyre’. (Ef 4:23) Forca shtytëse apo prirja e mendjes së tyre, shkon në drejtimin frymor. Ata përpiqen ‘të zhveshin personalitetin e vjetër [fjalë për fjalë, njeriun e vjetër]’ dhe të veshin «personalitetin e ri [fjalë për fjalë, të riun]». (Kl 3:9, 10; Ro 12:2) Duke qenë të pagëzuar në Krishtin, të krishterët e mirosur janë të pagëzuar «në vdekjen e tij»; personaliteti i vjetër është vënë në shtyllë, «që trupi . . . mëkatar të mos kishte më fuqi». Por, derisa të vdesin e të ringjallen, trupi fizik ende do të vazhdojë të luftojë kundër ‘njeriut frymor’. Është një betejë e vështirë, për të cilën Pavli thotë: «Në këtë shtëpi banimi ne vërtet rënkojmë.» Mirëpo, flijimi shpërblyes i Krishtit i mbulon mëkatet e personalitetit të vjetër, me dëshirat mëkatare që veprojnë në gjymtyrët e trupit mëkatar, veç në qoftë se të krishterët dorëzohen dhe qëllimisht marrin udhën e mishit.—Ro 6:3-7; 7:21-25; 8:23; 2Ko 5:1-3.
Njeriu frymor. Apostulli Pavël vë ballë për ballë njeriun frymor me njeriun fizik. Ai thotë: «Por një njeri fizik [gr., psikhikós] nuk i pranon gjërat e frymës së Perëndisë, sepse për të ato janë marrëzi.» (1Ko 2:14) Shprehja «njeri fizik» nuk nënkupton thjesht një njeri që jeton në tokë, që ka një trup fizik, pasi është e qartë se të krishterët këtu në tokë kanë trupa fizikë. Njeriu fizik për të cilin flitet këtu, është një person që në jetën e tij s’ka asnjë anë frymore. Ai është fizik në kuptimin që shkon pas dëshirave të shpirtit [gr., psikhé] dhe mënjanon gjërat frymore.
Pavli vazhdon të thotë për ‘njeriun fizik’ se nuk arrin dot t’i njohë gjërat e frymës së Perëndisë, «sepse ato shqyrtohen në mënyrë frymore». Pastaj shton: «Gjithsesi, njeriu frymor shqyrton çdo gjë, kurse ai vetë nuk shqyrtohet nga askush.» Njeriu frymor i kupton gjërat që i zbulon Perëndia; gjithashtu, ai dallon edhe qëndrimin dhe udhën e gabuar të njeriut fizik. Kurse njeriu fizik nuk mund t’i kuptojë qëndrimin, veprimet dhe udhën që ndjek në jetë njeriu frymor, të cilin nuk mund ta gjykojë askush, pasi vetëm Perëndia është Gjykatësi i tij. (Ro 14:4, 10, 11; 1Ko 4:3-5) Apostulli e ilustron dhe e argumenton kështu: «Sepse ‘kush ka arritur të njohë mendjen e Jehovait, që ta mësojë atë’?» Pa dyshim, askush. «Por,—thotë Pavli për të krishterët,—ne kemi mendjen e Krishtit.» Duke pasur mendjen e Krishtit, i cili u bën të njohur të krishterëve Jehovain dhe qëllimet e tij, ata janë njerëz frymorë.—1Ko 2:14-16.
Shih BIRI I NJERIUT; MOSHUAR (I), PLAK.