Shpresa për të vdekurit—Ringjallja
A beson në premtimin që bën Bibla për ringjalljen?a Mundësia për t’u ribashkuar me njerëzit tanë të dashur që na kanë vdekur, është e bukur, për të mos thënë më tepër. Por, a është realiste të ushqejmë një shpresë të tillë? Për të gjetur përgjigjen, bëjmë mirë të shqyrtojmë shembullin e apostujve të Jezu Krishtit.
Apostujt besonin patundshmërisht te ringjallja. Pse? Për të paktën dy arsye. Së pari, shpresa e tyre bazohej kryesisht në këtë fakt: vetë Jezui ishte ngritur nga të vdekurit. Apostujt—dhe ‘më shumë se pesëqind vëllezër njëherësh’—e panë Jezuin të ringjallur. (1 Korintasve 15:6) Përveç kësaj, ringjallja e Jezuit u vërtetua dhe u pranua gjerësisht, siç tregojnë katër ungjijtë.—Mateu 27:62–28:20; Marku 16:1-8; Luka 24:1-53; Gjoni 20:1–21:25.
Së dyti, apostujt ishin dëshmitarë okularë të të paktën tri ringjalljeve—si fillim në Nain, pastaj në Kapernaum dhe në fund në Betani. (Luka 7:11-17; 8:49-56; Gjoni 11:1-44) E fundit nga këto ringjallje, që u përshkrua në fillim të kësaj reviste, kishte të bënte me një familje që Jezui e kishte shumë për zemër. Le të shohim diçka më shumë se çfarë ndodhi.
«UNË JAM RINGJALLJA»
«Yt vëlla do të ngrihet.» Jezui ia tha këto fjalë Martës, vëllai i së cilës, Lazari, kishte vdekur prej katër ditësh. Në fillim, Marta nuk e kuptoi domethënien e fjalëve të Jezuit. «E di se do të ringjallet»,—u përgjigj ajo, por mendonte se kjo do të ndodhte në të ardhmen. Përfytyro sa duhet të jetë habitur ajo kur Jezui ia ringjalli të vëllanë pasi kishte thënë: «Unë jam ringjallja dhe jeta.»—Gjoni 11:23-25.
Ku ishte Lazari gjatë katër ditëve që kishte vdekur? Lazari nuk tha asgjë që të lërë të kuptohet se kishte qenë i gjallë diku tjetër gjatë atyre katër ditëve. Jo, Lazari nuk kishte një shpirt të pavdekshëm që kishte shkuar në parajsë në qiell. Kur Jezui ringjalli Lazarin, nuk e zbriti prapë në tokë, duke e larguar kështu nga kënaqësitë qiellore në ndonjë vend pranë Perëndisë. Prandaj, ku ishte Lazari gjatë atyre katër ditëve? Në fakt, ai ishte në gjumë në varr.—Eklisiastiu 9:5, 10.
Mos harro, Jezui e krahasoi vdekjen me gjumin nga i cili dikush zgjohet nëpërmjet ringjalljes. Tregimi thotë: «‘Lazari, miku ynë, ka shkuar të pushojë, prandaj unë po shkoj atje që ta zgjoj nga gjumi.’ Atëherë dishepujt i thanë: ‘Zotëri, nëse ka shkuar të pushojë, do të bëhet mirë.’ Megjithatë, Jezui foli për vdekjen e Lazarit, kurse ata kujtuan se tha që kishte rënë në gjumë për të pushuar. Atëherë Jezui ua tha troç: ‘Lazari ka vdekur.’» (Gjoni 11:11-14) Duke e ringjallur, Jezui i dha jetë sërish Lazarit dhe e ribashkoi me familjen. Sa dhuratë të mrekullueshme i bëri Jezui asaj familjeje!
Ringjalljet që kreu Jezui kur ishte në tokë, ishin një pamje paraprake e asaj që do të bëjë në të ardhmen si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë.b Gjatë sundimit të tij mbi tokën, Jezui në pozitën qiellore do t’i risjellë në jetë të vdekurit. Ja pse tha: «Unë jam ringjallja.» Mendo sa i lumtur do të jesh kur t’i shohësh sërish njerëzit e tu të dashur! Mendo edhe sa të gëzuar do të jenë të ringjallurit!—Luka 8:56.
Mendo sa i lumtur do të jesh kur t’i shohësh sërish njerëzit e tu të dashur!
BESIMI NË JETËN E PËRHERSHME
Jezui i tha Martës: «Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë. Kushdo që jeton dhe tregon besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.» (Gjoni 11:25, 26) Ata që do të ringjallë Jezui gjatë mbretërimit të tij mijëvjeçar, do të kenë mundësinë të jetojnë përgjithmonë—për aq kohë sa të besojnë vërtet tek ai.
«Ai që tregon besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të kthehet në jetë.»—Gjoni 11:25
Pasi bëri ato pohime të jashtëzakonshme për ringjalljen, Jezui i bëri Marisë një pyetje personale: «‘A e beson këtë?’ Ajo iu përgjigj: ‘Po, Zotëri. Unë kam besuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë.’» (Gjoni 11:26, 27) Po ti, a dëshiron të kesh të njëjtin besim në shpresën e ringjalljes, ashtu si Marta? Si fillim, merr njohuri për qëllimin që ka Perëndia për njerëzimin. (Gjoni 17:3; 1 Timoteut 2:4) Falë kësaj njohurie do të kesh besim. Pse të mos pyesësh Dëshmitarët e Jehovait se çfarë mëson Bibla për këtë temë? Ata do të të flasin me kënaqësi për shpresën e mrekullueshme të ringjalljes.
a Shih artikullin «Vdekja nuk është fundi i gjithçkaje!», në faqen 6 të kësaj reviste.
b Për më shumë informacion rreth premtimit të Biblës për një ringjallje në të ardhmen, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.