BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w97 1/12 f. 4-8
  • Të rinj me një të ardhme të sigurt

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Të rinj me një të ardhme të sigurt
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • «Të egër»
  • Nën sulm
  • Kërkoni dhe do të gjeni
  • Stërvitja hyjnore sjell shpërblime
  • Grumbullojnë si thesar një themel të sigurt për të ardhmen
  • Të rinj, ndiqni synime që nderojnë Perëndinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2007
  • Të rinj, gëzojani zemrën Jehovait
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—1994
  • Bëjeni rininë tuaj të suksesshme
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2001
  • A po jetojmë në «ditët e fundit»?
    Çfarë mëson vërtet Bibla?
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
w97 1/12 f. 4-8

Të rinj me një të ardhme të sigurt

«I TMERRSHËM dhe revoltues sa ç’mund të jetë çdo [rast përdhunimi].» Kështu e përshkroi krimin gjykatësi që drejtonte një proces gjyqësor të kohëve të fundit. Një bandë prej tetë adoleshentësh, të moshës 14-18 vjeç, sulmuan befasisht një turiste në një zonë të futur të qytetit të Londrës, ia nënshtruan sulmeve seksuale të përsëritura dhe pastaj e flakën në një kanal që ndodhej aty pranë, megjithëse ajo u tha se nuk mund të notonte. Kuptohet pse nëna e një prej adoleshentëve deklaroi se kur pa në lajmet e televizionit ç’kishte bërë i biri, iu prenë krahët.

Mjerisht, ky incident pasqyron atë që po ndodh sot në shoqëri. Brutaliteti është bërë normë, qoftë në veprimtarinë kriminale, grindjet në shtëpi apo në konfliktet etnike të Ballkanit, Afrikës Qendrore e Perëndimore dhe kudo gjetkë. Të rinjtë rriten në mes të kushteve të tilla ose shpesh dëgjojnë për to. Pra, s’është për t’u çuditur që shumë prej tyre bëhen të vrazhdë, nuk tregojnë «përzemërsi të natyrshme» dhe janë «pa vetëkontroll».​—2. Timoteut 3:3, BR.

«Të egër»

Kur apostulli i krishterë, Pavli, i shkroi letrën e tij të dytë një plaku tjetër, Timoteut, Roma ishte fuqia botërore mbizotëruese. Mizoria dhe egërsia i mbushnin plot e përplot arenat romake. Megjithatë, Pavli paralajmëroi se në të ardhmen, kohët do të bëheshin «të vështira». (2. Timoteut 3:1, BR) Është interesante se fjala greke që këto kohë i përshkruan si «të vështira», përfshin idenë e «egërsisë» së tyre. Më shumë se 30 vjet para këtij paralajmërimi, një incident gjatë shërbimit tokësor të Jezuit tregon se çfarë fshihej pas një pjese të egërsisë së kohës së tij.

Jezui sapo kishte mbërritur me varkë në bregun lindor të detit të Galilesë. Sapo vuri këmbën në breg, i dolën përpara dy burra. Pamja e egër dhe ulërimat e tyre e bënë të qartë se në ta kishte diçka që nuk shkonte fare. Ata ishin «të egër në mënyrë të pazakontë», në fakt ishin të zotëruar nga demonët.a Ajo që thoshin duke ulëritur, dilte nga frymërat e liga që kontrollonin veprimet e tyre të dhunshme. «Ç’punë kemi ne me ty, Bir i Perëndisë,​—çirreshin ata.​—Mos ke ardhur këtu që të na mundosh përpara kohës së caktuar?» Frymërat e liga që i kishin zotëruar ata të dy, e dinin fare mirë se Perëndia kishte fiksuar tashmë një kohë për ekzekutimin e gjykimit të tij mbi demonët. Kjo do të thoshte shkatërrim i përhershëm i tyre. Por deri në atë kohë, ata do të ushtronin aftësitë e tyre mbinjerëzore, për të provokuar dhunë të egër. Vetëm veprimi i mrekullueshëm i Jezuit për t’i nxjerrë këta demonë, u solli lehtësim dy burrave.​—Mateu 8:28-32, BR; Juda 6.

Kur njerëzit sot, duke përfshirë edhe të rinjtë, veprojnë në një mënyrë të çmendur, bëjmë mirë ta sjellim ndër mend atë incident. Pse? Sepse në këtë shekull të 20-të, ne ndeshim një rrezik të lidhur me të, siç e shpjegon libri i fundit i Biblës, Zbulesa: «Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti Djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.» (Zbulesa 12:12) Vëre të lutemi, se ky poshtërim për Satanain, shoqërohet nga një ‘zemërim i madh’, pasi ai e di se koha e tij është e shkurtër.

Nën sulm

Siç është përmendur shpesh në faqet e kësaj reviste, viti 1914 pa ngjitjen në fron të Krishtit Jezu si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë në qiell. Menjëherë Jezui ndërmori veprime kundër armikut kryesor të Perëndisë, Satanait. Kështu, Djalli dhe demonët e tij janë përzënë nga qielli dhe tani e përqendrojnë vëmendjen e tyre te kjo tokë. (Zbulesa 12:7-9) Me një sferë ndikimi shumë të kufizuar, Satanai «sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë». (1. Pjetrit 5:8) Cilët janë pre e lehtë për të? A nuk është e kuptueshme se do të jenë veçanërisht ata, të cilëve u mungon përvoja në jetë dhe në marrëdhëniet njerëzore? Kështu që sot të rinjtë janë bërë tabela qitjeje të Djallit. Me anë të një pjese të madhe të muzikës dhe aktiviteteve gjatë kohës së lirë, ata luajnë tamam në duart e këtij manipulatori finok të padukshëm.​—Efesianëve 6:11, 12.

Edhe kur të rinjtë përpiqen të bëjnë diçka në jetë, e shohin që janë në disavantazh. Qysh prej Luftës së Dytë Botërore, njerëzit në shumë prej vendeve që më parë ishin në luftë, janë përpjekur t’i kompensojnë humbjet e pësuara, duke u ofruar familjeve të tyre një stil jete të begatë. Zotërimet materiale, koha e lirë pa kufij dhe zbavitja, janë bërë synimet më të rëndësishme. Si pasojë, shumë njerëz kanë vuajtur. «Ata që janë të vendosur për të qenë të pasur,​—e paralajmëroi Pavli Timoteun,​—bien në tundim, në grackë dhe në shumë dëshira të pakuptimta e të dëmshme . . . Sepse dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie . . . e kanë shpuar tejpërtej veten e tyre me shumë dhembje.» (1. Timoteut 6:9, 10, BR) Ngado që të hedhim sytë, gjejmë njerëz të shoqërisë së sotme materialiste të shpuar tejpërtej nga dhimbje ekonomike, financiare dhe emocionale. Mes tyre ka shumë të rinj, viktima të kësaj strategjie të kryearmikut të Perëndisë.

Megjithatë, lumturisht ka një lajm të mirë. Ai ka të bëjë me të rinjtë, me ata që kanë para tyre një të ardhme të sigurt. Si mund të jetë kështu?

Kërkoni dhe do të gjeni

Shumë të rinj kanë ideale të larta. Ata i hedhin poshtë normat që sa vijnë e keqësohen, të zakonshme mes të rriturve. Ata sprapsen përballë padrejtësisë dhe qëndrimit të pashpirt të politikanëve dhe biznesmenëve të etur për pushtet. Nëse je i ri, ndoshta ndihesh kështu.

Merr rastin e Sedrikut, një i ri në adoleshencën e vonë, përvoja e të cilit patjetër që nuk është unike.b Kur ishte fëmijë, ai kishte shumë frikë nga shumë gjëra, duke përfshirë edhe frikën nga vdekja. Ai pyeste veten se çfarë qëllimi ka jeta. Duke mos gjetur përgjigjen e pyetjes së tij deri në moshën 15-vjeçare, iu dorëzua meditimit në lidhje me domethënien e jetës, në shoqëri me të rinj të tjerë idealistë. «Pinim marijuana dhe rrinim duke biseduar për orë të tëra,​—kujton ai.​—Besoje se të gjithë mendonin njëlloj si ty, por askush nuk i kishte përgjigjet.»

Sedriku, ashtu si shumë të rinj, ishte i dëshiruar për ngacmime emocionale. Thjesht marrja e drogës nuk e kënaqte. Shpejt u përfshi në vjedhje dhe në trafikun e drogës. Megjithatë, kërkonte sfida të reja. Filloi të vidhte me porosi. «Kjo gjë m’u lezetua,​—pranon ai,​—por kurrë nuk i mora diçka një njeriu të thjeshtë. Nëse vidhja një makinë, kur s’më duhej më e lija në gjendje të mirë. Nëse plaçkisja një ndërmarrje, e bëja vetëm kur e dija se ishin të siguruar nga sigurimet shoqërore. Ky arsyetim më ndihmonte ta justifikoja atë që bëja.» Siç mund ta presësh, Sedriku përfundoi në burg.

Sedriku kujton: «Marku, një i burgosur tjetër, bisedonte me mua. Duke vërejtur se kisha në krah një kryq të madh të bërë me tatuazh, më pyeti se përse e kisha bërë. Ai mendonte se për mua duhej të ishte e rëndësishme nga pikëpamja fetare.» Nja dy javë më vonë, Marku i dha Sedrikut një kopje të librit Ti mund të jetosh përgjithmonë në Parajsë mbi tokë.c «‘Ti mund të jetosh përgjithmonë’. Ato pak fjalë, më bënë menjëherë shumë përshtypje. Kjo qe ajo për të cilën kishim folur gjithmonë, por që kurrë nuk qemë në gjendje t’i shkonim deri në fund.» Pas shumë bisedash me një Dëshmitar të Jehovait, i cili vizitonte burgun, Sedriku arriti të kuptonte se ajo që aspironte ishte e arritshme, por ama vetëm sipas mënyrës së Perëndisë.

«Sapo pushova së u shoqëruari me ish-miqtë e mi, bëra progres të shpejtë»,​—vëren Sedriku. Progresi i tij në kuptueshmëri dhe në të kuptuarin e lumturisë nuk ka qenë i lehtë. «Ende po punoj me këtë,​—thotë ai.​—Më duhet të jem i kujdesshëm në lidhje me mënyrën se si mendoj.» Po, tani Sedriku e kupton se të qenët idealist e çoi në një grackë të Djallit, duke menduar se synimet e tij mund të arriheshin vetëm duke u angazhuar në aktivitete që përqendrohen tek ngacmimet emocionale.

Lumturisht, Sedriku ka shumë kohë që ka dalë nga burgu dhe gëzon një miqësi të rregullt me të tjerë, të cilët kanë gjetur atë që kërkonin. Tani ai është një prej Dëshmitarëve të Jehovait dhe ka shpresën që kanë edhe ata, për të jetuar në parajsë këtu në tokë. Gjithashtu, ai pret me padurim fundin e ndikimit satanik, në të gjitha format e tij.

Sigurisht që një të ardhme të sigurt nuk e kanë vetëm të rinjtë si Sedriku; të tjerë janë rritur nga prindër të perëndishëm, që kanë futur në fëmijët e tyre dashurinë për të vërtetën biblike.

Stërvitja hyjnore sjell shpërblime

«Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket», shkroi mbreti i mençur i lashtësisë, Solomoni. (Proverbat 22:6) Kjo ka dalë e vërtetë në rastin e shumë të rinjve të vendosur, që kanë zgjedhur të ndjekin normat e Biblës.

Sheila, Gordoni dhe Sara vepruan kështu. Ata kujtojnë se prindërit e tyre i jepnin shumë rëndësi bindjes ndaj urdhërit të Krishtit për të ‘shkuar e për të bërë dishepuj’, duke predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) «Për çdo vendim që duhej marrë, mamaja dhe unë i thoshim njëra-tjetrës: ‘Si do të ndikojë ai në veprën e predikimit?’,​—kujton Sheila.​—Si pasojë i këtij arsyetimi, kemi lënë pa realizuar shumë plane,​—pranon ajo, duke shtuar,​—por ç’bekime kemi pasur ama!» Edhe në fund të ditëve të gjata, që i kalonin duke shkuar me lajmin e mirë nëpër shtëpitë e njerëzve, Sheila dhe nëna e saj çapiteshin për në shtëpi duke kënduar. «Gëzimi im ishte i plotë,​—thotë ajo.​—Edhe tani më duket sikur e ndiej.»

Gordoni kujton më shumë se një mbrëmje të gëzueshme të shtune. «Isha i ftuar në shtëpitë e pleqve të kongregacionit, ku bënim konkurse të vegjël biblikë dhe biseda frymore të dobishme. Ishim të inkurajuar të mësonim përmendësh vargje të Biblës, të bisedonim lirisht mbi tema biblike, të tregonim një përvojë nga predikimi dhe të mësonim se si po shtrihej vepra e Mbretërisë,​—kujton Gordoni.​—Të gjitha këto gjëra më ndihmuan të hidhja një themel të fortë dhe të kultivoja dashurinë për Perëndinë Jehova.»

Sara ka kujtime të bukura nga mbrëmje të kaluara me Dëshmitarë që shkonin për vizitë. «Hanim së bashku. Pastaj, për ta mbyllur ditën, i binim pianos, duke shoqëruar ato që këndonin këngë për Mbretërinë e Perëndisë. Muzika na ka ndihmuar vërtet shumë, veçanërisht gjatë viteve të shkollës, sepse na lejonte t’i bënim gjërat së bashku, si një familje.»

Sigurisht, jo të gjithë të rinjtë që kërkojnë t’i pëlqejnë Jehovait, kanë rrethana familjare ideale. Megjithatë, shoqërimi i ngushtë me familje të tjera Dëshmitarësh të kongregacionit, u ofron siguri dhe një ndjenjë miqësie të ngushtë.

Grumbullojnë si thesar një themel të sigurt për të ardhmen

Sot të rinjtë kanë një zgjedhje. Ata mund të vazhdojnë me këtë botë të ligë, në kredhjen e saj me kokë drejt shkatërrimit në «mjerimin e madh» që po vjen, të parathënë nga Jezui. Ose mund ta «vendosin tek Perëndia besimin e tyre dhe . . . të respektojnë urdhërimet e tij», siç këndoi psalmisti i frymëzuar, Asafi. Bindja ndaj Perëndisë do t’i pengojë të bëhen «një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jobesnike ndaj Perëndisë».​—Mateu 24:21; Psalmi 78:6-8.

Në më shumë se 80.000 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën, do të gjesh shumë të rinj, të cilët mund t’i admirosh. Ata ia kanë vënë veshin këshillës së Pavlit dhënë të riut Timote, ‘për të bërë të mira, për të qenë të pasur në vepra të shkëlqyera, për të qenë dorëlëshuar dhe të gatshëm për të ndarë me të tjerët, duke grumbulluar në mënyrë të sigurt si thesar për veten, një themel të shkëlqyer për të ardhmen’. Si rezultat, tani ata kanë «kapur fort jetën e vërtetë». (1. Timoteut 6:18, 19, BR) Mëso më shumë rreth këtyre të krishterëve të vërtetë, duke frekuentuar mbledhjet e tyre. Atëherë, edhe ti mund të kesh shpresën e një të ardhmeje të sigurt.

[Shënimet]

a «Të egër» përkthen të njëjtën fjalë greke të përdorur në Mateun 8:28 dhe në 2. Timoteut 3:1.

b Emrat janë ndryshuar.

c Botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc.

[Figura në faqen 7]

Pas burrave «të egër në mënyrë të pazakontë» që shëroi Jezui, fshiheshin frymërat e liga

[Figura në faqen 8]

Të ndërtojmë «një themel të shkëlqyer për të ardhmen»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo